/NDIKIME SOCIO-KULTURORE SHQIPTARE DHE GREKE NË ZAKONE DHE TRADITA TË KRISHTLINDJEVE E VITIT TË RI – Msc. Aida Zoto Kolegji Universitar “Logos” dhe Msc. Helena Lubonja

NDIKIME SOCIO-KULTURORE SHQIPTARE DHE GREKE NË ZAKONE DHE TRADITA TË KRISHTLINDJEVE E VITIT TË RI – Msc. Aida Zoto Kolegji Universitar “Logos” dhe Msc. Helena Lubonja

Msc. Aida Zoto dhe Msc.Helena Lubonja

Kolegji Universitar “Logos”

Ditët e festave janë ditë që i kushtohen traditës, zakoneve dhe dokeve. Për dy popuj fqinj si Shqipëria dhe Greqia, të cilët gjatë bashkëjetesës së tyre pranë njeri-tjetrit kanë marrë e kanë dhënë aq shumë, është e natyrshme që festat e fund vitit në zona të ndryshme të vendit të festohen duke u bazuar në zakone e tradita të përbashkëta, duke sjelle në ketë mënyrë dhe shembullin e një fqinjësie të mirë përmes ndikimit të ndërsjellët të elementeve kulturorë.Nga kontaktet e pandërprera, përmes traditave, miteve dhe gojëdhënave, të cilat transferohen nga brezi në brez, këto shoqëri tradicionale pasqyrojnë dhe transmetojnë perceptimet, besimet dhe praktikat që lidhen me jetën e këtyre komuniteteve.

Pozita gjeografike, kushtet klimaterike, zhvillimet shoqërore, lëvizja e lirë dhe emigracioni, kanë bërë që shumë shoqëri në botë të karakterizohen nga shkëmbimet e modeleve dhe ritualeve kulturore.

Identifikimi i ndikimeve të ndërsjella socio kulturore dhe modelet e shoqërizimit midis popullit shqiptar dhe grek, karakterizohen nga një larmi faktorësh antropologjikë, etnologjikë, sociologjikë dhe psikologjikë. Kjo bën të mundur kuptimin e praktikave kulturore të tilla si: stili i jetës, gjuha, vlerat, simbolet, arsimimi, muzika, festat fetare etj., të cilat burojnë nga tiparet e trashëguara të çdo grupi shoqëror dhe qartësojnë mundësitë dhe hapësirat e përshtatshmërisë dhe ndërveprimit shoqëror ndërmjet këtyre popujve.

Larmia kulturore dhe zakonet e traditat e përbashkëta paraqesin një thesar vlerash, që në përmbajtjen e tyre ruajnë të mbijetuara shumë besime.Një ndër rastet e veçanta të mbushura me praktika janë festimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, që përbëjnë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe greke. Si dukuri kulturore, festimet përmbajnë veprime e praktika shoqërore nga më të ndryshme, ku secila ka domethënien e qëllimin e vet të veprimit dhe të arritjes së efektit në të mirë të njeriut. Parapërgatitjet për festimin sa më shpirtëror të këtyre festave, shërbesat e ndryshme në të gjitha kishat, ceremonitë, aktivitetet e ndryshme artistike etj., zhvillohen gjatë gjithë periudhës para festimeve.

