/Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas dhe historitë e tij – nga Ilirjan Gjika

Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas dhe historitë e tij – nga Ilirjan Gjika

Përgjatë fushës së Myzeqesë, 10 km në veri të qytetit të Fierit, ndodhet Kolkondasi pjesë e njësisë administrative Libofshë të Bashkisë Fier. I dokumentuar në mesin e shek. XVIII, vendbanimi pranë lumit Seman tashmë e ka humbur fizionominë e tij. Disa shtëpi të shpërndara janë dëshmi e ekzistencës së fshatit të dikurshëm, i cili sot përbën më shumë një qendër fetare dhe historike sesa një vend të banuar. Pikërisht këtu, në vitin 1814 u ndërtua nga Ali pashë Tepelena, manastiri i Kozma Etolit, i cili deri në vitet 1950 kur nisi bonifikimi dhe sistemimi i tokave të fushës së Myzeqesë ishte përmbytur disa herë nga lumi Seman. I shpallur monument kulture në vitin 1963 dhe i braktisur nga kleri në vitin 1967, kohë e zhvillimeve shekullariste, manastiri ju rikthye Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në fillim të viteve 1990. Prej tij atëherë kishin mbetur vetëm gjysma e kishës së Shën Marisë dhe pjesa e sipërme e kishës së Shën Kozmait, ku si rezultat i përmbytjeve të Semanit ishin shkatërruar pothuajse konakët dhe ishte mbuluar me aluvione e gjithë hapësira e tij. Nën kujdesin e Kishës u bë e mundur një ndërhyrje e gjithanshme ku ky objekt ju nënshtrua punimeve voluminoze. Të tilla ishin gërmimi dhe zbulimi i objekteve nga dherat, drenazhimi, ndërhyrja në kishë, restaurimi i pjesës së mbetur të kishës së Shën Marisë dhe paraklisit të Shën Kozmait, zbulimi dhe konservimi i afreskut të tij, ringritja e konakëve dhe ambienteve të ndryshme, etj (1). Më pas, manastirit ju shtuan edhe muret rrethuese dhe porta monumentale të cilat i dhanë pamjen e sotme, tërheqëse, imponuese dhe të vizitueshme për turistët, pelegrinët dhe vizitorët në çdo kohë.
Duhet theksuar se ky kompleks fetar i dedikohet Shën Kozmait të Etolisë, një figurë të njohur historike, i cili ushtroi për disa kohë veprimtarinë e tij në vendin tonë. Në fund, në 24 gusht të vitit 1779, ai do të vritej në fshatin Mujalli të Myzeqesë nga njerëzit e Ahmet Kurt Pashës, sundimtarit të Beratit. Ata e arrestuan dhe pasi e varën e hodhën trupin e tij në lumin Seman. Trupi u gjet pak më tej në fshatin fqinj të Kolkondasit, ku u varros pranë absidës të kishës së Shën Marisë. Të dhënat e para rreth kësaj historie na vijnë prej Aleksudhit, i cili i mblodhi dhe i shkroi mbi dëshmitë gojore të klerikëve dhe banorëve të kësaj zone. Natyrisht që ai e kishte vizituar manastirin duke nisur prej vitit 1855, kur mori detyrën e Mitropolitit të Beratit, të cilën e kreu deri në vitin 1887. Këtë histori Anthim Aleksudhi e trajtoi në librin e tij: ‘’Përshkrim i Shkurtër Historik i Mitropolisë së Shenjtë të Beratit’’, botuar në Korfuz në vitin 1868, i cili është edhe burimi parësor rreth jetës së Kozma Etolit (2). Më pas biografi dhe libra të tjerë që lidhen me jetën dhe aktivitetin e murgut kanë shkruar një sërë autorësh, të huaj dhe shqiptarë. Në to përshkruhet edhe miqësia që ai kishte me Ali Pashë Tepelenën. Sipas Ilo Mitkë Qafëzezit, një autori shqiptar të gjysmës së parë të shek. XX, njohja e tyre u bë fare rastësisht kur Aliu ishte në fillimet e karrierës së tij. Takimi u bë pranë Tepelenës, në malin e Leklit, ku murgu midis të tjerave i parashikoi edhe të ardhmen (3).
