/Kujto Perëndinë në kohën e Rinisë tënde! Mitropoliti i Elbasanit Hirësi Andoni Manastiri i hirshëm i Shën Joan Vladimirit Temë e mbajtur me të rinjtë e Kishës sonë

Kujto Perëndinë në kohën e Rinisë tënde! Mitropoliti i Elbasanit Hirësi Andoni Manastiri i hirshëm i Shën Joan Vladimirit Temë e mbajtur me të rinjtë e Kishës sonë

Kujto Perëndinë në kohën e Rinisë tënde!

Mitropoliti i Elbasanit Hirësi Andoni

Manastiri i hirshëm i Shën Joan Vladimirit

Temë e mbajtur me të rinjtë e Kishës sonë

Tema është për të rinjtë, është marrë nga një varg në Shkrimin e Shenjtë ku thuhet: “Kujto Perëndinë në kohën e rinisë tënde” (Urtësia e Sirakut). Të gjithë e dimë edhe ju po e mësoni, se periudha e rinisë është një periudhë shumë e bukur. Ndoshta me të drejtë dikush mund të thotë që është periudha më e bukur e jetës së një njeriu për shkak sepse edhe emocionet, edhe përvojat, ngjarjet kryesore që ndodhin në këtë periudhë janë shumë të rëndësishme. Vendimet gjithashtu që merren në këtë periudhë janë po aq të rëndësishme, ato përcaktojnë jetën e çdo njeriu nga ai moment e tutje por gjithashtu në periudhën e rinisë janë të lidhura fortë edhe emocionet, dashuria, miqësia, sakrifica edhe shumë gjëra të tjera që në moshën rinore supozohet që të rinjtë i kanë më me bollëk edhe duhet t’i japin më të plota edhe pa u kursyer.

Duke u ndalur në temën e sotme do të themi disa gjëra lidhur me këtë këndvështrim, mbi mundësinë që Perëndia na ka dhënë secilit prej nesh që të vijmë në jetë. Ne e dimë shumë mirë që Perëndia na ka krijuar, dhe na thuhet që në Dhiatën e Vjetër që Perëndia na ka krijuar sipas ikonës së Tij ose imazhit të Tij dhe sipas ngjashmërisë së Tij. Kjo është shumë e rëndësishme për ne për ta kuptuar. Shpesh herë e dëgjojmë këtë fjalë por nuk arrijmë të mendojmë më gjatë dhe ndoshta nuk e kemi kuptuar mirë se ç’do të thotë diçka e tillë. Të jeshë i krijuar sipas ikonës së Perëndisë do të thotë që të kesh në radhë të parë mundësinë të komunikosh më Krijuesin, me Atë që të ka krijuar. Me të drejtë, ne mund të quhemi krijesa të Perëndisë por njëkohësisht në ndryshim nga shumë krijesa të tjera ne mund të quhemi edhe bijë të Perëndisë. Ky ishte destinacioni që Perëndia e krijoi njeriun, për ta pasur atë gjithmonë pranë, jo se Perëndia kishte nevojë për njeriun. Perëndia është i përjetshëm, Perëndia është i gjithëpushtetshëm por është edhe i vetmjaftueshëm, tek Perëndia nuk mungon asgjë, por këtë dashuri, këtë plotësi të Tij, Ai kërkon ta ndajë me të tjerët. Dhe ne e dimë që Perëndia ka krijuar Kryeëngjëj, Ëngjëj, Fuqira Qiellore gjithashtu Perëndia bëri edhe një krijim, një univers në të cilin ne jemi vendosur edhe në qendër të këtij krijimi që është toka, është njeriu. Njeriu u krijua si një perëndi i vogël në këtë krijim. Perëndia e krijoi gjithësinë. Dhe me të drejtë themi gjithsinë sepse në Zanafillë na thuhet që nga fillimi, sesi Perëndia e krijoi atë. Është interesante që gjithmonë e më tepër edhe përshkrimet, edhe studimet, edhe prezantime të ndryshme që vijnë nga bota e shkencës duke filluar nga “Big-beng” e shumë teori të tjera disi i afrohen edhe përshkrimit biblik e cila na flet që në fillim. Perëndia urdhëroi të bëhet dritë, dhe që aty filluan proçeset, njëra pas tjetrës, të krijimit. Aty u krijua gjithçka që ne shohim sot, krijoi tokën në të cilën jetojmë, krijoi bimësinë, gjallesat, çdo gjë ishte bukur por vetëm kur u krijua njeriu atëherë Perëndia tha është shumë bukur. Njeriu nuk ishte mirë të ishte i vetëm, ai kishte nevojë për një ndihmëse siç përshkruhet në Dhiatën e Vjetër në Librin e parë të Gjenezës. Do të thotë që kur u krijua njeriu ai ishte bukuria e krijimit. Pse e themi këtë? Sepse ishte njeriu ai që do t’i jepte lavdi Perëndisë për krijimin e Tij. Ne shpeshherë themi në Psalme të ndryshme, në lexime të ndryshme, gjatë Shërbesave se e gjithë krijesa e lavdëron Zotin. Ndoshta ne nuk e dimë por ndshta me të vërtetë krijesa e lavdëron, ndoshta dhe kafshët, shpendët, rrëshqanorët, peshqit edhe gjithçka që është në botën e oqeaneve dhe ujërave ndoshta kanë mënyrën e tyre që e lavdërojnë Zotin. Por ajo që është e rëndësishme është sepse është një qënie e logjikshme tashmë e cila do t’i jap lavdi Perëndisë dhe ky ishte njeriu.

