Me hidhërim dhe mallëngjim të thellë, populli besimtar orthodhoks i Shqipërisë priti Kryepiskopin e ndjerë Anastas, përgjatë gjithë rrugës nga kufiri i Shqipërisë, fillimisht në Kakavijë, në vazhdim në Katedralen e Ngjalljes, në Gjirokastër, ku u prit nga klerikët e mitropolisë, nxënësit e shkollës “Frymë Dashurie” që ai themeloi, si dhe qindra besimtarë.
Në Katedralen e tij të dashur, të “Ngjalljes së Krishtit”, në Tiranë, krahas pjesëmarrjes së të gjithë Sinodit të Shenjtë, u mblodhën bashkë klerikë dhe besimtarë nga të gjitha mitropolitë, për të pritur ringritësin e Kishës sonë dhe Hierarkun që, me veprën e tij madhështore e të Hyjfrymëzuar frymëzoi dhe bashkoi shumë zemra dhe popuj, duke u lënë një trashëgimi të pavdekshme.
Pasi u prit në hyrje të rrugës “Ibrahim Rrugova”, me procesion madhështor, u vendos në katedrale, ku pasoi një Shërbesë Përshpirtjeje e drejtuar nga Mitropoliti Mbikëqyrës i Kryepiskopatës, Hirësi Joani, dhe anëtarët e Sinodit të Shenjtë.