Kreshmimi, sipas dëshmisë së Shën Vasilit të Madh, është urdhërimi më i vjetër i dhënë njeriut nga Perëndia. Ky atë i madh i Kishës së Krishtit thotë:
“O Njeri, ji i devotshëm dhe medito me frikë mbi lashtësinë e kreshmës, mbasi aq e vjetër sa është bota, po kaq i vjetër është edhe urdhërimi i kreshmimit. Në të vërtetë ky urdhërim u dha në parajsë kur Perëndia i tha Adamit: ‘Ha, madje lirisht, nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes së të mirës dhe së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, me siguri që ke për të vdekur”
Me fjalën “kreshmim” nënkuptojmë frenim nga ushqimi, por edhe nga të gjithë dëshirat e këqija, në mënyrë që i Krishteri të mund t’ja komunikojë lutjen e tij Perëndisë me paqe dhe zell, të shtypë dëshirat e tij të liga dhe të përfitojë Hirin e Perëndisë. Kreshma është vepër e dëlirë, sepse ajo vë nën kontroll dëshirat e mishit, forcon vullnetin, ndihmon në pendim dhe në këtë mënyrë është një mjet shpëtimi.
Në të njëjtën kohë, ajo është edhe një veprim liturgjik, një përpjekje që lavdëron Perëndinë, kur bëhet për Të, sepse është një sakrificë që rrjedh nga dashuria dhe respekti ynë për Perëndinë.
Është një mjet përsosjeje që ndërpret prirjet e trupit, një shenjë e dukshme e zellit dhe luftës sonë për të përfituar ngjashmërinë e Perëndisë dhe ëngjëjve të Tij, të cilët nuk kanë nevojë për ushqim.
“Kreshma, – sipas Shën Simeonit të Selanikut – është një vepër e Perëndisë, për të cilën nevoja për ushqim nuk është reale.”
Qëllimi i kreshmës është përfitimi i trupit dhe i shpirtit. Kreshma forcon dhe ashpërson trupin dhe pastron shpirtin, mirëmban shëndetin e trupit dhe i jep krahë ngjitjes drejt shpirtit. Prandaj, Dhiata e Vjetër e rekomandon dhe e imponon atë shumë herë, si për shembull tek Eksodi 34:28, Ligji i Përtërirë 9:18, 1 Samuelit 7:6, dhe Joli 2:15. Dhe Jezeu, biri i Siracidit thotë këtë: “Mos ji grykës në asnjë send që të shijon dhe mos u sul me grykësi mbi asnjë ushqim; sepse ushqimi i tepërt shkakton sëmundje, mospërkorja shkakton humorin e keq. Për shkak të grykësisë shumë vdiqën, kurse kush përmbahet, e zgjat jetën.”
Vetë Shpëtimtari kreshmoi 40 ditë dhe 40 netë në shkretëtirë, para se të fillonte të predikonte Ungjillin dhe Ai vetë na mëson si të kreshmojmë. Ai na tregon se djalli nuk del, veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit. Edhe apostujt dhe dishepujt e Tij të shenjtë agjeronin, dhe vetë ata krijuan kreshma formale për të krishterët[1].
Përveç kësaj, ne shohim se si e nderon Shkrimi i Shenjtë kreshmën në raste dhe ngjarje të caktuara. Moisiu agjëroi dyzet ditë dhe dyzet net, po kështu veproi dhe Danieli.
Agjërimi është i dobishëm kur gjykatësit dhe magjistarët ulen (përulen) para Perëndisë në gjykim të popullit, gjatë vështirësive dhe rreziqeve[2], dhe është mirë në lidhje me rrezikun kanosës.
Kreshma përcaktohet si dobiprurëse në kohën e persekutimit për Kishën. Kreshma duhet të shoqërohet me lutje, me rrëfimin e mëkateve, dhe me përulësi[3] dhe në kohë trishtimi dhe fatkeqësie, kreshma ndihmon në kthimin e të tjetërsuarve tek Perëndia. Etërit e shenjtë të Kishës së Krishtit me zell e lëvdojnë dhe rekomandojnë kreshmën. Ja se çfarë thotë Joan Gojarti i Shenjtë, për kreshmën:
“Kreshma zbut paqëndrueshmërinë e trupit, duke e pastruar dhe ndriçuar shpirtin, dhe duke e ngritur lart atë.”
Kreshma në praktikë ka shumë lloje. Në veçanti:
–Kreshma e plotë, kur nuk hamë dhe nuk pimë fare gjatë gjithë ditës.
–Kreshmim me ushqime të pagatuara, kur hamë të privuar, vetëm ushqime të thata në mbrëmje, domethënë: bukë dhe ujë, fruta të thata, fruta, etj.
