/Liria e Njeriut dhe Hiri Hyjnor – Frytet e Hirit Hyjnor

Liria e Njeriut dhe Hiri Hyjnor – Frytet e Hirit Hyjnor

Liria e njeriut dhe Hiri Hyjnor

Ne tashmë kemi thënë se nga Perëndia vijnë të gjitha gjërat, të gjitha gjërat e mira. Por siç kemi thënë, Perëndia respekton vetëvendosje e njeriut dhe lirinë e tij dhe nuk detyron askënd të besojë dhe të ndjekë udhën e Tij. Dhe Perëndia vepron kështu për shkak se Vet Ai e krijoi njeriun të lirë, dhe Vet Ai e pajisi me vet-vendosjen. Mirëpo, kur vjen Hiri Hyjnor, dhe i jep shtysë njeriut të ndryshojë jetën e tij, dhe e nxit atë në pendim dhe besim a nuk është ky një farë detyrimi duke e larguar vetëvendosjen e tij? Që të jemi të saktë, ky mendim mund të kalojë në mendjen e të Krishterit. Le t’i japim kësaj pyetje: Jo, liria e njeriut nuk cenohet apo dhunohet nëpërmjet ndërhyrjes së Hirit të Perëndisë. Për shkak se megjithëse  Hiri Hyjnor vepron si faktor dhe element parësor dhe kryesor në veprën e shpëtimit të njeriut, ai nuk e detyron njeriun dhe as nuk e nëpërkëmb vullnetin e lirë të tij. Ai nuk e viziton njeriun i cil me vullnet të lirë reagon negativisht kundrejt Perëndisë dhe që me dashje e kundërshton Atë. Ndaj një personi të tillë, pas përpjekjes së parë dhe të dytë, Hiri Hyjnor e braktis atë, megjithëse ne kemi thënë se Perëndia “nuk dëshiron vdekjen e mëkatarit, veçse ai duhet të kthehet dhe të jetojë”. Por duke qenë se njeriu me kokëfortësi e kundërshton Hirin Hyjnor, ai e braktis atë, sepse vet njeriu nuk e dëshiron atë. Hiri Hyjnor vepron, ndihmon dhe nxit atë individ dashamirës ndaj pendimit dhe besimit. Ai asiston atë individ që dëshiron të shpëtohet por që nuk gjen forcë të nxitet në kërkim në shpëtimit. Hiri Hyjnor forcon dhe mbështet vullnetin dhe fuqinë e dobët të këtij individi. Ai ndihmon të dobëtin. Ai vepron dhe ndihmon në shpëtimin e atij që “do” dhe “vrapon”, dhe përpiqet drejt këtij synimi, megjithëse shpëtimi është  vepër “që nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë” (Romakëve 9:16). Mirëpo për atë që do dhe vrapon do të thotë se realisht ai e dëshiron shpëtimin, ai kupton se në thellësitë e shpirtit të tij ka pak fuqi dhe vullnet, dhe se është Hiri Hyjnor që e forcon, dhe se Perëndia ka mëshirë për të. Kështu, hapi i parë, sado i vogël qoftë, i përket njeriut ndërsa gjithçka tjetër, pothuajse gjithçka, i përket Perëndisë. Por edhe ky hap, kjo gjë që është më e pakta e gjithë kësaj vepre, është diçka. Ajo është baza, starti, pika e nisjes. Është pikërisht ajo që Zoti na thotë në Librin e Zbulesës (Kap 3:20): “Ja, Unë qëndroj te dera dhe trokas, nëse dikush dëgjon zërin Tim dhe të hapë derën, Unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe Ai me mua”. Kjo do të thotë se Perëndia nuk e shkallmon derën me qëllim që të hyjë brenda. Ai qëndron, Ai pret, Ai troket. Ai kërkon miratimin tonë. Ai madje na përgjërohet që t’i hapim derën me qëllim që Ai të hyjë dhe të na sjellë shpëtimin. Kjo tregon se Perëndia e respekton lirinë e njeriut “nëse ai dëgjon zërin Tim, dhe hapë derën”, por gjithashtu na tregon dhe përfitimin e dhuruar nga Hiri i Perëndisë “Unë qëndroj … dhe trokas…Unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të, dhe ai me Mua”.

