/Kujt i përket kisha e Shën e Premtes?! Nga Ilirjan Gjika

Kujt i përket kisha e Shën e Premtes?! Nga Ilirjan Gjika

Përgjatë Myzeqesë së Fierit në vendin e quajtur Povelçë, disa kilometër nga bregu i Adriatikut ndodhet një objekt kulti i braktisur. Është kisha e Shën e Premtes e cila nga larg duket si një anije të cilën vala e detit e ka nxjerrë ne breg. E rrethuar nga të gjitha anët prej arash të mbjella dhe kanalesh faltorja mesjetare i përngjan më tepër një ishulli mes të gjelbërimit. Mungesa e një rruge të mirëfilltë automobilistike të pengon për ta vizituar atë.
Ashtu e braktisur dhe e mënjanuar nga njerëzit ajo qëndron e vetme në mes të fushës duke u përballur prej shekujsh me trillet e natyrës, të cilat ende nuk kanë mundur ta rrëzojnë përtokë. Përpjekja më serioze ka qenë në vitin 1916, kur një luftanije italiane e bombardoi duke e konsideruar si një bunker austro-hungarez. Gjithsesi Shën e Premtja mbeti në ‘’këmbë’’ për të dëshmuar vendndodhjen e Spinaricës mesjetare, qytetit-port të Adriatikut jugor.
Spinarica që “jetoi” midis viteve 1205-1370, ishte një nga qendrat e rëndësishme ekonomike të Myzeqesë mesjetare. Do të ishin venecianët apo raguzianët që do ta quanin kështu, për shkak të bimës aq të përhapur të Zhukës (Juncus) që mbizotëron në këtë zonë. Me gjethet e saj në formë gjembash që në latinisht përkthehet ‘’spina’’, d.m.th Spinaricë, në shqip ‘’Gjëmbas’’-‘’Vend që të shpon’’1.
Spinarica u ngrit në grykëderdhjen e lumit Vjosa dhe prej saj importoheshin artikuj luksi si verë, cohëra të ndryshme, armë dhe eksportohej grurë, mel, bathë, mëndafsh apo prodhime të tjera bujqësore dhe blegtorale. Qëllimi i skelës së Spinaricës ishte eksportimi i produkteve bujqësore të fushës së Myzeqesë, që konsiderohej në Shqipërinë mesjetare si “hambari i grurit’’. Por një nga artikujt kryesorë ishte edhe kripa e cila nxirrej me shumicë në kriporen aty pranë. Deri në gjysmën e dytë të shekullit XIV-të, tregu i Spinaricës ishte më i rëndësishmi në Shqipërinë e jugut, për sa i përket tregtisë së grurit. Dokumentet e kohës dëshmojnë për një eksport të madh të tij, që nis nga viti 1276 dhe vazhdon deri në vitin 13452.
Në Spinaricë ishin ngritur edhe koloni të tregtarëve veneciane dhe raguziane. Ndërsa zyrat konsullore e të këtyre republikave detare dëshmohet qysh nga viti 12773. Për t’i shërbyer më mirë trafikut detar do të ngrihej edhe qyteza, ku do të banonin dhe strehoheshin tregtarët, detarët si dhe do të funksiononte edhe rrjeti i shërbimeve, me bujtina, metalpunues, marangozë, nallbanë, etj. Nga dokumentet e ndryshme të shekullit të XIV-të, përmenden edhe disa banorë të këtij vendbanimi mesjetar, si Mihali i Spinaricës apo i biri i Nikollës së Spinaricës4.
Ndërkohë që, përveç tregtisë, Spinarica, kryente funksionet edhe të një porti ushtarak. Fillimisht ajo përmendet në vitin 1205, kur i jepet Venedikut bashkë me Gllavinicën dhe Vlorën5. Po kështu, Spinarica ishte pjesë e prikës që mori Manfred Hoheshtaufen nga martesa e tij me vajzën e Mihalit II të Despotatit të Artës6. Ndërsa në vitin 1277 ajo shërbente si bazë e flotës detare bizantine, nën komandën e sevastit Stano7. Gjithashtu edhe flota anzhuine gjatë sulmit të saj mbi Berat, në vitin 1279 e ktheu atë në bazë të rëndësishme të saj8.
