/Misteret e Shenjta Në Kishën Orthodhokse

Misteret e Shenjta Në Kishën Orthodhokse

1.  Pagëzimi i Shenjtë

Pagëzimi është Misteri i parë. Ai u themelua hyjnishmërisht, ashtu si të gjitha Misteret, ai u themelua nga Biri i Mishëruar i Perëndisë, Perëndi-njeriu Vet Jisu Krishti. Dhe Ai e themeloi me “fjalë dhe vepër”; me vepër kur Vet Ai, ndonëse pa mëkat, u pagëzua në Jordan, në këtë mënyrë duke dërrmuar kokat e dragonjve – demonëve, që banonin në ujë dhe duke shenjtëruar natyrën e ujit. Kështu Ai na tregoi formën dhe domosdoshmërinë për ne mëkatarët për tu pagëzuar. Gjithashtu me anë të fjalës, kryesisht kur Ai i urdhëroi Apostujt e Tij pas Ngjalljes: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj në të gjithë kombet duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë” dhe përsëri “Shkoni në mbarë botën dhe i predikoni Ungjillin çdo krijese; ai që beson dhe pagëzohet do të shpëtohet; por ai që nuk beson do të dënohet” (Mateu 28:19; Marku 16:15-16). Në këtë mënyrë Misteri i Pagëzimit është i themeluar nga Perëndia. Zoti ynë e themeloi atë. Apostujt e zbatuan dhe ia transmetuan Kishës, dhe Kisha e ruan atë ashtu siç e mori prej tyre.

Si administrohet Pagëzimi? Pasi kandidati për pagëzim është katekizuar dhe ka pohuar besimin e vërtetë, dhe pasi lyhet me vajin që është bekuar, atëherë ai pagëzohet duke u zhytur tre herë në ujërat e shenjtëruara të Pagëzimores në “emrin e Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë”, ashtu siç na udhëzon Zoti ynë.

Në këtë pikë ne duhet të tregojmë se disa grupe të Krishtera Protestante nuk i pagëzojnë foshnjat; gjithashtu ata edhe kur pagëzojnë i spërkatin me ujë. Këtë ata e quajnë Pagëzim. Por Pagëzim nuk do të thotë spërkatje. Fjala do të thotë zhytje në ujë. Ai që pagëzohet duhet të zhytet plotësisht në ujin e Pagëzimores, nga koka te këmbët. Kjo zhytje e trefishtë është pjesa më e rëndësishme e Misterit të Pagëzimit. Këtu ne kemi një ndryshim të madh nga ato grupe të Krishtera. Dhe kjo përbën një dallim që na ndan për shkak se Zoti ynë urdhëroi të pagëzohemi (të zhytemi në ujë) dhe jo të spërkatemi.

Çfarë ndodh në Misterin e Pagëzimit? Gjatë Pagëzimit të Shenjtë një vdekje dhe ngjallje ndodh, një lindje ose më saktë një rilindje. Fillimisht zë vend vdekja, prandaj ai që po pagëzohet duhet të zhytet plotësisht në ujin e Pagëzimores, për shkak se kjo zhytje simbolizon vdekjen. Çfarë vdekje? Vdekjen e njeriut të vjetër dhe mëkatar. Ai që pagëzohet vdes dhe varros brenda në Pagëzimore njeriun e vjetër, njeriun mëkatar. Kështu mëkati stërgjyshor hiqet prej tij, dhe ai çlirohet nga sundimi i mëkatit, megjithëse edhe pas Pagëzimit ai mban (ruan) njëfarë prirje dhe tendencë drejt së keqes. Dhe kjo prirje dhe kjo tendencë mbetet me qëllim që i Krishteri duhet të luftojë dhe të arrijë nëpërmjet fuqisë dhe përpjekjeve të tij, rilindjen e tij. Nëpërmjet Pagëzimores dhe zhytjes së trefishtë në ujërat e bekuar, ai që pagëzohet rilind në një jetë të re, ringjallet në një jetë më Krishtin, ai bëhet fëmijë i Perëndisë, një besimtar i Krishterë, një qytetar dhe pjesëtar i Mbretërisë së Perëndisë. Gjithashtu bëhet një trashëgimtar i mbretërisë qiellore. Shën Pavli shkruan si më poshtë rilindjen shpirtërore që merr njeriu nga pagëzimi i tij: “Vëllezër”, thotë Shën Pavli “sa u pagëzuam në Jisu Krishtin, në vdekjen e tij u pagëzuam. U varrosëm, pra, bashkë me atë me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ngjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në jetë të re.  Sepse, nëse u bashkuam me atë në një vdekje si të tijën, do të jemi edhe në një ngjallje si të tijën, duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua bashkë me të, që të prishet trupi i mëkatit dhe që të mos i shërbejmë më mëkatit, sepse ai që vdiq, u çlirua nga mëkati. Tani nëse vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë gjithashtu se do të jetojmë me të, sepse e dimë se Krishti, që u ngjall prej së vdekurish, nuk vdes më, vdekja nuk e pushton më.  Sepse në atë që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e përgjithmonë; por në atë që rron, rron më Perëndinë.  Kështu edhe ju, konsiderojeni veten tuaj të vdekur për mëkatin, po të gjallë më Perëndinë, me anë të Jisu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 6).

Shën Grigori i Nisës thotë se “Pagëzimi është larje dhe falje prej mëkateve, shkaku i përtëritjes dhe rilindjes”. Kështu që, ai është vdekja e së keqes, ngjallja e së mirës, rilindjes, adoptimit, një jete të re dhe të shenjtë: dhurata të pagëzimit; dhe në këtë mënyrë ne duhet ta jetojmë jetën pas pagëzimit. Të gjithë të Krishterët.

Pagëzimi quhet gjithashtu ndriçim dhe “larja e përtëritjes” dhe “larje mistike” dhe “larja e shpëtimit” dhe “uji i jetës së përjetshme”. Ai ka gjithashtu dhe shumë emra të tjerë. Ai quhet larja e shpëtimit për shkak se ai ka të bëjë me pastrimin e shpirtit. Ai quhet ndriçim për shkak se njeriu ndriçohet dhe kalon nga errësira e mëkatit tek drita e Krishtit, dhe bëhet plotësisht dritë dhe jetë, dhe rrezaton dritën e jetës shpirtërore hyjnore. Për këtë arsye ata katikumenë që përparonin në mësimin e besimit dhe ishin gati për të marrë pagëzimin e shenjtë në kohët e hershme quheshin “ata që përgatiteshin për ndriçim” (fotizomeni). Prandaj gjatë Liturgjisë Hyjnore të Dhuratave të Parashenjtëruara, ne dëgjojmë të quhen kështu: “Sa jeni për ndriçim, dilni. Ju për ndriçim dilni”.  

2. Mirosja e Shenjtë

Mirosja është një gjithashtu një Mister i themeluar nga Perëndia, siç e shohim të përmendet në shumë vende tek Veprat e Apostujve, Apostujt e kryenin duke vënë duart e tyre mbi kryet e besimtarëve të cilët merrnin në këtë mënyrë Shpirtin e Shenjtë (Veprat 8:17): “Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata merrnin Frymën e Shenjtë” dhe 19:6: “Dhe kur Pavli vuri duart mbi ta, fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan”.

