/Mbi Drogën dhe Alkoolin

Mbi Drogën dhe Alkoolin

Mbi drogën dhe Alkoolin

Shpresojmë që nërmjet këtij shkrimi të nxjerrim dy mësime:

Së pari, të shërbejë si paralajmërim për shumë persona që ende nuk kanë lejuar që droga dhe alkooli të bëhen një problem real për jetët e tyre, dhe nënkuptoj veçanërisht të rinjtë.

Së dyti, do të inkurajojmë ata persona që kanë problem reale me drogën apo alkoolin të kuptojnë rrezikun që u kanoset për jetën e tyre, dhe të kërkojnë ndihmën që u nevojitet. 

Në Shkrimin e Shenjtë gjenden disa tregime të shkurtra që tregojnë dëmin e madh që shkaktohen nga dehja. Gjithashtu në Shkrim gjejmë shumë e shumë paralajmërime të ashpra rreth dehjes.

Por le të përmendim disa nga tregimet dhe më pas le të flasim për paralajmërimet.


Tregimi i parë gjendet në Librin e Zanafillës kap. 9 dhe Noea është personazhi kryesor. Noea është personi që ndërtoi arkën dhe shpëtoi familjen e tij dhe nga një çift prej të gjitha kafshëve nga përmbytja që Zoti Perëndi i bëri tokës. Mbasi doli nga arka, Noea mbolli një vresht. Shkrimi na thotë: “Më vonë Noeu, që ishte bujk, filloi të mbjellë një vresht; dhe piu verë e u deh, dhe u zhvesh në mes të çadrës së tij. Dhe Kami, i ati i Kanaanit, pa babanë e tij lakuriq dhe vajti t`ua thotë vëllezërve të tij që ndodheshin jashtë. Por Semi dhe Jafeti muarrën një mantel, e hodhën mbi shpatullat e tyre dhe, duke ecur së prapthi, mbuluan lakuriqësinë e babait të tyre; dhe, me qënë se fytyrat e tyre ishin kthyer nga ana tjetër, ata nuk e panë lakuriqësinë e babait të tyre”.

Pra ishte pija që bëri Noeun të vepronte në një mënyrë të papërshtashme. Nëse ai nuk do të kishte qënë i dehur kurrë nuk da ta kishte bërë atë veprim. Pra, çështja është – kur ne jemi nën efektin e alkoolit apo drogës askush nuk mund të parashikojë se çfarë mund të bëjmë.

Tregimi i dytë që ka për personazh kryesor nipin e Abrahamit, Lotin gjendet në librin e Zanafillës kap 19.
Perëndia sapo kishte shkatërruar dy qytetet Sodomën dhe Gomorrën, dhe gruaja e Lotit u bë statuje prej kripe kur ktheu kokën pas.

Loti së bashku me dy bijat e tij lanë qytetet dhe u vendosën në mal. Vajza më e madhe i tregoi motrës më të vogël të saj planin për të patur pasardhës. Plani ishte që të dehnin Lotin dhe më pas të kishin pasardhës prej tij. Shkrimi i Shenjtë na thotë: “Kështu po atë natë i dhanë verë babait të tyre dhe e madhja u shtri bashkë me të atin, por ai nuk u kujtua as kur ajo u shtri me të, as kur u ngrit” v.33.

Të nesërmen vajza më e madhe i tha më të voglës: “Ja, natën e kaluar unë rashë në shtrat bashkë me babanë tim; le të bëjmë që ai të pijë verë edhe sonte; pastaj ti futu dhe shtrihu me të, që të mund t`i sigurojmë pasardhës babait tonë” v.34. “Dhe ai nuk u kujtua as kur u shtri, as kur u ngrit”.

Çfarë panoramë e trishtueshme! Siç theksuam më lart, kur ne jemi nën efektin e alkoolit apo drograve, askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të bëjë apo se çfarë të tjerët mund të bëjnë me të.

