/Kujtimi i Martirit të madh Shën Mina Çudibërësit

Kujtimi i Martirit të madh Shën Mina Çudibërësit

Dëshmi e Patrembur

“Kushdo,pra, që të më pohojë përpara njerëzve,
edhe unë do ta pohoj atë përpara Atit tim që është në qiejt”
(Mat. 10:32)

Ekzistojnë shenjtorë që nderohen vetëm në një vend, në një krahinë apo në një komb. Por shën Minai nderohet kudo dhe nga i gjithë krishterimi. Nderohet në Egjipt dhe në të gjithë Afrikën. Nderohet në Greqi, në Evropë dhe në të gjithë lindjen. Do të gjeni tempuj dhe manastire të shën Minait, në ishuj, në Kretë, në Hio, në Egjina, në Kostandinopojë, në Maqedoni, në Romë, në Shqipëri dhe në thellësitë e kontinentit të zi.

Por, përse ky shenjtor nderohet kaq shumë? Ai nuk shkroi letra dhe as nuk është i tanishëm. Po. Por nderohet se duroi tortura të ashpra dhe çnjerëzore, për besën e Krishtit. Mrekulli të panumërta bëri dhe bën vazhdimisht. Këto e imponuan në shpirtin e popullit. Shekujt që kaluan nuk arritën ta rrëzojnë në harresë.

I

Lindi në Nikio, në Kajron e sotme të Egjiptit, rreth vitit 250 pas K. Mina ishte emri i Tij. Prindërit e tij ishin idhujtarë fanatikë. E megjithatë, prej këtyre prindërve të mashtruar dhe të verbuar kaq shumë, doli ai martir i lavdëruar dhe mundës i shkëlqyer i Krishtit. Nga gjembi doli trëndafil. Në një ambient të tillë u rrit Minai. Dhe, kur arriti në moshë burrërore, hyri vullnetar në ushtrinë romake, në urdhrin që quhej Rutalianon. Dhe ishte nën urdhrat e një gjenerali që quhej Firmilian.

Perandor atëherë, që sundonte Perëndimin dhe Afrikën, ishte Maksimiani, dhëndri i Dioklicianit, luftuesit të Krishtit, i cili sundonte në Lindje.

Që adoleshent njohu besën e krishterë dhe iu përkushtua asaj me gjithë nxehtësinë e shpirtit. Duke shërbyer në ushtri, ishte lodhur me moralin e ulët të ambientit të atjeshëm dhe duke mos duruar më të shihte mashtrimin e idhujve të shtrihet, të tregohet arrogant dhe t’i nënshtrojë të krishterët në tortura të frikshme, e braktisi ushtrinë, bashkë me disa të tjerë, që ndanin të njëjtin mendim, dhe shkoi në malin Kotiaio të Frigjisë, krahinë e Azisë së Vogël, ku iu përkushtua pastrimit të brendshëm dhe rilindjes shpirtërore, me kreshmë, lutje, agripni, studim të Shkrimit së Shenjtë dhe duke ushtruar drejtësinë dhe filantropinë.

Kështu, i armatosur me gjithë armët shpirtërore, zbriti nga mali, i mbushur me besë dhe zell hyjnor, për të lëvizur midis idhujtarëve, në një ditë panairi, duke shpallur me guxim se vetëm Krishti është Perëndia i vërtetë. Prezent ishte dhe gjyqtari i qytetit, me emrin Pirro, i cili mori përsipër ta gjykojë duke i thënë Shenjtorit: “Si guxon, me paturpësi, të trazosh këtë panair fetar?” Me propozime mashtruese në fillim dhe kërcënime më vonë, përpiqej ta bindë Shenjtorin të mohojë besën e krishterë.