Misteri i Mirosjes kryhet tek ne Orthodhoksët menjëherë pas Pagëzimit. Protestantët e refuzojnë Mirosjen dhe nuk e pranojnë në asnjë mënyrë, ndërsa Katolikët e administrojnë pasi fëmija të ketë mbushur dymbëdhjetë vjeç. Kjo është një tjetër risi plotësisht e huaj për traditën e  Kishës. Sot Krezmimi nuk kryhet më duke vënë duart nga celebruesi i Misterit, por me Miron e Shenjtë. Miroja e Shenjtë përbëhet prej dyzet esencave aromatike që simbolizojmë dhuratat e shumëllojshme të Shpirtit të Shenjtë që i Krishteri i merr pas Pagëzimit të tij. Prifti lyen të gjitha pjesët e trupit të të Krishterit – kokën e tij, kraharorin, brinjët, duart, veshët, këmbët dhe gojën duke thënë: “Vula e Shpirtit të Shenjtë. Amin”. Që do të thotë, se kjo Miro e shenjtëruar është konfirmimi dhe vula që ai që është pagëzuar ka marrë dhuratat dhe dhuntitë shpirtërore (karizëm) të Shpirtit të Shenjtë. Këto fjalë, të thëna nga celebruesi, bazohen tek fjalët e Shën Pavlit që lidhje me këtë vajosje: “Ai që na forcon bashkë me ju në Krishtin dhe na vajosi është Perëndia, i cili edhe na vulosi dhe na dha kaparin e Frymës në zemrat tona” (II Korithianëve 1:21-22). Domethënë, është Perëndia që na forcon për të qëndruar besnik ndaj Krishtit. Dhe Ai e bën këtë me vajimin që Ai kryen tek ne dhe me Shpirtin e Shenjtë që Ai e dhuron tek zemrat tona si një kapar (garanci) dhe premtim që Ai do të përmbush gjithçka që ka premtuar dhe dhuratën e jetës së përjetshme që Ai do të na dhurojë. Gjithashtu fjalët e Ungjillorit Shën Joan: “Dhe ju keni vajosjen nga i Shenjti dhe dini çdo gjë” (I Joanit 1:20) kanë të bëjnë me këtë Mister.

Dhe për sa i përket qëllimit të këtij Misteri ne duhet të theksojmë:

Pas Pagëzimit të tij, i Krishteri hyn në një jetë të re, siç kemi thënë, në jetën e virtytit dhe shenjtërisë, në jetën sipas Urdhëresave të Perëndisë. Por gjithashtu kemi thënë se edhe pas Pagëzimit, megjithëse mëkati stërgjyshor fshihet, dhe njeriu i vjetër mëkatar dobësohet tej mase, një tendencë dhe nxitje drejt së keqes mbetet: një dobësi e shpirtit që i hap derën mëkatit. Kundër këtyre i Krishteri duhet të luftojë për t’i mposhtur dhe të plotësojë me betejën e tij vetjake rigjenerimin e tij.

Megjithatë, nga vetja e vet, pa hirin dhe fuqinë hyjnore, është e pamundur të ndërmarrësh një betejë të tillë dhe të arrish të mposhtësh njeriun e vjetër dhe mishor. Kështu, Misteri i Mirosjes vjen dhe nëpërmjet vajosjes me Miron e Shenjtë ofron dhuratat e Shpirtit të Shenjtë. Këto dhurata janë fuqi mistike nga njëra anë, dhe të shenjta dhe hyjnore nga ana tjetër. I Krishteri, i armatosur me këto armë të fuqishme, lufton kundër së keqes, del fitimtar dhe arrin në të gjitha fazat e jetës së tij, jetën e virtytshme dhe të pëlqyeshme për Perëndinë. Kjo është domethënia e Krezmimit me Miron e Shenjtë e të pagëzuarit. Ashtu siç na thotë dhe Shën Qirili i Jerusalemit: “Ashtu si Krishti pas Pagëzimit të Tij dhe zbritjes së Shpirtit të Shenjtë u nis për tu ndeshur me kundërshtarin, kështu veprojmë dhe ne, pas Pagëzimit dhe Mirosjes së Shenjtë; të veshur me parzmoren e Shpirtit të Shenjtë përballojmë me sukses sulmet e kundërshtarit”. Në këtë mënyrë me parzmoren e Shpirtit të Shenjtë ne qëndrojmë të patrembur dhe me trimëri përpara fuqisë së keqe që kërkon të na sulmojë dhe ndeshemi kundër saj, dhe ne e mposhtim atë. Ne  mposhtim çdo sulm të së keqes duke thënë bashkë me Shën Pavlin: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më fuqizon” (Filipianëve 4:13).

3. Misteri i Eukaristisë Hyjnore  

Eukaristia e Shenjtë është Misteri më sublim i Kishës sonë të Shenjtë, Misteri i Mistereve. Ai është Misteri i përjetshëm vlera e të cilit është i pashprehshëm dhe i pallogaritshëm, dhe pozita e të cilit në adhurimin e Kishës sonë është unik dhe sublim.

Nëpërmjet këtij Misteri dhe atij të Pagëzimit të Shenjtë, zbrazin hir dhe fuqi të gjitha Misteret e tjera duke kontribuar kështu tek shpengimi i i përjetshëm i shpirtit dhe tek shpëtimi i njeriut. Ky Mister tepër Hyjnor u themelua nga Vet Krishti në Darkën e Fundit në natën e së Enjtes së Madhe “në të cilën ai u tradhtua” me vdekje në Kryq, me qëllim që sakrifica frymëdhënëse e Kryqit të vazhdonte brenda Kishës përgjatë shekujve deri në fundin e kohërave, si një burim faljeje për mëkatet e botës dhe si kungim me Trupin e Tij të Tërëshenjtë dhe Gjakun e Tij të Çmuar. Edhe besimtarët duhet të kungohen nga Kupa e Jetës dhe të marrin brenda tyre Atë i Cili është Perëndia i vërtetë dhe Shpenguesi i tyre. Dhe, nëpërmjet kungimit të këtij Misteri, ata bëhen pjesëtar të jetës së paprishëshme dhe të përjetshme.

Ungjijtë e shenjtë na tregojnë për themelimin e këtij Misteri mbinatyror tek Joani 6:27-29; Mateu 26:20-29; Marku 14:17-25; Luka 22:14-38; dhe Shën Pavli në Letrën e parë drejtuar Korinthasve 11:23-26. Sipas këtyre pasazheve të shenjta, Zoti ynë pas kësaj nate e ofroi Veten në vdekje për shpëtimin e botës “duke marrë bukën, duke e bekuar dhe thyer dhe duke ia u dhënë Dishepujve tha: Merrni, hani ky është Trupi im që thyhet për ju për ndjesën e mëkateve” dhe pastaj “mori kupën dhe pasi falënderoi Atin Qiellor, ia u dha Dishepujve duke u thënë: “Pini të gjithë prej kësaj; Ky është Gjaku im i Dhiatës së Re që derdhet për shumë për ndjesën e mëkateve”. Dhe Ai shtoi këshillën tek Apostujt: “Bëheni këtë në përkujtimin Tim”. Ruajeni këtë mister si një rregull të vazhdueshëm dhe të përjetshëm për shenjtërimin dhe shpëtimin tuaj.