Perëndia kur krijoi Adamin dhe Evën i vendosi ata në kushtet maksimale, do të thotë i krijoi një kopësht të bukur atë që e quajnë Kopshti i Edenit, shpesh herë ne e quajmë Parajsa, por fjala e saktë nuk është Parajsa por Kopështi i Edenit, në një farë mënyre ishte një parajsë tokësore.  Perëndia e vendosi njeriun në këtë Kopësht. Aty nuk mungonte asgjë, ai kishte gjithçka. E gjithë gjallesa na thuhet u paraqit përpara Adamit dhe Evës. Zoti i’a u solli përpara. Dhe kur Adami dhe Eva u njohën me kafshët na thuhet aty shumë shkurt, Adami i’u vendosi emër të gjithë kafshëve. Por që t’i vendosësh emër diçkaje, çfarë kërkohet në radhë të parë? Kërkohet ta njohësh, nëse nuk e njeh atëherë nuk vë dot emër. Vetëm pasi e njeh mund t’i vesh një emër që i përshtatet shumë mirë asaj që po sheh. Ashtu siç ajo funksionon ose për çfarë është krijuar. Në qoftë se nuk e njeh mirë atëherë më kujtohet një histori kur europianët vajtën për herë te parë në Australi. Vunë re një kafshë që nuk e kishin parë më përpara në Europë. Ishte ajo me dy këmbë ose dy duar përpara kështu dhe që kërcente me të dy këmbët dhe beben e mbante në një xhep ashtu. U bënë shumë kurioz sigurisht meqënëse nuk ishin të parët që ndodheshin në këtë kontinent. Aty ishin disa banorë autoktonë ose të ardhur më përpara sigurisht. Dhe kur i pyetën ata me shenja me mënyra donin të mësonin se si ata e quanin këtë kafshë. Duke i pyetur ata me këto shenja dëgjuan një fjalë qe thoshin ka nguru, ka nguru. Edhe menduan që a shumë bukur, këtë kafshë banorët vendas e quanin ka nguru ose kangur që  themi ne. Më vonë u mor vesh që fjala ka nguru do të thotë, nuk kuptoj. Do të thotë, që ata banorët vendas nuk kuptonin se çfarë po ju thoshte ky europiani. Ndërkohë europianët kuptuan sikur emri i kafshës ishte kanguru. Dhe ne faktikisht akoma nuk e dimë sesi e quanin ata banorë vendas këtë kafshë. Që do të thotë Adami, pati njohje, u prezantua me të gjithë krijimin. E bukura është se kush ja prezantoi, ishte vet Perëndia pra, sepse thotë, ja solli të gjitha kafshët një nga një dhe Adami i vuri emër. Kjo është interesante, shpesh herë nuk e mendojmë këtë. Ndoshta Zoti do sillte dhe do thoshte ky është Adam kanguruja ose sigurisht një emër tjetër. Ky tjetri do quhet kështu, kështu me radhë. Jo, Zoti i’a prezantoi Adamit, sigurisht që e bëri të njohur dhe tek Adami çfarë ishte secila nga gjallesat. Dhe vetëm kur Adami kishte kuptuar çfarë ishte atëherë i vendosi emër. Ajo që ka rëndësi në këtë detaj është që njeriu pra, ishte vendosur si zot në tokë. Ai kishte tashmë pushtet, gjithçka i ishte dhënë atij që të ishte i pari, por kishte dhe përgjegjësi. Duke qenë në Eden Perëndia i kishte siguruar gjithçka. Madje i kishte siguruar Adamit dhe Evës mundësinë që të mos vdisnin. Në mes të kopshtit na thuhet që ishte Pema e Jetës. Dhe Adami dhe Eva duke ngrënë nga ky frut, kishin mundësi që të mos vdisnin. Jo sepse nga natyra Adami dhe Eva ishin të pavdekshëm. Por Perëndia i’u jepte mundësinë atyre që të mos vdisnin. Duke ngrënë pra nga Fruti i Jetës. Sigurisht në kopësht ishin dhe shumë pemë e fruta të tjera. Ndoshta disa prej tyre janë zhdukur tashmë nga faqja e tokës. Por e dimë shumë mirë, që Edeni ishte i përsosur. Adami dhe Eva ishin në kushtet maksimale për tu zhvilluar në potencialin e tyre. Kur flasim për Adamin dhe Evën mendja na shkon tek dy njerëz të rritur ose më saktë tek një çift i ri. Por nga krahu tjetër duhet të kemi parasysh, Adami dhe Eva ishin po aq të rinj ose ndryshe aq foshnje sa është edhe një fëmijë. Ata nuk erdhën të ditur. Ata si çdo njeri që vjen në këtë botë, vjen nga hiçi. Perëndia e krijon ashtu siç krijon dhe atë foshnjen në barkun e nënës – që deri dje nuk egzistonte, askush nuk e dinte, askush nuk mund ta përfytyronte. E megjithatë me urdhrin e Zotit, një ditë ai vjen në këtë jetë. Askush nuk ka ardhur në këtë botë me dëshirën e tij. Dhe sigurisht as nuk duam të ikim me dëshirën tonë. Është Perëndia që na ka sjellë, atë që thamë: Perëndia ka një plan për secilin nga ne. Në Shkrimin e Shenjtë na thuhet dhe apostull Pavli thotë: “Përpara se të krijohej bota, do të thotë përpara se Perëndia të fillonte krijimin e Tij, të gjithë universin, të gjithë ne ishim në mendjen e Perëndisë”. Mendoni edhe njëherë, të gjithë ne kemi qenë në mendjen e Perëndisë me emër. Të gjithë juve keni qenë të programuar se kur do vini në këtë jetë. Këtë na thotë Shkrimi i Shenjtë dhe këtë duhet ta besojmë. Perëndia e ka sjellë secilin nga ne edhe në këtë takim. Asgjë nuk është e rastësishme. Në qoftë se nuk është e rastësishme ardhja jonë në këtë jetë, çdo gjë tjetër që ne hasim në jetë nuk është e rastësishme. Çdo gjë ka një arsye. Ajo që është e rëndësishme është që ta kuptojmë dhe ta besojmë që Perëndia ka një plan për secilin nga ne. Perëndia ka një plan për secilin nga ju.