Traditat dhe zakonet popullore në Shqipëri e Greqi

Kolendrat/ Kërshëndellat(gr. τα καλαντα)[1] –kolendrat janë këngë popullore, me motive biblike, të cilat këndohen më 24 dhjetor, në vigjilje të Krishtlindjeve apo të Vitit të Ri. Grupe të rinjsh dhe fëmijësh nën shoqërinë e veglave muzikore përshkojnë rrugët dhe shkojnë shtëpi më shtëpi duke uruar shëndet e mbarësi përmes këngës së tyre dhe duke përcjellë lajmin e gëzueshëm. Kolendrat janë një traditë e vjetër kudo në Shqipëri e Greqi. Kolendrat këndohen kryesisht nga fëmijët e moshave 13-15 vjeç, por në disa raste edhe nga të rriturit. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë formë festimi kalojnë  nëpër shtëpi, dyqane, vende publike etj., me shoqërimin e trekëndëshit tradicional prej hekuri ose instrumenteve të tjera muzikore si harmonikë, fizarmonikë, daulle, flaut etj., me qëllim kryesor shpërblimin. Në Greqi fëmijët mbajnë degëza ulliri ose dafine, të stolisura me fruta, mbi të cilat varin fije të  kuqe apo të bardha.Në qendër të saj, festa e kolendrave në disa zona të Shqipërisë, ka gatimin e kuleçve, të cilët quhen kolendra ose kullana, prej së cilës merr emrin dhe kjo festë. Kolendarët gostiten nga të zotët e shtëpisë me kuleç, fiq të thatë, arra, portokall etj. Megjithëse

kolendrat janë një traditë që shpreh besim, gëzim, dashuri dhe paqe, ato festohen në mënyra të ndryshme – sipas krahinave të ndryshme dhe njihen me emërtime të ndryshme. Në zonën e Korçës, Kolonjës, Përmetit dhe Myzeqesë quhen kolendra, në Pogradec dhe Berat quhen kullakë,ndërsa në Shkodër kullana[2].Kolendrat festohen në mënyra të ndryshme; në zonën e Korçës një fëmijë mban një fener me xhama, ku digjet një qiri, njëtjetër mban një ikonë dhe një i tretë një bllok, ku shënohen lekët e mbledhura. Përgjithësisht, mblidhen djemtë e tri lagjeve dhe u bien dyerve me çekanë të drunjtëdhe shkopinj. Kolendrat i këndojnë në dhomën e fëmijëve të vegjël dhe në përfundim të këngës, të gjithë puthin ikonën. Gjyshja e shtëpisë ua vendos lekët mbi ikonë, por, fëmijëve që këndojnë kolendrat, u jepen gjithashtu misra të zier me sheqer dhe gështenja. Sapo largohen fëmijët, të zotët e shtëpisë hedhin në oborr misra pa sheqer që t’i hanë pulat – për të bërë sa më shumë vezë dhe zogj. Ditën e Krishtlindjeve në mëngjes, fëmijë të vegjël vijnë me qese pëlhure të lidhura në qafë, me çekanë të vegjël druri të zbukuruar me ngjyra dhe po në të njëjtën ditë vjehrrat u dërgojnë nuseve të tyre dhurata të vogla me fëmijët që këndojnë kolendrat[3]; në zonën e Përmetit një ditë përpara Krishtlindjeve përgatiteshin kolendrat, të cilat qenë kuleç me forma të ndryshme. Zakonisht bëheshin aq kolendra sa për nevojat e familjes dhe të fëmijëve të fqinjëve, të cilët mendohej se do të vinin për vizitë. Në Greqi, në qytetin Veria, amvisat përgatisnin një lloj kulaçi të vogël/ kullure të quajtur koliki(gr. τοκολλίκι), ndërsa në Siatista, Kozani këtë lloj kulaçi e gjejmë me emërtimin kuliadina(gr. τακουλιαντίνα. Fëmijët këndojnë kolendrat duke shkuar shtëpi më shtëpi ku i qerasnin me kuleç, petulla të saçit, me arra etj. Në qytetin e Shkodrës, fëmijët kur e shihnin se e zonja e shtëpisë nuk i gostiste, këngës së kolendrës i shtonin vargje të tjera plot humor, të cilat vinin në lojë koprracinë e saj[4]; këtë formë humori apo ngacmimi e gjejmë edhe në zona të ndryshme të Greqisë ku nëse shpërblimi nuk ishte i kënaqshëm, fëmijët këndonin: “Zoti im në pelerinën tënde, një mijë morra ardhshin, u shtofshin, u shumofshin e lëshofshin vezë”[5].