Shën Pavli përsërit të njëjtën gjë në lidhje me themelimin e Misterit: “Sepse unë mora nga Zoti atë që u transmetova dhe juve; se Zoti Jisu, në atë natë që po tradhtohej, mori bukë, dhe si falënderoi e theu dhe tha: “Merrni, hani; ky është Trupi im që thyhet për ju, bënë këtë në përkujtimin tim”. Gjithashtu pasa darkës, mori edhe kupën, duke thënë: Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim. Sepse sa herë të hani nga kjo bukë dhe të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë” (I Korinthasve 11:23-26). Kështu që Misteri i Kungimit të Shenjtë është me të vërtetë një përfaqësim i sakrificës shpenguese të Zotit tonë. Për më tepër, ajo është një vazhdimësi dhe përjetësim i vdekjes shpëtimtare të Zotit tonë – Sakrifica e Tij në Kryq. Dhe ky përfaqësim do të vazhdojë deri në ardhjen e dytë të Zotit. Pas vdekjes dhe Ngjalljes së Tij, sakrifica që kryhet mbi Tryezën e Shenjtë është pagjak, pagjak dhe jo e gjakshme siç ishte në Kryq, dhe në këtë mënyrë ajo shpall në gjithë botën, si tek besimtarët ashtu dhe tek jobesimtarët, se kjo vdekje, duke qenë një vdekje e vullnetshme, vdekja e Birit të Vetëmlindur të Perëndisë, Perëndi-njeriut Jisu Krishti, është sakrifica më sublime dhe më e shenjtë që Ai ofroi tek Ati, për shlyerjen e fajeve të mëkatarëve dhe për faljen e mëkateve të tyre. Dhe ky Mister që është – prapë po e përsërisim – sakrifica në Kryq, është gjithashtu Pashka e të Krishterëve, siç na e thotë qartazi Shën Pavli kur shkruan: “Sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne” (I Korithianëve 5:7). Pashka jonë e Krishterë është sakrifica në Kryq dhe Ngjallja e Krishtit për ne. Dhe ashtu siç na thotë Shën Joan Gojarti: “Kur ju kungoheni (denjësisht) atëherë ju kremtoni pashkën”. Prandaj Ky Mister është jashtëzakonisht madhështor në Kishën tonë, i cili quhet gjithashtu “Eukaristi” dhe “Evlogjia” (Bekim), dhe “Darka Mistike e Zotit”, dhe “Kupa e Shenjtë” dhe “Kungimi i Shenjtë” dhe “Gostia e Shenjtë” dhe “Ofrim” dhe nga këndvështrimi i pasojave shpëtimtare të tij është emërtuar gjithashtu “ilaçi i pavdekësisë” dhe “kushti kryesor i jetës së përjetshme”.

Kremtimi i Misterit – Misteri kryhet nga Prifti i Kishës mbi Tryezën e Shenjtë. Pasi Prifti që kryen meshën ka sjellë bukën dhe verën në  “Prothesis” (Tryeza e Besimit) dhe gjatë Liturgjisë, dhe pikërisht gjatë Hyrjes së Madhe ai i merr nga Prothesis dhe i shpie mbi Tryezën e Shenjtë, fillon Anafora e Shenjtë, dhe celebrohet Misteri i frikshëm. Buka dhe vera përdoren nga kisha si elementë për kryerjen e Misterit. Ashtu si Zoti ynë përdori bukë dhe verë gjatë Darkës së Fundit kur Ai ia transmetoi këtë Mister të madh për shpëtimin tonë, Kishës së Tij. Dhe gjatë Anaforasë së Shenjtë kur Prifti na urdhëron “të qëndrojmë mirë, le të qëndrojmë me frikë, që ta blatojmë me paqe theroren e shenjtë” – anafora është kremtimi i këtij Misteri të frikshëm dhe është jashtëzakonisht vendimtar për shkak se është momenti më i shenjtë i Liturgjisë Hyjnore – prifti, duke u lutur gjatë dhe me shumë devotshmëri, i lutet Perëndisë duke i kërkuar që Shpirti i Shenjtë të zbres mbi dhuratat e çmuara për ta transformuar bukën në Trup dhe verën në Gjak të Krishtit Shpëtimtarit tonë. Për t’i transformuar në atë Trup që u kryqëzua në Kryq dhe në atë Gjak që u derdh mbi Kryq “për jetën dhe shpëtimin e botës”. Para se të arrijë në atë moment të frikshëm Prifti shqipton ato fjalë që foli Zoti kur për herë të parë Ai kremtoi dhe transmetoi këtë Mister tek Dishepujt e Tij: “Ua dha nxënësve dhe apostujve të Tij të shenjtë, duke thënë: Merrni, hani, ky është Trupi im, që thyhet për juve për ndjesën e mëkateve”. Gjithashtu duke marrë dhe Potirin me pemën e vreshtit, si e përzjeu, falënderoi, bekoi dhe e shenjtëroi ua dha nxënësve dhe apostujve të Tij të shenjtë, duke thënë: “Pini prej këtij të gjithë, ky është Gjaku im i Dhiatës së Re, që derdhet për ju dhe për shumë për ndjesën e mëkateve” dhe pas lutjes që kulmon me thirrjen: “Të tuat nga të tuat, ty të blatojmë nga të gjitha dhe për të gjitha”, celebruesi i Mistereve të Shenjta lutet më gjunjë tek Ati Qiellor duke thënë: “Dhe bëje këtë Bukë, vetë Trupin e çmuar të Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht; dhe atë që është në këtë Potir, vetë Gjakun e çmuar të Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, që u derdh për jetën dhe shpëtimin e botës; duke i ndryshuar me anën e Shpirtit tënd të Shenjtë”.

Pikërisht në këtë moment Shpirti i Shenjtë zbret dhe transformon bukën në Trupin e Krishtit dhe verën që gjendet në Potir në Gjakun e Krishtit. Më pas të gjithë ata që janë të përgatitur për tu kunguar, kungohen duke marrë brenda tyre jo bukë dhe verë por pikërisht Trupin dhe Gjakun e Krishtit, dhe bëhen “prej të njëjtit trup” dhe “prej të njëjtit gjak”  dhe “Krishtmbartës”, dhe ata formojnë bashkë me Krishtin, Të Cilin e mbartin brenda vetes, një trup dhe gjak, sipas Shën Qirilit, dhe “bashkë me Krishtin marrin brenda tyre Atin dhe Shpirtin e Shenjtë” sipas Shën Vasilit. Sigurisht sytë tanë shohin verën dhe gjakun dhe gjuhët tona ndiejnë shijen e bukës dhe verës, por gjërat nuk janë ashtu si duken. Që nga momenti kur Shpirti i Shenjtë zbret dhe Misteri përsoset, nuk kemi më atë që shohim me sytë tanë ose shijojmë me gjuhët tona. Ne kemi atë që ne besojmë, nderojmë dhe adhurojmë. Ne kemi Trupin dhe Gjakun e Krishtit tonë i Cili na transmeton jetën dhe paprishmëri.

Në këtë Mister të Eukaristisë së Shenjtë nuk ndodh vetëm ndryshimi i bukës dhe verës në Trupin dhe Gjakun e Krishtit por gjithashtu zë vend gjithë jeta dhe vepra shpëtimtare. Që do të thotë – Mishërimi i Tij, Lindja, Kryqëzimi, Varrosja, Ngjallja, dhe Ngjitja e Tij në të djathtën e Atin, me qëllim që Ai të ndërmjetësojë në interes të të gjithëve ne.

