/“LINDJA E KRISHTIT I JEP BOTËS GËZIM”!

“LINDJA E KRISHTIT I JEP BOTËS GËZIM”!

Me bekimin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit edhe i Gjithë Shqipërisë Imzot Anastasi, në ambientet e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u zhvillua Konferenca Rinore Ditore me praninë e përfaqësive nga Mitropolitë e vendit me temë: “Lindja e Krishtit i jep botës gëzim”!

Aktiviteti filloi me Shërbesën e Mëngjesores në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” më pas me rregjistrimin e pjesëmarrësve, mirëseardhja, prezantimi i stafit organizativ dhe me takimin e parë nga Atë Ilia Mazniku, famulltar i kishës së “Shën Prokopit” në Tiranë i cili foli për kuptimin dhe rëndësinë e Festës së Krishtlindjes sipas këndvështrimit Orthodhoks. Në temën e tij, At Ilia përcolli shumë mesazhe nga kjo festë. Ndër të tjera ai theksoi: ‘Lindja e Krishtit nuk është thjesht një ngjarje historike, diçka që ndodhi në një kohë të caktuar, por një ngjarje që e përjetojmë sot. Ai duke i’u referuar Ikonës së Krishtlindjes shpjegoi se Hyjlindësja Mari qëndron pranë Krishtit në grazhd, jo vetëm si një nënë që kujdeset dhe ruan foshnjen e saj por edhe me një qëndrim adhurues, duke qënë se e njihte Atë, si Zotin e saj. Në këtë ngjarje marrin pjesë shumë personazhe si Shën Maria, Shën Josifi, Barinjtë, Magët.

Që në librin e Zanafillës, Zoti i dha botës shpresën se do të lindte Ai që do të sillte shpresë, do të mposhte Satanin, armikun e Perëndisë dhe njerëzve. Krishti në ikonë i shfaqur si Foshnjë rrezaton shpresën dhe gëzimin e madh. Mesazhi i Lindjes së Shpëtimtarit përfshin të gjithë njerëzit pa dallim moshe dhe intelekti!

Magët i ofrojnë Ar, Temjan dhe Miro. Ari – simboli i Mbretit sepse Ai ishte pasardhës i Davidit, Miro – simbol i Profetit dhe Temjani simbol i Kryepriftit dhe Krishti i kishte të treja këto atribute. Vjen si ofertë e pëlqyer përpara Perëndisë që vetëflijohet për mëkatet tona. Mesazhi vjen për ata që janë të përulur dhe me zemër të butë. Zoti Krisht i Lavdisë nuk kërkon të lind siç lindet një mbret por zgjedh të lindet në një shpellë të ftohtë, të errët të Betlehemit, shpella e ftohtë që simbolizon ftohtësinë e njerëzve të asaj kohe që nuk e pranuan Shpëtimtarin. Thirrja e Krishtlindjes është të bëhemi dishepuj të Zotit, të jemi të përulur dhe intelektin tonë ta vëmë në shërbim të Perëndisë. Krishti vjen tek zemrat e thjeshta dhe të përulura’.

At Ilia Mazniku gjithashtu theksoi se ‘të gjitha të kremtet duan një parapërgatitje dhe kjo është kreshma që Kisha e shenjtë ka caktuar. Përgatitjet e tjera janë leximi i Shkimit të Shenjë, lëmosha, lutja, agjërimi, për të pastruar veten trupërisht dhe shpirtërisht ashtu si vetë Zoti kreshmoi’.

Ai e përfundoi fjalimin e tij duke thënë se Zoti na fton të bëhemi pjesëmarrës në jetën e Kishës dhe në shërbim të Perëndisë!

Programi më pas vijoi me ndarjen në grupe më të vogla, ku të rinjtë pasi u prezantua diskutuan dhe ndanë eksperiencat e tyre në lidhje me temën që është moto e Aktiviteteve Rinore të këtij viti – “Me besimin tek Krishti mposhtim frikën dhe indiferentizmin”. U ilustrua me shëmbuj se besimi te Krishti mposht çdo mëkat dhe frikë!

Aktiviteti më pas vijoi me takimin midis koordinatorëve të çdo grupi rinor për mbarëvajtjen dhe organizimin sa më efektiv të aktiviteteve të tilla dhe bashkëpunimeve konkrete në të ardhmen për të fuqizuar grupet rinore dhe për të vepruar si gjymtyrë të një trupi të vetëm që është Kisha e Shenjtë.

Në fund të këtij aktiviteti koordinatorët e Mitropolive si Atë Joan Qako, Atë Spiro Kostoli, Atë Spiro Peci, Armand Oga, Ingrida Bida dhe Gabriel Terezi ndanë me të rinjtë mesazhet e tyre duke thënë se duhet që të jemi sa më pranë Kishës, ta ndihmojmë dhe të kontribuojmë për të, pavarësisht se jetojmë në kohë të pasigurta të mposhtim frikën dhe indiferentizmin me besimin tek Zoti Krisht dhe rëndësia për të bashkëpunuar ngushtësisht me njëri-tjetrin.

Përgjegjësi i Rinisë Orthodhokse të Tiranës Atë Grigor Pelushi, theksoi në mbyllje të aktivitetit se duhet të ruajmë dhe të përmbushim katër shtyllat që janë gurthemeli dhe qëllimi i lidhjeve rinore Orthodhokse në mbarë vendin:

1. Rritja në Njohjen e Krishtit

2. Miqësia

3. Shërbimi

4. Dëshmia

Më tepër Atë Grigori u ndal tek dëshmia që është kaq e domosdoshme në kohën që jetojmë. Le të përpiqemi – theksoi ai – të shpërndajmë dritën e Krishtit kudo ku jemi dhe jetojmë dhe të mos kemi frikë sepse pushteti i errësirës që në fillim kërkoi ta mbyste Dritën që lindi në shpellën e Betlehemit por nuk ia doli dot. Sa ideologji, sa njerëz të pushtetshëm, sa perandorë e mbretër tentuan ta zhduknin Dritën por dështuan me turp dhe kështu do të përfundojnë të gjithë ata që do të maten me Atë. Le ta shpërndajmë këtë dritë që do të lindë në Betlehem në çdo skutë të errët të shpirtrave njerëzore duke nisur me veten tonë, familjen, të afërmit, miqtë dhe me të gjithë ata që takojmë çdo ditë! Ky është qëllimi ynë, ky është qëllimi i çdo të krishteri!

Lavdi Perëndisë për të gjitha!

Përzgjodhi: Koordinatorja e Rinisë Orthodhokse të Tiranës

Olimbi Pelushi

Foto: Priftëresha Aleksandra Ritsi