Druri i Krishtit(gr. τοΧριστόξυλο)– natën e Krishtlindjeve, në zona të ndryshme të Shqipërisë, i zoti i shtëpisë vendos në zjarr një kërcu të madh, të ashtuquajtur druri i Krishtlindjeve, të cilin sipas krahinave e gjejmë me emra të ndryshëm. Në përgjithësi, në veri të Shqipërisë e gjejmë me emrin buzmi ose buzëm, ndërsa në jug të Shqipërisë e gjejmë me emrat Trungu i Kërshëndellave ose Kërcuri i Vitit të Ri ose Kërcuri i Kondrave apo edhe Kopaçja e Vitit të Ri. Sjellja e buzmitnë shtëpi dhe vendosja e tij në vatër me të gjitha përkushtimet dhe flijimet, me ushqime dhe pije, përbën një zakon të vjetër të Krishtlindjeve i cili në thelb simbolizon ngrohtësinë e foshnjës hyjnore dhe dëbimin e shpirtrave të këqij. Në disa zona të gjithë anëtarët e shtëpisë ulen rreth tryezës që përmban asortimente të ndryshme e sidomos Bukën e Krishtit, ndërkohë që dy meshkuj të shtëpisë sjellin dy buzme, të cilët i mbartin horizontalisht dhe në prag të derës i drejtohen të zotit të shtëpisë. Pastaj buzmet i vënë mbi vatër dhe në skajet e tyre vendosnin nga njëra anë bukë dhe djathë, ndërsa nga ana tjetër një gotë raki. Pastaj vështronin se në ç’ anë lëshonte lëng druri që nxehej nga zjarri i vatrës; nëse rridhte nga ana e gotës së rakisë, atëherë vreshti do të jepte shumë prodhim, nëse rridhte nga ana e kundërt atëherë tregonte bagëti të mbarë e shumë bulmet[6].Këtë traditë të vjetër e gjejmë edhe në Greqinë Veriore me emërtimet druri i Krishtit(gr. τοΧριστόξυλο),dymbëdhjetëditëshi(gr. ο δωδεκαμερίτης)[7] apo dhe skarkatzalos(gr. ο σκαρκάνζαλος),ku sipas zakonit, i zoti i shtëpisë zgjedh drurin më të bukur, të fortë dhe të trashë prej pishe ose ulliri të cilin e djegin pranë vatrës së zjarrit. Në disa zona të tjera të Greqisë, përpara se ta hedhin në zjarr drurin e spërkasin atë me bajame dhe arra. Në përfundim të festës hiri i drurit të Krishtit hidhej nëpër ara pasi mendohej se ishte i mirë për të korrat dhe bimët. Ndërkohë, në Thesali dhe në Greqinë Qendrore, ky zakon gjendet në formën e martesës së zjarrit (gr. το πάντρεμα τηςφωτιάς), ku në vend të një druri, ata zgjidhnindy; një dru që simbolizonte të zotin e shtëpisë (një pemë me një emër mashkullor) dhe një dru që simbolizonte të zonjën e shtëpisë (një pemë me një emër femëror), duke i bashkuar në zjarr për shëndet dhe jetëgjatësi të çiftit[8].

