MBLEDHJA E KRYEENGJËJVE MIHAIL DHE GAVRIL DHE E GJITHË FUQIVE QIELLORE DHE PA TRUP
Predikim nga At Mihal Sanellari
Të dashur vëllezër edhe motra më Krishtin, Kisha jonë sot
përkujton dhe feston, Mbledhjen e Kryeengjëjve të shenjtë Mihail dhe Gavril, si
edhe gjithë fuqitë qiellore pa trup. Kjo festë, zë fill në shekullin e katërt,
kur Sinodi Laodicesë u pozicionua mbi nderimin e fuqive engjellore, duke
përkufizuar edhe natyren e tyre. Sepse në këtë kohë në Azinë e Vogël kishte një
nderim kaq të madh të engjëjve dhe sidomois të kryeengjëllit Mihail, saqë
njerëzit po e tepronin. Kështu Sinodi i Laodicese i mbajtur në vititn 363 në
kanonin 35 ndaloi adhurimin e engjejve dhe vendosi, që fuqitë qiellore, të
kremtoheshin me nderime në muajin e nëntë të vitit, i cili me kalendarin e
atëhershëm ishte Nëntori, për nderim të nëntë urdhërave engjëllorë dhe si datë,
u zgjodh data tetë e këtij muaji, e cila në simbolikën e saj nënkupton ditën e
tetë të krijimit, që në kuptimin eklisiologjik është dita e Mbretërisë së Qiellit
dhe dita e gjyqit të fundit, ose dita e paperënduar.
Në këtë ditë, Kisha mblidhet për të nderuar të gjitha fuqitë pa trup, të
palëndëshme dhe mendore, të cilat janë nëntë urdhëra, të ndara në tre rangje.
Në rangun e parë, bëjnë pjesë Qeruvimet me shumë sy, Serafimet me gjashtë
krahë, si edhe Fronet. Në rangun e dytë, bëjnë pjesë Zotërimet, Fuqitë dhe
Pushtetet dhe ne rangun e tretë, bëjnë pjesë Kryeengjëjt, Engjejt dhe Kryesitë.
Kisha ka vendosur, për të nderuar këta meshëtarë të Perëndisë, të cilët, janë
edhe ruajtësit dhe mbrojtësit tanë, në një festë të përbashkët. Engjëjt janë
qenie inteligjente dhe patrup, dmth, që nuk kanë një trup materjal, si i yni.
Dashuria e Perëndisë së gjithëpushtetshëm, është një veçanti, e cila u shpreh
me krijimin e botës materjale dhe jo materjale, e cila kulmoi me krijimin e
njeriut dhe shpëtimin e gjindjes njerëzore, më Krishtin Jisu. Bota e engjejve
ishte vepra e parë krijuese e Perëndisë. Engjëjt e shenjtë, janë krijesa
inteligjente dhe të palëndëshme, të cilat gëzojnë liri të plotë, për të
qëndruar në shenjtërinë për të cilën janë krijuar, apo për tu kthyer drej të
keqes. Natyra e tyre është e ndryshueshme dhe nga krijesa drite mund të kthehen
në krijesa të errësirës, ashtu sikundër ndodhi me Eosforin dhe engjejt që e
pasuan atë. Engjejt, si krijesa të pavdekshme dhe jolëndore, i shërbejnë
Perëndisë, duke lavdëruar parreshtur shenjtërinë dhe fuqinë e tij të
pashprehur.
Perëndia, si e vetmja dritë e përjetëshme, e pakrijuar, jomateriale dhe e
pakuptuarshme, i cili prehet në misterin e padepertuehëm të natyrës së tij
unike, e cila, qëndron në lidhjen e panxënë dhe të pashprehur të dashurisë, të
tre personave të Trinisë, së Atit, Birit dhe Frymes së Shenjtë. Si shkaku i çdo
të mire, përpara se të krijonte botën e dukshme dhe materiale me fjalën e tij,
solli në ekzistence dhe përsosi në shenjtëri natyrën e engjëjve. Duke krijuar
Fuqitë Qiellore, si shërbëtorë të devotshëm të lavdisë së tij, si drita
hyjnore, të cilat marrin dhe reflektojnë dritën e pakrijuar të Perëndisë. Këto
fuqi të patrupa, si qenie inteligjente kanë një natyrë thellësisht jomateriale,
mendore, spirituale dhe të lirë, gjithmonë në lëvizje dhe të pa kufizuara nga
trupi lëndor. Megjithëatë, ato janë krijesa të kufizuar në kohë dhe në
hapësirë, kur janë në një vend nuk mund të jenë diku tjetër. Natyra e tyre e
palëndëshme nuk kufizohet nga barjerat materiale. Në vartësi të përmbushjes së
misionit të tyre, ato shfaqen tek njerëzit në forma të ndyshme trupore, të
njohura dhe të kuptushme për ne. Nëse ato profetizojnë, zbulojnë të ardhme, apo
sjellin mesazhe të ndryshme kjo nuk vjen për shkak të natyrës së tyre, por nga
hiri i Perëndisë dhe urdhëri i Tij.