Kështu, për vetë rëndësinë që kishte, Spinarica, kaloi gjatë ekzistencës së saj nën zotërimin e Bizantit dhe më pas të Venedikut, Despotatit të Artës, Hohenshtaufenve dhe Anzhuinëve të Napolit, apo mbretërisë serbe. Pas vitit 1370, qyteti-port, nis të mos përmendet më në dokumentet historike9. Ajo mbeti vetëm një emërtim i përdorur vetëm në hartat dhe portulanët perëndimorë të lundrimit. Duket qartë se pas kësaj kohe Spinarica braktiset për të humbur në histori së bashku me vendin e lokalizimit të saj.
I vetmi objekt që ka mbetur nga saj është kisha e Shën e Premtes. E shpallur si monument kulture që nga viti 1979 ajo sot gjendet gjysmë e rrënuar dhe mban emrin e njërës prej shenjtorëve të kishës, që njihet si shëruese dhe përkujtohet në kalendarin kishtar çdo 26 korrik. Në këtë pjesë të Myzeqesë vepronin dikur sëmundje të tilla si malaria, njerëzit kishin nevojë për besim dhe shpresë. Ndoshta kisha u pagëzua me emrin e Shën e Premtes me idenë se shenjtorja do t’i mbronte nga sëmundjet dhe epidemitë, të cilat gjatë mesjetës bënin kërdinë. Në këtë qytet-port, ajo do të mbronte edhe detarët që ktheheshin nga udhëtimet në det, ku mungesa e kushteve higjenike dhe ushqimet e konservuara i bënin ata ndër më të prekurit.
Studimi mbi kishën e Shën e Premtes është kryer nga Aleksandër Meksi dhe është publikuar fillimisht në revistën Monumentet (1975) me titullin ‘’Disa kapela bizantine në vendin tonë’’. Më pas atë e ndeshim edhe në botime të ndryshme të këstij autori10. Sipas tij kisha është ndërtuar diku në fund të shek. XIII fillimi i shek. XIV me disa teknika të ndryshme. Ajo është njënefëshe dhe me planimetri drejtëkëndëshe e cila ngrihet mbi një xokol të ndërtuar me muraturë guri. Objekti është i mbuluar me qemer dhe ka vetëm një hyrje në anën veriore të mbuluar, ku si arkitra ka pjesën një frizi nga një tempull antik me gjasë nga Apolonia. Nga brenda dyshemeja është e shtruar ndërsa një pjesë e qemerit është e rrënuar. Absida ndodhet në anën lindore dhe përbëhet nga ana e jashtëme prej tre faqesh. Ndërsa nga brenda në të dy anët e bemës janë vendosur protezisi dhe diakonikonin11.
Aarkitektura dhe teknika e saj tregojnë se kisha mund të jetë ndërtuar gjatë kohës së despotatit bizantin të Beratit. “Spinarica ishte porti kryesor ku evadoheshin produktet e Despotatit të Beratit në drejtim të Venedikut dhe Raguzës… Domethënë ajo ishte një zotërim shtetëror i këtij Despotati, gjë që vërtetohet nga prania e konsujve të Venedikut dhe Raguzës në të”, – thekson historiani Pëllumb Xhufi rreth kësaj teme12.
Ndërkohë ekzistojnë disa studime që dëshmojnë mbi ekzistencën e Spinaricës në këtë vend. Studjuesi Aristotel Mici në shkrimin e tij ‘’Rreth Portit të Mundshëm Detar të Apolonisë’’ thekson se: ‘’Ashtu si e mbaj mend, deri në vitin 1955, kur e kam vizituar tok me shkrimtarin Jakov Xoxa, kisha e Shën e Premtes ngrihej në një vend gjysmë të shkretë, në bregun e majtë të Lumit të Vdekur, afër grykës së tij’’13.