Në tregimin e tretë ne shohim për personazh kryesor Mbretin David që përpiqet të përdorë dehjen për të mbuluar mëkatin e tij. Kujtojmë që Mbreti kreu tradhëti bashkëshortore me Bethshebën tek sa burri i saj Uriahu gjendej në betejë. Kështu kur Bethsheba e njoftoi se kishte mbetur shtatzanë, Davidi urdhëroi Uriahun që të kthehej nga lufta dhe u përpoq ta nxiste të shkonte në shtëpi te gruaja e tij. Nëse Uriahu do të kishte fjetur me gruan e tij, populli do të besonte se fëmija ishte i Uriahut. Ky tregim gjendet në Librin e dytë të Samuelit kap 11. Por ndryshe nga sa e inkurajoi Mbreti, Uriahu nuk shkoi në shtëpi natën e parë. Edhe Shkrimi na thotë: “Por Uriahu fjeti te porta e shtëpisë së mbretit bashkë me tërë shërbëtorët e zotërisë së tij dhe nuk zbriti në shtëpinë e tij” v.11. Kur Davidi e pyeti se përse nuk shkoi në shtëpi, Uriahu  i tha: “”Arka, Izraeli dhe Juda banojnë në çadra, zotëria im Joab dhe shërbëtorët e zotërisë tim e kanë ngritur kampin e tyre në fushë të hapur. Si mund të hyj unë në shtëpinë time për të ngrënë dhe për të pirë? Ashtu siç është e vërtetë që ti rron dhe që rron shpirti yt, unë nuk do ta bëj këtë gjë!”. Ndoshta kur dëgjoi këto fjala mbreti mund të jetë prekur, duke menduar se si veprova ndaj këtij njeiu fisnik!

Por mbremjen e natës së dytë, mbreti e fton Uriahun në pallatin e tij për të darkuar dhe Davidi arriti ta dehte. Por prapë atë natë ai nuk shkoi te gruaja e tij. Ju ndoshta e dini pjesën tjetër të tregimit, mbreti e caktoi në ballë të betejës dhe lejoi që ai të vritej.  Meqënëse nuk mundi ta fshihte mëkatin e tij, atëherë ai vendosi që Bethsheba të mbetej e ve që më pas ai të martohej me të.

Pra, kur ne jemi të dehur apo nën efektin e drogës aaskush nuk mund të thojë se çfarë do të bëjmë apo se çfarë të tjerët mund të na bëjnë. Ka edhe shembuj të tjerë në Shkrimin e Shenjtë që tregojnë për personazhe që nuk mund të marrin vendime të drejta dhe janë të papërgatitur për betejë sepse janë të dehur.

Nëpërmjet këtyre tre shembujve ne ilustruam arsyen se përse dehja konsiderohet mëkat në sytë e Perëndisë.

Por përpara se të ndalemi se përse Kisha dhe Shkrimi i Shenjtë na japin këto paralajmërime të ashpra ndaj abuzimit me alkoolin dhe drogën do të sjellim për ju disa statistika të marra nga Instituti i Shëndetit Publik në vendin tonë:

Afro 8 mijë shqiptarë janë të varur totalisht nga droga, ndërsa 40 mijë të tjerë cilësohen si përdorues të rastësishëm. Rreth 39% e shqiptarëve janë konsumues të rregullt të duhanit, duke u renditur vendi i parë në Europë. Në vend regjistrohen rreth 30 mijë përdorues të rregullt të alkoolit .