Si krijesa të pavdekshme, engjejt morën prej Perëndisë edhe dhuratën e lirisë,
e cila pati dhe ajo provën e saj. Pasi, atë që Perëndia u dhuroi nga hiri ta
përmbushin dhe ta ruanin edhe nga drejtësia, dmth edhe engjëjt gëzojnë lirinë
për të zgjedhur. Njëri prej engjëjve, i pari i fuqive qiellore, Eosfori,
engjëlli i dritës. Fryma qiellore që qëndrone në rangun e parë dhe më pranë
Perëndisë, i cili shkëlqente nga drita hyjnore, ra në krenarinë e
“privilegjeve” të tij. I kapur në kurthin e krenarisë, mendoi se mund të
rivalizonte Perëndinë, krijuesin e tij: “Do të ngjitem në qiej, përmbi qiejtë e
Perëndisë do ta nge fronin tim, do të ngjitem në majat e reve, do të bëhem si i
shumëlarti”. (Isaia 1:14). Kjo krenari ishte edhe mëkati i tij. Ishte i pari që
hodhi poshtë të mirën dhe zgjodhi të keqen. Duke u rebeluar kundër Perëndisë,
tërhoqi me vete edhe shumë engjëj të tjerë, të cilët pas rënies së tyre u
shdërruan në engjëj të errësirës, të cilët njihen si demonë. Nga shenjtëria
ranë në ligësi, e cila me sa duket është e mungesa e shenjtërisë.
Dhe sikundër na informon tradita dhe ndërgjegja e Kishës, pas rënies së engjëjve,
Kryeengjëlli Mihail qëndroi në mes të fuqive qiellore dhe iu drejtua engjëjve
të tjerë me këto fjalë: “Le të vemë rë! Le të qëndrojmë mirë, le të qëndrojmë
me frikë Perëndie”. Fjalë shumë të njohura, të cilat i përsërisim në çdo
liturgji hyjnore, të cilat u bënë edhe fjalët që ndalën rënien e engjëjve të
tjerë.
Pikërisht, kjo është ajo ç’ka festojmë dhe kujtojmë sot, jo rënien e Eosforit,
por bindjen e kryeengjëllit Mihail dhe thirrjen e tij drejtuar engjejve dhe
fuqive të tjera qiellore, e cila ndaloi rënien edhe të engjëjve të tjerë, që i
qëndruan besnikë Perëndisë. Prandaj, Kisha mblidhet së bashku në këtë ditë në
një kremtim adhurues, duke nderuar dhe kujtuar mbledhjen e engjëjve rreth
Mihailit. Ditë që na sjell në vëmendje bindjen, besimin dhe besnikërinë ndaj
Perëndisë, sepse, bindja dhe mos bindja si prova e lirisë, janë ato që kanë
shkruar dhe historinë tonë, të gjinisë njerëzore. Ngjarja të cilën kutojmë sot
është edhe një thirrje për secilin nga ne, fjalët e Kryeengjëllit Mihail na
drejtohen sot edhe neve. Bindja dhe besnikëria ndaj Perëndisë janë e vetmja
rrugë që të çon në shenjtëri, sepse liria e vërtetë e njeriut, nuk është
arroganca dhe rrebelimi i Satanit, i cili sjell veç skllavëri ndaj mëkatit dhe
ligësinë, si mungesë e shenjtërisë dhe e hirit hyjnor. Sepse, nëse errësira
është mungesëa e dritës dhe e keqja mungesa e së mirës, ligësia është mungesa e
shenjtërisë, dhe shenjtëria vjen nga hiri i Shpirtit të Shenjtë mbi besnikët
dhe të përulurit si rrjedhojë e natyrshme e lirisë sonë në Zotin. Egoizmi,
krenaria dhe lakmia, të cilat janë shumë të ngjashme me njëra tjetrën dhe që
ndoshta bashkëjetojnë në mënyrë të çudishme brenda njëra tjetrës u bënë shkau i