 Të gjitha ato që thamë më sipër përfshihen në shprehjen e Shën Pavlit: “Vëllezër, duke qenë bashkëpunëtorë të Tij, ju këshillojmë të mos e pranoni më kot Hirin e Perëndisë” (II Korithianëve 6:1). Kështu që është një bashkëpunim, ose sinergji, siç quhet në Dogmatikë, sinergji ndërmjet vullnetit tonë të lirë dhe të Hirit Hyjnor dhe fuqisë që strukturon veprën e madhe të shpëtimit tonë dhe të përsosjes në virtyt.  

Frytet e Hirit Hyjnor

Hiri Hyjnor është burimi i jetës në Perëndinë; Hiri Hyjnor që jepet me tepri nga Perëndia te njeriu për shpëtimin e tij. Shën Pavli flet për frytet e Hirit Hyjnor në Letrën e tij dërguar Galatasve dhe Efesianëve. Dhe nga njëra anë, në Letrën e tij drejtuar Efesianëve ai flet për frytet që prodhon Shpirti i Shenjtë në ata shpirtra që Ai i ka ndriçuar dhe u ka dhuruar rilindje dhe që shfaqen në jetën dhe sjelljen e jashtme të Krishterit. “Sepse fryti i Frymës konsiston në gjithçka që është mirësi, drejtësi dhe të vërtetë” (Efesianëve 5:9). Nga ana tjetër, në Letrën drejtuar Galatasve, Shën Pavli thotë: “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli” (Galatasve 5:22). Këto janë frytet e Hirit Hyjnor, frytet e Shpirtit të Shenjtë. Dhe sigurisht të gjitha këto janë virtytet që shfaqen në jetën e të Krishterit që është thirrur në besimin e Krishtit dhe është rilindur shpirtërisht nëpërmjet hirit të Shpirtit të Shenjtë. Ashtu siç e kemi theksuar në kapitujt e mëparshëm, në qoftë se Hiri Hyjnor, mungon tek njeriu (nuk është i pranishëm tek njeriu), atëherë ai do të jetë nën pushtetin e së keqes dhe mëkatit, dhe ai nuk mund të shfaq asgjë të mirë, asnjë virtyt, as ndonjë anë të ndritshme të jetës. Por këtu ne i referohemi fryteve të parë që prodhon Hiri Hyjnor në shpirtin e njeriut mëkatar, për atë njeri që është i huaj ndaj Perëndinë, për njeriun i cili nëpërmjet mëkatit është për Perëndinë – fajtor, i huaj, dhe kundërshtar i Tij. Këto janë frytet që hedhin themelin dhe përbëjnë bazën e virtyteve, të frytave të Shpirtit të Shenjtë për të cilat, siç e thamë, na flet Shën Pavli.

Prandaj, fryti i parë, ose më mirë vepra e parë ose energjia e Hirit Hyjnor drejt njeriut mëkatar është thirrja që Ai i bën mëkatarit. Hiri Hyjnor e zgjon mëkatarin. Nga se? Nga letargjia dhe gjumi i mëkatit dhe i bën ftesë atij të vijë tek Perëndia, të ndriçohet, të gjallërohet, dhe të shpëtohet. Hiri e thërret mëkatarin: “Zgohu ti që fle, dhe ringjallu prej së vdekurish, dhe Krishti do të shndrisë mbi ty” (Efesianëve 5:14), siç na thotë Shën Pavli. Mëkatari është i vdekur, i vdekur nga helmi i mëkatit. Së pari, atij i duhet të ringjallet. Ai ka rënë të flejë dhe është pa ndjenja nën e fektin e gjumit të vdekjes së përjetshme, dhe ai duhet të zgjohet, të shohë dhe të kuptojë gjendjen e mjerueshme dhe të vajtueshme të tij. Ai duhet të shkundet dhe të kërkojë mëshirën e Perëndisë. Mëkatari është kundërshtari i Perëndisë, dhe me qëllim që ai të marrë mëshirën prej Perëndisë ai duhet së pari të bëhet miku i Perëndisë. Mirëpo që ai të arrijë gjithë këto gjëra duhet që të thirret nga Perëndia, sepse nga vet ai as nuk mund ta gjejë Perëndinë dhe as nuk mund t’i afrohet Atij. Kështu, Hiri e thërret atë: Eja, mëkatar, zgjohu dhe afrohu Perëndisë. Pendohu, beso. Bëhu mik i Perëndisë, bir i Tij, me qëllim që të mund të shpëtohesh, dhe do të shpëtohesh. Prandaj, fryti i parë i Hirit Hyjnor është thirrja. Ftesa që i bëhet mëkatarit për pendim dhe besim, thirrja për shpëtim. Fryti i dytë i Hirit Hyjnor është shfajësimi i mëkatarit. Për ta këptuar këtë duhet të mbajmë në mendje se mëkatari, meqenëse është fajtor para Perëndisë, është një njeri i dënuar, një i akuzuar për shumë shkelje, padrejtësi dhe të këqija që ka kryer dhe kështu ai nuk mund mund ta shoh fytyrën e Perëndisë. Si rrjedhim as nuk mund të marr mirëdashjen dhe bekimin prej Perëndisë, as nuk mund të trashëgojë Mbretërinë e Qiejve.

