/Në Bullgari hapet shkolla e parë fillore e Kishës Orthodhokse

Në Bullgari hapet shkolla e parë fillore e Kishës Orthodhokse

Në Bullgari hapet shkolla e parë fillore e Kishës Orthodhokse

Fillimi i vitit të ri shkollor ishte një ngjarje e gëzueshme sidomos për qytetin e Lovech-ut, në Bullgari, pasi shënoi hapjen e shkollës së parë të Kishës Orthodhokse në këtë vend.

Shërbesa e Ajazmës për bekimin e vitit të ri akademik u krye nga Mitropoliti i Lovech-ut, Hirësi Gabrieli.

Sipas vendimit të Kishës Orthodhokse të Bullgarisë, shkolla mban emrin e “Shtatë Shenjtorëve” dhe i referohet misionarëve më të mëdhenj sllavë, të cilët vunë themelet e shkrimit e të arsimit në Bullgari. Këta janë shenjtët Kirill dhe Metod, të barabartë me apostujt, si dhe 5 dishepujt e tyre: Klementi, Naumi, Sava, Gorazdi dhe Angelariusi.

Shkolla u regjistrua me aprovimin e Ministrisë së Arsimit e të Shkencave. Në të do të zhvillohen rregullisht lëndët sipas kurrikulës së caktuar nga Ministria, por do të shtohet edhe mësimet mbi Besimin Orthodhoks, për t’i edukuar fëmijët sipas Frymës së Krishterë. Shkolla administrohet dhe është nën mbikëqyrjen e Mitropolisë së Lovech-ut.

Në fjalimin e tij me rastin e hapjes së shkollës, Hirësi Gabrieli theksoi se kjo ditë është rezultat i një pune të madhe shumëvjeçare.

“Përse e ndërmorëm një hap të tillë? – pyeti Hirësia. “Sepse sipas Traditës, shkollat në Bullgari i mësojnë fëmijët, por edhe i edukojnë sipas Frymës së Krishterë. Ne duam që fëmijët të rriten e të jetojnë në harmoni, me shpresë e dashuri, t’u shërbejnë vendit të tyre, duke shmangur dhunën dhe varësi të ndryshme negative si alkooli, droga etj.. Ata duhet të mësojnë për besimin e tyre tek Perëndia, se si t’i duan njerëzit e të jenë të zellshëm e të mëshirshëm.”

Më pas Hirësia shpjegoi edhe arsyen e zgjedhjes së shtatë shenjtorëve: “Ata mbeten përjetësisht shembuj të mësuesve të denjë të cilët, përmes shenjtërisë dhe dijes krijuan një komb të tërë dishepujsh, jo vetëm për Bullgarinë, por për të gjithë popullin sllav. Përmes tyre, popujt paganë u ndriçuan, duke ecur sipas moralit Hyjnor dhe besës së Krishterë.”

Pas fjalimit të Mitropolitit u lexua edhe përshëndetja e Patriarkut të Bullgarisë, Fortlumturisë së Tij Neofitit, i cili përcolli bekimin e tij për mbarëvajtjen e shkollës.

Në fund, këtë nismë e përshëndeti edhe kryebashkiaku i qytetit, si dhe zyrtarë të tjerë. Fundi i ceremonisë së hapjes u shoqërua me zilen e parë, që i foi të gjithë fëmijët për mësim.

Burimi: https://orthochristian.com/124109.html?fbclid=IwAR2QRwOTgvIiqsoupxF-UW4bNx38-qgDWPnJT6OJYpMOsTYkTrUJysCWoUc