Rrushkulla (gr. τοκοφτανέτσι) –  një  nga zakonet më  të  bukura në zonën e Labovës dhe të Dropullit (Gjirokastër)është ai i Rrushkullës, një lloj shkurreje me kokrra me ngjyrë të kuqe dhe me gjemba. Pjesëtarët e familjes ulen përballë vatrës dhe hedhin nëzjarr kokrrat e kuqe të lules së shkurres. Çdo herë, kreu i familjes, hedh nga një kokërr për secilin pjesëtar të familjes, duke shpresuar të zbulojnë të ardhmen e tij. Nëse kokrra e kuqe e lules  bën zhurmë të madhe kur digjet, do të thotë që pjesëtari i familjespër të cilin u hodh, do të ketë jetë të gjatë dhe shëndet, por nëse kokrra digjet brenda zjarrit pa bërë zhurmë, simbolizon të kundërtën. Po në të njëjtën zonë, në Pershtan (Gjirokastër),në vend të kokrrave të rrushkullës banorët hidhnin në zjarr kokrra dëllinje (të kuqe ose të zeza)[9].Në rrethin e Beratit ky zakon realizohet me disa ndryshime të vogla, në vend të kokrrave të rrushkullës, përdoren kokrra gruri e misri duke thënë “Mirëseerdhe Viti i Ri, qofsh me shëndet, me kësmet, me beqeret, me para në qeset!”[10], ndërsa në Sarandë dhe në ishullin Thasos (Greqi), këtë zakon të veçantë e gjemë me emërtimin gjethet e ullirit (gr. το σπόρδισμα τωνφύλλων). Pjesëtarët e familjes ulen përballë vatrës, tërheqin thëngjijtë jashtë dhe fillojnë të hedhin në zjarr gjethet e ullirit. Çdo herë hedhin nga një gjethe për secilin pjesëtar të familjes, duke shpresuar të zbulojnë të ardhmen e tij në Shqipëri, ndërsa në Greqi ky zakon lidhet me plotësimin e dëshirave. Nëse gjethja e ullirit përdridhet, do të thotë që pjesëtari i familjes për të  cilin u hodh, do të ketë jetë të gjatë, shëndet dhe do t’i plotësohen të gjitha dëshirat. Nëse gjethja vyshket brenda zjarrit, simbolizon të kundërtën. Për këtë traditë është zgjedhur pema e ullirit si një simbol i prosperitetit dhe pasurisë[11].

Uji që s’ flet (gr. τοαμίλητονερό)– një nga zakonet më të veçanta është ai i “ujit që s’flet” të cilin e gjejmë në zonën e Përmetit, Gjirokastrës dhe në zonën e Kardhicës. Disa orë para agimit të Krishtlindjes, sipas zakonit, zbrazen të gjitha enët që mbajnë ujë dhe një nga gratë e shtëpisë (zakonisht më e rejat), shkojnë të sjellin ujë (ujin e ri) në shtëpi nga çezma më e afërt, me një shtambë. Gjatë rrugës së kthimit vajzat rrinë në heshtje. Kjo është dhe arsyeja që ky ujë quhet “uji që s’flet”[12]. Këtë traditë të veçantë, në Greqi e gjemë edhe me emrin ushqyerja e çezmës(gr. τοτάισμα της βρύσης). Në këtë rast gratëmbajnë me vete dhe ushqime si mjaltë, gjalpë, grurë, djathë, gjethe ulliri etj. Me këto “ushqejnë” çezmën para se tëmbushin shtambën me ujë. Gjatë kohës që mbushet shtamba, ato luten, gjithnjë pa folur, që Viti i Ri të sjellë mbarësi. Pasi shtamba është mbushur, hedhin brenda saj një gjethe dafine dhe tre guralecë. Kur kthehen në shtëpi dhe pasi pinë ujin që s’flet, të gjithë pjesëtarët e familjes spërkaten me të, së bashku me gjithë ambientet e shtëpisë dhe kafshët e tyre që çdo gjë të shkojë mbarë. Në zona të caktuara besohet se vajza që shkon e para në çezmëështë fatlumja e gjithë vitit.

