/“LITURGJIA HYJNORE” Vëllimi 1 – Theodhor Peci, Drejtues i Korit Bizantin “Shën Joan Kukuzeli” i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë

“LITURGJIA HYJNORE” Vëllimi 1 – Theodhor Peci, Drejtues i Korit Bizantin “Shën Joan Kukuzeli” i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë

“LITURGJIA HYJNORE” Vëllimi 1

Me bekimin dhe përkujdesjen e veçantë të Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit Anastas botohet ky libër muzikor voluminoz (650 faqe, A4) për herë të parë në historinë e Artit Psaltik në Shqipëri me këto standarde në gjuhën tonë.

Vëllimi i parë i këtij libri përmban himnet e Liturgjisë Hyjnore të shën Joan Gojëartit, të mirëpërpiluara shkencërisht, të përshtatura dhe të kompozuara në përputhje të plotë me parimet morfologjike të Muzikës Bizantine dhe të gjuhës sonë shqipe.

Veçantia e këtij libri qëndron tek përshtatja dhe kompozimi i të gjitha himneve të Liturgjisë Hyjnore në të tetë tingujt (tonalitetet) e Artit Psaltik, si dhe tek shumëllojshmëria e variacioneve e tyre kompozicionale edhe brenda të njëjtit tingull. Për shembull, mund të përmendim me krenari që ky libër përmban 47 himne kerubike, 45 liturgjike (pjesët e anaforës që psalen menjëherë pas himnit kerubik, deri tek Të meriton), si dhe 53 himne hyjlindësore Të meriton, të përshtatura në gjuhën shqipe ose të kompozuara posaçërisht për gjuhën tonë shqipe. Të gjitha këto himne mbulojnë çdo nevoje liturgjike. Mund të përdoren si për kryerjen e Liturgjive të përditshme, ashtu edhe për kryerjen e Liturgjive kremtuese apo panegjirike. Ato janë të kompozuara nga melurgët më tradicionalë që kanë mbizotëruar brenda traditës psaltike të dy shekujve të fundit.

Një tjetër risi e këtij libri muzikor është përcaktimi dhe vendosja e të gjitha vargjeve të të tre andifoneve, të hyrtoreve, të përlëshoreve dhe të shkurtoreve të të kremteve zotërore, hyjlindësore, të të dielave, të shenjtorëve kremtues, të Triodit dhe të Pesëdhjetores, gjë që e bën të nevojshëm jo vetëm për psaltët profesionistë por dhe për çdo prift apo famulli.

Njëkohësisht, kjo vepër synon të sjellë edhe një herë praktikat e vjetra liturgjike të harruara, duke përfshirë kompozimet e dy qëndrimeve të Tipikave, Lumërimet, kompozimet melizmatike të fjalës “fuqi” tek himni “Shenjt Perëndi” apo “Sa u pagëzuat”, kompozimin e paravargut të Apostullit, Aliluarin e Ungjillit etj.

Një tjetër veçanti e këtij botimi është përmbledhja e disa prej pjesëve më të njohura muzikore të transkriptuara metrofonikisht në shkrimin muzikor perëndimor të pentagramit, në mënyrë që libri të bëhet më i prekshëm dhe më i kapshëm edhe për ata që nuk njohin shkrimin muzikor bizantin. Ky transkriptim nuk synon të zëvendësojë shkrimin bizantin, por thjesht të bëhet një urë njohjeje ndërmjet Artit muzikor bizantin dhe muzikologëve, kompozitorëve, studiuesve, mësuesve, studentëve, si dhe të çdo artdashësi. Duhet theksuar që transkriptimi nuk mund të arrihet plotësisht i saktë në pentagram për shkak të karaktereve dhe morfologjisë së ndryshme të dy sistemeve në shumë aspekte.

LIBRIN MUND TA GJENI TEK LIBRARIA E KATEDRALES “NGJALLJA E KRISHTIT” NË TIRANË!