/LARTËSIMI I KRYQIT TË NDERUAR (14 Shtator) KRYQI I KRISHTIT MBURRJA E TË KRISHTERIT

LARTËSIMI I KRYQIT TË NDERUAR (14 Shtator) KRYQI I KRISHTIT MBURRJA E TË KRISHTERIT

“Për mua qoftë larg të mburrem për tjetër gjë,veç për kryqin e Zotit tonë Jisu Krisht” (Galat. 6:14)Njerëzit mburren shumë herë për përparësitë që kanë: Fuqi, bukuri, dije, pasuri etj. Mburret epoka jonë për përparimet dhe arritjet e saj. Por ja që mburret edhe apostull Pavli. Vallë përse? Për titujt realisht të mëdhenj të personalitetit dhe të veprës të tij apostolike? Për asgjë nga këto, “veç për kryqin e Zotit tonë Jisu Krisht”. Pra, mburrje tepër e lartë kryqi i Zotit. Nuk e kupton lehtë bota, e cila mburret për aq gjëra të tjera; dhe arriti madje të mburret edhe për mohimin e besimit te kryqi.Por, le të thellohemi tek kuptimi i fjalëve të Apostullit të hirshëm dhe tek mesazhi i festës, sot, kur Kisha kremton lartësimin mbarëbotëror të Kryqit të nderuar dhe jetëbërës.* * *E kremtja është shumë e lashtë dhe një nga të kremtet Zotërore, domethënë e kremte kushtuar Zotit Krisht. Festa lidhet me ngjarje të mëdha historike të Perandorisë Bizantine, prandaj ka karakter panagjirik. Por, njëkohësisht, i referohet kryqëzimit dhe vdekjes së Zotit, prandaj dhe nderohet me kreshmë të rreptë, ashtu si e Premtja e Madhe. Ungjilli që lexohet në Meshën Hyjnore, është i njëjti me atë që lexohet edhe të Premten e Madhe.Në vitin 326, pas pushimit të përndjekjeve, dhe paqësimit të Kishës nga herezia e Ariosit, me Sinodin e parë ekumenik, shën Elena, nëna e Kostandinit të Madh e të shenjtë, shkoi në Vendet e Shenjta për t’iu falur dhe për të falënderuar Zotin, për triumfet e birit të saj. Duke shkuar atje, Shenjtorja, fillon të kërkojë Kryqin e Nderuar. Me të arritur në Golgotha, urdhëron të shembet tempulli i perëndeshës Afërditë. Atje, gjatë kërkimeve, gjejnë tre kryqe, dhe duke mos ditur kush është Kryqi i Nderuar, episkopi i Jerusalemit, Makari, vuri mbi tre kryqet, njëri pas tjetrit, trupin e pajetë të një gruaje shumë shpresëtare. Dhe, sapo e vendosën gruan mbi Kryqin e Nderuar, ajo u ngjall. Ngjarja e re u mësua shpejt dhe shumicë njerëzish filloi të vijë. Atëherë, episkopi i qytetit të shenjtë, e lartësoi Kryqin e Nderuar brenda në Tempull, në një vend të lartë, që të mund Ta shohin dhe T’i falen të Gjithë. Ky është lartësimi i parë.* * *Që atëherë, Kryqi i Nderuar, është dhe vazhdon të mbetet simboli më i hirshëm i krishterimit; stema dhe flamuri i Kishës. Një herë ishte mjet i ekzekutimeve me vdekje, të keqbërësve dhe të pandershmëve, dru çnderimi dhe mallkimi. Por, që atëherë kur mbi të vdiq Shpëtimtari i pamëkatshëm i botës, u bë mijëra herë “dru i nderuar” dhe i bekuar. Që atëherë, forma e tij gdhendet mbi varret e të krishterëve në katakombe dhe, pas përndjekjeve, stolis stemat e Mbretërve të krishterë, varet në gjokset e besimtarëve, lartësohet mbi kisha dhe kudo, është mbrojtësi dhe stolia e besimtarëve, armë kundër djallit.Prandaj edhe himnografi i hirshëm psal: “O Kryq, ruajtës’ i tërë botës; o Kryq, bukuria e Kishës; o Kryq, forcim’ i mbretërve; o Kryq, mbështetja e besnikëve; o Kryq, lavdi’ e Engjëjve dhe plaga e demonëve” (Dërgimësorja). Dhe Damaskinoi i hirshëm psal: “O Zot, armë kundër djallit Kryqin