Buka e Krishtit (gr. τοΧριστόψωμο) – Buka e Krishtit, quhet buka që amviset greke e përgatitin posaçërisht për festën e Krishtlindjeve. Në shumicën e zonave mbi sipërfaqen e kësaj buke shënohet forma e kryqit me rripa brumi, ndërsa në skajet e saj vendosen bajame dhe arra, të cilat janë simbole të prodhimit të pasur. Dekorimi i saj shpesh parapërcaktohet nga profesioni i kryefamiljarit; pra, nëse ai p.sh. është një bujk, mbi bukë vizatohet një parmendë dhe qe; nëse merret me blegtori, mbi bukë vizatohen dele apo dhi etj. Në disa vende të tjera brenda bukës vendoset një monedhë. Gjatë ndarjes së bukës, anëtari i familjes që gjen monedhën quhet më fatlumi i vitit. Në varësi të zonës, Buka e Krishtit gatuhej në mënyra të ndryshme dhe me përbërës të ndryshëm. Në Kretë përdorin miell të situr hollë, ujë trëndafili, mjaltë, susam, kanellë dhe karafil, ndërsa qendër vendosin një arrë të pathyer. Në sipërfaqen e mbetur me një thikë ose pirun vizatojnë forma të ndryshme si lule, gjethe, fruta, zogj[13]. Në Greqinë Qendrore, në mëngjeset e Krishtlindjeve, pas Meshës Hyjnore, prifti shkon nëpër shtëpitë e besimtarëve për të bekuar Bukën  e Krishtit. Ky zakon është quajtur “Lartësimi i Bukës”. Prifti ngre lart Bukën e Krishtit me të dyja duart, psal një bekim, ndërkohë që anëtarët e familjes prekin Bukën e Krishtit me dorën e djathtë. Më pas e vendos mbi kokën e tij duke ushtruar presion më të dy skajet. Buka e Krishtit ndahet më dysh dhe kontrollohen dy pjesët që mban në dorë prifti. Nëse pjesa në dorën e djathtë është më e madhe se sa ajo në të majtë atëherë viti do të jetë i mirë, në të kundërt viti do të jetë i vështirë[14]. Në hapësirën e Shtatë Ishujve, rituali kërkon që të gjithë anëtarët e familjes të prekin Bukën e Krishtit dhe t’i drejtohen tryezës, pranë oxhakut. Atëherë, i zoti i shtëpisë hedh vaj ose verë në zjarrin që djeg. Nëse zjarri  ndizet më shumë, kjo është një shenjë e mirë për vitin që pason, por nëse  ulet ose shuhet zjarri është njëshenjë e keqe[15]. Në pothuajse të gjitha zonat e Greqisë, brenda Bukës së Krishtit vendosej një monedhë dhe anëtari i familjes që e gjen atë, siç besohej, do të kishte fat gjatë gjithë vitit. Një nga variantet më interesante të Bukës së Krishtit e gjejmë në Spartë, ku në vend të formës klasike të rrumbullakët, amviset e brumosin Bukën në formën e një kryqi dhe e dekorojnë atë me bajame dhe arra. Një tjetër ndryshim në përgatitjen e kësaj buke e gjejmë nga Sarakatsanët (nëngrup i popullsisë etnike greke), të cilët ditët e Krishtlindjeve përgatisnin dy bukë; një për familjen e tyre dhe një tjetër për kafshët e tyre[16]. Në Shqipëri gjejmë disa forma të këtij gatimi; kështu, në Baltëz të Fierit, në Mallakastër, në Berat etj., në ditën e Shën Vasilit (Vitit të Ri) gatuhet bukë misri (gr. τοκαλαμποκόψωμο), e cila gatuhej tre ditë para se të vinte kjo festë, ndërsa amvisat gatuanin çeçereveçe[17] për çdo pjesëtarë të familjes. Brenda në një nga kuleçtë vendosej një monedhë dhe pjesëtari i familjes që gjente monedhën do të kishte fat gjatë gjithë vitit. Në Kosovë të Përmetit, ky gatim gjendet në formën e byreksheqerëve – një ëmbëlsirë e gatuar me miell misri. Amvisat shkojnë në çdo ambient të shtëpisë duke kënduar “Olekbolek plot me buk’ e bereqet, me hambarë e me qilarë, Me nuse e djem gëzuar!”[18], ndërsanë disa zona të tjera e gjejmë me emërtimin byreku ose kulaçi ose kekui Shën Vasilit(gr. Bασιλόπιτα)[19].

