/Ndërroi jetë Atë Aleksandër Lushi.

Ndërroi jetë Atë Aleksandër Lushi.

Me hidhërim e dhimbje të thellë Mitropolia jonë njofton se ditën e sotme dt. 25 tetor 2021 në mengjes ndërroi jetë në pavionin infektiv të Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë si pasojë e infektimit me covid-19 dhe komplikacioneve të tjera me shëndetin Atë Aleksandër Lushi në moshën 66 vjeçare. Me këtë rast i shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjes dhe njerëzve të tij të afërm. Shërbesa e varrimit do të zhvillohet nesër dt. 26 tetor në kishën e Shën Dhimitrit në fshatin Shtërmen me praninë e Mitropolitit Andon dhe klerikëve të tjerë. I përjetshëm kujtimi i tij.Një biografi e shkurtër:Atë Aleksandër Lushi lindi më 4 maj 1955 në fshatin Shtërmen dhe ishte i biri i priftit Atë Dhimitër, i cili shërbeu si prift në atë fshat nga vitet 1950-1967. Pasi kreu shkollën e mesme bujqësore dhe 2-vjeçare per ekonomi më pas punoi në kooperativë panë fshtit Shtërmen si magazinier dhe llogaritar. Pas ndryshimit të sistemit ateist dhe lirisë së besimit ai shprehu dëshirën të ndiqte shembullin e të atit duke qenë ndër kandidatët e parë që studiuan në seminarin teologjok orthodhoks në Durrës. Në vitin 1992 dorëzohet dhjakon më 10 maj dhe prift më 17 dhjetor nga Kryepiskopi Anastas. Për një vit shërbeu në kishën e Shën Marisë në lagjen kala të Elbasanit e më pas në famullinë e Shtërmenit, ku me përpjekjet e Kryepiskopit Anastas u ndërtua edhe kisha e re e Shën Dhimitrit. Atë Aleksandri ka shërbyer me përkushtim e sakrificë përgjatë këtyre viteve ndaj besimtarëve të zonës prej të cilëve gëzonte respekt dhe mirënjohje. Atë Aleksandri la pas katër vajza dhe një djalë si dhe nipër e mbesa.

Burimi: Mitropolia e Shenjtë e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit