/Mbi Lipsanet e Shenjta – Jeta Orthodhokse në botën moderne. Hapa drejt metamorfozës shpirtërore

Mbi Lipsanet e Shenjta – Jeta Orthodhokse në botën moderne. Hapa drejt metamorfozës shpirtërore

Shkrim nga Arkimandrit Sergji, Jerondi i Manastirit të Shën Tihonit

Tema: Jeta Orthodhokse në botën moderne. Hapa drejt metamorfozës shpirtërore

Kur apostujt pyetën Krishtin se ku banonte, Ai vetë u tha: “Ejani dhe shihni”. Më pas, kur apostujt i pyesnin në lidhje me Zotin, ata u jepnin të njëjtën përgjigje. Kjo përbën një pjesë thelbësore të besimit tonë, i cili është aq i gjallë dhe i prekshëm. Për këtë, një pjesë shumë të rëndësishme e realizojnë pelegrinazhet. Ata na japin mundësinë për të takuar Perëndinë në mënyra të ndryshme, gjë që na ripërtërin, frymëzon dhe transformon shpirtin, duke na mbushur me shpresë dhe me jetë.

Lipsanet e Shën Nikollës gjenden poshtë Tryezës së Shenjtë. Pak më parë shkova në Bari të Italisë, në kishën e Shën Nikollës së Mirës dhe Likisë, ku gjendet dhe trupi i shenjtorit. Ndonjëherë e harrojmë fuqinë e madhe të shenjtorëve, e cila nuk venitet as në një shoqëri të tillë si kjo e sotmja, ku shenjtorët dhe madje edhe vetë Perëndia refuzohen e përbuzen. Edhe në një klimë të tillë manifestohet fuqia e tyre, sipas Hirit të Perëndisë.

Shenjti, tashmë i bashkuar me Perëndinë, i kupton dhe i njeh mendimet tona, qofshin këto të mira apo të liga. Njeh gjithashtu të gjitha gjërat që ndodhin mbi dhè, dhe nuk rresht së vepruari. Ishte një bekim shumë i madh për mua të arrija ta përjetoja këtë gjë në Bari. Më ripërtëriu dhe më kujtoi se sa të rëndësishme janë këto përjetime dhe se sa shumë mund të na ndikojnë.

Gjithsecili mund të shkojë e të prekë lipsanin e shën Nikollës. Nga varri i tij del mirro, të cilën e mbledhin dhe e shpërndajnë një herë në vit. Mirroja vjen në ngjyrë të bardhë dhe ka një erë të këndshme. Ata që përkujdesen e përziejnë me ujë dhe ua shpërndajnë besimtarëve.

Ky përjetim më solli më pranë me universalitetin e Kishës sonë dhe më kujtoi sa e rëndësishme është për ne besimtarët që ta prekim besimin tonë në këtë formë kaq të gjallë. Ne kemi Misterin më të lartë e më të prekshëm të Kishës sonë – Eukaristinë Hyjnore. Nëpërmjet saj shijojmë dhe shohim se sa i mirë është Zoti. Misteret e Kishës sonë angazhojnë të gjitha shqisat tona. Nëse ne duam, çdo pjesë e jona përfshihet në përjetimin e besimit, çdo molekulë shenjtërohet.

E njëjta gjë ndodh edhe me lipsanet e paprishura të shenjtorëve. E gjithë qënia e tyre u përfshi nga Shpirti i Shenjtë, prandaj trupat e tyre nuk njohën prishje. Trupat tanë janë një pjesë kyçe e shpëtimit tonë. Nëpërmjet trupit vëmë në jetë pendimin e shpirtit tonë. Jo të gjitha trupat e shenjtorëve mbetën të paprishur, megjithatë mbushja me Shpirtin e Shenjtë i ruan ata të paprishur, në pritje të Ardhjes së Dytë të Krishtit.

Këtë mëngjes po lexoja një fragment nga fjalët e Krishtit: “Edhe kushdo që rron e më beson, nuk do të vdesë për gjithë jetën” (Jn. 11:26). “Nuk do të vdesë”. Vdekja është armiku kryesor i mbarë njerëzimit, siç thotë dhe apostull Pavli. Krishti erdhi që ne të kemi jetë, jetë të pasosur. Pikërisht ky ishte shpërblimi i shenjtorëve.

Në Korfuz gjendet lipsani i paprishur i Shën Spiridhonit, vetëm se në rastin e tij, në një mënyrë krejtësisht të mahnitshme, ata që përkujdesen për lipsanin thonë se duhet t’ia ndërrojnë shenjtorit këpucët çdo muaj, pasi endet shumë vazhdimisht dhe i prishen. Tingëllon e çuditshme dhe për të qeshur, por kur Kryepiskopi Benjamin (Kisha Orthodhokse e Amerikës) tregon histori të ndryshme për Alaskën, thotë se kur Shën Gjermanoi (Herman) u kanonizua shenjtor në vitin 1970, shumë nga banorët e zonës nuk arrinin dot ta besonin se kishte vdekur, pasi ai akoma vazhdonte e vepronte ndër ta dhe ende nuk ka rreshtur së vepruari. Të fjeturit më Zotin nuk do të arrijnë kurrë të shohin vdekje.