Frytet e Misterit të Kungimit të Shenjtë – Meqenëse çdo Mister i Shenjtë sjell Hirin Hyjnor tek njeriu dhe e bën atë të jetë si një pemë që jep shumë fruta, kjo ndodh në kuptim më të gjerë me Misterin e tërëshenjtë të Eukaristisë Hyjnore. Siç kemi thënë, në këtë Mister, ne kungohemi me Trupin dhe Gjakun e Krishtit – ne marrim dhe mbajmë brenda nesh Të Gjithëpushtetëshim dhe Zotin e Lavdisë, Perëndinë i Cili jeton dhe banon në shekuj. Kështu që frytet shpirtërore të Misterit janë jashtëzakonisht të pasura. Shpëtimi i shpirtit, ushqimi dhe mbështetja e jetës shpirtërore, përparimi dhe rritja e virtytit, rilindjes, shenjtërimit, hyjnizimit, të gjitha këto gjëra, janë dhurata hyjnore për shpëtimin dhe hyjnizimin e njeriut. Dhe duke qenë se Zoti na siguroi se Trupi i Tij është “në të vërtetë ushqim”, dhe Gjaku i Ti është “me të vërtet pije”, dhe ashtu si “buka është e domosdoshme për trupin” për ta mbajtur dhe forcuar jetën e njeriut, “kështu është edhe Fjala (Logosi) i domosdoshëm për shpirtin”. Dhe “buka dhe kupa qiellore… duke duke shenjtëruar shpirtin dhe trupin depërtojnë gjithë qenien tonë, duke i ofruar përfitime dhe të mira trupit dhe shpirtit tonë”. Ashtu siç është e pamundur të mbash jetën natyrore pa bukë dhe pa ujë, po kështu “ai që nuk ha Bukën qiellore” dhe “nuk pi Gjakun e Zotit nuk ka jetë brenda tij”. Përsëri, “pa Trupin dhe Gjakun e Zotit, që është Kungimi i Shenjtë, është e pamundur që një njeri të jetojë”, thotë Shën Qirili i Jerusalemit.

Para së gjithash përfitimi i parë është falja e maketeve, që merret nga Kungimi i Shenjtë, sigurisht pas një Rrëfimi të sinqertë. Kungimi i Shenjtë vulos dhe konfirmon faljen tonë. A nuk na tregoi Zoti që ky është fryti i parë që marrim kur Vet Ai kremtoi Misterin? “Merrni, hani” tha Ai,  “pini prej këtij të gjithë….për falje të mëkateve”. Kështu që ju mund të merrni faljen e mëkateve tuaja.

Fryti i dytë i këtij Misteri është shenjtërimi i shpirtit dhe trupit. Dhe kjo është diçka e natyrshme; duke se ne marrim brenda nesh “Të Shenjtin e të Shenjtave”, pra shpirtrat dhe trupat tanë shenjtërohen, i tërë qenia njerëzore shenjtërohet dhe kështu bëhet banesë e Shpirtit të Shenjtë. Kungimi i Shenjtë transmetohet tek të gjitha gjymtyrët tona: tek shpirti, trupi, sytë, veshët, duart, këmbët, gjuha, zemra. Të gjitha këto shenjtërohen në një mënyrë të atillë saqë shkaktojnë tek ata që u kunguan që as të mos mendojnë dhe as të mos dëshirojnë, as të ndiejnë, as të bëjnë të keqen, por të bëjnë vetëm atë që është e mirë, e shenjtë dhe sipas vullnetit të Shenjtë të Atij që ata kanë marrë brenda tyre gjatë Misterit. Një fuqi dhe një ndihmë e madhe na dhurohet ne për shenjtërimin tonë meqenëse i tërë organizmi ynë fizik dhe shpirtëror depërtohet (përshkruhet) me Kungimin e Shenjtë. Ne marrim një jetë të re, jetën sipas Frymës, jetën e shenjtërisë, sipas fjalëve të Zotit tonë: “Në të vërtetë, në të vërtetë, ju them se po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të pini gjakun e tij, nuk keni jetë në veten tuaj. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme” (Joani 6:53-54).

Fryti i tretë i Kungimit të Shenjtë është hyjnizimi (theosis) ynë. Në qoftë se sipas Shën Pietrit, me besim, me fjalën e Perëndisë, me lutje, njeriu hyjnizohet dhe bëhet “pjesëmarrës i natyrës hyjnore”, sa më tepër dhe në një shkallë të pakrahasueshme ndodh kur ne kungohemi me trupin e “hyjnizuar” të Zotit. Ne Kungohemi me Perëndinë dhe bëhemi nëpërmjet hirit të ngjashëm me Atë, të ngjashëm me Shenjtorët dhe përsëri nëpërmjet Hirit Hyjnor ne bëhemi pjesëmarrës të jetës hyjnore.

Fryti i katërt është bashkimi i të gjithë të Krishterëve, që kungohen me Trupin dhe Gjakun e Krishtit, në një trup të vetëm, në një familje shpirtërore. Kjo na tregohet qartazi nga Shën Pavli kur thotë: “Sepse ne të shumtit jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesën në të vetmen bukë” (I Korithianëve 10:17). Dhe me të vërtetë, çfarë gjë e mrekullueshme, madhështore dhe e bekuar është për ne të Krishterët të bashkohemi nëpërmjet Kungimit të Shenjtë, dhe të gjithë ne të kemi një mendim, një vullnet, një dashuri dhe një jetë, ashtu si Tre Personat e Trinisë së Shenjtë, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë që kanë një mendim, një vullnet dhe një dashuri. Kjo duhet të ndodhë me të gjithë të Krishterët që kungohen me Misterin e Shenjtë të Eukaristisë Hyjnore. Ky është hyjnizimi ynë real, jeta dhe bekimi ynë hyjnor. Çfarë mister i madhërishëm dhe i lavdishëm!

Etërit e Shenjtë shprehen kështu në lidhje me këtë: “Ai që ha trupin e Shenjtë të Krishtit” forcohet dhe përparon në jetën e hirit dhe virtytit, duke qenë se “trupi ka brenda tij Logosin i Cila nga natyra është Jetë”, dhe “Zoti ynë Jisu Krisht nëpërmjet trupit të Tij fsheh pikërisht këtë jetë brenda nesh dhe e rrënjos atë brenda nesh si një farë të pavdekësisë, duke shkatërruar në këtë mënyrë prishjen që është brenda nesh”. Që do të thotë, trupi i Zotit është plot jetë dhe ai shpërndan brenda nesh farën e pavdekësisë, dhe në të njëjtën mënyrë shkatërron prishjen që është brenda nesh. Shën Agustini thotë se nëpërmjet Kungimit të Shenjtë besimtari “ha jetë, dhe pi jetë”. Pikërisht për këtë arsye Shën Vasili thekson se “të kungohesh çdo ditë dhe të marrësh Trupin e Shenjtë dhe Gjakun e Krishtit është sa e mirë po aq e dobishme”.

Prandaj në çdo Liturgji Hyjnore ne besimtarët ftohemi në Kungimin e Shenjtë për të marrë Trupin dhe Gjakun e Krishtit “për faljen e mëkateve dhe jetë të përjetshme” dhe gjatë periudhës së Pashkës ne ftohemi në Kungimin e Shenjtë me Himnin: “Merrni Trupin e Krishtit, shijoni burimin e pavdekësisë”.

