Kisha e vjetër e Shën Gjergjit në Fier ka qenë një prej bazilikave më të mëdha dhe më mbresëlënëse në krahinën e Myzeqesë. Si çdo objekt kishtar edhe ajo ka qenë e pajisur me një sërë mbishkrimesh që dëshmonin ktitorët dhe mjeshtrat ndërtues. Sot prej saj kanë mbetur fare pak të tilla të cilat gjenden sot të ekspozuara në pavijonin e ikonografisë të Muzeut Historik Fier.
E ndërtuar në vitin 1782, kjo faltore funksionoi deri ditën e 6 shkurtit të vitit 1967, kur u mbyll si rezultat i fushatës ateiste të ndalimit të fesë. Kisha e Shën Gjergjit pati fatin e keq sepse u shëmb nga shteti komunist në 23 prill 1969, megjithëse ishte shpallur monument kulture në Gazetën Zyrtare, Nr. 1 të vitit 1963. Pas shkatërrimit një pjesë e objekteve, librave dhe sendeve të përdorimit të kësaj faltoreje u morën në ruajtje nga Muzeu Historik Fier dhe sot qëndrojnë të ekspozuara në ambientet e tij. Prej tyre mund të veçojmë disa mbishkrime të dokumentuara edhe në botime të ndryshme shkencore. Midis tyre, mbishkrimi i derës veriore të kishës është më i vjetri që i përket qytetit të Fierit. ‘’Viti 1783 janar 27’’, shkruhet në reliev mbi materialin e drurit, datë që tregonte punimin e saj. Ndërsa mbishkrimi i dytë i përket vitit 1786. Ai ka qenë i vendosur nën kryqin e ikonostasit dhe tregon datën e gdhëndjes dhe pikturimit të këtij pareti druri nga piktori Joan Çetiri.
Ndërkoqë që mbishkrimin e tretë e ndeshim në një prej ikonave në miniaturë të ‘’dyerve të bukura’’. Në të, paraqitet profeti David, i cili është figurë historike si një prej mbretërve të Izraelit, një tematikë biblike nga Dhiata e Vjetër . Prej ‘’dyerve të bukura’’ ruhen edhe në gjendje të mirë disa ikona të tjera të punuara mjeshtërisht në formën e medalioneve, ku paraqiten profeti Solomon, disa ëngjëj dhe katër figura të ëngjëllorëve dhe etërve të kishës.
Dy mbishkrimet e para, qto të derës dhe ikonostasit, i gjejmë të pasqyruara me përkthim dhe shpjegim në librin e studjuesit Theofan Popa ‘’Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, botim i Akademisë së Shkencave, në vitin 1998 (dok 159, 162). Ndërsa pikturat dhe mbishkrimet e “dyerve të bukura” nuk kanë qenë deri më sot objekt studimi prej epigrafistëve dhe studjuesve të ikonografisë. Le të shpresojmë që së afërmi edhe ato ti nënshtrohen këtij proçesi.