E Diela pas Ujit të Bekuar, Mateu 4, 12-17
Lufta e Pandërprerë e Pendimit
“Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër” v. 17.
Këto fjalë përbënë predikimin e parë, që bëri Zoti ynë, pas pagëzimit të Tij, në Jordan. “Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër”. Një predikim, që atëherë nevojitej shumë, sepse ai popull, ishte “populli që rrinte në errësirën” e padijes dhe të mëkatit. Popull, që rrinte “në vendin e hijes së vdekjes” shpirtërore. Por, nëse predikimi i pendimit ishte atëherë i nevojshëm, mund të themi, se edhe sot nevojitet njësoj. Nevojitet të dëgjohet zëri i Zotit tonë, njësoj i fortë dhe zgjues edhe në ditët tona. Kemi nevojë dhe sot për pendim. Por, përse vallë? Le ta analizojmë këtë temë, veçanërisht interesante, meqenëse ndodhemi në fillimin e një viti të ri.
* * *
Njeriu është i gatuar për Perëndinë. Njeriu është i lumtur vetëm kur është në komunikim me Atë. Dhe nga ana tjetër, është i mjerë, kur humbet Perëndinë, kur largohet nga Ai.
Por, çfarë e ndan njeriun nga Perëndia? Nuk e ndanë as rinia e tij, as pleqëria e tij, as pasuria apo varfëria e tij, as shëndeti dhe as sëmundja e tij, as lëvdatat apo përbuzjet nga njerëzit; e ndan mëkati, që ai vetë e zgjedh me lirinë e tij. E thotë dhe profeti Isaia (59, 2): “Paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë suaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e Tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më.”
Madje, sa më shumë mëkaton dikush, aq më shumë largohet nga Perëndia. Dhe më e tmerrshmja është se: “Të gjithë njerëzit, pa përjashtim, mëkatojnë, çdo ditë të jetës së tyre” Jakovi 3, 2. Është e mundur vallë, të gjejë mëkatari, përsëri Perëndinë? Po! Por, në ç’ mënyrë? Nëpërmjet pendimit!
Pendimi është kthim nga vetmia tek dashuria. Nga adhurimi i egos në pranimin e të tjerëve. Pendimi është ndryshimi i jetës, ndryshimi i mendjes, vendimi për t’u kthyer. Pendimi, nuk është një fenomen i jashtëm, por një tronditje e gjithë njeriut; është rikrijimi i botës së brendshme, që rrënon egërsirat e mëdha të mëkatit dhe rithemelon një jetë të re më Zotin. Pendim nuk është frika, as brejta e ndërgjegjes, as lotët. Është e mundur të ekzistojnë këto, por të mungojë pendimi i vërtetë nga shpirti. Juda u dëshpërua, por nuk u pendua. Nuk kishte kurajë të përulet, të bjerë me lot në këmbët e Mësuesit të tij dhe, ashtu si djali plangprishës, të thotë: “o atë mëkatova”. Ky lloj dëshpërimi-pendimi është si ai i kriminelëve, që vajtojnë dhe qajnë në burg dhe kur dalin nga burgu, janë gati të përsërisin të njëjtat mëkate.
Njeriu që pendohet sinqerisht, ka ndjenjë të plotë të gjendjes mëkatare. E njeh rënien dhe sa u largua nga Perëndia. Prandaj dërrmohet, shkrin së brendshmi, përulet, trishtohet për vdekjen e shpirtit të tij; dhe ky trishtim “sjell shpëtim, për të cilin njeriu nuk ndërron mendje.” 2 Korinthianëve 7, 9-10.
Etërit e Kishës sonë, e ngjasojnë dhimbjen e mëkatarit, që do të shpëtohet dhe të pendohet, me dhimbjen e gruas shtatzëne, dhimbjet e së cilës janë paralajmërim i lindjes. Pas dhimbjes vjen jeta. Kështu dhe tek mëkatari i penduar, pas dërrmimit, vjen vendimi. Dëshira duhet të renditet me të mirën, të dalë nga rrjetat e mëkatit, të çlirohet nga prangat e pasioneve. Që nga ai moment, i penduar, merr përsipër një luftë të ashpër kundër mëkatit, luftë të rreptë kundër satanait. Në këtë luftë të ashpër, është e mundur, të plagoset përsëri. Por kjo nuk duhet ta dëshpërojë. Vendimi i tij për jetën e re më Krishtin, do të forcohet nga fjala inkurajuese e shën Joan Gojartit: “Edhe nëse çdo ditë do të mëkatosh, çdo ditë pendohu”.