Shpesh herë neve na duket që çdo gjë që ndodh është rastësi, disa mund të kenë më shumë fat dhe disa jo aq. Disa kanë aftësi më shumë, të tjerët ndoshta jo dhe aq shumë. E duket sikur në një farë mënyre, neve jemi produkt i një lloj rastësie ose ndryshe e një lloj si mund të thotë dikush, pabarazie. Dhe këtu fillon gënjeshtra e parë ose ndoshta mos e para, nga të parat. Të besojmë gabimisht që unë jam një rastësi. Çfarë do që ndodh në jetën time është rastësi. Qoftë edhe kur kam një sukses, qoftë edhe kur kam një dështim. Edhe pse  sigurisht ne suksesin ja dedikojmë shumë shpejt vetes tonë. Por edhe këtë e konsiderojmë një rastësi, që unë isha i suksesshëm. Ndërkohë që duhet të besojmë brenda nesh, që ne nuk jemi produkt i rastësisë. Ju keni dëgjuar dhe shprehjen kur Zoti Krisht thotë: “As edhe një qime nga flokët tuaj nuk do të bjeri, të gjitha janë të numëruara”. Edhe kur bie ajo është zbritur në numrin e flokëve tuaj. Do të thotë kaq me detaje Perëndia na njeh dhe na ka shoqëruar të vijmë në këtë jetë. Kur Zoti krijoi Adamin me Evën Ai kishte një plan me ta. Ne e dimë se çfarë ndodhi në Eden. E dimë se si plani i Perëndisë, ose të themi më saktë, plani A nuk funksionoi. Adami dhe Eva ndryshe nga çfarë ishin porositur nuk e ndoqën porosinë e Perëndisë që ishte të mos hanin nga fruti njohjes i të së mirës dhe të së keqes. Fruti nuk është molla, zakonisht kemi parë mollën por në Zanafillë nuk na thuhet se çfarë ishte ai fruti. Ashtu siç nuk e dimë se çfarë ishte ai fruti tjetër, fruti i jetës, të cilën mund ta hanin. Ndërsa fruti i ndaluar që e bënte njeriun të njihte të mirën dhe të keqen ai nuk duhej ngrënë. Shumë njerëz pyesin po pse Adami dhe Eva nuk duhet ta hanin këtë frut? Ose mos ndoshta do vinte një kohë edhe do ju lejohej Adamit dhe Evës ta hanin frutin? Sigurisht këto janë pyetje të mundshme, që presin dhe përgjigje të mundshme. Por për të qenë të saktë nga ana teologjike, asnjeherë nuk mund t’i përgjigjemi një pyetje që fillon nëse. Sepse ne nuk besojmë në hamendësi por ne besojmë në zbulesë. Atë që Perëndia na ka zbuluar dhe në ato gjëra që kanë ngjarë. Asgjë që ne besojmë nuk është hamendësi. Por megjithatë, përmbi ato që Perëndia na ka zbuluar, kuptojmë që Adami dhe Eva nuk ishin gati të hanin nga fruti i njohjes i të së mirës dhe të së keqes. Pse Perëndia e kishte vendosur në kopshtin e Edenit? Sigurisht që ishte një provë që duhet ta kalonin. Një provë bindje, një provë besimi dhe një provë pjekurie. Mardhënia me Zotin shpesh herë njerëzit e konceptojnë pak të çuditshme. Si një fuqi e madhe që ndodhet larg, që ndoshta shikon çfarë bëhet dhe ndoshta i përgjigjet pyetjeve ose kërkesave dhe lutjeve tona. Ndërkohë Perëndia nuk është kaq i largët. Dhe Perëndia nuk do të komunikojë me ne vetëm në këtë formë. Perëndia është aq pranë nesh sa ne s’jemi me veten tonë. Shpesh herë ne bëhemi të huaj edhe për veten tonë. Ndonjëherë edhe veten tonë nuk e njohim, se kush jemi në të vërtetë. Ndoshta përpara të tjerëve jemi të qartë se kush jemi, ose ju kemi bërë të qartë atyre se kush duam ne të jemi. Por edhe vetë thellë nuk e dimë se kush jemi. Por kjo nuk vlen me Perëndinë. Perëndia na njeh shumë, shumë mirë, nuk ka asgjë të fshehtë përpara Tij. Problemi është nëse ne duam ta njohim Perëndinë. Perëndia kërkon nga ne një mardhënie shumë personale. Më lejoni të ndaj diçka timen. Ne jetuam në një periudhë që ende nuk lejohej besimi. Në një periudhë që edhe të doje të besoje, do ishte e vështirë të gjeje njerëz që besonin, por edhe të kishin mundësi të të shpjegonin gjërat e besimit. Dhe ishte akoma më e vështirë të gjeje materiale të shkruara që të qarkullonin dhe të kishe mundësi edhe ti, të njihje Zotin. Por një nga gjërat e para që më ka bërë përshtypje, pasi njohëm besimin, filluam rrugën e Zotit, ishte fakti që një njeri mund të flasi me Perëndinë. Kjo nuk më çudiste shumë sepse kishim një ide që mund t’i lutemi Zotit. Por ajo që më çuditi më tepër është fakti që ne mund ta njohim Zotin dhe madje Zoti mund të na flasi ne. Zoti mund të më flasi mua. Unë këtë nuk e prisja, mendova që Zoti mund ti përgjigjet lutjeve të mia. I kërkoj diçka, Ai ma sjell. I kërkoj një ndihmë, Ai më ndihmon. Por që Ai të më flasi mua dhe unë ta dëgjoj Atë, të bindem që ky është zëri i Zotit, këtë se kisha përfytyruar ndonjëherë. Por në udhëtimin tonë shpirtëror në besim, e kuptojmë shumë mirë që Zoti është personi të cilin ne na mungon. Është personi të cilin duhet të kërkojmë. Në qoftë se njerëzit sot kanë pasiguri dhe po flas për njerëzit, për ju pra, nëqoftë se ju ndjeheni shpesh herë të pasigurtë, nëqoftë se ndonjëherë ndiheni dhe shpesh herë ndoshta jeni të frikësuar, ndonjëherë ndiheni të vetmuar, të keqkuptuar. Shumë nga këto pyetje, e shumë nga këto paqartësi vijnë sepse neve na ka humbur kontakti me Zotin. Në momentin kur ne humbim Perëndinë, atëherë çdo gjë tjetër bëhet e turbullt. Atëherë çdo gjë tjetër bëhet e pasigurt, çdo gjë që duket e vërtetë në një moment mund të shkërmoqet dhe mbi diçka tjetër që ti se ke menduar ndonjëherë, ajo të kthehet në një pengesë të pakapërcyeshme. Ndërkohë që Zoti kërkon nga ne, që ne ta njohim Atë, të flasim me Të.

