/Mëkati Stërgjyshor; Urdhërimi; Tunduesi

Mëkati Stërgjyshor; Urdhërimi; Tunduesi

Mëkati Stërgjyshor

Njeriu i parë ishte jashtëzakonisht i lumtur dhe i bekuar në Parajsë. Perëndia e kishte pajisur atë me të gjitha aftësitë që të mos mëkatonte, sepse njeriu ishte krijuar i pastër, i pafajshëm, i shenjtë dhe natyra e tij nuk e kishte prirjen drejt së keqes. I pajisur siç ishte në atë gjendje, me dhunti të shkëlqyera dhe hyjnore dhe talanda të jashtëzakonshme, i krijuar “në shëmbëllesën” e Perëndisë, ai lehtësisht mund të vazhdonte nga naiviteti dhe pamëkatshëria te një gjendje e shenjtërisë së vetëdijshme, dhe të arrinte “sipas ngjashmërisë” dhe të bëhej si Perëndia. Por Adami, stërgjyshi i racës njerëzore, nuk i qëndroi besnik Perëndisë, pra nuk qëndroi në gjendjen e parë të shenjtë pa mëkat dhe të lumtur por shkeli porosinë duke u larguar nga Perëndia, nga Drita dhe nga Jeta. Njeriu i parë ra! Ai ra në mosbindje dhe mëkat. Perëndia i kishte dhënë një porosi ndaluese, shkelja e së cilës do të sillte vdekjen. Porosia ishte që të mos hante fruta nga Pema e Njohjes së të mirës dhe së keqes. Adami, me nxitjen e Djallit, hëngri nga frutat e pemës. Kjo ngrënie e frytit të ndaluar përbën mëkatin stërgjyshor. Kjo përbën rënien e njeriut të parë, e cila nga paraardhësi u përçua te e tërë raca njerëzore. Kjo ngjarje e frikshme është një dogmë e Besimit të Krishterë dhe e Kishës.

Shënim: Shumë njerëzve mund tu lindë pyetja: Përse ishte e mundshme rënia e njeriut dhe përse Perëndia nuk e krijoi njeriun në një mënyrë të tillë që ai të mos binte?

Njeriu u krijua nga Perëndia i arsyeshëm dhe me vullnet të lirë. Kjo do të thotë se ai ishte i përgjegjshëm për çdo mendim dhe veprim të tij. Urdhërimi që i dha Perëndia ishte një provë për ta forcuar vullnetin e tij të lirë. Perëndia kishte mundësi ta krijonte njeriun në një gjendje që ai të mos mëkatonte, pa vullnetin e lirë, por atëherë do të ishte krijuar një qenie mekanike, një robot, dhe jo një qenie njerëzore e lire, jo një person. Dhurata më e madhe që Ai i ka dhënë njeriut dhe gjithë qenieve të arsyeshme është pikërisht vullneti i lirë. Nëpërmjet këtij njeriu mund të bashkohej lirisht me Krijuesin e tij dhe të rritej vazhdimisht shpirtërisht. Por, njeriu nuk mund ta arrinte përsosjen vetëm nëpërmjet vullnetit të tij të lirë dhe vetëm nëpërmjet përpjekjeve të tij. Pa hirin hyjnor, ai nuk mund t’i zhvillonte aftësitë që i kishte dhënë atij Krijuesi. Në harmoninë dhe bashkëveprimin ndërmjet hirit hyjnor dhe vullnetit të lirë mund të arrihej përsosja dhe hyjnizimi i njeriut.  Kësaj pyetje Shën Joani i Kronshtadit i përgjigjet: “Përse Perëndia e lejoi rënien e njeriut, krijimin e tij të dashur dhe kurorën e të gjitha krijesave të tokës? Nëse njeriu nuk do të ishte lejuar të binte, atëherë ai nuk do të ishte krijuar sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Perëndisë, atij nuk do t’i ishte dhuruar vullneti i lirë, i cili është një veçori e pandarë e ikonës së Perëndisë; por ai do të ishte nën ligjin e nevojshmërisë, si krijimi pa shpirt – qielli, dielli, yjet, rrethi i tokës dhe të gjithë elementët – ose si kafshët e paarsyeshme. Por atëherë nuk do të kishte pasur as mbret mbi krijesat e tokës, as himn-këndonjës të arsyeshëm të mirësisë, diturisë, tërë fuqisë krijuese dhe Përkujdesjes së Perëndisë. Atëherë njeriu nuk do të kishte patur asnjë mënyrë për të shprehur besnikërinë dhe devotshmërinë e tij ndaj Krijuesit dhe dashurinë e tij vet-flijuese. Atëherë nuk do të kishte patur heroizma në betejë, as merita dhe as kurora të pavyshkura për fitoren; nuk do të kishte patur bekim të përjetshëm, që është shpërblimi për besnikërinë dhe devotshmërinë ndaj Perëndisë, dhe as pushim të përjetshëm mbas mundimit dhe përpjekjeve të udhëtimit tonë tokësor”.