“Do të bëhesh njeri i madh, do te zotërosh të tërë Arvanitinë, Prevezën, Pargën, Sulin, Delvinën, Janinën dhe zotërimet e Kurt pashait. Më pas do të shkosh në Stamboll, por me mjekër të kuqe’’, tregohet se i tha atij Kozmai. Që prej asaj kohe Aliu Pasha e bëri mik dhe e vuri nën mbrojtjen e tij murgun nga Etolia. Kjo mund të ketë qenë një prej arsyeve që Kozmai u ekzekutua nga kundërshtari i Aliut, Ahmet Kurt Pasha. Vite më pas kur pushtoi Pashallëkun e Beratit, Ali Pashë Tepelena, urdhëroi ngritjen e një manastiri në vendvarrimin e murgut Kozma. Për këtë, Aleksudhi, shkruan se manastiri i quajtur ‘’I gjithë shenjtorëve dhe Shën Kozmait’’ u ndërtua me punën e të gjithë të krishterëve nën drejtimin e Mitropolitit të Beratit Joasaf II dhe të këshilltarëve Nikolla Mitro Kapedani dhe Haxhi Joan Xhixhu (4). Por të dhëna të tjera rreth historisë së ndërtimit dhe të funksionimit ndër vite të këtij manastiri na vijnë edhe nga dorëshkrimet e Rrapi Saqellarit. Të ruajtura në fondin e Muzeut Historik Fier, në to jepen dëshmitë e një sërë klerikësh dhe laikësh të kësaj familje që shërbyen për disa breza me radhë në këtë manastir. Manastiri u ndërtua në vendin ku më parë ndodhej kisha e “Shën Marisë” së Kolkondasit, një faltore e ndërtuar në fund të shek. XVIII. Këtë gjë e vërteton edhe mbishkrimi që ndodhet sot në pjesën e mbetur të absidës së saj, ku lexohet teksti “Eshtë pikturuar ky tempull i hijshëm me kontributin e të gjithëhirshmit Mitropolitit të Beratit Joasaf, me shpenzimet dhe mundimet e të gjithë të krishterëve priftër dhe laikë, në korrik 1782” (5). Ky tempull pati fatin e keq për shkak të pozicionit pranë lumit Seman, të kthehej nga përmbytjet në gërmadhe. Sot prej tij kanë mbetur vetëm muri verior së bashku me absidën dhe afresket murale të tyre. Mendohet se ato janë vepra të piktorit Joan Çetiri (6). Pikturat murale janë realizuar në kohën e ndërtimit në vitin 1782 (7). Ndërsa, në pjesën veriore të kësaj kishe u ndërtua kisha e Shën Kozmait dhe konakët e manastirit. Një gjë e tillë ndodhi në vitet 1813-1814 me porosinë e Ali Pashë Tepelenës. Ky fakt dëshmohet edhe nga dy letrat që pashai i drejton të krishterëve të Beratit dhe Myzeqesë në vitet 1813-1814. Tekstet e tyre janë të shkruara në kodikun e këtij manastiri dhe u publikuan për herë të parë nga Anthim Aleksudhi në librin e tij të sipërpërmendur . Për ndërtimin e manastirit u përdorën gurë të marrë nga kodrat e Libofshës dhe Ardenicës. Po kështu, si në të gjitha kishat e Myzeqesë u morën edhe spolie të ndërtimeve antike nga Apolonia. Ndërsa dëshmitë e papa Pjetër Saqellarit, prift që shërbente gjatë kohës kur manastiri u ndërtua, na tregojnë se në inagurimin e tij përveç pjesëmarrësve nga gjithë pashallëku i Janinës mori pjesë si i dërguar i Ali Pashë Tepelenës edhe Ibrahim Arapi. Ai solli edhe një letër me urdhëra dhe porosi të shkruar prej Aliut (9).