Ylli prej dërrase(gr. τοξύλινο αστέρι)– në zonën e Beratit përgatitjet e Krishtlindjeve fillojnë një javë përpara. Fëmijët ndërtonin një yll prej dërrase që simbolizonte Yllin e Betlehemit, e mbështillnin me letër të kuqe dhe në mes vendosnin një qiri. Në mbrëmje shkonin shtëpi më shtëpi e këndonin me qiriun e ndezur. Në mëngjes çdo fëmijë bënte gati çomangën ose çomiklen[20], e cila në dy skajet kishte nga një gozhdë[21]. Në Greqi, simbolin e Yllittë Krishtlindjeve (gr. τοΧριστουγεννιάτικο αστέρι), i cili përsëri simbolizon Yllin e Bethlehemit, e gjejmë vetëm në lidhje me dekorin. Kështu, ylli i ndritshëm në krye të pemës simbolizon yllin që ka ndriçuar në Bethlehem dhe ka udhëhequr tre magjistarët natën që Krishti ka lindur[22].

Karnavalet e Vitit të Ri/ Rrogeçët(gr.Πρωτοχρονιάτικο καρναβάλι/ τα Ραγκουτσάρια)[23]zakoni i maskimeve të Vitit të Ri është tepër i përhapur në Maqedoninë Perëndimore. Këtë zakon e hasim me disa emërtime: Ragoutsaria e Kosturit (gr. τα Ραγκουτσάρια της Καστοριάς); RougkatsiaGrevena (gr. τα Ρουγκάτσια τωνΓρεβενών); Bambara(gr.τα Μπαµπάρια) në fshatrat Popollzhan dhe Ermen (Follorinë); Boumpousaria(gr. Μπουµπουσάρια) në Siatisa, Kozhani;Lougkatsaria(gr. Λουγκατσάρια) në fshatin Agia Paraskevi të komunës Livadeia etj. Konkretisht, ditën e Vitit të Ri të rinjtë e fshatit të veshur me kostume popullore apo lëkurëkafshësh dhe maska në fytyrë,rrotullohen nëpër fshat, të lidhur me këmborë, duke kënduar kolendrat në mënyra të ndryshme satirike e duke ngacmuar njëri-tjetrin. Pas tyre vjen “dhëndri me nusen” e në fund “prifti” i cili dëbon shpirtrat e këqij[24]. Zhvillimin e këtij zakoni gazmor e gjejmë me ndryshime të vogla në varësi të zonave ku zhvillohet. Në Shqipëri zakonin e maskimeve e gjejmë në fshatin Polenë, Korçë nën emërtimin Karnavalet e Polenës ose Të lënët e mishit – një rit arkaik dhe më lashtë se Karnavalet qytetare. Banorët i zhvillonin festimet në ditën e Vitit të Ri ose në një datë të afërt, ndërsa elementi kryesor janë lugetërit (krijesa të egra dhe të frikshme të cilat duan të pengojnë ardhjen e ditës së re). Veshjet e të maskuarve janë shumë autentike – lëkurë deleje, dhie ose kafshe tjetër – të dekoruara me ngjyra, brirë, dhëmbë ose kocka kafshësh. Ata mbajnë në duar zile e këmborë për të lajmëruar ardhjen e tyre dhe për të paralajmëruar banorët të rrinë larg tyre[25].