1. Urdhërimi

Ne thamë që Perëndia, pasi e krijoi njeriun dhe e vendosi atë në Parajsë për të praktikuar dhe përparuar në bindje, virtyt dhe shenjtëri, i dha atij një urdhëresë specifike që të mos hante nga një fryt i veçantë: Ai i tha njeriut: “Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit;  por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri” (Zanafilla 2:16-17). A ishte kjo një përgjegjësi e vështirë? Jo, përkundrazi. Ishte një urdhërim i thjeshtë, i lehtë për tu zbatuar, sepse njeriut nuk i mungonte asgjë, të gjitha pasuritë e Parajsës ishin në dispozicion të tij. Për më tepër, Vet Perëndia ishte përherë i pranishëm në Parajsë, i gatshëm për t’i ofruar çfarëdo lloj ndihme që njeriu do t’i kërkonte. Po, ky urdhërim ishte shumë i lehtë për tu mbajtur, por Adami e shkeli atë.

2. Tunduesi

Sipas Shkrimit të Shenjtë, e keqja, ideja dhe vendimi për të shkelur urdhërimin e Perëndisë që është mëkati, hyri te njeriu nga jashtë, nga një tundues i veçantë: një armik tinëzar, mashtrues dhe keqdashës i Perëndisë dhe i njeriut, Satanai ose Djalli. Megjithatë Djalli nuk u shfaq si armik që ishte, sepse atëherë nuk do ta kishte arritur synimin e tij, sepse paraardhësit pa asnjë mëdyshje do të dyshonin dhe do t’ia mbathnin prej tij. Kështu ai u fsheh te gjarpri. Le të qëndrojmë pak këtu. Me dinakëri, ai nuk shkoi te Adami në fillim që ta tundonte, por zgjodhi gruan, dhe pasi ia doli mbanë me të, atëherë ai mashtroi Adamin. Libri i Zanafillës që na përshkruan këtë ndodhi tragjike, citon qartazi se: “Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: A ka thënë me të vërtetë Perëndia: Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?. Dhe gruaja iu përgjigj gjarprit: Nga fruti i pemëve të kopshtit mund të hamë; por nga fruti i pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: “Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni. Atëherë gjarpri i tha gruas: Ju s`keni për të vdekur aspak; por Perëndia e di që ditën që do t`i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen”. Kjo nuk ishte gjë tjetër përveç propozimit për të shkelur porosinë e Perëndisë. Dhe bashkë me shkeljen vjen erdhi mosbindja. Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t`u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte i dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai”. Dhe kështu ndodhi shkelja dhe mosbindja, mëkati i parë, u krye. Dhe menjëherë ndodhën pasojat e frikshme: “Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t`u mbuluar” (Zanafilla 3:1-7). Kështu që e keqja i erdhi njeriut nga jashtë, me anë të gjarprit, ose më saktë Djalli u fsheh brenda gjarprit, si Tundues dhe propozues. Prandaj shkelja ka rrethanat e saj lehtësuese dhe është e durueshme; në të vërtetë ajo u kurua, siç do ta shohim më vonë nëpërmjet Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Por dikush mund të pyes me të drejtë? “A nuk duhej që Eva, duke parë gjarprin t’i fliste, të dyshonte se po i propozonte diçka të keqe, dhe të nxitonte të largohej prej tij”? Përgjigja është se Eva, duke qenë deri në atë moment që ndodhi kjo, e padjallëzuar (e çiltër), natyrisht nuk mund të dyshonte se diçka nuk po shkonte mirë. Dhe përsëri, gjarpri ishte më dinaku dhe më i hirshmi ndër të gjitha bishat në Parajsë. Ka shumë mundësi që Eva të ketë luajtur me të dhe të jetë argëtuar me shakatë e tij të çuditshme. “Kështu që ishte ai demon i mallkuar, i quajtur Satana, që i foli me anë të gjarprit duke e mashtruar atë”. Dhe fjalët mashtruese ishin të Djallit i cili e përdori gjarprin si një mjet të përshtatshëm për të gënjyer me lehtësi gruan duke përdorur si karrem afërsinë e tyre për ta nënshtruar atë.

