/Lindja Trupore e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht

Lindja Trupore e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht

Lindja Trupore e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht

Zoti ynë Jisu Krisht, Shpëtimtari i të gjithë botës, lindi prej Virgjëreshës Mari në Betlehem, në kohën e Ҫezar Augustit. Asokohe, ky i fundit nxori një dekret për regjistrimin e popullsisë së të gjitha subjekteve të perandorisë së tij, ku përfshihej edhe Izraeli. Të gjithë hebrenjtë ishin mësuar të regjistroheshin në qytetin e paraardhësve të tyre, pra meqë Maria dhe Josifi i drejtë ishin të shtëpisë së Davidit, , iu duhej të shkonin në Betlehem për të kryer këtë detyrim.

Kur mbërritën atje, nuk gjetën dot asnjë dhomë të lirë në asnjë bujtinë të qytetit. Kështu, ndodhi që, Shpëtimtari i Botës të lindte në një shpellë që përdorej si grazhd.

“Mister të çuditshëm, shikoj dhe s’e marr dot vesh, se si qiell një shpellë ndrit; fron Keruvik u shfaq Virgjëresha; dhe grazhdi i vogël e nxuri atë që bota nuk e nxë”.

Virgjëresha e shenjtë, pasi lindi foshnjën hyjnore pa provuar dhimbje të lindjes, “e mbështolli me shpërgënj, dhe e vuri në grazhd” (Lk. 2:7) Në heshtjen e natës, (Urtësia e Solomonit 18:14-15) tre barinj që po kullosnin grigjën e tyre aty pranë, dëgjuan shpalljen e lindjes së Shpëtimtarit.

Një engjëll i Zotit (sipas shën Qiprianit bëhet fjalë për Kryeengjëllin Gabriel) u duk tek ata dhe iu tha: “Mos u frikësoni, sepse ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin. Sepse sot ju lindi juve në qytetin e Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht.” (Llk. 2:10-11). Barinjtë e thjeshtë ishin të parët që iu falën dhe adhuruan Atë që zbrazi veten dhe u përul për shpëtimin e njerëzimit.

Përveç barinjve të lumur, lajmi i Lindjes së Shpëtimtarit iu bë i njohur edhe Magëve, nga një yll i ndritshëm. Duke komentuar pikërisht këtë pjesë nga Ungjilli i Mattheut, shën Joan Gojarti dhe shën Theofilakti, kanë thënë se nuk bëhej fjalë për një yll të zakonshëm. Përkundrazi, ishte një fuqi hyjnore dhe engjëllore, që u shfaq në formën e yllit. Shën Dhimitri i Rostivit e quan “manifestim i një fuqie hyjnore” (Rrëfenjat e adhurimit të Magëve). Teksa hynë në vendin ku ndodhej Foshnja, “Magët ranë përdhe e iu falën, edhe si hapën thesaret e tyre, i prunë atij dhurata, ar e temjan e miro” (Mt. 2:11).

Kremtimi i Lindjes Trupore të Zotit Krisht u vendos nga Kisha që në kohët apostolike. Ndër rregullat apostolike (Seksioni 3;13) thuhet: “Vëllezër, kini ndër mend të kremtet festive sidomos Lindjen e Zotit Krisht, të cilën do ta festoni më 25 të muajit të nëntë”. Ndërsa në një vend tjetër, thuhet: “Festoni të Kremten e Lindjes së ë Fjalës së Perëndisë prej Virgjëreshës, dhe do të merrni hir që lartazi”.

Në shek. II edhe shën Klementi i Aleksandrisë pohoi se kremtimi i Lindjes së Krishtit është më 25 Dhjetor.

Në vitin 302, në kohën e persekutimeve të të Krishterëve nga Maksimiani, 20.000 të krishterë u dogjën të gjallë brenda në një kishë në Nikomedi, ku ishin mbledhur për të festuar Lindjen e Krishtit. Më pas, në të njëjtin shekull, pasi kishte përfunduar koha e persekutimeve dhe Krishterimi ishte njohur si fe zyrtare e Perandorisë Romake, kjo e kremte festohej në të gjitha kishat. Dëshmi të shumta për këtë gjejmë edhe në shkrimet e etërve të shek. IV si shën Efrem Siriani, Vasili i Madh, Grigor Theologu, Grigori i Nisës, Ambrozi i Milanos, Joan Gojarti etj.

