Ishte e shtunë, 18 nëntor 2017, kur në Amfiteatrin e Qendrës Kulturore të Kishës Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, Orkestra “Mikis Theodhorakis” dha një koncert të paharrueshëm për publikun e kryeqytetit. Këngëtarët Sofia Papazoglu dhe Kostas Makedhonas interpretuan pjesë nga këngët më të njohura të kompozitorit të madh grek me famë botërore. Organizimin e koncertit e mori përsipër Kryepiskopata e Tiranës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nëpërmjet Lidhjes së Intelektualëve Orthodhoksë. Miki nuk mundi dot të ishte i pranishëm, edhe pse ishte i ftuari zyrtar kryesor.
Aktivitetin e prezantoi shkrimtari Minas Vindiadhis dhe në vazhdim vajza e kompozitorit, Margarita, lexoi letrën përshëndetëse të Miki Theodhorakis për Kryepiskopin Anastas. Në letrën e tij, kompozitori e falënderonte Fortlumturinë për krijimin e mundësisë që të zhvillohej ky koncert. Gjithashtu, ai shprehte ndjenjat e tij të sinqerta të miqësisë për popullin shqiptar, si edhe gëzimin e emocionet që vetë ai kishte ndjerë para shumë vitesh, kur kishte vizituar Shqipërinë.
Koncerti kishte ngjallur interes të madh dhe numri i atyre që dëshironin me të drejtë ta ndiqnin e kalonte kapacitetin e amfiteatrit, por organizatorët krijuan të gjitha kushtet që admiruesit e muzikës greke të hynin në sallën e koncertit, ndërsa në ambientin përreth u vendosën ekrane të mëdhenj.
Krahas muzikantëve, artistëve, diplomatëve, intelektualëve dhe një numri të madh personalitetesh, koncertin e nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta.
Në fund, orkestrën dhe pjesëmarrësit i përshëndeti edhe Kryepiskopi Anastas, i cili theksoi se që të ekzistojnë ura bashkëpunimi midis popujve, nevojitet e vërteta, bukuria, drejtësia dhe, mbi të gjitha, dashuria.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe hapja në sallën e Qendrës Kulturore e një ekspozite me objekte, partitura, botime, CD, fotografi etj., pjesë e koleksionit personal të kompozitorit Miki Theodhorakis.
Pikërisht një ditë më parë, më 17 nëntor, në paraklisin “Lindja e Krishtit”, të Kishës Katedrale, në orën 19.00 u organizua një natë poetike kushtuar poetëve të dashur të Mikit. Aktorja greke Katerina Zafiropulu dhe regjisori shqiptar Enkel Fejzollari recituan në të dyja gjuhët poema të Elitit, Ricos, Livadhitit dhe të poetëve të tjerë, të shoqëruar nga sfondi muzikor, që krijoi Stefanos Papangelidhis- Theodhorakis, nipi i kompozitorit Miki Theodhorakis.
Në gazetën “Kathimerini” të atyre ditëve, Juli Eptakili kishte shkruar këto fjalë të mrekullueshme:
“Edhe pse pa mikrofon, për shkak të një defekti të papritur teknik, fjalët e Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, Anastasit, u dëgjuan të fuqishme, prekën zemrën e publikut, aq sa mendoje se po mbante frymën gjatë kohës që po fliste Kryepiskopi për të vërtetën, bukurinë, dashurinë, triptikun që duhet të ndriçojë dhe të përcaktojë jetën tonë.
Ajo çka jetuam mbrëmjen e së shtunës së kaluar në Qendrën Kulturore të Kishës së re Katedrale të Tiranës “Ngjallja e Krishtit”, ishte një dhuratë shumë e vyer.
Ky kompleks, si gur i çmuar në qendër të qytetit, është një “gur” tjetër në veprën shumëdimensionale të Kryepiskopit Anastas gjatë ecurisë së tij në Shqipëri për 25 vjet, vepër për ringritjen e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë nga gërmadhat, vepër në fushën e shëndetit, arsimit, vepër humanitare, kulturore, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Jubileu i argjendtë i Kryepiskopit Anastas, u bë shkak për “një takim” të rrallë me Miki Theodhorakin, edhe pse kompozitori i madh nuk arriti dot të vinte për herë të dytë në kryeqytetin shqiptar, pas koncertit historik që kishte dhënë këtu në vitin 1988.
Por atje ishin orkestra “Mikis Theodhorakis” dhe vajza e tij e Margarita, si dhe këngëtarët e shquar Kostas Makedhonas dhe Sofia Papazoglu, që interpretuan krijime në kohë të ndryshme të Mikit. Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, politikanë, biznesmenë dhe natyrisht njerëz të shumtë që e mbushën përplot teatrin, si dhe shumë qytetarë grekë të emocionuar, që këndonin me zë të ulët këngë me poezi të Jani Ricos, Niko Gacos, Odisea Elitit, Dhimitri Kristodhulu, Taso Livadhitit, duartrokitën nxehtësisht orkestrën e jashtëzakonshme, ku luante dhe nipi i kompozitorit, Stefani, si dhe interpretuesit.
Një natë më parë, të premten, më 17 nëntor, në paraklisin e Lindjes së Krishtit, regjisori Enkel Fejzollari dhe aktorja Katerina Zafiropulu recituan në shqip dhe greqisht, në shoqërinë e muzikës klasike, poetët e dashur të Mikit. Ishte hera e parë që publiku pati rastin të admirojë nga afër veprën mbresëlënëse të pikturës të Kristo Papanikolaut, vepër jete, si dhe një stad i ri në pikturën bizantine.
“Bëni rezistencë cilësore”, ishin disa nga fjalët e Kryepiskopit Anastas që morëm me vete, nga “Anastasi i zemrave tona”, siç shkruante në përshëndetjen e tij Mikis. Këta dy fare të rëndësishme të Orthodhoksisë dhe të kulturës greke”.