Ne duhet të theksojmë gjithashtu se i Krishteri duhet t’i afrohet Misterit pas një përgatitje të kujdesshme, pas kreshmimit, pas lutjes së zjarrtë, rrëfimit të sinqertë, pajtimit me armiqtë, me lëmoshë dhe vepra bamirësie dhe dashurie, kështu që të afrohemi kur Kisha na fton: “Me frikë Perëndie, bese dhe dashurie”. Sepse kjo është gjithashtu edhe këshilla e Apostullit të shenjtë Shën Pavli i cili thotë: “Por njeriu le të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka dhe të pijë nga kupa, sepse ai që ha dhe pi padenjësish, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit. Për këtë arsye ka mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe mjaft kanë vdekur” (I Korithianëve 11:28-30).  

Prandaj ne duhet t’i afrohemi këtij Misteri rregullisht dhe  shpesh, por “me frikë Perëndie, bese dhe dashurie”, dhe atëherë ne do të marrim faljen e mëkateve, shenjtërinë dhe shpengimin, paqen dhe hyjnizimin, jetën e përjetshme, jetën e bekuar dhe të amshuar.

4. Misteri i Pendimit dhe Rrëfimit

Domosdoshmëria për Misterin.

Rrëfimi është gjithashtu një Mister i themeluar nga Perëndia, i themeluar nga Zoti ynë nga mirësia dhe dashuria e Tij e pamasë për njeriun, me qëllim që mëkatet e bëra nga një njeri pas Pagëzimit të mund t’i falen. Prandaj ky Mister quhet gjithashtu një Pagëzim i dytë. Ai quhet gjithashtu Pendim, Rrëfim dhe Zbulim. Prej këtyre emrave secili prej nesh mund të kuptojë kushtet esenciale dhe të nevojshme për këtë Mister të faljes së mëkateve.

Së pari, ai quhet Pendim – ndryshim i brendshëm i mendimit, mendjes dhe prirjes. Një pranim i plotë i përgjegjësisë dhe fajit për të gjitha të këqijat që mëkatari ka bërë, një ndjesi të mëkatshmërisë së tij dhe një hidhërim dhe një keqardhje e thellë e zemrës deri në dhimbje dhe lot për mëkatet dhe padrejtësitë e tij.

Së dyti, ai quhet Rrëfim – para Atit Shpirtëror, Priftit dhe Celebruesit të Misterit – i pendimit, brejtjes së ndërgjegjes dhe keqardhjes së brendshme të shpirtit të tij, i pohimit të fajit dhe i kërkimit të mëshirës hyjnore dhe të faljes së mëkateve.

Së treti ai quhet Zbulim i mëkateve të tij; kjo nuk ndryshon nga rrëfimi; kjo nënkupton që personi që shkon të rrëfehet nuk duhet që t’i fsheh mëkatet e tij as për shkak se është i turpshëm dhe për këtë arsye ai heziton dhe shtanget t’i numërojë ato një nga një, ose për shkak se mëkatet e tij do të ekspozohen dhe ai do të vuajë pasoja të dhimbshme për shkak të tyre. Renditja e deviacioneve ose shkeljeve që kanë të bëjnë me moralin dhe brejtja e ndërgjegjes është e domosdoshme. Prandaj rrëfimi dhe pohimi i të gjitha të këqijave që ai ka bërë – ai dhe askush tjetër – dhe kërkimi i faljes prej Perëndisë për çdo mëkat të tij, dhe kërkimi i këshillave dhe udhëzimeve nga Ati i tij Shpirtëror me qëllim që ai të mos bjerë më në të njëjtat mëkate dhe shkelje, janë elementë që do t’i sigurojnë përparimin e tij të mëtejshëm në jetën shpirtërore, të një jete pendimi të vazhdueshëm dhe progresi në virtyt. Atëherë pendohet realisht mëkatari. Atëherë ai merr nga Perëndia nëpërmjet Atit Shpirtëror “faljen e mëkateve”dhe ndërgjegjja e tij qetësohet, dhe shpirti i tij është në paqe; barra dhe agonia prej fajit që rëndonte mbi të zhduket, dhe ai ndjehet plotësisht në prehje dhe paqe, duke përjetuar bekimet dhe hirin e Perëndisë në jetën e tij.

Themelimi i Misterit

Ne theksojmë dhe e përsërisim që Rrëfimi duhet të kryhet përpara një Prifti, Atit Shpirtëror, sepse ai është përgjegjësi që është caktuar për këtë Mister – ai dhe askush tjetër. Zoti ynë e themeloi këtë Mister kur Ai i tha Pietrit: “Dhe Unë do të të jap çelësat e Mbretërisë së Qiejve; ç’të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe ç’të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej” (Mateu 16:19). Dhe pas Ngjalljes së Tij kur u dhuroi Frymën e Shenjtë dishepujve të Tij, Ai tha: “Merrni Frymën e Shenjtë! Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur, kujt do t’ja mbani do t’i jenë mbajtur” (Joani 20: 22-23). Fjalët e Zotit tonë përbëjnë aktin themelor të Misterit Hyjnor. Me këto fjalë Ai u jep Apostujve autoritetin për të lidhur dhe zgjidhur mëkatet e njerëzve. Falja e mëkateve është vetëm nën pushtetin e tyre, ashtu siç Ai e demonstroi me shërimin e Paralitikut të Kapernaumit tek Skribët dhe Farisenjtë e këqij që dyshuan autoritetin e Tij. Dhe para se Ai të bënte mrekullinë Ai tha: “Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi dhe” – Atëherë Ai kryen mrekullinë për të provuar këtë autoritet që Ai ka – “Unë po të them” i tha të paralizuarit: “Çohu, merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde” (Marku 2:10-11). Pra kjo fuqi dhe ky pushtet është i Zotit. Ai është një pushtet hyjnor që buron nga hyjnishmëria e Tij, por gjithashtu nga Sakrifica e Tij në Kryq që Ai ofroi për faljen e mëkateve të mëkatarëve. Dhe këtë autoritet Ai ia u dorëzoi Apostujve të Tij të shenjtë. Me qëllim që ky autoritet të mbetej në Kishën e Tij, Ai ia u transmetoi atë nëpërmjet Apostujve të Tij, pasuesve të tyre, barinjve të Kishës dhe priftërinjve. Dhe vetëm ata si pasardhës të ligjshëm dhe kanonik të Apostujve, kanë autoritet për të dhuruar faljen nga mëkatet.

Dhe në të vërtetë, pas një pendimi dhe rrëfimi të thellë dhe të sinqertë, siç e kemi thënë, ata dhurojnë, me anë të lutjes së faljes, falje tek pendestari që i ka rrëfyer mëkatet e tij me brejtje të ndërgjegjes. Fakti që as engjëjt as njerëzit nuk kanë autoritet të falin mëkatet, me përjashtim vetëm të klerikëve, përmendet dhe theksohet nga Shën Joan Gojarti: “Sepse Ai nuk u tha atyre (Engjëjve) kujt do t’ia lidhni, etj, por këtë pushtet Ai ia dha Kishës së Tij. Edhe ato vendimi që merr Prifti ato i certifikon Perëndia dhe i konfirmon…. sepse ata kanë autoritet të largojnë papastërtinë e shpirtit”.