Vizitori  i parë (gr.τοποδαρικό) – herët për Krishtlindje apo Vitin e Ri, për urime, pritej i pari një person i caktuar. Ky përshëndetës konsiderohej si me “këmbë të mbarë” për fat e prodhimtari gjatë vitit në vazhdim. Përshëndetësi zakonisht duhej të ishte me nënë e me babë e me fatbardhësi në jetën e tij familjare dhe jo jetim e fatkeq. Zakonisht ky ishte fëmijë, në shumicën e rasteve duhej të ishte djalë, po mund të ishte edhe vajzë. Kishte raste që në rolin e përshëndetësit ishte një kafshë e caktuar, që futej në shtëpi këtë ditë a natë dhe ndonjëherë na paraqitej dhe si flije e festës. Shumë familje këtë njeri me fat e caktonin një natë përpara dhe e ftonin që t’u shkonte i pari të nesërmen në mëngjes herët për urime. Në mëngjes kur shkonte, ai merrte pak bar të njomë dhe kur vinte këmbën e djathtë në prag të derës, e hidhte barin në një skaj të vatrës e thoshte: “Siç mbin bari, ashtu u shtoftë njerëzia e bagëtia në këtë derë!”[26]. Në Greqi zakoni i vizitori të parë është një zakon që ka një domethënie simbolike, ndërsa vizitori, ashtu si edhe në Shqipëri, duhet të jetë një fëmijë ose një njeri me fat. Në pothuajse të gjitha zonat e Greqisë, përshëndetësi mban me vete edhe një shegë – simboli i mbarësisë dhe duke hyrë në shtëpi, gjithmonë me këmbën e djathtë, “çan” një shegë në derën kryesore të shtëpisë duke uruar “Aq korrka sa ka shega, aq lira të keni nëxhepin tuaj! Aq e kuqe sa është shega, aq e kuqe të jetë zemra juaj!”. Nga kjo përplasje kokrrat shpërndahen në gjithë shtëpinë duke simbolizuar “mbushjen” e shtëpisë me lumturi, bollëk, fatmbarësi, fatmirësi, pjellori etj. dhe duke simbolizuar fillimin e një viti të ri të mbarë[27].  

Ditët e festave janë ditë që i kushtohen traditës, zakoneve dhe dokeve.Populli shqiptar dhe ai grek, gjatë bashkëjetesës së tyre pranë njeri-tjetrit, përmes traditave, miteve dhe gojëdhënave, të cilat transferohen nga brezi në brez, pasqyrojnë dhe transmetojnë perceptimet, besimet dhe praktikat që lidhen me jetën e këtyre komuniteteve. Elementet e ndërsjellët kulturorë shfaqen në mënyrën dheorganizimin e jetës shoqërore, në mentalitet e ngjashme, në ritualete organizimit të ceremonive të lindjes, martesës apo vdekjes, por edhe në zakonet e doket për festimin të festavetë ndryshme.

Mesazhi i gëzueshëm i lindjes së Krishtit dhe ndërrimit të viteve festohet në mënyrë të veçantë në çdo cep të botës, duke mbajtur gjallë zakonet e doket që kanë mbijetuar deri më sot. Gjatë gjithë vitit, çdo vend në Greqi apo Shqipëri, qytet apo fshat, ka mundësinë që të ruajë traditën e tij popullore dhe të ringjallë zakonet e vjetra të cilat marrin një karakter të veçantë, të përshtatur me traditat dhe zakonet vendase, duke marrë parasysh se, ndër vite, zakonet festive kanë pranuar ndikime evropiane apo/dhe amerikane. Shumica e traditave të secilit shtet janë në një farë mënyre ringjallje e zakoneve antike, të rrënjosura në mite që u kthyen në përralla popullore, me një ngarkesë të rëndësishme fetare dhe një përbashkim me natyrën.Në këtë punim janë sjellë vetëm disa nga zakonet e traditat e përbashkëta kulturore të dy vendeve, duke marrë parasysh se ne të gjithë i përkasim një komuniteti me histori të pasura dhe kultura të ndërthurura.

Bibliografia

  1. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2002. Fjalor i shqipes së sotme.
  2. Habazaj, A.R. 2014. Një vështrim mitologjik mbi festat kalendarike e tradicionale të vitit dhe lirikën rituale. Info Arkiva On-line.
http://www.pass2greece.gr/culture_det.asp?culture_id=32

6.     Karnavali e Polenës https://sq.wikipedia.org/wiki/Karnavali_e_Polen%C3%ABs


[1]Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2002. Fjalor i shqipes së sotme. KOLENDËR  f. etnogr. Festë fetare një natë para darkës së Krishtlindjeve ose një ditë para Vitit të Ri; kënga që këndonin fëmijët në këto festa. Kulaç i vogël, i gatuar me miell të mirë gruri dhe i pjekur në furrë, që u jepej fëmijëve një natë përpara darkës së krishtlindjeve.

