/LARTËSIMI I PËRBOTSHËM I KRYQIT TË NDERUAR DHE JETËBËRËS – Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

LARTËSIMI I PËRBOTSHËM I KRYQIT TË NDERUAR DHE JETËBËRËS – Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

LARTËSIMI I PËRBOTSHËM I KRYQIT TË NDERUAR DHE JETËBËRËS

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·E PREMTE, 13 SHTATOR 2019

Me Kryqin e Zotit

Drejt Mbretërisë së Qiejve

«Duke parë, o Shpëtimtar, krijesa, kryqin tënd të lartësuar,

të psal me zë të madh himne falënderimi dhe lavdërimi»

(Vargje nga sinaksari i së kremtes)

E madhe dhe e kremtja e sotme e Lartësimit të Kryqit të Nderuar dhe Jetëbërës; e madhe dhe për Kishën dhe për besimtarët e saj. E madhe për sa i përket Kishës, sepse duke lartësuar Kryqin, mbi të cilin derdhi Gjakun e Tij të Tërëshenjtë, Shpëtimtari ynë Jisu Krisht, forcon besën dhe dashurinë ndaj Tij. Dhe nga ana tjetër, për besimtarët sepse, duke u ftuar ata, sot, të mendojnë më thellë, çfarë u bë mbi kryq për shpëtimin tonë shpirtëror, i falen drurit të gjithërespektuar dhe thërrasin duke psalur ndaj Çlirimtarit: “Kryqit tënd po i falemi, o Zot, dhe ngjalljen tënde të shenjtë lavdërojmë”.

Kuptimi i së kremtes.

Është ditë zie dhe kreshme, e kremtja e madhe e Kryqit. Është një e Premte e Madhe dhe e Shenjtë, e dytë. Në gjysmën e dytë të vitit, kur ftohemi të kujtojmë përsëri pësimet e Zotit, të cilat i pranoi vullnetarisht për shpëtimin tonë shpirtëror, që të marrim mësimet dhe mesazhet përkatëse që rrjedhin prej saj.

Kuptimi i kryqit.

Kur themi Kryq, nënkuptojmë pësimin e Zotit, Kryqëzimin dhe Vdekjen e Shpëtimtarit Krisht. Me këtë kuptim flet apostull Pavli në letrat e tij, ku Kryqi është baras me frazën; Krishti i kryqëzuar. Krishtin e kryqëzuar vë gjithmonë si bazë të predikimit të tij. Kështu u shkruan korintianëve: «Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar» 1 Kor. 1:23 «Për mua qoftë larg të mburrem për tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jisu Krisht» Gal. 6:14.

Historiku i ditës.

Në vitin 326, shën Elena, në moshë tetëdhjetëvjeçare, shkoi në vendet e shenjta për tu falur, atje ku rrodhi djersa dhe gjaku i Perëndi-njeriut, dhe të falënderojë Zotin për triumfet e birit të saj, shën Kostandinit të Madh. Duke shkuar atje shenjtoria, fillon të kërkojë kryqin e nderuar. Me të mbërritur në Golgotha, jep urdhër të rrënohet tempulli i perëndisë Afërdita, që ishte ndërtuar mbi vendin e kryqëzimit! Atje gjejnë tre kryqe, dhe duke mos e ditur cili është Kryqi i Çmuar, episkopi i Jerusalemit, Makario, vendosi trupin e një gruaje të vdekur shumë shpresëtare, njëri pas tjetrit mbi të tre kryqet. Sapo e vendosi trupin e kësaj gruaje mbi Kryqin e Nderuar, ajo u ngjall. U përhap shpejt ky lajm dhe shumë njerëz vinin që t’i faleshin Kryqit. E lartësuan Kryqin e Nderur brenda tempullit, në një vend të lartë, që të kenë mundësi ta shikojnë dhe t’i falen të gjithë. Që atëherë u caktua e kremtja e lartësimit të Drurit të Çmuar më 14 shtator.

Kryqi, simboli i besës sonë.

Kryqi! Simboli i besës sonë. Kujtimi i sakrificës së Krishtit, që derdhi gjakun për ne, shpërblimi dhe çlirimi ynë, shpëtimi ynë. Kryqi i Nderuar, dëshmi mirënjohjeje dhe mbrojtës i pamposhtur, gjithmonë ndihmësi ynë. Në katakombet e hershme, ekzistonin simbole të ndryshme. Anija, simbolizonte Kishën. Spiranca, shpresën. Bariu me qengjin mbi krahët e tij, Bariun e Mirë. Dhe Kryqi, simbolizonte dashurinë e Perëndisë për njeriun. Nuk është një shenjë e thjeshtë, por mjet që transmeton hirin hyjnor, gjatë kryerjes së gjithë Mistereve të Shenjta dhe shërbesave të hirshme. Është armë kundër djallit.

Druri i bekuar.