Dhe, në qoftë se ai që rrëfehet tregon pendim të plotë, ai merr falje nga Ati Shpirtëror. Në qoftë se ai nuk tregon pendimin e duhur atëherë Ati Shpirtëror i jep atij disa kanone, sipas zgjedhjes së tij, si për shembull, kreshmim, lexim të librave shpirtërorë dhe veçanërisht leximin e Shkrimit të Shenjtë, lutje, lëmoshë, metani etj. Këto kanë një qëllim edukues, domethënë qëllimi i tyre nuk është nuk është ta ndëshkojë pendestarin por ta ndihmojë atë që të tregojë pendim të vërtetë me qëllim që të marrë falje të plotë prej mëkateve. Shën Joan Gojarti duke e nxitur mëkatarin të pendohet, me një shqetësim të thellë për shpëtimin e tij, i thotë atij: “Hyr në Kishë dhe pastrohu prej mëkateve. Sepse Kisha është Spital dhe jo Sallë Gjyqi. Mos ki turp të hysh përsëri në Kishë; të të vijë turp kur mëkaton por jo kur pendohesh”.

5. Misteri i Priftërisë

Vlera e Misterit

Priftëria është ai Mister që përfshihet në Liturgjinë Hyjnore, ai zë vend brenda kremtimit të Liturgjisë Hyjnore, dhe varet nga shkalla e hirotonisë të cilën merr kandidati (domethënë nëse ai dorëzohet në Dhjakon, Prift ose në gradën më të lartë Episkop). Me vënien e duarve nga Hierarku i Kishës dhe nëpërmjet lutjeve të Kishës zbret mbi kandidatin Hiri Hyjnor. Sigurisht burimi i Hirit Hyjnor dhe po ashtu origjina e Priftërisë është Perëndi-njeriu, vetë Shpenguesi dhe Shpëtimtari ynë, I Cili është në realitet Kryeprifti i Kishës. Ai si Kryeprift ofroi së pari të vetmen sakrificë të përjetshme në Kryq për mëkatet tona, dhe në vazhdimësi, pasardhësit e Kryepriftit të Madh, Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, Peshkopët dhe Priftërinjtë, nuk e kanë Priftërinë prej vetes, por e marrin atë prej priftërisë së përjetshme të Krishtit, kur ata dorëzohen. Ata mbartin këtë Priftëri të Krishtit gjatë gjithë jetës së tyre. Me anë të saj ata Misteret e shenjta të Kishës. Kështu, nuk është Priftëria e tyre, por Priftëria dhe Kryepriftëria e Krishtit që ata administrojnë, dhe në emrin e kësaj Priftëria ata shërbejnë në Kishë. Nga kjo, ata që e marrim këtë priftëri, duhet të kuptojnë se me sa respekt ata duhet ta mbajnë këtë priftëri dhe se sa devotshmëri duhet të tregojnë kundrejt saj, dhe gjithashtu, se me çfarë frike dhe nderimi të thellë duhet ta administrojnë atë. Por edhe besimtarët gjithashtu, nga ana e tyre, duhet të sillen me respekt ndaj klerikëve dhe t’i nderojnë ata, meqenëse Priftëria që ata mbartin nuk është e tyre por e Zotit tonë Jisu Krisht.

Themelimi i Misterit

Misteri i Priftërisë është gjithashtu një mister i themeluar në mënyrë hyjnore, vetë Zoti e themeloi atë. Dhe Ai e themeloi atë kur Ai zgjodhi dymbëdhjetë Apostujt për t’i përgatitur që më vonë ata të bëheshin pasuesit dhe ata që do të vazhdonin punën e Tij. Megjithatë, Ai e themeloi atë pikërisht, kur mbas Ngjalljes së Tij dhe në ditën e Pendikostisë Ai u dha atyre Frymën e Tij të Shenjtë dhe u transmetoi atyre autoritetin për të falur mëkatet, siç e pamë në Misterin e Pendim – Rrëfimit. Më vonë, Apostujt vepruan në të njëjtën mënyrë për sa i përket pasardhësve të tyre: “Dhe mbasi u caktuan atyre priftërinjtë sipas kishave, u lutën me agjërime, ia lanë Zotit, në të cilin kishin besuar” (Veprat 14:23). Në këtë mënyrë vepruan Apostujt Pavli dhe Barnaba me të Krishterët në Derbë, Ikonium dhe Antioki. Kjo quhet hirotonisje ose vënia e duarve të Apostujve ose Peshkopëve mbi kryen e atij që do të hirotoniset. “I paraqitën pastaj përpara Apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta” (Veprat 6:6; 13;3). Po kështu Timotheu u ngjit në fronin e Hirit nëpërmjet vënies së duarve nga Pavli dhe prifti. Pavli shkruan për këtë: “Mos e lër pas dore hirin që është në ty, i cili të qe dhënë në sajë të profecive dhe me vënien e duarve të kolegjit të pleqve” (1 Timotheut 4:14).

Dhe përsëri Pavli i kujton atij “të ndezë dhuratën e Priftërisë që është në ty, përmes vënies së duarve të mia” (II Timotheut 1:6). Dhe këto, vënia e duarve mbi atë që dorëzohet dhe lutjet që lexohen dhe dëgjohen gjatë hirotonisjes nga Episkopi, janë elementët e dukshëm dhe të ndjeshëm të Misterit. Elementi i padukshëm dhe mbinatyror është Hiri Hyjnor. Priftëria quhet gjithashtu përkushtim për shkak se ai që dorëzohet i kushtohet shërbesës së shenjtë dhe hirit të Kishës; ajo quhet gjithashtu telesiurgjia dhe përmbushje priftërore për shkak se nëpërmjet ceremonisë së shenjtë (telesiurgjia) ai shenjtërohet dhe përkushtohet tek kjo shërbesë tepër sublime dhe hyjnore.

Ne themi se kjo shërbesë është hyjnore për shkak se nuk është thjesht zgjedhje njerëzore por Perëndia nëpërmjet njerëzve – peshkopëve – që i thërret dhe i shenjtëron shërbyesit e Kishës së Tij. Kur Shën Pavli iu bëri thirrje nga Mileti Pleqve të Kishës së Efesit për t’i këshilluar ata që të qëndronin vigjilent kundrejt grigjës së tyre, ai tha: “Kini kujdes, pra,për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në të cilën Fryma e Shenjtë ju ka vënë juve mbikëqyrës të kullotni Kishën e Perëndisë, të cilën Ai e ka fituar me gjakun e vet” (Veprat 20:28). Kështu që kjo shërbesë (Priftëria) është hyjnore dhe e dhënë nga Perëndia dhe jo e kësaj bote. Shën Joan Gojarti pohon: “Priftëria kryhet në tokë por ajo zotëron rendin e gjërave qiellore”. Prandaj një person nuk duhet të ngutet për të marrë këtë dinjitet të Priftërisë, por duhet të presë derisa Perëndia ta thërresë – ose nëpërmjet prirjes së tij të brendshme, ose nëpërmjet individëve të Tij të zgjedhur dhe nga rrethanat e favorshme, te kjo shërbese kaq fisnike. Shën Pavli na thotë: “Në qoftë se dikush dëshiron të bëhet peshkop, punë të mirë dëshiron” (I Timotheut 3:1) dhe gjithashtu tek Letra drejtuar Hebrenjve: “Dhe askush nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, por ai thirret nga Perëndia, njësoj si edhe Aaroni” (Hebrenjve 5:4). Pra e theksojmë, një person nuk duhet të ngutet, dhe aq më keq të përdor mënyra të ndryshme ose të japë mitë për ta marrë këtë shërbim, sepse duke vepruar në këtë mënyrë ai bëhet një simoniak dhe kështu i padenjë për këtë nder dhe hir.