Etërit e Shenjtë thonë se e vetmja gjë që do të mund të marrim me vete kur të vdesim, është ajo që kemi dhënë gjatë jetës dhe më e rëndësishmja, do të marrim me vete gjendjen e shpirtit tonë. A punuam që t’i orientojmë shpirtrat tanë drejt Perëndisë, veprave të mira dhe dashurisë, apo u orientuam drejt vetes sonë, e kësisoj drejt vdekjes?

Cila ishte lëvizja kryesore e djalit Plangprishës? Ai “erdhi në vete”. E kishte lënë veten tërësisht në harresë, deri në atë moment. Nuk mund të bëjmë asnjë lëvizje drejt Perëndisë, nëse nuk kthehemi më parë në veten tonë. E gjithë jeta jonë shpirtërore është një lëvizje drejt zemrës dhe pastaj drejt Zotit, pasi vetëm në qetësi të zemrës sonë mund të dëgjojmë zërin e Tij.

Ndonjëherë lutjet tona nuk dëgjohen, sepse janë thjesht fjalë që i murmuritim me mendje, tërësisht të shkëputur nga zemra. “Dua këtë apo atë, ndihmomë të lutem, ndihmomë…”. Perëndia nuk i dëgjon të tilla lutje. Duhet edhe ne “të vijmë në vete” sa herë që lutemi. Rëniet ndodhin kur fokusohemi jashtë vetes, tek bota e krijuar –  makinat, familja, shqetësimet e punës, apo edhe gjëra të mira si p.sh. Kisha. Kjo lëvizje jashtë zemrës na shpërqendron dhe na bën të paaftë për të afruar siçka të saktë e të vërtetë nga vetja, për pasojë ndjehemi të humbur.

Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë në jetën tonë është të kthehemi tek Perëndia, që do të thotë kthim në vetvete, në skutat e zemrës sonë. Pa këtë lëvizjen e parë, e dyta – drejt Zotit – është e pamundur. Ndodh që t’i shmangemi kësaj lëvizjes së parë, pasi na tremb ideja e kthimit në vetvete, duke qenë të ndërgjegjshëm për papërsosmërinë tonë.

Prandaj përballja me gjendjen tonë të vërtetë mbetet gjëja më e vështirë. Kaq e vështirë është, saqë bota paguan qindra miliona dollarë çdo vit vetëm për zbavitje e aktivitete që të heqin vëmendjen nga vetja dhe realiteti i kobshëm i botës së rënë. Është kaq e hidhur por e vërtetë. Hezitojmë të përballemi me realitetin tonë dhe të jetës tonë, pasi kjo do të na nxirrte në pah gjithë problemet dhe të metat. Është më e lehtë të endesh në fantazira dhe pseudo-realitete sesa të përballesh me ketë gjë.

Sa më shumë të rritemi, aq më shumë priremi të distancojmë veten nga njerëzit dhe të kthehemi në vetvete, gjë që shkakton izolim. E gjitha kjo sepse realiteti është shumë i hidhur, dhe ne nuk duam të përjetojmë dhimbje e hidhërim. Po si t’i shmangemi asaj? Fatkeqësisht zgjedhim rrugën e mbrapshtë – atë të zhytjes në kënaqësi. Kështu, e futim veten në një rreth vicioz të dhimbjes dhe kënaqësisë, ku rrotullohemi pambarim deri sa vjen fundi.

Thelbi i doktrinës së Krishterë Orthodhokse është se Jisu Krishti është Fjala e Perëndisë e Mishëruar dhe e përjetshme. Nuk ka pasur asnjëherë asnjë moment kur Krishti nuk ka ekzistuar. Si qenie njerëzore që jetojmë brenda në dimensionin kohë, kemi idenë e një të shkuare, të tashme e të ardhme, por në realitetin pa kohë të Perëndisë, ka vetëm “tani”. Perëndia ” është” (si një gjendje e përhershme e të qënurit). Krishti është Perëndi, dhe për pasojë edhe Ai ishte, është dhe do të jetë. “ Kjo është fitorja që mundi botën” thotë apostull Joani në letrën e tij. Nëpërmjet besimit dhe Hirit të Shpirtit të Shenjtë arrijmë të kuptojmë se Krishti është me të vërtetë Ai që tha se është.

Burimi:http://www.pravmir.com/on-holy-relics-and-the-role-of-the-body-in-salvation/?fbclid=IwAR0sRA0o-hH91lXfWGID91NaIXWKNfypKMk9r9ypIOG4iHcLTKGowxsE1c8