Sa nga ju realisht kur janë lutur, ka pritur që Perëndia t’i flasë atij në zemrën e tij? Sa prej jush kanë patur bindjen, që fjalët që po thoni, Zoti i dëgjon? Sigurisht, që jo përherë. Ne kemi nevojë që të nxisim veten tonë, të dalim nga plogështia që na imponon jeta, rrethanat edhe njerëzit me të cilët jemi të shoqëruar në angazhimet tona të përditshme, duke filluar nga shtëpia e duke shkuar në shkollë, në punë e kështu me radhë me shoqërinë në të cilën sillemi vërdallë.

Filluam duke thënë që ju jeni në një periudhë shumë të rëndësishme të jetës tuaj. Jeni në këtë moshë rinore, ju jeni Adami dhe Eva. Jeni në këtë startim për këtë jetë. Zoti mburret me ju. Ju jeni krijesat e Zotit. Nuk e di si e shikoni veten ju, por Zoti kur shikon tek ty, shikon fytyrën e tij. Kur Zoti më shikon mua, Ai shikon fytyrën e Tij. Mendojeni, në qoftë se dyshoni brenda në zemër do të thotë që s’ke kuptuar çdo të thotë se, ti je bërë në imazhin e Zotit. Ti je krijesa më e lartë që ka bërë Zoti në tokë. E kuptoj në qoftë se dyshoni, e kuptoj gjithashtu në qoftë se i’u duket gjë e madhe. Sepse vazhdimisht dëgjoni gjëra të tjera, vazhdimisht ju pëshpërisin gjëra të tjera, vazhdimisht edhe ju e zhgënjeni veten tuaj. Dhe kur them ju, të gjithë ne bashkë. Por një nga detyrat tona është të demaskojmë gënjeshtrat e Djallit, të kundërshtojmë gënjeshtrat e Djallit. Këtë, Etërit e Kishës e quanin luftë shpirtërore. Jo vetëm përpjekje shpirtërore, por këtë e quanin luftë shpirtërore. Është me të vërtetë betejë. Dhe ashtu siç në betejë do ketë të plagosur, do ketë të vrarë dhe mos u habisni që përmend këto lloj termash, sepse armiku ynë kryesor nuk janë njerëzit, as nuk janë ata që mendojmë ndoshta s’na kuptojnë që janë sjellë keq me ne. Armiku jonë kryesor është Djalli, ai ka qenë që nga fillimi. Përveç pemës të njohjes të së mirës dhe të keqes, ne e dimë shumë mirë që ishte edhe dikush tjetër që i nxiti ata të hanin. Ai ishte Djalli. Ai ishte ziliqari më i madh kur u krijua njeriu. Nuk i pëlqeu dhe as mund ta pranonte, që Zoti krijoi një krijesë më të lartë se ëngjëjt. Madje ëngjëjt do t’i shërbenin njeriut. Djalli dikur kishte qenë dhe ai një ëngjëll. Na thuhet në Shkrimin e Shenjtë që rrebelohet ndaj Perëndisë. Dhe në kohën kur Perëndia e krijoi Adamin dhe Evën, tashmë Djalli kishte rënë nga pozitat në të cilat Perëndia e kishte vendosur. Dhe kjo betejë dhe luftë midis Djallit dhe kjo armiqësi e Djallit me njeriun vazhdon edhe sot e kësaj dite. Ajo sd’o pushojë derisa Zoti Krisht të vijë herën e dytë për ta hedhur Djallin në Ferr.