Shënim: simoniak kujtojmë Simon Magjistarin tek Veprat e Apostujve i cili kërkoi ta blinte me para hirin (dhuntinë) e Perëndisë (Veprat e Apostujve Kap. 8).

Ata që marrin përgjegjësinë për të dorëzuar një kandidat “duhet të ekzaminojnë me imtësi jetën e atij që do të dorëzohet, dhe pastaj të luten që hiri i Frymës së Shenjtë të zbresë mbi të”, ashtu siç vepruan Apostujt kur ata duhet të zgjidhnin Shtatë Dhiakonë. Ata ftuan të gjithë besimtarët dhe u thanë: “Kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë” (Veprat 6:3). Me dëshmi të mirë, me reputacion të mirë, besimtar, i thjeshtë, i ndershëm, të mos jetë lakmues i fitimeve të turpshme, të mos dojë paranë, i butë, dinjitoz, të jetë i denjë për këtë hir dhe shërbesë të shenjtë. Sepse vetëm ata që janë të shenjtë dhe të denjë duhet të zgjidhen në rangjet e Priftërisë.

6. Misteri i Martesës

Martesa si Mister është një vepër e shenjtë. Ajo bazohet mbi lidhjen e natyrshme nëpërmjet pëlqimit reciprok – të burrit dhe të gruas. Kjo lidhje e natyrshme bëhet e shenjtë dhe shpirtërore kur shenjtërohet dhe lartësohet në dinjitetin e misterit me anë të ceremonisë dhe lutjeve të Kishës. Kjo lidhje e natyrshme midis burrit dhe gruas në martesë është prej Perëndisë për rritjen dhe shtimin e racës njerëzore. Dhe kjo u kuptua qartë nga Adami, kur ai pa Evën për herë të parë, duke thënë: “Kjo (gruaja) është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri. Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm” (Zanafilla 2:23-24). Edhe sigurisht, ishte Perëndia i Cili  e bashkoi çiftin e parë dhe i Cili kremtoi, në një kuptim, martesën e tyre në Parajsë me bekimin që Ai u dha të dyve, burrit dhe gruas duke u thënë: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundojeni” (Zanafilla 1:28).

Themelimi i Misterit – Shpëtimtari ynë e lartësoi martesën në një Mister në Dhiatën e Re me anë të pranisë së Tij në martesë në Kanë të Galilesë, dhe me të gjitha ato fjalë që Ai u tha Farisenjve, për paprishmërinë e martesës, që përpiqeshin ta zinin ngushtë: “Atëherë iu afruan disa Farisenj për ta provokuar dhe i thanë: A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo? Dhe Ai duke u përgjigjur u tha atyre: ‘A nuk keni lexuar ju, se Ai që i krijoi që në fillim, i krijoi mashkull dhe femër? Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm. Dhe kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm; prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë” (Mateu 19:3-6). Dhe sigurisht në Dhiatën e Re martesa nuk konsiderohet në mënyrë specifike Mister, por ajo krahasohet nga Shën Pavli me bashkimin mistik të Dhëndrit – Krishtit me Nusen – Kishën, për të treguar dashurinë që duhet të ketë burri për gruan. Dhe Shën Pavli shton: “Ky mister është i madh; por unë e them në lidhje me Krishtin dhe me kishën” (Efesianëve 5:32). Që do të thotë, bashkimi perfekt ndërmjet burrit dhe gruas në fillim të krijimit, nëpërmjet një lidhje të shenjtë, është në një kuptim të mistershëm, një shëmbëlltyrë dhe një ngjashmëri e bashkimit mistik të Krishtit me Kishën. Por Tradita e Shenjtë gjithmonë e ka pranuar martesën dhe e ka kremtuar bashkimin e burrit dhe të gruas si një Mister.

Martesa është një lidhje e për gjithë jetën, ajo është e pandashme, përveç rastit të mëkatit të frikshëm të pabesisë bashkëshortore, që është arsyeja e vetme për të prishur një martesë, të njohur nga Krishti dhe Kisha e Tij. “Por Unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën” (Mateu 5:32).

 Orthodhoksia pranon se si burri ashtu edhe gruaja nuk e humbin personalitetin (individualitetin) e tyre, as nuk i konsiderojnë funksionet e tyre si të një personi të vetëm në martesën e tyre.  S’ka rëndësi kush janë dhe nga vinë, pëlqimet dhe mospëlqimet e tyre, aftësitë dhe talentet e tyre , shkrihen në atë që fillon si procesi që drejton në një bashkim të lavdishëm të harmonizuar. Martesa e Krishterë, me hirin e Perëndisë, i jep burrit dhe gruas një mundësi për të përsosur bashkimin dhe dashurinë e tyre. Martesa është një përkushtim i përjetshëm ndërmjet burrit dhe gruas për të kërkuar së bashku shenjtërinë dhe për të krijuar një bashkim të ndershëm të bazuar në respektin reciprok, besnikërinë, butësinë, mirësinë, mirëkuptimin dhe dashurinë.

 Sigurisht që ceremonia martesore në Kishën Orthodhokse është jashtëzakonisht e bukur dhe tërheqëse, e mbushur me simbolika domethënëse.  Veç kësaj ajo nuk është thjesht ceremoni por është një martesë. Vështirësira dhe probleme ka në çdo jetë njerëzore, por këto pengesa janë në një farë mënyre mundësi për të provuar dashurinë, besimin dhe besnikërinë. Rëndësi gjithashtu ka fakti se bashkshortët duhet të lënë mënjanë si për shembull; krenarinë, egoizmin, vetpëlqimin ose vese të tjera për të ruajtur martesën e tyre.  Lumturia në martesë mund të fitohet me anë të bujarisë, me anë të punës së ndershme dhe dashurisë së sinqertë. Një vëmendje të veçantë Kisha Orthodhokse e Lindjes iu kushton lidhjeve ku njëri është i besimit Orthodhoks ndërsa tjetri i përket një feje tjetër.  Kisha me qëllim që të kryejë Misterin e Martesës kërkon që personi që nuk i përket besimit Orthodhoks duhet së pari të pagëzohet dhe më pas të kryejë Misterin brenda Kishës Orthodhokse.

Martesa jashtë Kishës nuk konsiderohet martesë nga Kisha Orthodhokse. Nëse një çift kryen martesën vetëm nga autoritet civile por jo nga Kisha atëherë ai nuk mund të marrë pjesë në asnjë nga Misteret e Shenjta të Kishës Orthodhokse.  Ndërsa një çift besimtarësh të cilët janë të kurorëzuar në Kishën Orthodhokse  mund të marrin pjesë  plotësisht në Misterin e Jetës.

Le të theksojmë gjithashtu se martesa shkon përtej përmbushjes së dashurisë ndërmjet burrit dhe gruas, martesa dhuron jetë. Prandaj është kaq shumë e rëndësishme për jetën e çdo çifti, sepse Perëndia i fton të bëhen bashkpuntorët e Tij në krijimin e jetës. Ai i fton ata të bëhen trashëgimtarë të atij që quhet njerëzim.

7. Vajimi i Shenjtë (Efqelia).

Kisha Orthodhokse gjithmonë e ka konsideruar trupin dhe shpirtin si të pandarë. Ne njerëzit jemi qenie psiko-somatike. Për këtë arsye Kisha ka theksuar rëndësinë e përkujdesjes si ndaj trupit ashtu dhe ndaj shpirtit.

