/Mozaiku i Durrësit – Një nga imazhet më të vjetra të Krishtit Nga Ilirjan Gjika

Mozaiku i Durrësit – Një nga imazhet më të vjetra të Krishtit Nga Ilirjan Gjika

Vendi ynë ishte dikur një nga rajonet ku u zhvillua intensivisht krishtërimi i hershëm. Menjëherë pas periudhës së parë të tij, në shek. I-IV, që u shoqërua me dhunë dhe persekutim ndaj të krishterëve, nisi një tjetër fazë e rëndësishme (1). Në këtë periudhë të dytë, gjatë shek. IV-IV, organizimi administrativ dhe kishtar u shoqërua me ndërtimin e faltoreve të para, ku mbizotëronte si tip arkitektonik bazilika. Gërmimet arkeologjike kanë evidentuar rrënojat e 50 kishave, baptisterve dhe bazilikave paleokristiane të shpërndara në të gjithë territorin e vendit tonë (2). Në to janë gjetur mozaikë dhe afreske ku janë materializuar fillimet e artit ikonografik në Shqipëri (3). Në këto tematika të hershme gjejmë skena nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, të ndërthurura me motive dhe ndikime nga arti i antikitetit greko-romak. Në to paraqiten motivet e dy zogjve, dy pëllumbave, dy fazanëve, dy drerëve, të barinjve mes tufës së dhënve, peshkatarëve duke peshkuar, eukaristisë, etj. Të tilla tablo i ndeshim në baptisterin e Butrintit, apo bazilikat e Sarandës, Arapajt, Linit, Bylisit, Elbasanit, Antigonesë, manastirit të Apolonisë, etj (4). Krahas tyre në këto objekte hasim edhe një plastikë të pasur dekorative ku kemi motive, simbole dhe monograme të Krishtit. Ndërkohë vetëm pas shek. IV-VI në dekorimet e brendshme të kishave nisin dhe shfaqen imazhet e para të shenjtorëve. Një shembull i veçantë dhe unik në këtë drejtim për figurat të shumta që paraqet është paraklisi i amfiteatrit të Durrësit (5). Sipas studjuesit Kliti Kallamata ai përmban të vetmin mozaik mural të plotë në vendin tonë, pasi nga kishat dhe baptisterët e krishtërimit të hershëm ruhen vetëm copëza shumë të vogla (6). Por ajo që e bën më interesant këtë paraklis është fakti se në të ndeshim figurën e Krishtit, i cili përbën imazhin më të vjetër të tij që ruhet në territorin e Shqipërisë. Rreth tematikës së kësaj figure janë marrë një sërë autorësh që e kanë trajtuar atë në studimet e tyre.
I ngritur gjatë shek. VI si një faltore varreze, paraklisi i amfiteatrit, do të funksiononte deri në shek. XII kur do të braktisej përfundimisht (7). Pikërisht në mozaikun e pjesës perëndimore të tij midis figurave të Shën Irenës, Shën Sofisë, dy ktitorëve dhe kryengjëjve Gabriel dhe Mihal, dallohet edhe ajo e Krishtit (😎. Rreth saj, studjuesja franceze Nicole Tierri, mendon se kjo vepër i përket shek. VI-VII dhe ka si personazh qëndror figurën e Krishtit të ri dhe pa mjekër, që e gjejmë në ikonografinë kristiane primitive (9). Edhe studjuesja shqiptare, Dhorka Dhamo, mendon se mozaiku i përket shek VI-VII, por thekson se në të është paraqitur Krishtit Pantokrator. Sipas saj ‘’Ai është dhënë brenda një medalioni rrethor në gjysmëfigurë, në pozicion ballor, me simbolet ungjillore, me breroren me kryqe, duke bekuar me të djathtën, ndërsa në dorën e majtë mban ungjillin hapur’’ (10). Ndërkohë që një tjetër studjues, Kliti Kallamata, pohon