Në këtë rast ‘’Lumi i Vdekur’’ nuk është gjë tjetër veçse shtrati i dikurshëm i Vjosës. Një gjë të tillë e përforcon edhe Aleksandër Meksi ne studimin e mësipërm rreth kishës së Shën e Premtes kur bën përshkrimin e saj. ‘’…duke filluar nga dera e deri në anën perëndimore themeli është gati një metër më i ulët duke zbuluar themelet e kishës në këtë anë. Duket se këtu ka qenë bregu i kënetës’’, thekson në këtë rast ai14. Pra, i kënetës të cilët e krijonte lumi i Vjosës që kalonte pikërisht aty, duke lënë si dëshmi edhe shtratin e quajtur nga vendasit si ‘’Lumi i vdekur’’.
Ndërkohë që nga vëzhgimi në terren dhe ai nëpërmjet teknologjisë, pranë kishës, vihen re edhe sot gjurmë të shtrateve të dikurshëm të Vjosës. Duhet të ketë qenë një ndryshimi rrjedhës së këtij lumi që mund të ketë sjellë braktisjen e Spinaricës ashtu siç ndodhi me Apoloninë në antikitetin e vonë. Pas rënies së qytetit-port në shek. XIV dhe largimit të popullsisë kisha mbeti e braktisur. Edhe me ripopullimin e kësaj zone dhe me vendbanimet që u krijuan gjatë shek. XVI-XVII, Shën e Premtja, mbeti përsëri një faltore e veçuar. Këtë këtë e tregon edhe dëshmia e Aleksudhit, i cili kur përshkruan kishat dhe enoritë e kësaj zone në vitin 1868 nuk e përmend këtë faltore15. Një gjë të tillë e pohon edhe Prashnikeri që e vizitoi atë në vitin 1916, i cili konstatoi se ajo ishte një kishë e vjetër e braktisur në mes të kënetës16.
Ekzistenca në këtë vend e një kriporeje, disa ullishtave dhe toponimeve interesante janë të tjera fakte plotësuese. Të tilla janë ‘’Portiqi’’ që dëshmon ekzistencën e një porti të dikurshëm këtu dhe ‘’Laçaj’’-‘’Laçan’’ (laço) që në gjuhën popullore do të thotë djaj, të këqinj. Një emërtim i tillë ka ardhur si rezultat i veprimtarisë së dikurshme të të këqinjve, djajve siç kanë qenë piratët që plaçkisnin dikur këtë zonë.
“Dy piratë nga Butrinti, njerëz të Bizantit rrëmbyen një anije veneciane të ngarkuar me grurë dhe mel më Spinaricë dhe e dërguan atë në Butrint”, thuhet në një dokument të vitit 127717.
Midis këtyre argumentave është edhe dëshmia e Aleksudhit i cili thekson se: ‘’Ky lum në lashtësi shtratin e kishte në Handaka (Hadaj-fshat perëndim të Libofshës-shënimi ynë I. Gj), atë që sot e quajmë lumi i vjetër e dilte në Adriatik ose gjirin e Jonit afër fshatit Gryka jo shumë larg nga aty ku derdhet sot lumi drejt vendit Laçani (qëndër demonësh) ku ndodhet një pirg i vjetër i cili ndoshta përdorej nga Apolonasit për të mbrojtur këtë port, si pasojë nga moskujdesja dhe lënia pas dore e portit erdhi deti dhe e ktheu në dy lumenj duke i quajtur ‘’Krinixhan’’ dhe tjetrin ‘’Portiki…’’18
Pra ky ‘’pirg i vjetër’’ që përmend Aleksudhi nuk mund të ishte gjë tjetër veçse mbetjet rrënojë të kullës apo kështjellës së Spinaricës, njëlloj si kullat dhe kështjellat e tjera që janë dokumentuar në grykat e lumenjve si në Pirg (Seman), Bashtovë (Shkumbinit), Rodon (Ishëm), Shëngjin (Drin), etj. Rast tipik dhe i prekshëm është kulla e Pirgut e cila zbulua nga arkeologët gjatë viteve 197019.