Që nga fillimi Kisha jonë beson se sëmundja e mendjes ose shpirtit  ka lidhje me sëmundjen e trupit. Prandaj Kisha jonë Orthodhokse na pajis me Misterin e Vajimit të Shenjtë, duke ndjekur Urdhëresën e Zotit tonë Jisu Krishtit dhënë dishepujve të Tij: “Shëroni të sëmurët, pastroni lebrosët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët” (Mateu 10:8). Kremtimi më i njohur i këtij Misteri kryhet të Mërkurën e Javës së Shenjtë, në Javën kur bota Orthodhokse kujton Pësimet e Krishtit dhe sakrificës së Tij në Kryq. Misteri i Vajimit të Shenjtë në Greqisht (Efqelion – që do të thotë vaj-lutës) është një Mister i fortë i Besimit për shërimin e sëmundjeve, lehtësim të vuajtjeve dhe faljen e mëkateve.

Misteri i Vajimit të Shenjtë kremtohet për të zgjuar shpresë, për të dhënë kurajë, dhe për të sjellë paqe tek cilido që vuan nga efektet e sëmundjes, qetëson dhimbjet dhe lehtëson ndjenjat e dhunimit që shpeshherë shkaktojnë vuajtje.

Në fakt, Misteri është një zbrazje e hirit hyjnor i cili shëron njeriun që vuan, jo tamam si ilaçi por më tepër si një ribashkim në shenjtëri, në jetën e re, një ripërtëritje. Parakushti kryesor është që të sëmururit  duhet të jenë penduar dhe janë të gatshëm për  të hequr dorë nga jeta e mëkatit dhe e vdekshmërisë dhe të dëshirojnë një jetë të mbushur me hirin e Perëndisë.

Vajimi i Shenjtë ashtu si të gjitha Misteret e Kishës Orthodhokse përmban shenja të dukshme dhe të padukshme. Shenjat e dukshme përfshijnë vajin që bekohet nga Priftërinjtë dhe përdoret për vajim, dhe fjalët që përfshijnë lutjet, himnet dhe leximet prej Shkrimit të Shenjtë që përbëjnë Shërbesën.

Shenja e padukshme është hiri i Shpirtit të Shenjtë që depërton dhe shëron trupin dhe shpirtin e të sëmurit.

Vaji që përdoret për Efqeli nuk duhet të ngatërrohet me vajin e Krezmimit, i cili mund të sigurohet dhe shenjtërohet vetëm nga Peshkopi i cili është kreu i një Kishe Autoqefale. Që në lashtësi, vaji i ullirit është përdorur si një mjet shërues. Kultura të hershme e konsideronin vajin e ullirit jo vetëm si një mjet shërimi por gjithashtu si  simbolin e fuqisë dhe dritës. Në referenca të përsëritura biblike, Krishti dhe Apostujt theksojnë se vaji i ullirit shërben si një mjet shërimi.    

Shërbesa e Vajimit të Shenjtë përmban Mëngjesoren e ndryshuar, lutjen e mëngjesit të Kishës, një lutje për shenjtërimin e vajit, një set prej shtatë mësimesh nga Apostulli, dhe shtatë lexime nga Ungjilli dhe lutjen për vajosjen e të sëmurit.         

Vaji që përdoret në këtë Mister është vaj ulliri i përzier me pak verë si simbol i Gjakut të Krishtit, bekuar nga Priftërinjtë gjatë Shërbesës. Përzierja e vajit dhe verës bëhet sipas shembullit të Samaritanit të Mirë, siç përshkruhet në leximin e Ungjillit të parë.

Momenti i vajimit, i shoqëruar me lutjet përkatëse për personat që po kryhet ky mister, është momenti më i rëndësishëm i Misterit të Vajimit, sa të pashprehshëm po kaq real. 

Shenja e dukshme, vaji i shenjtëruar, shndërrohet në hirin e padukshëm të Shpirtit të Shenjtë që depërton në trupin dhe në shpirtin e të sëmurit duke i dhuruar një shërim të mistershëm.  

Misteri i Vajimit të Shenjtë nuk kryhet vetëm të Mërkurën e Madhe të Javës së Shenjtë kur besimtarët vajohen si  përgatitje për të marrë Kungimin e Shenjtë ditën tjetër. Vajimi i Shenjtë mund të bëhet në çdo kohë, në çdo vend – në Kishë, në shtëpi, në spital kudo ku nevojitet, kurdoherë me shpresën e shërimit dhe të faljes së mëkateve.

Kisha Orthodhokse thekson se qëllimi parësor i vajimit është shërimi dhe falja. “Shkoni” u tha Ai dishepujve “Lyeni të sëmurët me vaj dhe shërojini ata”.  

Meqenëse nuk është gjithmonë dëshira e Perëndisë që të jetë një shërim fizik, përmbajtja e misterit mbetet gjithmonë lutja e Krishtit, që të bëhet gjithnjë dëshira e Perëndisë. Për më tepër, qëllimi i qartë i Misterit është që, nëpërmjet lyerjes së trupit të sëmurë, vuajtjet e personit të mund të shenjtërohen dhe të mund të bashkohen me vuajtjet e Krishtit. Në këtë mënyrë, plagët e mishit shenjtërohen dhe jepet forcë që vuajtjet e personit të sëmurë, të mos jenë për humbjen e shpirtit të tij, por për shpëtimin e përjetshëm, në ngjalljen dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë. Pra, Vajimi i Shenjtë është një mister shprese dhe besimi, një dëshmi e dashurisë së Perëndisë për krijesat e Tij, dhe dëshira e Tij për të ngushëlluar besimtarin nga vuajtja dhe dhimbja e çdo lloji.

Misteri i Vajimit të Shenjtë është për të sëmurin – të sëmurë fizikisht dhe mendërisht – dhe nuk është rezervuar vetëm për momentet e vdekjes. Ky mister nuk është “riti i fundit” siç dikush mendon; riti i Vajimit vetë, në asnjë mënyrë nuk tregon që duhet bërë vetëm në rastet ekstreme. Kur shuhen shpresat për mbijetesë të një besimtari nga një sëmundje, Kisha Orthodhokse ofron Kungimin e Shenjtë si përgatitjen e fundit për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë.

Vajimi i Shenjtë është misteri i shërimit shpirtëror, fizik dhe mendor, çfarëdo lloj natyra apo shkalla e sëmundjes.

Misteri i Vajimit në praktikën e Kishës Orthodhokse nuk është vetëm një mister individual por më tepër është një mister i bashkësisë. Pjesëmarrja e përbashkët në misterin e shërimit shërben si një kujtim i gjallë që ne duhet të përqendrojmë vëmendjen tonë në vuajtjet globale që degradon jeta. Ne duhet të shohim bashkërisht tek shërimi – veprimin e dashurisë, bamirësisë dhe mëshirës të përqendruar në një shkallë globale, duke vajosur dhe shëruar botën që na rrethon nga uria, sëmundja dhe shtypja, duke ruajtur ambientin, shoqërinë tonë dhe njerëzimin nga abuzimi, shkatërrimi dhe shthurja.

“A është i sëmurë ndonjë nga ju”? pyet Shën Jakovi në Letrën e tij për të vërtetuar qëllimin e misterit – “le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit, dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen”.