Në Rusinë Jugore gjenden Tryeza e Shenjtë dhe Kolimvithra 1500 vjeçare
Arkeologët ruse raportojnë një zbulim të mahnitshëm në rajonin e Krasnodar Krait, që i takon një ndër zonave më të hershme të Krishterimit Rus.
Në një vend gërmimi në Fanagoria (pranë Krimesë), shkencëtarët e Akademisë së Shkencave të Rusisë kanë zbuluar së fundmi copëza mermeri të një Tryeze të Shenjtë, si dhe një pjesë kolimvithre, që i takojnë afërsisht shek. V-VI. Ekspertët mendojnë se pjesët e gjendura i takojnë një ndër kishave më të hershme të Rusisë.
Sipas arkeologëve, gjetjet dëshmojnë për ekzistencën e një kishe të hershme në territorin e Bosforit Sumerian.
Kreu i ekspeditës në Fanagoria nga Instituti i Arkeologjisë, Vladimir Kuznetsov pohon se: “Gjetje të tilla kanë një rëndësi të madhe për të kuptuar se si u vunë themelet e Krishterimit në territorin që sot i takon Rusisë moderne. Duket se fillesat i përkasin shek. IV pikërisht në këtë vend, pasi këtu predikoi edhe apostill Andrea i Parëthirruri.”
”Në territorin e dioqezës së Bosforit (që sot emërtohet Dioqeza e Kershit e Kishës Orthodhokse të Ukrainës) ndodhet një kishë tepër e lashtë e shën Joan Pagëzorit. Mendohet se këto gjetje i takojnë një kishe tjetër të ndodhur në pjesën Aziatike të Bosforit”- shtoi Kuznetsov.
Sipas ekspertëve, copëzat e gjetura të një pllake gjysmë rrethore prej mermeri, me prerje të harkuar përgjatë skajit, si dhe pjesët e një kolimvithre të hershme, mund të konsiderohet dëshmi bindëse se aty ekzistonte dikur një kishë, e cila i përkiste një ndër komuniteteve të para të krishtera në atë territor.
Pjesa e sipërme e tryezës, e cila vjen në formën e shkronjës greke sigma dhe që i përket zakonisht shek. V dhe VI, përdorej më parë si Tryezë e Shenjtë ose për funksione të tjera liturgjike.
Nuk dihet vendodhja e saktë e gjetjeve të tilla të hershme, por dimë se është e përqendruar në Mesdheun Lindor. Në përgjithësi janë gjetur vetëm fragmente të vogla të tyre, zakonisht pa asnjë element dekorativ.
SipasKuzntsov-it: “Këto janë objekte shumë të rralla, madje deri më sot janë gjendur vetëm tri pjesë të tilla, dy prej të cilave gjenden në muzetë e Athinës dhe të New York-ut, dhe një e tretë që u shit në një ankand në Londër. Prandaj, kjo pjesëz e Tryezës së Shenjtë konsiderohet një zbulim tepër befasues.”
Pjesa tjetër, e cila i përket një kolimvithre, përdorej rëndom në periudhën e hershme të Bizantit, kur nuk kishte kolimvithra të ndërtuara në tokë, në të cilat zbrisje nëpërmjet shkallëve.
Duke vëzhguar përmasat e saj dallojmë se nuk përdorej vetëm për fëmijë, por edhe për të rritur. Fatkeqësisht, ka mbetur vetëm pjesa anësore, fundoredhe e pasme e saj. Nuk ka ende asnjë shenjë të pjesës ballore, ku zakonisht gdhendeshin simbole të krishtera dhe shenja e kryqit.
Një kolimvithër e lashtë u gjend edhe në Betlehem muajin e kaluar. Të dyja mendohen t’i përkasin të njëjtës periudhë kohore.