rënies dhe i shdërrimit të Eosforit nga engjëll drite në djall dhe i engjëjve
që e pasuan në demonë. E nëse nga këto gjëra ranë engjëjt sa më tepër duhet që
ne të jemi të kujdesshëm. Mendja krenare, syri lakmitar dhe zemra egoiste, janë
sëmundja më e këqe e jetës shpirtërore, të cilat shkatërrojnë jovetëm njeriun
që i ka, por edhe jetët e njerëzve të tjerë që kanë pranë. Fjalët dhe qëndrimi
i kyeengjëllit Mihail le të bëhen edhe për ne burim frymëzimi dhe shembull
ndriçues në jetën tonë shpirtërore. Zoti në Ungjill na thotë se pa mua nuk mund
të bëni asgjë, që do të thotë se çdo përpjekje njerëzore pa Zotin nuk mund të
jetë asgjë më shumë se një dështim duke e parë afatgjatë në prespektivën e
jetës së përjetëshme. Njerzit shpesh gënjehen dhe dehen nga suksese
afatshkurtra dhe të përkohëshme, madje dhe vetë djalli u deh nga ajo çka arriti
duke marë një shumicë engjësh me vete, duke shtyrë njeriun në mëkat, madje dhe
duke menduar se është princi i kësaj bote, megjithatë në perspektivën e
përjetësisë do të jetë humbësi më i madh. Fjalët e kryeengjëllit Mihail, janë
fjalë besnikërie, bindjeje dhe përkushtimi ndaj Zotit, le të tregojmë edhe ne
të njëjtën bindje, përkushtim dhe besnikësri ndaj Zotit, sepse Zoti është
Besnik. Le të kemi edhe ne frikë Perëndie, sepse frika e perëndisë është
fillimi i diturisë thotë Solomoni në libin e Fjalëve të Urta, ndërsa arrogance
dhe rebelimi janë fillimi i marrëzisë së Satanit.
Shkrimi i shenjtë ndërkohë është i mbushur plot me referenca, të cilat tregojnë
veprimtarinë dhe pjesëmarrjen e engjëjve dhe të gjitha fuqive qiellore në
përditshmërinë e historisë njerëzore. Dhe nëqoftëse Mihaili njihet si
Kryeengjëlli i drejtësisë, në mjaft prej ngjarjeve të historisë së popullit të
zgjedhur, por edhe në vazhdim në Dhiatën e Re dhe në historinë e mëpastajme të
Kishës, Gabrieli njihet si kryeengjëlli i lajmit të mirë dhe i mesazheve
hyjnore. Por, ne njohim nga shkrimi edhe emra të tjerë engjëjsh, sikundër
Rafaili dhe dhe Urieli. Shkrimi i Shenjtë është i mbushur me referenca dhe
përshkrime mbi engjëjt dhe fuqitë qiellore, cilido që ka lexuar një herë biblën
e di se sa shpesh engjejt përmenden atje. Gjithashtu, Kisha beson se çdo njeri
që vjen në botë ka edhe ai engjëllin e tij mbrojtës dhe se engjejt janë aktivë
në të gjithë veprimtarinë njerëzore. Ne besojmë se edhe në çdo liturgji hyjmore
apo shërbesë kishtare, prezenca e engjëjve është gjithmonë e pranishme, besim
që shprehet qartazi edhe në ikonografinë e kishës.
Në këtë ditë të madhe të kujtimit të kryeengjejve Mihail dhe Gavriil dhe gjithë
të fyqive qiellore le t’i lutemi Zotit, që të na japë edhe neve në jetën tonë
engjëll drite që edhe ne t’i qëndrojmë besnikë Zotit, kishës dhe besimit tonë,
sepse vetëm kështu do të përmbushim qenien dhe jetën tonë dhe Zoti që është
besnik në të gjitha nuk do të na braktisë. Amin.