Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, vizitoi sot Selinë e Mitropolisë në Berat, ku u prit nga Hirësia e Tij, Mitropoliti i Beratit, Imzot Asti, dhe përfaqësues të komunitetit orthodhoks të qytetit.
Gjatë vizitës, Presidenti Begaj përcolli urimet më të përzemërta për Krishtlindjet, duke theksuar rëndësinë e festës si simbol i paqes, dashurisë dhe harmonisë. Në fjalën e tij, ai uroi për një kohë reflektimi dhe uniteti për të gjithë ne. Krishtlindjet na kujtojnë vlerat e larta të paqes dhe solidaritetit, të cilat janë themeli i një shoqërie të drejtë dhe të begatë.
Pritjet zyrtare në Selinë e Mitropolisë u pasuan nga takime të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve vendore dhe komuniteteve fetare.
Ndër ta Kryetari i Bashkisë së Beratit, z. Ervin Demo, Prefektja e Qarkut, znj. Valbona Zylyftari, Deputeti z. Fadil Nasufi, si dhe drejtuesit lokalë të Partisë Demokratike, z. Eno Bozdo dhe z. Shyqyri Dura, iu bashkuan kësaj atmosfere bashkimi dhe reflektimi.
Gjithashtu, pjesë e ceremonisë ishin përfaqësues të bashkësisë katolike dhe i Tarikatit Mysliman Rufai Sheh Ali Hoxha, duke sjellë një mesazh të fuqishëm uniteti dhe harmonie ndërfetare.
Ky moment i përbashkët dëshmon se Krishtlindjet janë një mundësi për të forcuar lidhjet mes komuniteteve dhe për të punuar së bashku për një të ardhme më të mirë për qytetin tonë dhe për Shqipërinë.
Të gjithë të pranishmit ndanë urimet më të mira për paqe, lumturi dhe një vit të ri plot begati për të gjithë shqiptarët.