Ndoshta në këtë rast bëhet fjalë për fortesën (Speretion) që ndërtoi sipas Prokopit, Justiniani, për të cilën Milan Shuflai thekson se është Spinarica e kohës së mesme20. Po kështu edhe pohimet e Jireçekut sjellin të tjera argumenta shtesë.
‘’Edhe dheshkrojët (hartat-shënimi ynë) e Ortelit dhe Merkatorit në shekullin e XVI e përmendin emrin Spinarsa rreth Polinës’’ (Apolonisë-shënimi ynë), thekson ai te studimi ‘’Vlona në kohë të mesme’’21.
Ndërkohë që lidhur me vendodhjen e Spinaricës studjuesit Apollon Baçe dhe Avenir Aleksi në artikullin e tyre studimor ‘’Skelat grykëlumore të Adriatikut gjatë mesjetës’’, theksojnë se: ‘’Këtyre të dhënave mendojmë se i përgjigjet territori i Apolonisë, prania e jetës në të cilën, të paktën në gjysmën e I të shek. XII dëshmohet nga kisha dhe manastiri i Shën Mërisë22.
Ndërkohë që studjuesi Aristotel Mici argumenton se Spinarica nuk është gjë tjetër veçse porti i Apolonisë mesjetare. Ai e lidh këtë gjë edhe me afërsinë e madhe midis saj dhe kishës së Shën e Premtes23. Pikërisht rreth saj teze, historianët Ilirjan Gjika dhe Etnor Canaj, theksojnë se në funksion të bazës ushtarake të Spinaricës ishte edhe garnizoni i vendosur në Apoloni, ku ndodhej edhe një manastir të fortifikuar. Edhe elementët romanikë të kishës së Shën Marisë, të këtij manastiri, lidhen me vendosjen e garnizoneve perëndimore, ndoshta normane apo anzhuine, të cilat natyrisht që zbarkuan këtu. Po kështu edhe piktura murale e portikut të kesaj kishe, me figurat e pikturuara të perandorëve bizantinë, Mihalit VIII dhe Andronikut II Paleolog, të cilën luftuan kundër anzhuinëve në Berat dhe këtë trevë, dëshmojnë praninë ushtarake bizantine këtu24. Gjatë gërmimeve arkeologjike në territorin e Apolonisë janë gjetur monedha mesjetare të kësaj periudhe si veneciane, anzhuine apo të principatës së Akesë25.
Ndërkohë që ekspedita arkeologjike e organizuar në kuadrin e ‘’Projektit Via Egnatia’’ gjatë viteve 2003-2005 gjeti të dhëna për një rrugë të vjetër që lidhte disa vendkalime midis të cilave edhe atë Shënepremte-Sop-Pojan (Apoloni-Shënimi ynë)’’26.
Ndërsa gjatë viteve 2013-2015, ekspedita tjetër arkeologjike që kreu kërkime arkeologjike në këtë zonë identifikoi gjurmët e skelës simotër të Sllanicës në fshatin Boçovë disa kilometra në jug të Shën e Premtes27. Një gjë e tillë është prova më e fortë se Spinarica ndodhej pikërisht në veri të Sllanicës. Këtë e pohojnë edhe dëshmive dokumentare dhe hartat e ndryshme europiane të lundrimit.
“Një anije raguziane e nisur nga Durrësi, u detyrua për një avari të ankorojë në vendin e quajtur Slanicë pranë Spinaricës. Këtu u shkarkua ngarkesa me mall, që pastaj u shpërnda në shtëpitë e Buvalcariorum de la Polina…’’, shkruan një dokument raguzian i vitit 129728.