Sigurisht që Djalli ndodhej në parajsë ose në Eden siç thamë me lejen e Perëndisë.

Shpesh herë njerëzit ankohen edhe thonë që, përse Zoti lejon që të ketë sëmundje? Përse Zoti lejon të ketë vuajtje? Madje shpesh herë vuajnë njerëzit e drejtë dhe njerëzit e padrejtë mund të përparojnë e të kenë pasuri edhe të mos ju ndodhi gjë. Sigurisht në qoftë se do e kuptonim më mirë se çfarë kishte ndodhur në historinë e njeriut, do kishim kuptuar që njeriu i kthehu krahët Perëndisë. Sigurisht i nxitur edhe nga djalli. Por vendimi ishte i tyre. Sepse preferuan më shumë fjalët edhe premtimet e të Ligut, se sa premtimet e Perëndisë. Mos ndoshta jemi duke fajësuar Adamin dhe Evën? Mendon ndonjëri se po të ishte në vendin e tyre do kishte bërë më mirë se ata? Nuk ka mundësi. Ata mund të ishin ndoshta zgjidhja ose zgjedhja më e mirë që Perëndia mund të kishte bërë. Dhe kur flasim për Adamin dhe Evën, ata nuk janë thjesht dy persona po aty është e gjithë gjinia njerëzore.  Gjithçka e mirë që Perëndia kishte për njeriun, e veshi tek Adami dhe Eva. Për këtë arsye Etërit e Kishës besojnë, që nëqoftë se ka njerëz që janë penduar për fajin e tyre dhe ne kemi dëgjuar për shumë shenjtorë që kanë ndenjur me vite duke qarë e duke asketuar, e duke kreshmuar, e duke u lutur, e duke u përulur sa që jetët e tyre të habisin me përulësinë e tyre. E megjithatë besohet që dy njerëzit që kanë arritur ndoshta pendimin më të thellë, ju shkon mendja pra – janë Adami dhe Eva. Dhe ka një shkrim të bukur gjithashtu dhe nga Shën Siluani i Malit të Shenjtë, i cili flet për pendimin  e Adamit dhe Evës. Flet në një mënyrë poetike, është e përkthyer dhe në shqip. Ju ftoj që kur te keni kohë ta lexoni. Pra, Adami dhe Eva nuk ishin dy njerëz të rastësishëm, ishin më të mirët që mund të kemi. Ata janë prindërit tanë. Për këtë arsye edhe gabimi i tyre ka pasoja edhe tek ne.  Dhe kjo gjë vazhdon edhe sot e kësaj  dite. Çdo mëkat, çdo faj yni, nuk është vetëm i yni është edhe i fëmijëve tanë, i nipërve tanë e kështu me radhë.