–Kreshma tradicionale, kur hamë të gjithë ushqimet e zakonshme kreshmuese, duke u përmbajtur nga ushqime të tilla si mishi, peshku, djathi, qumështi, vezët, vera dhe vaji.
–Kreshma e lehtë, kur hamë ushqime, si për shembull peshku, vera, vaji, etj, të lejuara nga Kisha në festat e mëdha, të cilat bien në ditët që rezervohen normalisht për Kreshmim.
Ditët e rezervuara për Kreshmim gjatë gjithë vitit janë si vijon:
E Mërkura dhe e Premtja, dita e Lartësimit të Kryqit të Nderuar, Prerja e kokës së Pararendësit të Zotit, shën Joan Pagëzorit dhe vigjilja e Theofanisë së Zotit, të gjitha të themeluara që në ditët më të hershme të Kishës, kur katikumenët përgatiteshin për pagëzimin e tyre në të kremten me kreshmim dhe lutje.
Periudhat e kreshmimit të vendosura nga Kisha e Krishtit janë: Kreshma e Madhe ose Kreshmët e Mëdha, që janë dyzet ditë para Javës së Madhe dhe Pashkës; Kreshma e Lindjes së Zotit, që është dyzet ditë para Krishtlindjeve; Kreshma e Fjetjes, që është 15 ditë para Festës së Fjetjes së Nënës së Perëndisë; Kremtohet në 15 Gusht, dhe Kreshma e Apostujve, që është periudha midis festës së gjithë Shenjtorëve dhe festës së Apostujve shën Petro dhe shën Pavli në 29 Qershor.
Rregulli me të cilin duhet të mbajmë këto katër periudha të kreshmimit, përmblidhen në tipikonë e Kishës së Krishtit.
Kreshma e vërtetë, vëllai im, duhet të mbahet jo vetëm me trupin, por edhe me shpirtin. Me fjalë të tjera, ne jo vetëm që hamë ushqime kreshmuese, por përmbahemi nga pasionet, joshjet dhe mëkati. Kur përmbahemi nga epshi dhe ushqimi i kënaqshëm, ne luftojmë për të pastruar jo vetëm trupin por edhe shpirtin me anë të lutjes dhe pendimit.
Kreshma e plotë, e vërtetë dhe e përsosur nuk është vetëm për turpin, por edhe për shpirtin.
Ne e mësojmë këtë në himnin të cilin e psalim gjatë Kreshmëve të Mëdha: “Le të mbajmë kreshmën e pranueshme, atë që është e pëlqyeshme tek Zoti”. Kreshma e vërtetë është largimi nga e keqja, frenimi i gjuhës, mohimi i zemërimit, largimi nga epshi, urrejtja, mashtrimi, gënjeshtrat, dhe mbi të gjitha, nga e pavërteta. Le të përfundojmë diskutimin tonë mbi këtë temë, me mësimdhënien e të shenjtit Joan Gojartit:
“A kreshmon? Provoma me veprat tuaja! Thuhet se çfarë lloj veprash? Nëse sheh një njeri të varfër, trego mëshirë për të! Nëse sheh një armik, pajtohu me të! Nëse sheh një mik që fiton nderime, mos e ki zili! Nëse sheh një grua të bukur, lere të kalojë! Le të mos kreshmojë vetëm goja, por edhe syri, veshi, këmbët, duart, dhe të gjitha pjesët e trupave tanë. Le të kreshmojnë duart, duke mbetur të pastra nga plaçkitjet dhe kopracia. Le të kreshmojnë këmbët, duke ndaluar së vrapuar drejt skenave të urryeshme dhe përgjatë shtigjeve të mëkatit. Le të kreshmojnë sytë, të mësohen që kurrë të mos fiksohen në mënyrë të pahijshme mbi fytyrat e bukura, apo të merren me bukuroshe të panjohura. Sepse vështrimi është ushqimi i syve, por nëse kjo është është e kundërligjshme apo e ndaluar, e dëmton kreshmën dhe përmbys tërë sigurinë e shpirtit, por nëse është e ligjshme dhe e padëmtuar, e zbukuron kreshmimin. Sepse do të ishte më absurdja midis gjërave, që të përmbahesh nga ushqimi i ligjshëm për shkak të kreshmës, por me sy të prekësh edhe atë që është e ndaluar. A nuk ha mish? Mos u ushqe me epshe me anë të syve.
Le të
kreshmojë edhe veshi. Kreshmimi i veshit qëndron në refuzimin për të pranuar të
folurën e keqe dhe shpifjet. Për më tepër, le të kreshmojë goja nga fjalimet e
turpshme dhe sharja.”