Sipas specialistëve të fushës, Kisha e Shën Kozmait, është nga ana arkitektonike e tipit bazilikë me kupolë. Ajo përbëhet nga naosi prej tre absidash, narteksi, altari dhe këmbanorja. Planimetria e kësaj faltoreje është në formë kryqi të jashtëshkruar që i jep pamjen e një ndërtimi piramidal. Hyrja kryesore ndodhet në anën veriore dhe sipër saj ndodhen dy mbishkrime që kanë të bëjnë me kohën e ndërtimit. Ndërsa një hyrje e dytë është ajo e narteksit në anën perëndimore të kishës. Elementë arkitektonikë të saj janë edhe absida shtatëfaqëshe dhe tamburi me kupolën (10). Ndërsa mbi portën kryesore të kishës, në anën veriore, ndodhen dy mbishkrime që flasin për ndërtimin e saj. “Në vitin 1814, maj 22. U ndërtua ky tempull i Shën Kozmait në kohën e të gjithëhirshmit Mitropolit të Beratit, zotit Joasaf, në kohën e igumenit të hirshëm gjithoshënar Theoklitit në kohën e kujdestarisë së zotit Nikollë, Dhimitrit dhe Haxhi Jankut dhe të Protosingjel Parthenit, me përpjekjet dhe mundimet e të gjithë të krishterëve të devotshëm klerikë e laikë’’, thuhet në parin (11). Kurse mbishkrimi i absidës tregon rreth kontributit të Ali Pashë Tepelenës. Midis të tjerave në të lexojmë: “U ndërtua nga themelet ky tempull hyjnor e i hirshëm me nxitjen e të shumëlartit, Vezir Ali pashës nga Tepelena” (12). Mjeshtrat e parë që nisën ndërtimin e këtij tempulli thuhet se u vranë nga Aliu, sepse nuk e ndërtuan dot kishën sipas idesë së pashait (13). Mjeshtrat e dytë që e përfunduan këtë ndërtesë i lanë portretet e tyre të gdhendura në dru. Interesant është fakti që në frontonin e këmbanore ka qenë i gdhendur edhe portreti i bashkëshortes së Aliut, Vasiliqisë (14).
Pasi u ndërtua manastiri në 24 Gusht 1815 me urdhër të Ali Pashës u bë transferimi i lipsaneve të Kozma Etolit nga kisha e vjetër e Shën Marisë për në kishën e re. Ndërsa në vitin 1942, midis dy kishave u ngrit një kishës e vogël (paraklis), ku u vendosën reliket e tij. Sot këtu ndodhet vetëm kenotafi (varri imagjinar) dhe një kopjo e afreskut të murgut Kozma zbuluar pak kohë më parë. Më pas eshtrat u zhvendosën duke u vendosur në një sarkofag druri me xham, në naosin e kishës së Shën Kozmait (15). Sipas dëshmitarëve të kohës koka e munguar e murgut Kozma me porosi të Ali Pashës u bë prej argjendi për tu nderuar nga besimtarët. Por fati i keq e bëri që ajo grabitej gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore (16). Një tjetër porosi e Ali Pashë Tepelenës ishte që manastiri i Kolkondasit të kthehej në një qendër fetare të rajonit nga Shkumbininë në Vjosë e deri në Berat. Gjithashtu manastirit, Aliu i dha prona të shumta tokësore në fshatrat: Kolkondas, Bubullimë, Mujalli, Korkutas, Nartë, etj (17). Mendohet se këtë rol manastiri e luajti deri diku në vitin 1822 kur pas rënies së Pashallëkut të Janinës dhe fundit tragjik të Ali Pashë Tepelenës, ai u rikthye në një institucion fetar në varësi të Mitropolisë së Beratit. Manastiri do të shndërrohej edhe në një qendër arsimore. Shkolla e hapur me porosi të Ali Pashës ishte 7 klasëshe dhe e pajisur me një konvikt prej 100 nxënësish. Ajo u shndërrua në shkollën me të madhe të kësaj treve, ku mësimet zhvilloheshin në gjuhën greke dhe turke (18). Fillimisht mësuesit e parë të shkollës ishin të huaj ndërsa më vonë ata u zëvendësuan me mësues shqiptarë, të cilët në mënyrë të fshehtë nisën të jepnin mësim shqip dhe të punonin për arsimin dhe çështjen kombëtare (19). Mësuesit mbanin lidhje me shoqëritë e Beratit dhe fusnin libra që botoheshin nga shoqërite kulturore jashtë atdheut. Për këtë veprimtari në vitin 1896, autoritetet turke, bënë disa herë raprezalje për të arrestuar mësuesit Kovi dhe Spiro Saqellari. Ata bastisën edhe shkollën e manastirit dhe shtëpinë e tyre në Kolkondas ku gjetën dhe dogjën librat shqip (20).
