/Mirënjohja – Virtyti i Harruar

Mirënjohja – Virtyti i Harruar

E DIELA E XII E LUKAIT E 10 LEBROZËVE Lukai 17, 12-19.

Mirënjohja – Virtyti i Harruar

“Njëri prej tyre, kur pa se ishte pastruar, u kthye e lavdëronte Perëndinë me zë të lartë” v. 15.

Në pjesën e sotme të Ungjillit të hirshëm, shikojmë të shfaqet Njeridashja hyjnore dhe simpatia e dhembshur e Zotit tonë Jisu Krisht, ndaj të sëmurëve dhe të vuajturve.

* * *

Ndërkohë, që Zoti hynte në një fshat të madh -na thotë Ungjilli i sotëm- e takuan dhjetë burra të lebrosur. E frikshme ishte gjendja e tyre. E pashërueshme sëmundja e tyre e tmerrshme. E ngadaltë dhe e dhimbshme vdekja e tyre. Shikonin trupin e tyre të hahet dhe të shpërfytyrohet nga lebra, gjymtyrët e tyre, të kalbura nga sëmundja, të binin të vdekura në tokë. Atëherë, nuk ishin gjetur akoma mjekime qetësuese dhe shëruese, të sëmundjeve të ndryshme dhe, sipas urdhrave të ligjit Mosaik, ata që vuanin nga lebra, nuk duhej t’u afroheshin njerëzve të tjerë të shëndoshë, prandaj dhe qëndronin jashtë qytetit. Dhe, për më tepër, pikëlloheshin nga vetmia. Dhe nëse dikush, pa e ditur, shkonte diku atje afër, ata duhej të thërrisnin fjalën “i papastër”, që ta paralajmërojnë të largohet nga vendi i vuajtjes së tyre.

Madje, dhe të afërmit e tyre, që u sillnin ushqimin, duhej ta linin në një distancë të largët dhe të largoheshin, që më pas të vinin ta merrnin ata. Ishin të gjallë të vdekur, që prisnin fundin si çlirimtar, i cili ishte e mundur, që të vinte edhe pas vitesh.

Por, ja, një shpresë kishte filluar të ndriçojë qiellin e errësuar të jetës së tyre të pikëlluar. Dëgjuan, se Jisui Nazaretasi, Mësuesi i popullit, bënte mrekulli dhe, madje, shëronte edhe të lebrosur. Por, si do ta takonin vallë? Dhe ja, Zoti i gjithëditur i drejtonte hapat e Tij drejt zonës së vetmisë së tyre. Ata e panë Atë dhe turmën, që e shoqëronte me respekt, dhe me zë të madh, të cilin e bënte akoma më të fortë dhe më prekës, malli i shërimit dhe besa tek Ai, i thirrën: “Jisu, mësues, ki mëshirë për ne!” v. 12.

Dhe Biri i Perëndisë, kur i pa, iu dhimbsën menjëherë. U tha, pra, të venë të paraqiten tek priftërinjtë, që sipas ligjit Mosaik, ishin personat kompetentë, për të vërtetuar shërimin e lebrës. Lebrosët iu bindën urdhërit, që u dha Zoti. Dhe, ndërkohë që shkonin tek priftërinjtë, u bënë të gjithë mirë. Por, nuk u kthyen të gjithë të falënderojnë Bamirësin e tyre. Vetëm njëri nga ata, duke brohoritur nga gëzimi dhe duke lavdëruar Perëndinë, u rikthye te Krishti dhe, duke rënë në këmbët e Tij, e falënderoi. Dhe ai, që tregoi mirënjohjen e tij, nuk ishte Jude si të tjerët, nuk bënte pjesë në popullin e zgjedhur të Perëndisë, por ishte Samaritan.

Zoti, kur pa Samaritanin të bjerë në këmbët e Tij dhe ta falënderojë ngrohtësisht, solli ndërmend të tjerët, që u shëruan bashkë me të dhe pyeti: “A nuk u pastruan nga lebra dhjetë vetë? Ku janë nëntë të tjerët? Nuk e ndjenë detyrën të vijnë dhe të lavdërojnë Perëndinë, përveç këtij të huaji, që nuk është as Jude?” Dhe në vazhdim e urdhëroi Samaritanin të ngrihet. “Ngrihu e shko, i tha. Besa jote e shëndoshë, që ke, bashkë me dëshirën mirënjohëse, që të karakterizon, të dhanë, jo vetëm shëndetin e trupit, por edhe shpëtimin e shpirtit.”

Sigurisht, Samaritani i mirë, nuk e kishte menduar se mund të ndodhte diçka e tillë. Por Krishti, që, me shikimin e Tij hyjnor, hyn të zbulojë në thellësitë e shpirtit, duke rrëmuar tërë botën e brendshme të njeriut, shikonte se kishte përpara Tij një qenie të kultivuar, që kërkonte mbi të gjitha lidhjen e vazhdueshme me shpirtëroret dhe të përjetshmet. Rrjedhimisht, i përkiste dhurata e Hirit, që do ta linte mënjanë rënien e trashëguar stërgjyshërore dhe kështu do të krijonte kushtin, që nevojitej për shpëtimin e tij shpirtëror. Dhe e dha. “Ngrihu e shko. Besa jote të shpëtoi”, i tha Samaritanit shpirtmirë, që, i rënë përmbysë në këmbët e Tij, linte të derdhet, me përulësi, nga zemra e tij thesari i paçmueshëm i mirënjohjes. Kështu, pa e pritur, fitoi shpëtimin. Ja, pra, bamirësia e dytë dhe më e madhe.