se: ‘’Mozaiku në murin perëndimor është më i dëmtuar, megjithëse mund të dallohet, se aty paraqitet Krishti në qendër, me dy figura të vogla në këmbët, që me sa duket janë dhuruesit’’ (11). Ndërkohë për këtë rast është shprehur edhe Moikom Zeqo, i cili mes të tjerave thekson se: ‘’Ky çift burrë dhe grua me të njëjtat përmasa, po në plan të dytë, poshtë, paraqitet edhe në panelin e dytë mozaikor, ku, midis kryeëngjëjve, Sofisë dhe Irenës, duhet të ishte logjikisht figura e Krishtit’’ (12). Por ajo që përbën pjesën më të rëndësishme të kësaj teme është koha e kompozimit të këtij mozaiku. Shumica e autorët që janë marrë me studimin e tij vendosin si kufij kohor shek. VI-VII (13). Një gjë të tillë e përforcojnë edhe zbulimet arkeologjike të kryera në dyshemenë e kësaj faltoreje në vitin 1987, ku u gjet edhe një pllake balte me monogramin e perandorit Herakël, që sundoi në Bizant në vitet 610-641 (14). Duhet theksuar fakti se në fund të këtij shekulli, Këshilli i Trullanit (691-692), do të urdhëronte që në vend të simboleve të Krishtit, në dekorimin e faltoreve kristianë të përdorej tashmë imazhi i tij njerëzor (15). Ndërkohë si model do të përdorej Madilioni i Shenjtë, imazhi i Krishtit nëpërmjet shamisë me të cilën ai fshiu fytyrën e porsalarë dhe ja dha Ananias, të dërguarit të mbretit Abgar të Edesës. Prej Madilionit të Shenjtë ku ishte stampuar portreti i tij, mbreti, do të shërohej dhe në nderim do ta vendoste mbi portën kryesore të qytetit. Kohë më vonë për ta shpëtuar prej paganëve, peshkopi i Edesës, do ta mbulonte me mur vendin e shamisë me imazhin e Krishtit. Vetëm në vitin 554, kur Edesa tashmë e krishterë rrezikohej prej persëve, Madilioni i Shenjtë, do të zbulohej për të shpëtuar qytetin. Pas kësaj mrekullie ai do të transerohej në Kostaninopojë dhe në shek. VI do të përdorej gjerësisht si model i krijimit të ikonave dhe afreskeve të Krishtit (16).
Kështu sipas të gjitha gjasasve edhe mozaiku i paraklisit të amfiteatrit duhet duhet të jetë realizuar midis shek. VI-VII, kohë kur ky model do të trajtohej gjerësisht në artin bizantin. Skena e cila ka përmasa 2.25 x 1.06 m ndodhet në pjesën perëndimore të paraklisit. Ajo është kompozuar mbi një shtresë afresku më të vjetër i cili u evidentua gjatë zbulimit të tij në vitin 1966, si dhe gjatë restaurimit të vitit 1971 (17). Edhe rrethanat e zhvillimeve historike të kohës na çojnë pikërisht te kjo periudhë. Kështu në fillim të shek. VIII, në vitin 726, perandori Leoni III Isauri ndërmori Ikonoklastinë apo lëvizjen për shkatërrimin e ikonave. Kjo fushatë që vijoi deri në vitin 843 do të shkatërronte shumë prej vlerave të artit bizantin në të gjithë territorin e perandorisë, pa përjashtuar edhe vendin tonë. (18). Kjo duhet të jetë një nga arsyet që shpjegon mungesën e veprave artistike edhe objekteve të kësaj periudhe. Ndërkohë objektet kishtare më të vjetra në Shqipëri i përkasin shek. X, ndërsa afresket e tyre janë akoma edhe më të vona, të shek. XII (19). Ky është një përshkrim i shkurtër për rrethanat dhe kohën e krijimit të këtij mozaiku me figurën e Krishtit, si imazhi më i vjetër i tij në vendin tonë.
