/Mrekullitë e shumta të ikonës së saporestauruar të së Tërëshenjtës së Kazanit

Mrekullitë e shumta të ikonës së saporestauruar të së Tërëshenjtës së Kazanit

Rusi: Mrekullitë e shumta të ikonës së saporestauruar të së Tërëshenjtës së Kazanit

Më 31 Tetor, pas restaurimit të ikonës mrekullibërëse të Hyjlindëses së Kazanit, Mitropoliti Daniel i Kurganit dhe Belozerskut e ktheu atë vetë personalisht në manastirin Chimeevo, të ndodhur në provincën e Kurganit.

Kisha e drunjtë ku gjendej më parë kjo ikonë, u përfshi nga flakët e zjarrit më 3 qershor, dhe që pas një jave Mitropoliti Daniel themeloi një fond bamirësie, për të financuar rindërtimin e saj.

Të gjithë banorët e zonës dhe murgjit e manastirit pohuan se asnjë çast nuk reshtën së ndjeri mbrojtjen e të Tërëshenjtës dhe sapo ikona u rikthye përsëri e restauruar, filluan të dëshmohen shumë mrekulli.

Hieromonaku Athanas tha se në të kremten e Kishës (4 Nëntor) kishte ardhur një çift nga Tymeni, të cilët ishin përpjekur për shumë vite për një fëmijë, por pa rezultat. Ata kishin vizituar manastirin edhe më parë, gjatë verës, ku edhe ishin lutur dhe kishin kërkuar ndihmën e Hyjlindëses. Vetëm një ditë përpara së kremtes, kishin marrë lajmin e shumëpritur nga doktori, se së shpejti do të bëheshin prindër.

Atë Athanasi shtoi gjithashtu se, nisur edhe nga dëshmitë e pelegrinëve të shumtë, Hiri i Perëndisë nuk e braktisi manastirin si para, ashtu edhe pas zjarrit. “Kushdo që vjen në këtë manastir, e ndien të gjallë praninë e Hyjlndëses. Edhe unë e ndiej, dhe kam qenë plotësisht i bindur për këtë gjë përgjatë gjithë kohës (4.5 vjet) që kam qenë në këtë manastir”- u shpreh ai.

Hieromonaku tregoi edhe dëshminë e një gruaje, e cila ndenji dhe punoi në manastir për një kohë relativisht të gjatë. Pak kohë pas zjarrit, ajo i tregoi atij një ëndërr që kishte parë, ku iu shfaq ikona e të Tërëshenjtës së kazanit dhe foli me zë njerëzor : “Nuk më shpëtuan dot, por unë jam këtu”. Atë Athanasi shpjegoi se këto fjalë janë përtej logjikës njerëzore, por sipas vullnetit të Perëndisë.

Së fundmi u restaurua dhe një tjetër kopje mrekullibërëse e kësaj ikone, e cila u dërgua në Kishën e Kazanit, në provincën Jaroslavl.

Burimi: https://orthochristian.com/126086.html