Instituti i Shëndetit Publik, por edhe qendrat të cilat i trajtojnë ato, raportojnë për një numër në rritje të rasteve të personave të cilët marrin lëndë narkotike në Tiranë. Nga viti në vit niveli i përdorimit të drograve nga të rinjtë shqiptarë; numri i përdoruesve të drogës ka një trend në rritje, por ajo që mbetet më problematike është se këta përdorues janë adoleshentë. Rreth 6-7% e të rinjve përdorin drogë duke filluar nga më të lehtat, si tymosja e hashashit, e deri tek kokaina, heroina, me injeksione etj.  Rreth 7-9%  e të rinjve të shkollave të mesme janë ekspozuar ndaj drogave në mjediset shkollore ose rreth tyre. Vihet re një numër më i madh i përdoruesve meshkuj dhe përdoruesit më të shumtë janë të rinjtë e zonave urbane, kryesisht qytetet e mëdha si: Tirana, Fieri, Durrësi, Vlora etj. Në varësitë alkoolike, depresioni është shpesh prezent dhe duhet të vlerësohet me kujdes, gjithashtu alkooli është shumë problem për vetëvrasje, krime brenda familjes, sjelljeve agresive dhe sulmeve fizike e vjedhjeve nën veprimin e alkoolit.

Në intoksikacionin nga alkooli vihen re shumë shenja fizike si: disinhibimi (leshimi emocional), disartria (vështirësi për të folur drejt), ataxia (marrje mendsh) etj.

Përsa i përket abuzimit me alkoolin le të hedhim një sy tek libri i Fjalëve të Urta kap 23: 29-35. Asnjë pjesë tjetër e Shkrimit nuk flet kaq qartë dhe më konkretisht për efektet e abuzimit me substanca.

“Për cilin janë “ah-ët”, për cilin “obobo-të”? Për cilin grindjet, për cilin vajtimet? Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur? Për ata që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të droguar. Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur rrëzëllen në kupë dhe shkon poshtë aq lehtë! Në fund ajo kafshon si një gjarpër dhe shpon si një kuçedër. Sytë e tu kanë për të parë gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura. Do të jesh si ai që gjendet në mes të detit, si ai që bie të flerë në majë të direkut të anijes. Do të thuash: ‘Më kanë rrahur, por nuk më kanë bërë keq; më kanë goditur, por nuk e kam vënë re.  Kur të zgjohem, do të kthehem t`i kërkoj përsëri”!
Bazuar në këto vargje por edhe nga eksperienca e gjatë e Kishës ne mund të dalim në përfundim se:

Abuzimi me substanca është shkatërrues. Përse dhe Si?
Së pari; ul moralin. Zakonisht ndërgjegjia jonë në mënyrë të natyrshme ngre barriera për të na parandaluar të shkelim në zona që janë të rrezikshme, të pamoralshme apo të papërshtatshme. Por kur personi është nën efektin e substancave e shkatërron këtë mbrojtje. Drogërat  ulin siguresat e moralit tonë, çrregullojnë gjykimin, dhe largojnë vet kontrollin. Shumë krime në vendin tonë ndodhin për shkak të alkoolit. Edhe Solomoni i bekuar pyet: “Për cilin ahët”?

Së dyti; është shkatërrues për shkak se merr jetë të pafajshme. Shumica e aksidenteve në vendin tonë ndodhin për shkak të personave që janë nën efektin e pijes. Edhe Solomoni pyet: “për cilin “obobotë?”

Së treti; është shkatërrues sepse shkatërron familje të tëra. Alkoli është shkaku i abuzimit ndaj fëmijëve, inçestit, faktor për divorcet, dhunës, etj. Solomoni pyet: “Për cilin grindjet”?

Së katërti; është shkatërrues sepse robëron viktimat e tij.  Libri i Fjalëve të Urta kap 23:21 na thotë: “Sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka”.  Kështu Solomoni i urtë pyet: “Për cilin vajtimet”?

Së pesti; është shkatërrues sepse dëmton shëndetin.
Personat që janë nën ndikimin e substancave dëmtojnë shëndetin  e tyre – ato dëmtojnë mëlçinë, dobësojnë muskujt dhe kockat, shtojnë rrezikun e infraktit, ulçër në stomak, kancerin e fytit dhe mushkrive dhe shkatërrojnë indet e trurit. Abuzimi me to shkurton të paktën 10 vite nga mosha e gjithkujt që i përdor. Kështu Solomoni pyet: “Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur”?