* Dy panelët e mozaikëve të paraklisit të amfiteatrit të Durrësit. Foto Antonio Poshnjari, Radio Ngjallja
*****
1-Aleksandër Meksi, Kishat e Shqipërisë-shek. V-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 18-19
2-Po aty, f. 20-29
3-A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983, f. 16; K. Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 24
4-A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983, 23-27; K. Lako, Qyteti dhe peshkopata e Anchiasmosit (Sarandës) në krishtërimin e hershëm, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 54; S Hidri, Bazilika paleokristiane në Arapaj dhe zbulimet e reja në të, Iliria, 1, Tiranë 1986, f. 329-334; S. Muçaj, Dy monumente të antikitetit të vonë në Bylis, Iliria 1, Tiranë 1986, f. 323-324; S. Anamali, Mozaikët e bazilikës paleokristiane të Linit, Iliria, 3, Tiranë 1974, f. 329-342; E. Hobdari-Y. Cerova, Bazilika paleokristiane extra-muros e Scampis (Elbasan), Iliria, 36, Tiranë 2012, f. 451-456; Dh. Budina, Mozaiku i Trikonkës paleokristiane të Antigonesë, Iliria, 7-8, Tiranë 1977, f. 225-235; S. Muçaj, Disa të dhëna arkeologjike për fundin e qytetit të Apolonisë dhe fillimet e saj si qendër kishtare në Mesjetë, Iliria, 1-2, Tiranë 2003-2004, f. 296;
5-V. Toçi, Amfiteatri i Dyrrahit, Monumentet, 2, Tiranë 1971, f. 39-40
6-Kliti Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 24
7-A. Meksi, Kishat Shqipërisë së Mesme e të Veriut, Monumentet, 1, Tiranë 1984, f. 112; V. Toçi, Amfiteatri i Dyrrahit, Monymentet, 2, Tiranë 1971, f. 37-42; K. Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 24
8-Kliti Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 24
9-N. Thierry, Une mosaique a Dyrrachium, Cahier Arkelogiques, 1968, XVIII, 227-229; Zh. R. Zhando, Mozaiku mural në kapelën e amfiteatrit të Dyrrahut, Iliria, 1, Tiranë 1983, f. 228
10-Dhorka Dhamo, Aspekte të artit paleokristian në Shqipëri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 130
11-Kliti Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 24
12-Moikom Zeqo, Maria Andaloro, I Mosaici parietali di Durrazzo o dell’origine costantinopolitano del tema iconografico di Maria Regina, Mainz 1986, Iliria, 1, Tiranë 1989, f. 283-286
13-N. Thierry, Une mosaique a Dyrrachium, Cahier Arkelogiques, 1968, XVIII, 227-229; Dh. Dhamo, Aspekte të artit paleokristian në Shqipëri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 130; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë-shek. V-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 149; J. Castrillo, L’ enigme de la mosaique de Durrës, archeologia, 79, 1975, f. 82-83; M. Zeqo, Maria Andaloro, I Mosaici parietali di Durrazzo o dell’origine costantinopolitano del tema iconografico di Maria Regina, Mainz 1986, Iliria, 1, Tiranë 1989, f. 283-286
14-Afrim Hoti, Të dhëna arkeologjike për krishtërimin e hershëm në Dyrrah, (shek. IV-VII), Iliria, 1-2, Tiranë 1996, f. 178
15-K. Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 16; G. Muka, Ikona ose media e përjetshme e krijuesit, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 252
16-Po aty, f. 45-46; f. 251-252
17-K. Miho, Amfiteatri i Durrësit, SH. B. ‘’8 Nëntori’’, Tiranë 1984, f. 6-7; Amfiteatri i Dyrrahit, Monumentet, 2, Tiranë 1971, f. 39-40; H. Nallbani, Mozaiku i kishës së Amfiteatrit në Durrës, Monumentet, 7-8, Tiranë 1974, f. 111-116
18-Kliti Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 14
19-A. Meksi, Kishat e Shqipërisë-shek. V-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 87, 289-303; Theofan Popa, Piktorët mesjetare shqiptarë, MAK, Tiranë 1961, f. 27