 Shënim: Që Djalli u fsheh tek gjarpri këtë e vërtetojnë edhe pasazhe të ndryshme të Shkrimit të Shenjtë: “gjarpri e gënjeu Evën me dinakërinë e tij” (II Kor 11:3) “kështu dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që është quajtur Djall dhe Satan, që mashtron gjithë dheun” (Zbulesa 12:9), “por prej smirës së Djallit, vdekja hyri në botë” (Libri i Urtësisë 2:24). Në mënyrë të veçantë e rëndësishme është mënyra që Satanai Tunduesi përdori për ta nxitur Evën në mëkat: shpifje ndaj Perëndisë. Djalli e përgojoi Perëndinë te gruaja. Perëndia i kishte thënë burrit dhe gruas së parë të mos hanin nga fruti “se do të vdisni” sepse “pasoja e mëkatit është vdekja”. Megjithatë Satanai i tha Evës se ti nuk ke për të vdekur, Perëndia nuk të ka thënë të vërtetën. Ai të ka gënjyer. Ti nuk do vdesësh por do të jetosh dhe do të bëhesh hyjni. Edhe pikërisht për shkak se Perëndia e di se ditën që do hash prej frutit të ndaluar, do të hapen sytë dhe do të bëhesh si Perëndia, prandaj të ka ndaluar të mos hash frutin. Kështu Djalli ia paraqiti Evës Perëndinë si gënjeshtar dhe armik të njeriut. Ai përdori shpifjen për të arritur qëllimin e tij me dinakëri dhe me synimin e tij të keq, që rezultoi fatal për njeriun. Ndërsa në realitet ai është keqdashësi, djalli nxori Perëndinë si keqdashës dhe lakmitar ndaj lumturisë së njeriut. E rëndësishme është gjithashtu të vërehet se: Djalli nuk i afrohet burrit për t’i sugjeruar shkeljen, ai zgjodhi gruan. Shën Pavli e thekson këtë kur thotë: “Dhe nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje” (I Timotheut 2:14), dhe në Librin e Urtësisë së Sirakut ne lexojmë: “ Prej gruas zuri fill mëkati e për faj të saj të gjithë vdesim” (25: 33). Ne të gjithë e dimë arsyen se përse Djalli zgjodhi gruan. Për shkak se ajo është enë më e dobët, më e dobëta e krijesave, në gjykim dhe në vendimmarrje. Djalli e kuptoi se me burrin nuk mund të kishte sukses, por vetëm nëpërmjet gruas ai mund ta çonte burrin në shkeljen e urdhëresës, dhe në këtë mënyrë t’i shpinte të dy në mosbindje dhe në mëkat. Prova që gruaja ishte më mendjelehtë se burri është dëshira e madhe me të cilën Eva nisi bashkëbisedimin me gjarprin dhe lehtësia me të cilën ajo u tregua e gatshme të miratonte nxitjet e tij, dhe për shkak të besimit të madh që ajo pati ndaj fjalëve të Djallit i cili shpifte dhe përgojonte Perëndinë. Eve si një krijesë e dobët që ishte, na thotë Shën Joan Gojarti, u mbush me shpresën se do bëhej e barabartë me Perëndinë dhe imagjinoi gjëra të mëdha për veten, dhe prandaj ajo pranoi sugjerimet e Djallit, dhe me idenë se do bëhej e barabartë me Perëndinë nxitoi të hante frutin e ndaluar, dhe askush nuk mund t’ia kthente më mendjen që të mos pinte nga kupa e përgatitur për të nga i Ligu. Duke u treguar e shkujdesur dhe e pamend ajo nxitoi të pinte prej asaj që ajo mendonte se ishte gllënjka e lumturisë. Kështu që, kurioziteti, pakujdesia dhe besimi i saj te fjalët e gjarprit shkaktuan rënien e paraetërve tanë, dhe shfaqjen e mëkatit duke i trashëguar pasojat e tij tek e gjithë raca njerëzore siç do ta shohim edhe në vijim. Ky ishte mëkati fillestar.