Ne mbartim në veten tonë të gjitha fajet, mëkatet e paraardhësve tanë. Në qoftë se kemi probleme me shëndetin, nuk është  faji i Zotit. Në qoftë se kemi probleme me mëkatin nuk është faji i Zotit. Këto janë fajet tona. Shpeshherë i drejtojmë gishtin të tjerëve, duke menduar që faji i tyre është më i madh se i joni. Dhe zakonisht nuk është kështu. Por kështu e shikojmë dhe na pëlqen ta shikojmë. Por edhe sikur faji i të tjerëve të jetë më i madh se i yni, Shenjtorët ishin shembulli më i mirë. Ata e shikonin veten e tyre si mëkatarët më të mëdhenj në botë. Jo se kishin bërë kaq shumë mëkate por sepse e kishin njohur peshën e mëkatit. Përpara Zotit nuk ka nevojë të jesh mëkatar i madh. Shumë njerëz thonë, po unë s’kam bërë ndonjë gjë të keqe, s’kam vrarë njeri, s’kam vjedhur, s’kam bërë ndonjë gjë dhe shumë shpejt mendon se justifikon veten e tij sepse varet çdo njeri, çfarë kriteresh ka. Ndërsa përpara Zotit kriteret janë të tjera. Kriteri është shenjtëria. Të jetosh pranë Zotit nuk është aspak e lehtë. Nuk është një çështje e thjeshtë. Prandaj dhe Adami dhe Eva nuk e kishin të lehtë. Me gjithë kushtet maksimale që Zoti i’u dha në Kopshtin e Edenit. Nuk i mungonte asgjë po nga krahu tjetër ata duhet të shoqërohehin me Perëndinë. Perëndia kishte bërë të mundur që ky shoqërim, kjo bisedë të bëhej në kushtet optimale. Adami dhe Eva kur takonin Zotin nuk trembeshin. Po çfarë dimë nga historitë e ndryshme nga Dhjata e Vjetër edhe nga Dhjata e Re por edhe nga Etërit e Kishës. Jo kur shfaqet Zoti por edhe një ëngjëll i Zotit të shfaqet njerëzit binin si të vdekur në tokë. Dhe fjala e parë që zakonisht ëngjëlli kur i shfaqej njerëzve i thoshte, cila ishte? Mos ki frikë, sepse i kapte një panik i madh dhe në atë moment mund të humbiste ndjenjat dhe ëngjëlli nuk mund t’i thoshte dot mesazhin, duke i thënë mos ki frikë në të njëjtën kohë i jepte dhe forcë i jepte kurajo që të qëndronte para lavdisë së ëngjëllit. Mendoni, Adami dhe Eva ishin duke biseduar me Perëndinë, Perëndia i tregonte Adamit kafshët dhe ai i vendoste emrat e megjithatë nuk është e lehtë të jesh pranë Perëndisë.

Historia na tregoi që plani A dështoi, Adami dhe Eva mëkatuan, nuk e mbajtën porosinë, nuk e vazhduan udhëtimin e tyre në kopështin e Edenit. Perëndia kishte thënë në qoftë se nuk e ruani porosinë time nuk mund të rrini më në Eden. Dhe ne na duket sikur Zoti i mallkoi, dhe faktikisht në Shkrimin e Shenjtë ashtu thuhet, Zoti mallkoi gjarprin, mallkoi Evën, mallkoi dhe Adamin. Por mallkimi nuk ishte i Zotit, mallkimi ishte i njeriut, njeriu zgjodhi të mos i qëndroi fjalës së Perëndisë. Që nga ai moment ne do provojmë pasojat, do të thotë mëkati është zgjedhja jonë, nuk është nga Perëndia, mëkati nuk ka esencë, nuk është krijuar mëkati. Çfarë është mëkati? Mëkati është vullneti ynë, në momentin e parë kur ne nuk bëjmë vullnetin e Zotit çfarë kemi bërë, automatikisht ne kemi rënë në mëkat. Dhe fjala mëkat “amartia”(që është në greqisht) do të thotë që ne nuk do bëjmë dot atë që do donim të bënim ose atë që Zoti kërkon që të bëjmë. Sado të përpiqemi ne përherë do të jemi më poshtë se sa atje ku na kërkon Zoti.

Pse? Sepse tashmë ne kemi dështuar, Adami dhe Eva dështuan nuk mund të rrinin dot më në Kopshtin e Edenit, qe nga ai moment njerëzit do të fillojnë të vuajnë. Zoti mallkoi token – do të mbijnë barishte, ferra, sado njeriu të lodhet dhe ta punoj tokën. Që do të thotë çdo gjë që të bëjë njeriu prapë do të ketë mundime, gruas gjithashtu i tha do të kesh mundime kur të lindësh, edhe burri gjithashtu për të siguruar jetën. Që nga ai moment njerëzit do të vdisnin, ishin të vdekshëm. Nuk kishin mundësi dot të hanin nga ai fruti që ishte në Eden. Kjo është arsyeja që sot ka vuajtje në botë, kjo është arsyeja që njerëzit pyesin, përse vuajnë sot njerëzit, përse kemi një botë të tillë, pse mos të ishte ndryshe, pse njeriu duhet të lodhet kaq shumë, që kur lind qan, duhet të rrish ta edukosh, të kujdesesh dhe ka shumë mundësi prapë mos të rritet ashtu si do donim të rritet. Pa folur pastaj për sëmundjet, vuajtjet, tragjeditë e gjithçka tjetër.