tënd na ke dhënë neve; se tmerrohet e dridhet, nga që s’duron të shikojë fuqin’ e tij; se ngjall të vdekurit dhe aboliti vdekjen. Prandaj po lusim varrimin tënd dhe ngritjen” (Lavdërimet T. T. IV).Kryqi i Nderuar shpall zhdukjen e vdekjes, fitoren kundër mëkatit, fitoren kundër djallit, çlirimin nga prangat e Hadhit, triumfin e Ngjalljes. Kryqi dhe Ngjallja janë të ndërthurur në mënyrë të pazgjidhshme. Prandaj dhe Kisha psal: “Kryqit tënd po i falemi, o Zot, dhe Ngjalljen tënde lavdërojmë”.* * *Kryqi ka një formë të thjeshtë. Ka një pamje të thjeshtë. Përbëhet nga një material i lirë, druri. E megjithatë, ajo formë e thjeshtë, me pamjen e thjeshtë dhe materialin e lirë, kapërcen gjithë veprat e artit, gjithë projektet arkitekturore dhe gjithë thesaret e dheut e të gjithë botës. Por përse? Ngaqë mbi të ndeu duart e Tij Krishti dhe bashkoi Judenjë e paganë, përqafoi njeriun mëkatar, delen e arratisur.Mbi atë dru u kryqëzua Krishti, Krijuesi i gjithësisë. Dhe që nga ajo kohë mori vlerë të pallogaritshme. Mori vendin e tij të veçantë brenda në Kishë dhe në krijesë. Fuqia e tij është e pamposhtur, sepse është i vaditur me Gjakun e Tërëshenjtë të Krishtit. Prandaj, me të drejtë, himnografi i hirshëm psal: “Kryqi i Krishtit megjithëse duket si dru në esencë, është i veshur me fuqi hyjnore”. Kryqi dhe Krishti janë dy gjëra të pandashme. Nuk kuptohet Krishti pa Kryqin dhe Kryqi pa Krishtin. Prandaj dhe Apostulli i kombeve shpall: “Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar” (I Kor. 1:23).* * *Duart, që bëjnë shenjën e Kryqit me besë, bëhen të çelikta. Buzët, që e puthin me shprestari, shenjtërohen. Këmbët, që ecin drejt Kryqit, kanë drejtuesin më të pagabueshëm për në qiell. Sytë, që e shohin me mallëngjim, ndriçohen. Kushdo që ngre përditë Kryqin e ndershmërisë, të durimit, të sëmundjes, të varfërisë, të shpifjes, të luftës shpirtërore të krishterë, është bartës i dashurisë dhe imiton Krishtin. Të shumtë ishin ata që e luftuan Kryqin, por u përmbytën. Kryqi mbetet ndër shekuj.Sot, mburret njeriu për çlirimin e energjisë bërthamore. Mburret për arritjet në studimin e yjeve. Mburret, madje, edhe për arritjet e mëvonshme. Por të gjitha këto mburrje të tij, përveçse të rrezikshme, janë pothuajse të papjekura, foshnjarake. Sepse, fuqia e Kryqit është, në mënyrë të paimagjinueshme, më e madhe. Me shenjën e Kryqit dëbohen demonët, që asnjë energji bërthamore nuk mund t’i mposhtë. Me fuqinë e Kryqit bëhen mrekulli, të cilat asnjë shkencë nuk mund t’i realizojë. Me fuqinë e Kryqit ecën njeriu drejt Ngjalljes së tij, që është triumfi i tij dhe arrin jetën e vërtetë. Po! Kryqi është thesari i paçmueshëm, drejtuesi i pagabueshëm, shpëtimi i hirshëm.* * *Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!Kryqi do të thotë sakrificë. Është fari i ndritshëm, që lan me dritë jetën tonë, historinë, qytetërimin. Sepse qytetërimin nuk e ndriçon vetëm elektrifikimi, por, mbi të gjitha, ato figura rrezatuese, që u shkrinë si qiriri në altarin e lartë të dashurisë dhe vetëmohimit. Përfundojmë me frazën e Gojartit të hirshëm: “Për hir të Kryqit nuk i trembemi ujkut, sepse kemi bariun e mirë”.

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS† IGNATI

42422 Comments3 SharesLikeCommentShare