Kryqi është pema, druri i Parajsës. Prej drurit erdhi tragjedia, që quhet mëkat; nga druri i Edemit. Prej drurit erdhi edhe gëzimi i shpëtimit; nga druri i kryqit. Fryt i drurit të Kryqit është shpëtimi ynë. Në drurin e Edemit, shtriu dorën e tij njeriu
dhe shijoi vdekjen. Mbi drurin e Kryqit ndeu duart e tij Perëndi-njeriu, Zoti ynë Jisu Krisht, dhe na dhuroi jetën. Midis të tjerave, në një himn të lumurimeve, gjatë shërbesës së pësimeve të shenjta, të Enjten e Madhe në mbrëmje, himnografi i hirshëm komenton këtë ngjarje, duke psalur: “Me anën e drurit Adami u dëbua prej Parajsës; dhe me anën e drurit të Kryqit kusari banoi në Parajsë. Se ai, duke e shijuar, shkeli porosinë e Bërësit; po ky, kur u kryqëzua bashkë, rrëfeu Perëndinë që fshihej. Kujtona dhe ne, o Shpëtimtar, në mbretërinë tënde.”

Kryqi, një shkollë e madhe virtytesh.

Një mësues i urtë i Ungjillit, protopresviteri Kostandin Kaliniku, e karakterizon Kryqin e Nderuar, si shkollë virtytesh për të gjithë ne, dhe duke na ftuar të mësojmë në të, shkruan: “Shiko Kryqin, o i krishter, dhe mëso rrugën që duhet të ndjekësh në jetën tënde. Nëse je i pasur, shiko Kryqin, që të mësosh nga Krishti i zhveshur, përbuzjen ndaj të mirave të botës. Nëse je i varfër, shiko Kryqin, që të gjesh një mik ngushëllues, Até që nuk ka ku të mbështesë kokën e Tij. Nëse je i urtë, shiko Kryqin, dhe nëpërmjet tij do të zgjidhës gjithë problemet e tua. Nëse je i pashkolluar, shiko Kryqin, dhe do të bëhesh më i urtë nga Platoni dhe Aristoteli.

Nëse je prind, shiko Kryqin, që të vëresh dashurinë e paanë të Perëndisë ndaj njeriut. Nëse je fëmijë, shiko Kryqin, që të mësosh bindjen. Nëse je i drejtë, shiko Kryqin, që të rezistosh në ngasje. Nëse je mëkatar, ooh… atëherë mos i hiq nga Kryqi sytë e tu, i cili do të të udhëheqë të kthehesh tek Ati yt, që të gjesh përsëri, o dele e humbur, rrugën e drejtë. Me atë mposhte mishin, botën, dëfrimet, pikëllimet, dëshpërimet, ashtu si dikur Kostandini i Madh, me atë shenjë trofeprurëse, mposhti tiranin Maksent, dhe hyri triumfues në kryeqytetin e famshëm.”

Kryqi, jeta e Kishës.

Kryqi është jeta e Kishës dhe e besimtarëve, mbrojtësi dhe “bukuria e Kishës”. Stolia e Kishës, por sa herë stoli e gjakosur! Kisha është trupi i Krishtit. Dhe ashtu si koka, Krishti, kryqëzohet, kështu edhe trupi i Krishtit, Kisha, kryqëzohet. U përndoq dhe përndiqet Kisha. Dhe sot Kisha përndiqet. Kisha, duke u përndjekur, fiton. Nga Kryqi arrin në Ngjallje. Kryq ngrenë aq vëllezër, të shtrirë në shtratin e dhimbjes, në spitale dhe klinika të ndryshme. Është i rëndë Kryqi i një sëmundjeje të pashërueshme. Vëllezër që vuani! Ngushëllimi juaj është Kryqi i Krishtit. Por, edhe dashuria e të tjerëve, e bën Kryqin e dhimbjes më të lehtë. Kryqi është mburrja e apostull Pavlit dhe mburrja jonë. Mbi pasuritë, mbi diplomat, mbi pozitat dhe detyrat e larta, mburrja jonë është Kryqi i Zotit. Jemi të padenjë, e megjithatë Zoti na dhuroi Kryqin e shpëtimit. Prandaj thotë apostull Pavli: «Për mua qoftë larg të mburrem për tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jisu Krisht» Gal. 6:14.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Kryqi nuk është vetëm druri që i falemi; nuk është vetëm zbukurimi që mbajmë në qafë; është edhe jeta që duhet të jetojmë. Të jetojmë jetën e Kryqit. Të bëjmë të vdekur njeriun e vjetër që kemi brenda nesh. Rom. 6:6. Ne të krishterët, le të kryqëzojmë me hirin e Kryqit, pasionet dhe dëshirat mëkatare. Gal. 5:24. Një i vdekur preket nga pasionet? Të vdekur të bëhemi për sa i përket mëkatit. Të kryqëzuar mbi Kryqin e detyrës, le të ndjekim të Kryqëzuarin e Madh. Ai ngriti Kryqin më të rëndë. Kryqi ynë sido që të jetë, është i lehtë. Me Kryqin do të ecim për në lavdinë e Mbretërisë së Qiejve. U bëftë.

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 14.09.2019