Për manastirin e Kolkondasit kanë lënë shënimet e tyre edhe një sërë udhëtarësh dhe dijetarësh të huaj. Një prej tyre, piktori anglez Eduard Lir, kur e vizitoi atë në 18 tetor të vitit 1848, midis të tjerave shkruan se, kisha ka një një pamje që se ka shoqen. Më pas ai tregon edhe për kuvendin e ndërtuar nga Ali Pasha, shkollën, fëmijët që ndiqnin mësimet dhe për priftërinjtë që shërbenin aty (21). Manastiri përbëhej prej 60 dhomash dhe me dy kate. Në katin e sipërm banonin klerikët dhe shërbyesit si dhe nxënësit konviktorë, pelegrinët dhe tregëtarët që vinin ditët e panairit. Kati i poshtëm përbëhej nga hauret dhe magazinat (22). Manastiri ka patur edhe një bibliotekë mjaft të pasur e cila pati fatin e keq që të digjej dy herë duke u transferuar më pas në manastirin e Ardenicës. Ndërkohë që manastirit të Kolkondasit i përket edhe kodiku i njohur si kodiku i Shën Kozmait, një libër që përdorej për regjistrimin e lindjeve, martesave dhe shkurorëzimeve gjatë viteve 1819-1843 (23). Ky kodik qëndroi në këtë manastir deri në vitin 1957, kur u dorëzua në mitropolinë e Beratit, ku u mor në ruajtje dhe më pas u arkivua në sektorin e etnografisë së Akademisë së Shkencave. Pasi u përkthye ai u botua pjesërisht nga etnografja Llambrini Mitrushi, në revistat shkencore: ‘’Studime Historike’’, vëll. III, në vitin 1965 dhe ‘’Etnografia Shqiptare’’, vëll. III, viti 1966. Kodiku është i mbuluar nga tre kapakë pergamene ndërsa 96 fletët e tij prej letre të bardhë kanë një format prej 22.5 cm x 15.5 cm. I ndarë në 5 fashikuj ai është shkruar me dorë në greqish me bojë e zezë dhe kafe. Në fletët e tij janë regjistruar 315 kontrata martese, rëndësia e të tyre është se shërbejnë si burim etnografik për studimin e zakoneve dhe dokeve të krahinës së Myzeqesë (24). I njohur edhe me emrin si Kodiku i Fierit ai ruhet në Arkivin Qëndror të Shtetit si pjesë e koleksionit të Kodikëve të Shqipërisë.
Të tjera vlera që ruan ky manastir janë edhe afresket e kishës së vjetër të Shën Mërisë. Duke u nisur nga stili dhe paraqitja e figurave mendohet se kjo kishë është pikturuar me afreske nga një prej piktorëve të familjes Çetiri (25). Disa studjues aludojnë se autori i këtyre mbishkrimeve të jetë piktori Joan Çetiri. Pikturat murale janë realizuar në vitin 1782, kohë kur u ndërtua kisha e shën Mërisë (26). Rreth këtyre pikturave studjuesi Georgios Giakumis mendon se ato janë vepra të Joan Çetirit (27). Ndërkohë që gjatë gërmimeve të zhvilluara në manastir në paraklisin ku është vendosur kenotafi i Shën Kozmait u zbulua një afresk i tij, i cili ishte mbuluar dikur nga përmbytjet e lumit Seman.
Në këtë rast kemi të bëjmë ‘’… për një paraqitje laike dhe realiste shenjtorit-ndoshta nga dikush që e kishte parë, nga një artist që e kishte jetuar’’, thekson Georgios Giakumis si një ndër autorët në përmbajtjen e katalogut ‘’Atmosfera laike e pikturës pasbizantine të Çetirëve në monumente të Myzeqesë’’, botim i Fondacioni Grek të Kulturës ‘’Vatra i Tiranës’’ në vitin 2012. E veçanta e këtij afresku është se Shën Kozmai paraqitet me veshjen e tij të zezë vetëm me mbishkrimin murgu Kozma (28).
