/NË KUJTIM TË MIKI THEODHORAKIT

NË KUJTIM TË MIKI THEODHORAKIT

Kompozitori korife Miki Theodorakis ishte kërkues i harmonisë së përbotshme, një grek universal me famë mbarëbotërore. Njëkohësisht ishte një luftëtar i zjarrtë, atje ku shikonte vuajtje njerëzore, dhimbje të madhe për drejtësinë, dëshirën për bashkekzistencë paqësore midis popujve, për paqen dhe vëllazërimin kudo në botë. Jeta e tij ishte shumë e trazuar me një prezencë të ndjeshme sociale dhe politike, si dhe me zell të paepur për të përjetuar në mënyrë krijuese traditën greke diakronike, për kultivimin dhe lartësimin e popullit. Krijimet e tij muzikore origjinale i kapërcyen kufijtë e vendit dhe jehuan në shumë pjesë të globit.

Kryeengjëll në qiellin muzikor, Miki-Mihail Theodhorakis vuri në punë dhuratat e dhëna nga Perëndia dhe ia ofroi ato botës pa u kursyer. Në kërkimin e Perëndisë ishte i ndjeshëm dhe i kujdesshëm. Është e njohur se në kompozimet e tij, të lidhura me momente kulmore të jetës së tij, ka vënë në muzikë himne kishtare (Troparin e Kasianisë, Shërbesën e Varrimit, Liturgjinë Hyjnore).

Për herë të parë jemi takuar personalisht në banesën e tij në Athinë, në qershor të vitit 2017. Shkëmbyem përvoja jete nga rrugët e ndryshme që kishim ndjekur. Ishte një komunikim i fortë dhe i thellë njerëzish, që kishin luftuar që në vitet e para të rinisë së tyre në arenën greke dhe botërore për solidaritetin, paqen dhe drejtësinë.

Gjatë atij takimi, kompozitori i madh ofroi bujarisht të organizohej nga “Orkestra Mikis Theodhorakis” një koncert në Tiranë, që u realizua më 17 nëntor 2018, në Qendrën Kulturore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Lutja jonë vëllazërore është që Perëndia, Dielli Shpirtëror i drejtësisë dhe i paqes, ta prehë shpirtin e tij e zgjedhur “në tendat e të drejtëve”.

I përjetshëm kujtimi i tij! Tashmë ai bën pjesë në përjetësi.

Αnastasi, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

2 shtator 2021