Pra nga citimi del se midis Sllanikut dhe Polinës (Apolonisë) ndodhej Spinarica, vendodhja e së cilës duhet gjurmuar pikërisht pranë kishës së Shën e Premtes. Por ‘’fjalën’’ tashmë e ka arkeologjia sepse rezultati përfunditar kërkon edhe mbështetjen apo provën në terren.
Literatura
1-I. Gjika-E. Canaj, Debati mbi lumin e Vjosës. Ku ndodhej Spinarica mesjetare, Gazeta Standard, 11 qershor 2014
2-Acta Albaniae I. 794, 5ë
3-Acta Albaniae. I. 368, 369, 534
4-Pëllumb Xhufi, Vështrim mbi popullsinë e qyteteve bregdetare shqiptare në shek. XII-XV, Konferenca kombëtare për formimin e popullit shqiptar të gjuhës dhe kulturës së tij, Tiranë 1988, f. 99
5-Acta Albaniae. I. 130
6-Acta Et Diplomata. I. ë5
7-Acta Albaniae. I. 491
8-A. Duceller. La façade maritime de A’lbanie au Moyen age. Durazzo et Valona du XI au XV siècle. Tessaloniki 1981. f. 252
9-Acta Albaniae. I. 368
10-Aleksandër Meksi, Disa kapela bizantine në vendin tonë, Monumentet, 10, Tiranë 1975, f. 85; Aleksandër Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983; Aleksandër Meksi, Kishat e Shqipërisë: historia, arkitektura, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2021
11-Po aty, f. 85
12-Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët tek Muzakajt, Sh. B. 55, Tiranë 2009, f. 35-36
13-Aristotel Mici, ‘’Rreth Portit të Mundshëm Detar të Apolonisë’’, Dielli, 16 gusht 2014
14-Aleksandër Meksi, Disa kapela bizantine në vendin tonë, Monumentet, 10, Tiranë 1975, f. 85
15-Anthimos D. Alexoudes, Sintomos historike…, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 59, 64
16-Kamilo Prashniker,
17-Acta Albaniae. I. 369
18-Anthimos D. Alexoudes, Sintomos historike…, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 42
19-Neritan Ceka, Pirgu i Myzeqesë, Monumentet historike në vendit tone, Tiranë 1978, f. 68-71
20-Milan Shuflai, Serbët dhe Shqiptarët, Sh. B. Bargjini, Tiranë, 2001, f. 17
21-Kostantin Jireçek, Vlona në kohë të mesme, Agimi, 6, 1920, f. 88
22-Apollon Baçe dhe Avenir Aleksi, Skelat grykëlumore të Adriatikut gjatë mesjetës, Monumentet, I, Tiranë 1986, f. 31
23- Aristotel Mici, ‘’Rreth Portit të Mundshëm Detar të Apolonisë’’, Dielli, 16 gusht 2014; Strabo, Geographica, Lib VIII, 5, 8 thekson se Apolonia ndodhej larg lumit 10 stade (2 km nga Vjosa) dhe nga deti gjahtëdhjetë stade (12 km)
24-I. Gjika-E. Canaj, Debati mbi lumin e Vjosës, Ku ndodhej Spinarica mesjetare, Gazeta Standard, 11 qershor 2014; Heide und Helmut Buschausen, Dir Marien Kirche von Apolonia in Apolonien, Ëine 1976, f. 32, 47
25-Aleksandra Mano, Apolonia e Ilirisë, Tiranë 2006, f. 38; 554-560
26-Ilir Gjipali, Kërkime në degën jugore të Egnatias, Iliria XXXII, 2005-2006, f. 315
27-S. Xhyheri-S. Muçaj-A. Pentkovskiy-I. Ristani, Kërkime arkeologjike në krahinën e Vlorës, Mallakastrës, Myzeqesë dhe Korçës, Kandavia, 6, Tiranë 2016, f. 309
28-Acta Albaniae, I, 528