Identifikohen mbetjet e manastirit të parë bizantin në gadishullin Iberik
Mbetjet e një ndërtese të zbuluar më 1980 në provincën Alikante në Spanjë, e cila mendohej se ishte e stilit romak, i përkasin në fakt një manastiri të krishterë. Kështu konkluduan ekspertët e universitetit të Alikantes dhe anëtarë të muzeut arkeologjik lokal.
Antonio Poveda, profesor i historisë antike dhe drejtori i muzeut shpjegon se hulumtimet zgjatën për rreth 25 vjet “për shkak të vështirësisë në identifikimin e mbetjeve arkeologjike dhe sendeve për përdorim liturgjik”.
Përveç një seti të vogël gurësh peshe me mbishkrim grek, u gjend edhe një kolonë e madhe tetëkëndore, tipike e stilit arkitekturor bizantin, shumë e rrallë për gadishullin Iberik. Enët dhe mjetet e ndryshme për përdorim liturgjik, që përmendëm dhe më lart, janë të vetmet të gjendura n Spanjë, që i përkasin stilit bizantin.
Gurët e peshës lidhen me një urdhër të perandorit Justinian, sipas të cilit nëpër kishat kryesore të qytetit, tregtarët duhet të peshonin monedhat e tyre, për të vërtetuar se ishin të vërteta. “Kishat ofronin një garanci për blerësit e metaleve të shtrenjta se nuk ishin mashtruar, dhe se monedhat e dhëna për to korrespondonin me vlerën e tyre reale. Nëse dallohej ndonjë mashtrim, ulej çmimi i blerjes” -shpjegon Poveda.
Pra, manastiri në fjalë shërbente edhe si qendër administrative e fiskale, me urdhër të perandorit.
U gjendën gjithashtu 10 varre me 16 kufoma brenda tyre, shumë prej të cilëve mbanin në duar unazë me një kryq të stilit grek.
Poveda shton se shumica e të dhënave nuk mund të vërtetonin me siguri se bëhej fjalë për nj manastir bizantin, por gjetja e gurëve të peshës e vulosi këtë dëshmi.