[2]Llukani, A. 2005. Himnologjia. Botimet TrifonXhagjika. Tiranë.

[3]Stralla, K. 2013. Në vigjilje të Krishtlindjeve – Kolendrat. Kujtime vegjëlie.

http://www.radiandradi.com/tradita-te-lashta-shqiptare-qe-jehojne-nder-ditet-tona/

4Llukani, A. 2005. Himnologjia. Botimet TrifonXhagjika. Tiranë.

[5]Σιαμάκης, Κ. 2001. Τα κάλαντα – άρθρο.  Η Τερπνή.

[6]Tirta, M. 2004. Mitologjiandërshqiptarë. ASHSH. Mësonjëtorja.

[7]Periudhadymbëdhjetë ditëshenë traditënekrishterë quhetperiudhaedymbëdhjetë ditëvengaKrishtlindja (25 dhjetor) derinë pragtë Teofanisë (5 janar).

[8]Τα Λαογραφικά τηςΑιτωλοακαρνανίαςhttp://www.laografika.gr/el/

[9]Meksi, F.. 2010. Labovë e Madhe dhe Labovitët: Gjurmime në vite. Tiranë: Migjeni.

[10]Tirta, M. 2004. Mitologjia ndër shqiptarë. ASHSH. Mësonjëtorja.

[11]Ήθη και Έθιμα τηςΘάσουhttps://www.thassos-island.gr/el/

[12]Tirta, M. 2004. Mitologjia ndër shqiptarë. ASHSH. Mësonjëtorja.

[13]Χριστουγεννιάτικα Έθιμα στην Κρήτηwww.kalanta.gr/ithi-kai-ethima

[14]Ήθη και Έθιμα τηςΘάσουhttps://www.thassos-island.gr/el/

[15]ΧριστουγεννιάτικαέθιμαΕπτανήσωνhttp://www.pass2greece.gr/culture_det.asp?culture_id=32

[16]Μάθημα Πολιτισμού: Ελληνικέςγιορτές. 2010.

https://is.muni.cz/el/1421/podzim2010/REBcB25/um/Politismos.pdf

[17]Kuleç të vegjëlmisri.

[18]Habazaj, A.R. 2014. Një vështrim mitologjik mbi festat kalendarike e tradicionale të vitit dhe lirikën rituale. Info Arkiva On-line..

[19] Radion Ngjallja. https://radiongjallja.al/besetytnite-per-vitin-e-ri/

[20]Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2002. Fjalor i shqipes së sotme.ÇOMANGE f. sh. Shkop i trashë e i qëruar me një xhungë të rrumbullakët në njërën anë; xhore.

[21]Llukani, A. 2005. Himnologjia. Botimet TrifonXhagjika. Tiranë.

[22]Κυριακίδου, Ν. Α. 2015. Οι δώδεκα μήνες – Τα λαογραφικά. Μαλλιάρης Παιδεία – MalliarisPaedia.

[23]EmërtimiRagoutsariaekaprejardhjenngafjalalatinerogator, rogatoris [m.]; lypës; përderës; aiqë kërkonlëmoshë. Emërtimiizakonitlidhetmefaktinqë të maskuaritkërkojnë derë më derë dhuratanë mënyrë që, sipastyre, të largojnë shpirtratekëqij.

[24]Πούχνερ, Β. 2009. Συγκριτική Λαογραφία Β΄, Δηµώδη βιβλία και λαϊκάθέµατα στηχερσόνησοτουΑίµου, εκδ. Αρµός. Αθήνα.

[25]KarnavaliePolenështtps://sq.wikipedia.org/wiki/Karnavali_e_Polen%C3%ABs

[26]Tirta, M. 2004. Mitologjia ndër shqiptarë. ASHSH. Mësonjëtorja.

[27]Μάθημα Πολιτισμού: Ελληνικέςγιορτές. 2010.

https://is.muni.cz/el/1421/podzim2010/REBcB25/um/Politismos.pdf