Po kështu edhe L. II. Botërore do të linte gjurmët e saj në këtë manastir. Në vitin 1940 ai u shndërrua në autoritetet italiane të pushtimit në një vend internimi. Fillimisht u izoluan antifashistë shqiptarë ndërsa më pas u sollën edhe jugosllavë dhe grekë. Njëri prej tyre, Nikolla Radivoji, shqiptar nga Mali i Zi, realizoi një sërë fotosh të internuarve si dhe të manastirit dhe objekteve të tij (29).
Ndërkohë sot, manastiri ofron një pamje mbresëlënëse me të gjitha objektet dhe vlerat e tij. Aty gjen dy kishat, afresket, mbishkrimet, spoliet antike, pusin e ujit, konakët e ndërtuar rishtazi, pyllin që e rrethon, si dhe jetën monastike që ka rinisur pas një shkëputje të gjatë. Ai përbën të vetmin objekt në krahinën e Myzeqesë që është ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, duke na dëshmuar një pjesë të trashëgimnisë sonë kulturore e cila së bashku me historinë e shumta si dhe legjendat që lidhen me të, përbën tashmë një atraksion të prekshëm të turizmit kulturor, historik dhe fetar.
…………………………
1-Joan Stratobërdha, Kontributi i madh i kishës për trashëgimninë kulturore kombëtare, Ngjallja, 2003, f. 6-7
2-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 21
3-I. M. Qafëzezi, Akte për historinë e kulturës në Shqipëri, Dy karta të Ali Pashë tepelenës të adresuara beratasve në vjetët 1813-1814, Diana, V, Tiranë 1937
4-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 80
5-Stilian Adhami, Ansambli historik dhe arkitektonik-artistik i Kolkondasit-Fier, Monumentet, 2, Tiranë, 1985, f. 77
6-Katalog, Fondacioni Grek i Kulturës Vatra i Tiranës, Tirana-Fieri 2012, 3
7-Theofan Popa, Mbishkrime te Kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 108
8-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 82
9-Rrapi Saqellari, Manastiri i shën Kozmait Kolkondas, dorëshkrim, 1972, f. 5, Muzeu Historik Fier
10-Stilian Adhami, Ansambli historik dhe arkitektonik-artistik i Kolkondasit-Fier, Monumentet, 2, Tiranë, 1985, f. 75-77
11-Theofan Popa, Mbishkrime te Kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 122-123
12-Po aty, f. 144
13-Stilian Adhami, Ansambli historik dhe arkitektonik-artistik i Kolkondasit-Fier, Monumentet, 2, Tiranë, 1985, f. 79
14-Po aty, f. 78
15-Po aty, f. 80
16-Rrapi Saqellari, Manastiri i shën Kozmait Kolkondas, dorëshkrim, 1972, f. 6, Muzeu Historik Fier
17-Stilian Adhami, Ansambli historik dhe arkitektonik-artistik i Kolkondasit-Fier, Monumentet, 2, Tiranë, 1985, f. 75.
18-Po aty, f. 75
19-Rrapi Bardhi, Historia e Arsimit të Myzeqesë, Fier 1998, f. 46
20-Naum Kule, Mësonjtorja e parë shqipe, Globus R, Tiranë 2008, f. 105-107
21-Edëard Leear në Shqipëri, Ditar udhëtimesh 1848-1849, Plejad, Tiranë 2008, f. 146
22-Stilian Adhami, Ansambli historik dhe arkitektonik-artistik i Kolkondasit-Fier, Monumentet, 2, Tiranë, 1985, f. 74
23- Llambrini Mitrushi, Studime Historike, III, Tiranë 1965, f. 175-182
24-Po aty, f. 175-182
25-Stilian Adhami, Ansambli historik dhe arkitektonik-artistik i Kolkondasit-Fier, Monumentet, 2, Tiranë, 1985, f. 78
26-Theofan Popa, Mbishkrime te Kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 108.
27-Katalog, Fondacioni Grek i Kulturës Vatra i Tiranës, Tirana-Fieri 2012, 3
28-Po aty, 7. 33
29- Rrapi Saqellari, Manastiri i shën Kozmait Kolkondas, dorëshkrim, 1972, f. 21, Muzeu Historik Fier