Atëherë Minai, me guxim dhe trimëri, iu përgjigj pyetjeve të prijësit: “E kam prejardhjen nga Egjipti. Jam i krishterë dhe quhem Mina. Isha ushtar dhe, duke parë pabesinë e idhujtarëve, ika në mal. Erdha tani të pohoj Krishtin. Besoj se i krishteri duhet ta dëshmojë haptazi besën e tij dhe të mos u trembet atyre, që mund të na vrasin trupin, por jo shpirtin…”. Asgjë nuk mundi ta përkulë dhe ta gjunjëzojë Shenjtorin dhe, prijësi, i pafuqishëm para atij shpirti të pandalshëm, dha vendimin e tij: “Mina egjiptianit, që shau perënditë, urdhëroj t’i pritet koka”.

Prijësi, në pjesëmarrjen e turmave të inatosura, e vendosi në tortura të frikshme. Shenjtori, deri në momentin e fundit, me besë te Krishti dhe me ndihmën e Hirit Hyjnor, duke duruar torturat, lavdëronte Perëndinë, predikonte triumfin e krishterimit dhe iu lut Zotit të ndihmojë ata, që i thërrasin për ndihmë.

Përfundimisht, përkuli qafën e tij, paqësisht, nën shpatën e xhelatit dhe koka e tij e nderuar ra në tokë bashkë me trupin e tij të dërrmuar; kurse shpirti i tij fluturoi drejt Krishtit të dëshiruar, për të marrë kurorën e pafishkur të paprishjes dhe të pavdekësisë. Njëkohësisht, Shenjtori, mori nga Perëndia hirin e mrekullive, prandaj dhe quhet mrekullibërës. Kështu, Zoti i shpërblen dhe i kurorëzon gjithmonë dëshmuesit dhe martirët e besës, dhe i pohon para Atit qiellor.

II

Shumë i rëndësishëm sigurimi i Zotit, i cili bëhet realitet nëpërmjet shekujve. Përndjekës dhe armiq të besës e të besimtarëve nuk kishte vetëm atëherë. Ekzistonin edhe në epokat e mëpasshme, ekzistojnë edhe sot dhe do të ekzistojnë deri në mbarim të jetëve. Besimtarët do të jenë të përndjekurit dhe të pafajshmit do të jenë të urryerit, megjithëse bartës dhe predikues të dashurisë; do të jenë të padrejtësuarit, megjithëse ata do të predikojnë drejtësi dhe do të ofrojnë ndaj të gjithëve veprat e mirësisë. Do të akuzohen dhe do të shpifen, megjithëse jeta e tyre do të jetë e shkëlqyeshme si drita dhe e pastër si kristali. Pikërisht kjo pastërti e jetës së tyre dhe parimet e tyre shpresëtare, të cilat do të përfaqësojnë, do t’i inatosin njerëzit e këqij.

Por besimtari i vërtetë mbetet i patrembur dhe i qëndrueshëm. Zemra e tij përmbytet nga dashuria për Krishtin, madje edhe për vetë përndjekësit. Dëshiron dhe lut, me gjithë shpirt, Perëndinë dhe bën ç’të mund, nga vetja e tij, për shpëtimin e tyre. Dëshmon me guxim Krishtin, jo vetëm që të duket besnik dhe mirënjohës ndaj Shpëtimtarit të tij, por që t’i afrojë edhe ata në besë. Dhe nuk janë të pakta ngjarjet, përgjatë të cilave, përndjekës, torturues dhe xhelatë, admiruan heroizmin, guximin dhe përkushtimin e martirëve, shembullin e ndritshëm dhe tronditës të pohuesve të besës. U prekën, u ndriçuan, hapën zemrën e tyre në veprën e hirit hyjnor, besuan tek Krishti dhe u bënë edhe ata dëshmues të besës.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Duhet të falënderojmë Perëndinë ç’do herë që na jepet rasti të dëshmojmë besën tonë me guxim dhe trimëri, pa frikë dhe pa dhimbje. Sepse, një dëshmi e tillë është, për ne, është nder dhe lavdi, çmim dhe kurorë, në Mbretërinë e Perëndisë. U Bëftë!

Me urime të përzemërta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

† IGNATI