Në një predikim të bërë nga shën Joan Gojarti në vitin 385, ai theksoi se kremtimi i festës së Krishtlindjes është shumë i lashtë. Po në këtë shekull, shën Elena ndërtoi një kishë në shpellën e Betlehemit, ku lindi foshnja Jisu, e cila më pas u zbukurua nga perandori Kostandin, pas vdekjes së saj.

Në legjislacionet e shkruara në kohën e perandorëve Theodhos (438) dhe Justinian (535), Krishtlindja ishte përcaktuar me ligj si festë zyrtare. Në shkrimet e Niqifor Kalistos, një shkrimtari të shek. XIV, thuhet se në shek. VI, perandori Justinian shpalli Krishtlindjen si festë zyrtare në mbarë botën.

Patriarku Anatol i Kostandinopojës (shek. V), Patriarkët Sofron dhe Andrea i Jerusalemit (shek. VII), shën Joan Damaskini dhe Patriarku Gjermanoi i Kostandinopojës (shek. VIII), murgesha Kasiani (shek. IX) dhe shumë të tjerë, emrat e të cilëve nuk janë bërë të njohur, kompozuan himne të shumta për festën e Krishtilindjes, të cilat ende i këndojmë në Kishë.

Përgjatë tri shekujve të parë, në Kishën e Jerusalemit, Antiokisë, Aleksandrisë dhe të Egjiptit, Krishtlindja festohej në 6 Janar bashkë me Theofaninë (Pagëzimin e Zotit Krisht). Kjo sepse më parë qarkullonte mendimi se Krishti u pagëzua në përvjetorin e lindjes së Tij. Kjo do të shpjegonte dhe një nga predikimet e Joan Gojartit ku thotë: “Theofani (Shfaqje e Perëndisë) nuk quajmë ditën e lindjes së Krishtit, por të pagëzimit të Tij”.

Në mbështetje të mendimit që përmendëm më lart, do të mund të citonim edhe fjalët e Ungjillorit Lluka: “Jisui ishte afro tridhjetë vjeç, kur filloi veprën e tij” (Lk. 3:23) pra menjëherë pas pagëzimit. Kremtimi i Krishtlindjes dhe Theofanisë në një ditë të vetme vazhdoi deri në fund të shek. IV në disa kisha Lindore dhe deri në shek. V ose VI në disa të tjera.

Nëse vërejmë edhe radhën e shërbesave të të dy festave në ditët e sotme, shohim ngjashmëri të shumta me mënyrën se si kremtoheshin më parë, kur kombinoheshin të dyja. Në Vigjiljet e festave, ka një traditë sipas të cilës kreshmohet gjithë ditën, deri sa shfaqen yjet në qiell. Tipikoja e shërbesave liturgjike në vigjiljet dhe të kremtet e dy festave është gjithashtu e njëjtë.

Lindja e Zotit Krisht është një ndër 12 festat më të mëdha të Kishës sonë. Ëështë padyshim një ndër ngjarjet më të gëzueshme e të mrekullueshme të të gjithë kohërave. Engjëlli iu tha barinjve: “Ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin. Sepse sot ju lindi juve në qytetin e Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht. Edhe kjo do të jetë shenja për ju, do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd.

Edhe papandehur, bashkë me engjëllin u duk një shumicë ushtrie qiellore, duke himnuar Perëndinë, e duke thënë: Lavdi Perëndisë që është në më të lartat, edhe mbi dhenë paqe, edhe në njerëzit mirëdashje.

Edhe të gjithë ata që dëgjuan, u çuditën për ato që iu thanë atyre nga barinjtë.  Edhe barinjtë u kthyen duke lavdëruar e duke himnuar Perëndinë për gjithë ato që dëgjuan e panë, sikundër iu tha atyre.” (Llk. 2:10-14,18,20).

Kështu, kjo ngjarje kaq madhështore dhe e thellë, e cila u shoqërua nga shpalljet që iu bënë magëve dhe barinjve, është një thirrje gëzimi e ngazëllimi për të gjithë botën, “se lindi Shpëtimtari”!

Edhe Etërit e Kishës, në shkrimet e tyre të Perëndifrymëzuara e përshkruajnë këtë festë si një të kremte thelbësore e tepër të hareshme, që përbën edhe themelin e të gjitha festave të tjera.

Ja Krishti Lind! Lavdërojeni!

Marrë nga: Website Zyrtar i Orthodox Church of America