Së gjashti abuzimi me substanca krijon iluzion. Në vargjet 31-32 Solomoni thotë: “Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur rrëzëllen në kupë dhe shkon poshtë aq lehtë! Në fund ajo kafshon si një gjarpër dhe shpon si një kuçedër”. Premton një gjë por prodhon diçka krejt tjetër, rrëzëllen në kupë …..shkon poshtë aq lehtë! Miliona lek shpenzohen çdo vit për të mashtruar njerëzit të blejnë alkool, të dehen dhe të bëjnë “një jetë të mire”. Në qoftë se do të guxonim të flisnim për pasojat:

Nuk do të lindnin fëmijë me të meta; nuk do të gjenim njerëz të shtrirë nëpër sheshe, nuk do të kishte të rinj të abuzonin me njëri tjetrin nën efektin e tyre, duke humbur dlirësinë apo duke denigruar personalitetin; nuk do të ndodhnin kaq aksidente me pasojë vdekjen e shumë jetëve të pafajshme; nuk do të ndodhnin kaq vrasje nëpër lokale apo nëpër rrugë, nuk do të kryheshin aborte dhe as nuk do të kishte kaq vjedhje. Nuk do të kishte fëmijë të kishin frikë nga babai apo nëna e tyre për shka se prindrit kthehen në shtëpi të dehur. Pra diçka tjetër premton por tjetër gjë prodhon. Premton një jetë të mirë por  kafshon si një gjarpër dhe shpon si një kuçedër.

Abuzimi me to shkakton çorientim. Solomoni e përshkruan personin e tillë si torollak dhe të çekuilibruar. Ka humbur ekulibrin dhe lëkundet si anija në det të trazuar. Robëron  ndjenjat e njeriut, largon arsyen dhe i bën të papërgjeshëm.

Krijon varësi. E skllavëron përdoruesin. Bëhet e pamëshirshme. Humbet personalitetin; burra dhe gratë , të rinjtë dhe të rejat që janë të varur ndaj saj gënjejnë, kurvërojnë, mashtojnë, vjedhin. Ata janë të gatshëm të sakrifikojnë nderin, punën, studimet, familjen, dinjitetin, fëmijët e tyre.

Edhe e fundit që është edhe më e rrezikshme, abuzimi me to është diçka diabolike.  Ne nuk mund të jemi të Krishterë nëse abuzojmë me to. Personi që rilind në Perëndinë duhet të jetojë nëpërmjet Frymës. Në Letrën e Shën Pavlit dërguar Efesianëve lexojmë: “Mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë”.

Disa herë me rradhë Shkrimi i Shenjtë përmend ata që nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë dhe aty futen pijanecët, kështu që për ne si të Krishterë është shumë i qartë qëndrimi i Zotit tonë ndaj një jete të tillë. Abuzimi me substancat është shkatërrues, mashtrues, denigrues, robërues dhe demonizues dhe duhet tu vëmë veshin paralajmërimeve me qëllim që të mos zaptohemi prej tyre.

Por gjethsesi ajo edhe mund të kurohet me ndihmën e Zotit dhe të Kishës së Tij të Shenjtë. Në letrën e parë dërguar Korinthasve kur Shën Pavli shkruan se pijanecët nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë ai thotë: “Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jisu dhe me anë të Frymës së Perëndisë tone”.

Nëpërmjet Atij ne mund të falemi dhe të transformohemi. Proçesi nuk mund të jetë i shpejtë ose i lehtë por është i mundur.  Në çfarëdo lloj gjëndje të jemi sot, Perëndia na ofron shpresë. Shpresën e çlirimit nga gjithçka që na skllavëron dhe dënon. Hapi më i madh është, që ne të pranojmë gjendjen ku jemi dhe të kthehemi tek Zoti.

Nëpërmjet Mistereve   që Kisha e Shenjtë e themeluar me Gjakun e Tij posedon, nëpërmjet Pagëzimit, Mirosjes, Kungatës Hyjnore dhe Pendim-Rrëfimit gjithsekush mund të transformojë jetën e Tij.

Zoti ynë në Ungjillin e Shenjtë na thotë: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t`ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë”!