* * *
Kur do të paraprijnë këto tre stade të pendimit, domethënë, të ndjenjës, të dërrmimit dhe të vendimit, stadi i katërt, i rrëfimit, vjen si një pasojë natyrore e të mëparshmeve. Njeriu, që përjeton këtë ankth të brendshëm, nuk mund të heshtë. Ka nevojë ta vjellë helmin dhe ta nxjerrë jashtë dramën e tij të brendshme. Për shërimin e kësaj nevoje Kisha jonë ka misterin e Rrëfimit hyjnor, ku, mëkatari, që rrëfehet me sinqeritet dhe dërrmim të vërtetë, thotë mëkatet e tij, qetësohet së brendshmi dhe pranon Hirin hyjnor, element i domosdoshëm për vazhdimin e luftës shpirtërore.
Pendimi, nuk është një veprim, por një stacion jete. Shumë të krishterë nuk e ndiejnë gëzimin e pendimit, edhe pse hyjnë dhe dalin shpesh në rrëfim, sepse nuk e konsiderojnë siç është, por siç ata e mendojnë. E kanë njësuar me periudhën e të kremteve të mëdha. E shohin si një veprim, si një detyrim. Por, pendimi nuk pranon kufizime kohore. Është një gjëndje, që nuk mund të presë. Është një shpërthim, një tërmet. Është për të ardhur keq të ketë dikush ndjenja të rreme se u pendua dhe megjithatë të mbetet i gozhduar tek pasionet dhe egoizmi i tij.
Kreshma, lutja, studimi i Shkrimit të Shenjtë, pelegrinazhet e hirshme nuk tregojnë se jemi penduar. Sigurisht, ndihmojnë në jetën e shprestarisë. Lufta jonë shpirtërore bëhet e denjë kur ka si synimin e saj themelor çrrënjosjen e pasionit, që përbën për ne burimin e kënaqësisë sonë egoiste. Por, si do ta arrijmë këtë pendim? Pendimi është mbiveprim i Shpirtit të Shenjtë. Është një mrekulli shpirtërore. Është një çlirim i mrekullueshëm i mëkatarit nga pushteti i djallit dhe kthim te Perëndia. Që të përjetojmë, pra, pendimin, duhet t’i kërkojmë Perëndisë të na e dhurojë. Por nuk mjafton vetëm kjo. Pendimi është vizitë e Hirit hyjnor tek të denjët, tek ata që luftojnë të pendohen.
Ai që pendohet, e braktis jetën e tij të mëparshme me gjithë zemër, e urren mëkatin dhe vendos, me qëndrueshmëri, të jetojë një jetë të re, sipas vullnetit të Perëndisë. Ai që pendohet me të vërtetë dhe përfundimisht, lufton, që të mos e bëjë përsëri mëkatin, për të cilin u pendua, “të japë fryte të denja pendimi” Mateu 3, 8.
* * *
Predikimi i Zotit për pendimin, është predikim shprese. “Pendimi është bija e shpresës dhe mohimi i dëshpërimit”, thotë shën Joani i Shkallës. Atyre që bien shpesh, që nuk munden lehtë të largohen nga pasioni, sot Jisu Krishti u jep kurajë dhe shpresë. “Pendohuni”, u thotë. Ngrihuni. Dhe nëse bini përsëri, ngrihuni përsëri. Mos mbesni të fjetur në gjendjen e rënies. Përikni tek misteri i Pendimit. Sa më e ngrohtë është plaga, aq më lehtë shërohet. Mos thoni kurrë, se nuk mund ta kapërceni pasionin, që ju torturon. Ngrihuni dhe shkoni në Kishë. Kërkoni mëshirën e Perëndisë. Lahuni në hirin njeridashës të misterit të Rrëfimit dhe do shikoni, se do të merrni fuqi për vazhdimin e luftës.
Pa pendim, Parajsa do të ishte e zbrazët. Nuk do të kishte asnjë njeri në Mbretërinë e Perëndisë. Pa pendim, do të ishte e kotë lufta dhe mundimi i secilitdo të krishteri. Pendimi, çfarë dhurate nga Perëndie! Çfarë mundësi e madhe! Por mundësi që ikën. “U afrua Mbretëria e qiejve”. Po vjen koha, që do të ikim nga kjo botë. Momenti është i panjohur. E sotmja është e jona, e tashmja, jo e nesërmja. Asnjë anullim pra. Sot na thërret Zoti, sot pendohuni. Tani, të pendohemi me vepra.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Sa jeni dëshpëruar nga paqëndrueshmëria e vetes suaj, dëgjoni çfarë thotë shën Andoni i Madh: “Nëse njeriu dëshiron, mundet, që nga lindja e diellit deri në perëndimin e diellit, të arrijë në shenjtëri”. Sepse pendimi nuk ka nevojë për kohë por do vullnet. Prehëri i qiellit është i hapur dhe pret, Engjëjt janë gati të bëjnë panair dhe për pendimin tonë.
U bëftë.
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 13.01.2019