Ne na duhet të kuptojmë shumë mirë çfarë realisht ka ngjarë, çfarë ka ndodhur. Dhe këtu kuptojmë që plani i Perëndisë ishte ndërprerë, kishte devijuar, atëher Perëndia sigurisht kishte dhe një plan B, për Zotin nuk ishte çudi që Adami dhe Eva dështuan, për Zotin historia e njerëzimit ka përfunduar që nga momenti që e ka krijuar. Perëndia është jashtë kohës dhe hapsirës.  Dikur këto fjalë që i thonin Etërit dukeshin pa kuptim. Shkenca sot na flet për një vend ose për një mundësi që është jashtë kohës dhe hapsirës. Zoti është atje, edhe në momentin që Zoti i krijojë e dinte shumë mirë se çfarë do të ndodhte por Adamit dhe Evës edhe rracës njerëzore i dha mundësinë, por gjithashtu kishte përgatitur edhe një plan B. Ky është Lajmi i Mirë. Në momentin kur Zoti mallkoi Evën çfarë i tha? Nga fara jote do  të vij ai që do të shtypi kokën e gjarprit. Që nga momenti që njeriu mëkatoi për herë të parë Perëndia i dha gjithashtu shpresë. Njeriu bëhet i vdekshëm por shkaktari i mëkatit fillestar ishte Djalli, ai do të mundet bashkë me të edhe mëkati. Perëndia nuk do ta linte krijesën e Tij të humbiste, ndryshte s’kishte pse e krijonte duke e ditur që njeriu do të binte në mëkat. Plani i Perëndisë funksionon edhe sot, ne jemi Adami dhe Eva të përzënë nga Kopështi i Edenit por Zoti ende na thërret. Sigurisht ishte e pamundur për njeriun të shpëtonte vet nga mëkati, njeriu e humbi atë mundësi dhe nëse do ta fitonte përsëri do ishte vetëm Zoti që do mund ta bënte, për këtë arsye u desh një Adam tjetër. Adami i parë dështoi, Adami i dytë nuk mund të ishte si i pari, siç thamë më të mirë se ai s’kishim ku ta gjenim, atëherë Zoti erdhi Vet, Zoti u bë vet Adami në formën e Jisu Krishtit. Fjala e Perëndisë që na krijoi, që ishte pranë Perëndisë bashkë me Atin dhe me Shpirtin e Shenjtë trupëzohet, mishërohet bëhet njeri. Perëndia vjen në tokë, përulet, merr formë shërbëtori, merr formën e krijesës, Perëndia bëhet njeri, pse? Që ta marri këtë njeri e ta ngrejë përsëri atje ku ishte destinuar për të qenë, do të thotë pranë Perëndisë. Këtë njeri, Zoti e merr me veten e tij, na merr madje të gjithë ne bashkë me të prandaj quhet Adami i ri, Krishti, dhe ai na përfaqëson të gjthë ne, sepse është si ne, ka gjithçka që kemi ne, është me mish, me kocka, me ndjenja, gjithçka por pa mëkat ashtu siç ishte Adami i parë edhe ai kur u krijua nuk kishte mëkat. Adami i dytë do e realizoi atë për të cilën Adami i parë dështoi dhe Zoti merr mëkatet tona, mund t’i marri, është vet pa mëkat dhe është Zot, ka fuqi, mund të marri mëkatet tona. Askush tjetër s’mund t’i merrte mëkatet tona, secili do vuajë për mëkatin e vet, Zoti mund ta bëj këtë dhe lavdi Zotit që e bëri. Zoti merr trupin tonë, e merr dhe e ndëshkon për fajet që ka bërë, edhe fjala ‘ndëshkon’ ka shumë kuptime të thella shpirtërore por për ta shprehur thjesht përdorim disa terma por Zoti e gozhdon trupin tonë njerëzor në kryq për të vrarë mëkatin. Zoti i dha fund mëkatit sepse u ngjall, nëse Zoti do të kishte vdekur dhe do të mbetej në varr atëherë Ferri është më i fortë, njeriu nuk shpëton dot. Por Zoti e ngjalli trupin e Tij njerëzor, e mundi vdekjen dhe njëkohësisht edhe Djallin, armikun historik të njeriut. “O vdekje ku është pushteti yt” këto do të psalim gjatë kësaj periudhe të Pashkës. Ne kaluam nëpërmjet Javës së Madhe kur kujtuam gjithë sakrificën e Zotit tonë Jisu Krisht me mishërimin e tij, ungjillëzimin, momentin e parë kur ëngjëlli njofton që Hyjlindësja do të mbarset e do të lindi një djalë i cili do të quhet Emanuel, Perëndia bashkë me ne por ai Emanuel do të vuaj për mëkatet tona por do të ngjallet. Kjo është Pashka, kjo është fitorja, ky është lajmi i mirë, nuk ka lajm tjetër të mirë, i vetmi lajm i mirë, Ungjilli. Lajmi i mirë është ky: ”Zoti e mundi vdekjen”. Nuk ka premtim tjetër sado i madh të jetë sado i bukur të jetë, sado i lakmueshëm të jetë, të gjitha premtimet e tjera përfundojnë në varr. Sepse ato kanë në vetvete peshën e mëkatit, i vetmi premtim është jeta nëpërmjet Zotit Krisht.

