“Bijtë e mi të dashur!
Dua t’ju them se më jepni gëzim të madh. Do të dëshiroja të isha shumë më
shpesh pranë jush, por jam i detyruar të shkoj në shumë vende. E di gjithashtu
se mosha e adoleshencës dhe e rinisë, është mosha më e rëndësishme e jetës,
është mosha e kërkimit të kuptimit të jetës për një udhëtim krijues, për të
gjithë përpjekjen që kemi këtu në tokë. Duam që të përparoni dhe të kultivoni
të gjitha talentet që ju dha Perëndia. Në jetën tuaj të jeni të suksesshëm dhe të bekuar. Pa dyshim, periudha e studimeve
është themelore për të ardhmen. Të vetmen gjë që ju kërkojmë, është të ndani me
të tjerët ato që mësoni.
Pas pak vitesh ju do të jeni kuadro. Mos e mbyllni jetën brenda vetes suaj! Mos u merrni vetëm me veten tuaj apo me familjen tuaj. Kujdesuni që kudo që të ndodheni të jeni bekim për vendin, për Shqipërinë. Përpara së gjithash, në familjen që do të krijoni. Në familjen ku prindërit tuaj avash-avash humbasin fuqitë e tyre dhe do të kenë nevojë për dashuri dhe respekt. Vendi ka nevojë për shumë dashuri. Pra, merrni sa më shumë të mundeni nga studimet. Unë vazhdimisht i nxit të gjithë ata që janë pranë meje të përparojnë në studime. Qëllimi është i njëjtë: Të ndani me të tjerët atë që Perëndia ua dha.
Shqipëria është vend i
padrejtësuar, që dallon nga shumë vende të tjera. Eshtë vendi i fundit në
Ballkan që fitoi lirinë. Më pas erdhi stuhia e komunizmit dhe e ateizmit, që e
izoloi, por duhet të rigjejë sërish atë vlerë të madhe që kishte. Vlerat në të
cilat u mbështet në të gjithë shekujt, dhe këto vlera janë vlerat e
krishterimit. Përpiquni ju që t’i jetoni këto.
Mos e humbisni shpresën tuaj, qoftë edhe në rast dështimi. Natyrisht që do të
bini ndonjëherë në gabime, por kërkoni hirin e Perëndisë dhe ecni përpara.
Zhvilloni më tepër besimin tuaj!
Besimi ynë është oqean i pafund. Udhëtoni brenda tij, mësoni me shumë dhe
kryesisht bëjeni dashurinë tuaj, vepër, jo ndjenjë.
Unë i përkas një brezi që në këtë
moment është në fund të tij, në perëndim të tij. E filluam në moshēn tuaj me
peripecitë e tmerrshme skllavëruese të pushtimit gjerman dhe brenda asaj
errësire gjetëm Krishtin. E ndoqëm gjithë këto vite dhe kurrë nuk na zhgënjeu.
Pra, përparoni edhe ju me këtë vendosmëri në jetën tuaj. Ne do të jemi prane
jush. Çfarëdo nevoje të keni, të ndjeni se i përkisni familjes që quhet Kishë.
Mos jini thjesht spektatorë. Kjo është këshilla ime”.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij Anastasasi.
Mesazhe për të Rinjtë!