/Në Patra kremtohet përvjetori i 55-të i rikthimit të lipsanit të Shën Andreas

Në Patra kremtohet përvjetori i 55-të i rikthimit të lipsanit të Shën Andreas

Në Patra kremtohet përvjetori i 55-të i rikthimit të lipsanit të Shën Andreas

Të dielën e kaluar, në Patra të Greqisë u kremtua me madhështi përvjetori i 55-të i rikthimit të lipsanit të apostull Andreas në këtë qytet, pas plot 500 vitesh.

Shën Andrean e Parëthirrur e kryqëzuan në Patra, prandaj nderohet dhe si shenjti mbrojtës i qytetit.

Liturgjia Hyjnore u kremtua në njërën nga dy kishat e këtij qyteti, që mbajnë emrin e shenjtorit. Atë e kryesoi Hirësia e Tij, Mitropoliti Andrea i Arkalohorit, Kisamos dhe Vianos, së bashku me pesë hierarkë të tjerë, përfshirë Hirësinë e Tij, Mitropolitin Hrisostom të Patrës, dhe Mitropolitin Prodhrom të Madagaskarit Jugor.

Mitropoliti Andrea mbajti gjithashtu një predikim, ku theksoi vlerën e paçmuar të lipsaneve të shenjta, konkretisht të kafkës së apostullit të nderuar, e cila më 1964 iu rikthye Patrës nga Vatikani.

Pasditen e së njëjtës ditë, u bë një litani e madhe e lipsanit dhe ikonës së shenjtorit dhe madje jo vetëm përreth qytetit, por edhe në det (me anije).

Gjithashtu, u mbajt një Dhoksologji  në sheshin ku u bë pritja e lipsanit para 55 vitesh. Në fund të kësaj shërbese, Mitropoliti Hrisostom predikoi për dhuratën e madhe që na ka dhënën Perëndia, për të qenë pjesëtarë të Kishës së Shenjtë, Katholike dhe Apostolike dhe se sa të bekuar janë banorët e Patrës, që të mund të nderojmë varrin, lipsanin dhe kryqin e Shën Andreas.

“Të qenët bij të Perëndisë dhe pjesëtarë të Kishës së Tij nuk është thjesht një vlerë e veçantë kulturore, siç pandehin disa. Përkundrazi, është arsyeja e ekzistencës sonë dhe vetë jeta jonë, meqenëse u krijuam sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Perëndisë.” – theksoi Hirësia, duke vijuar më tej me një pyetje: “Ҫ’do të ishte vendi ynë pa Orthodhoksinë dhe Patra pa shën Andrean?”

Më pas, shpjegoi duke thënë mësimet e shën Andreas dhe të Apostujve të tjerë, të cilët predikuan Perëndinë e gjallë, përbëjnë esencën dhe themelin e popullit grek. Ishin pikërisht këto mësime, që i mbajtën gjatë periudhave të vështira të pushtimit turk. “Kisha jonë e shenjtë është mbajtësja e së Vërtetës, prandaj duhet të kapemi fort pas saj, pasi nuk kemi asnjë rrugë tjetër për shpëtim.” – vijoi më tej hirësia.

Në përfundim, ai e mbylli predikimin duke theksuar përgjegjësinë e madhe të të krishtervve, për ta ruajtur këtë thesar të madh të pacenuar, për t’ia përcjellë më pas brezave pasardhës.

Kafka e shenjtorit u mor nga Patra për t’u dërguar në Bazilikën e shën Petros në Romë, ku qëndroi për 504 vjet. Në 1964, Papa Pali IV ia ktheu Kishës Orthodhokse Greke.

 Burimi: https://orthochristian.com/124342.html?fbclid=IwAR2vbPUDEileB1mgPT3wKCgJ0ovVC3qRPsQVdof4vWEjApgm81kPPopLhD4