* * *

Perëndia, sigurisht, bën bamirësi të panumërta për të gjithë ne. Vetë jeta jonë, të mirat që kemi në dispozicionin tonë, ajri që thithim, qetësia që na çlodhë, lumturia që na mahnit, të gjitha të mirat vijnë nga dashuria e Tij e pafund, që, vazhdimisht, vë në lëvizje gjithë mekanizmin e Përkujdesit Hyjnor, në mënyrë, që të japë, në çdo moment, çfarë duhet, ndaj krijesave të Tija të dashura. Por, mbi çdo gjë, kujdeset për çlirimin dhe shpëtimin tonë personal. Nuk duhet të harrojmë se, edhe pse me mëkatin e të parëgatuarve ishim bërë përgjegjës, Perëndia i shumë- mëshirshëm, na dërgoi Birin e Tij të vetëmlindur dhe u sakrifikua mbi Kryqin e dhimbshëm, për mëkatet tona. Natyrisht, nuk ka bamirësi më të madhe se kjo; sepse ne, nga vetja jonë, ishte e pamundur të korrigjojmë të keqen dhe të përmbushim Drejtësinë hyjnore. Çfarë do të ndodhte pra? Ose duhej të mbeteshim, vazhdimisht, në mallkimin “e të rënit”, ose t’i vinte keq, për ne, Zotit të qiellit dhe të dheut. Siç dihet, ndodhi e dyta, dhe kështu u rimëkëmbëm, siç na shkonte për shtat.

* * *

Krishti shëron si trupin, ashtu edhe shpirtin. Do duhej së pari të kujdesemi për shpirtin, të shqetësohemi, të frikësohemi. Ne, të dobët shpirtërisht, lutemi më tepër për trupin. Krishti na dhuron dhe shëndetin e trupit, na ofron dhe të mirat materiale. Si shpërblim, në vend, që të na dhurojë dhe shërimin e shpirtit, kërkon një “faleminderit”. Fatkeqësisht, nuk ia ofrojmë. Nuk jetojmë me besë falënderuese. Nuk jemi njerëz të falënderimit. Njëri, Samaritani, ishte njeri i falënderimit. Prandaj dhe u denjësua për mrekullinë e madhe. Shpëtoi shpirti i tij. “Ngrihu e shko; besa jote të shpëtoi”. v. 19.

E tashmja e jetës sonë është një pikë uji, para oqeanit të së ardhmes. Për pikën tregojmë interes; ndërsa për oqeanin e së ardhmes, si përfundim, do mbetemi indiferentë? Mrekullia e dhjetë të lebrosurve është nxitje, që të lëvizim për biletën e së ardhmes. Biletën e së ardhmes e siguron falënderimi. Mosmirënjohja është mëkati më i keq. Shën Joan Gojarti e barazon me blasfeminë. Falënderimi është virtyti më fisnik. Mosmirënjohja të drejton në indiferentizëm për Perëndinë dhe për jetën më Perëndinë: Shfaq mungesën e dashurisë; toleron edhe polemikat më të tmerrshme kundër Krishtit dhe Trupit të Tij, që është Kisha. Falënderimi drejton në lavdërimin e Perëndisë dhe mirënjohjen për bamirësitë e Tija të dukshme dhe të padukshme. Falënderimi lidh besimtarin me Perëndinë.

Më të shumtët, si nëntë lebrosët, zakonisht fitojnë të tashmen. Njëri, si Samaritani i mirë, fiton dhe të tashmen dhe të ardhmen e përjetshme. Besimtari kalon, nga e kaluara e mjerë e jetës mëkatare, në të tashmen e hirshme të jetës së pendimit, dhe përfundon në të ardhmen e lavdishme të Mbretërisë së Qiejve.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Le të mos harrojmë se mirënjohja nuk është vetëm detyrë dhe borxh. Është dhe diçka më tepër: Është një magnet i fortë, që tërheq hir të ri, bekim më të madh nga Perëndia. “Ngrihu e shko; besa jote të shpëtoi”, u përgjigj Zoti. Duke shpërblyer sjelljen e tij, i dhuroi dhuratën më të madhe të shpëtimit. Të shpëtimit të gjithë qenies së tij. Bamirësitë materiale Perëndia, me dhembshurinë e Tij, i ofron ndaj “të mirëve dhe të ligëve”. Por më të thellat, të brendshmet dhe shpirtëroret, që kanë vlerë të përjetshme, i mban vetëm për shpirtrat mirënjohës.

U bëftë.

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 20.01.2019