Zoti Krisht kërkon nga ne atë që kërkoi edhe nga Adami, shoqërinë me Atë. Njeriu është bërë për të jetuar me Perëndinë, nuk është bërë për të jetuar me veten e tij, nëse nuk e kuptojmë këtë, do të sorollatemi kot të kërkojmë gjëra të tjera ato që në Dhiatën e Vjetër quheshin idhuj. Shumë popuj kishin krijuar idhujt e tyre, sipas dëshirave të tyre, sipas madhësisë së tyre dhe donin të plotësonin dëshirat e tyre nëpërmjet kësaj forme duke adhuruar idhujt dhe Zoti në Dhiatën e Vjetër është shumë xheloz me popullin e tij. E quante shkuarjen pas idhujve tradhëti, tradhëti bashkëshortore, mendoni sa e rëndë ishte fjala në atë kohë dhe sa e vërtetë është në të njëjtën kohë Zoti është xheloz për secilin nga ne nuk kërkon të na humbasë, nuk kërkon që ne të shkojmë me të tjerët, me idhuj të tjerë. Dhe çfarë janë idhujt? Idhujt janë çdo gjë tjetër që na bën ta zëvëndësojmë Zotin, mos ta kërkojmë tek Zoti por ta kërkojmë tek ata të tjerët, dëshirat materiale, dëshirat e ndryshme të trupit, çdo gjë tjetër që ne kërkojmë e jo nga Zoti. Ne e kemi vendosur veten tonë shpesh herë dhe jemi ne idhulli, e bëjmë veten tonë idhull, adhurojmë veten tonë, mendimet tona, bukurinë tonë, gjithçka tonën. I vetmi që meriton nderim, adhurim është vetëm Zoti. Për këtë arsye Zoti kërkon nga ju rininë tuaj, Zoti është xheloz për rininë tuaj. Ai nuk do që ta humbisni me të tjerët, Zoti kërkon të jeni pranë Tij, dhe ku ka më bukur se sa t’i jepni Zotit rininë tuaj, do të thotë dashurinë tuaj, pasionin tuaj, sakrificën tuaj, mundin tuaj, dëshirat tuaja, ëndërrat tuaja, besojani Zotit të jeni të sigurtë që i keni lënë në duar të sigurta gjitçka që keni sepse Zoti ka një plan me ju. Zoti me secalin nga ju ka një plan, e keqja është se ne shikojmë çfarë planesh bëjnë të tjerët dhe harrojmë të merremi me planin e jetës tonë. Ndonjëherë duam të imitojmë të tjerët ose ata që janë shumë të shenjtë ose disa të tjerë që mendojmë të jemi dhe ne si ata. Eshtë një histori shumë e bukur: “Ishte një person i cili quhej Jair vjen nga tradita judaike. Jairi vazhdimisht kishte merak se si do paraqitem para Zotit dhe Zoti do më thotë Jair, iku rinia jote, ja tani u plake, pse nuk ishe si Davidi që luftoi për mua pse s’kishe zemrën e Davidit, pse s’kishe bujarinë e Abrahamit, pse s’ishe i fortë si Moisiu, pse s’u pendove si Adami, këto ishin mendimet e Jairit dhe thuhet që kur Jairi ndërroi jetë u paraqit përpara Zotit dhe Zoti i thotë: Jair, pse nuk ishe Jairi”?

Do të thotë që ti do të bësh atë që të ishte dhënë për të bërë. Pse nuk i deshe prindërit e tu? Pse nuk ishe i duruar me motrën, vëllain, gruan, burrin, komshiun, kushurinjët, shokun, shoqen, secili nga ju ka potencial ta përmbushi misionin e tij, mos ëndërroni me sy hapur por ëndërroni me sytë e Zotit që Djalli kërkon të na e heq, të na vendosi idhuj përpara.

Ne mund të bëjmë idhuj gjithçka, edhe shokun, edhe shoqen çdokush na duket më i mire, më i bukur, më të zgjuar edhe të tjerë mendojnë për ne ashtu. Kjo është trgjedia dhe fatkeqësia e njerëzve. Për secalin nga ne mbetet një thirrje e vazhdueshme t’i afrohemi Zotit, të fillojmë që këtu të jetojmë me Zotin, të fillojmë që këtu ta dëgjojmë zërin e Tij sepse ndryshe nuk do të kemi mundësi edhe ne të jemi me Zotin në jetën tjetër sepse të jesh me Zotin është një vendim, është një zgjedhje dhe Zoti thotë kush kërkon, kush dëshiron, ata mund të vijnë pas meje.

Besimi është vendim dhe vendimi është një çështje shumë serioze, nëse duam të jemi serioz përpara Perëndisë, përpara vetes dhe përpara të tjetëve. Dhe sot ashtu si çdo herë që Zoti na flet është momenti të vendosim nëse dua ta besoj Zotin në jetën time, të jetë Ai që do të udhëheqi jetën time, të jetë fjala e Tij që të zër vend në mendjen time, në zemrën time, në besimin tim. Jo si shumë të tjetë që mendojnë se besojnë tek Zoti por në fund i besojnë mendjes së tyre, fjalëve të tyre dhe veprave të tyre. Ndërsa Zoti na fton që të jemi ndjekësit e Tij. Kush dëshiron le të vij pas meje, ta mohojë veten e tij, mos të dëgjojë më mendjen e tij por le të marri mendjen e Krishtit. Kjo është thirrja e apostull Pavlit, kjo është edhe lutja ime për ju që mendja e Krishtit, dituria e Tij, të banoj tek ju me gjithë plotësinë e Tij. Amin. 

Kujto Perëndinë në kohën e Rinisë tënde!

Mitropoliti i Elbasanit Hirësi Andoni

Manastiri i hirshëm i Shën Joan Vladimirit