Megjithatë, Hiri Hyjnor vjen tek ai njeri që e ka pranuar thirrjen, dhe është penduar dhe ka besuar te Krishti dhe e ka pohuar Atë si Shpëtimtarin dhe Shpenguesin, dhe nëpërmjet fuqisë së sakrificës së Krishtit në Kryq ai merr faljen. Kjo është edhe ajo çfarë Apostulli kur thotë: “Të drejtësuar, pra, prej besimit kemi paqe me Perëndinë,nëpërmjet Jisu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1).

Fryti i tretë i Hirit Hyjnor është rilindja e njeriut. Njeriu ka lindjen e tij natyrale prej prindërve të tij fizik. Kjo lindje është ajo që e sjell atë në në jetën e mëkatshme, të ngarkuar me mëkatin stërgjyshor. Me këtë rrënjë dhe prirje të mëkatshme që ai zotëron, ai shkon drejt së keqes dhe bën një jetë të mëkatshme, duke kryer vepra të mëkatshme. Tani, nëpërmjet thirrjes, me anë të pendimit dhe besimit, me anë të Pagëzimit të Shenjtë që ai ka marrë, ai lind për të dytën herë, duke marrë një lindje hyjnore, shpirtërore dhe qiellore, dhe më pas me anë të përpjekjeve të tij dhe nëpërmjet ndihmës së Hirit Hyjnor, ai ka rilindur në një jetë të re hyjnore dhe të shenjtë. Kjo është rilindja, e cila është një prej dhuratave më të mëdha dhe më të mrekullueshme të Hirit Hyjnor. Kjo është rilindja për të cilën Zoti ynë i foli Nikodhimit: “Nëse një nuk lind përsëri, ai nuk mund ta shohë Mbretërinë e Perëndisë dhe nëse dikush nuk lind nga uji dhe Fryma, ai nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë” (Joani 3:3,5). Pikërisht për këtë rilindje na flet edhe Shën Pietri kur thotë se të Krishterët janë “të rilindur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së gjallë të Perëndisë që mbetet përjetë”(I Pietrit 1:23).

Dhurata tjetër e Hirit Hyjnor është shenjtërimi. Kur themi shenjtërim nënkuptojmë atë pastrim të plotë dhe të përsosur të njeriut prej gjithçkaje që është e mëkatshme, prej çdo gjëje të kësaj bote. Shenjtërimi është ajo gjendje e bekuar e njeriut në të cilin as mendimet e këqija as fjalët e këqija as vepra të padenja as reflektime të papërshtatshme. Por përkundrazi njeriu i shenjtëruar posedon çdo virtyt dhe perfeksion saqë mund të arrijë “ngjashmërinë” e Perëndisë. Këto janë frytet e Hirit Hyjnor dhe fazat e shpëtimit të njeriut. Thirrja – shfajësimi – rilindja – shenjtërimi. Të gjitha këto së bashku përmbushin dhe plotësojnë veprën e shpëtimit të njeriut mëkatar.