/Kryepiskopi Anastas takim me të rinjtë e Tiranës

Kryepiskopi Anastas takim me të rinjtë e Tiranës

Ditën e diel, më 3 shkurt 2019 të rinjtë e Lidhjes Orthodhokse “Bij të Dritës”, Tiranë, u takuan me Kryebariun e tyre, Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas, për të marrë bekimin e veçantë të pranisë së Tij dhe të mësimeve të vyera me perspektivë hyjnore, si edhe për ndarjen e kekut të shën Vasilit. 

Takimi i Kryepiskopit Anastas me rininë orthodhokse në Tiranë

Takimi i Kryepiskopit Anastas me rininë orthodhokse në Tiranë

Posted by Radio "Ngjallja" on Monday, February 4, 2019

Të rinjtë u njohën me mrekullinë që Zoti ka bërë nëpërmjet Kryepiskopit Anastas në vendin tonë, duke e kthyer atë në një vend të bukur plot kisha, manastire, shkolla e kopshte, të cilat shërbejnë për edukimin e brezave.

Ai ndau me të rinjtë mesazhe nga jeta dhe veprat e tre Hierarkëve dhe i nxiti të rinjtë të mendojnë dhe punojnë me përkushtim për të ofruar çdo gjë me cilësi, si në studime edhe në shërbimet që do të ofrojnë më vonë. Tre Hierarkët, Shën Vasili i Madh, Shën Grigor Theologu dhe Shën Joan Gojarti, janë modelet që duhet të ndjekim. Në shkallën e madhe të dijes shkencore, ata kuptuan që mbi këtë dije ekziston diçka tjetër, dhe gjetën e ndoqën Krishtin, Dritën e Vërtetë, dhe të ndriçuar prej Tij ofruan shërbime në botë dhe sollën shumë ndryshime.


Shembuj të tillë na tregojnë se mendësitë e komunizmit që të krishterët janë naivë dhe të paaftë, nuk kanë aspak vend. Përkundrazi, i krishter bëhet ai që mendon më shumë dhe kërkon thellë për kuptimin e jetës. Sepse, çfarëdo pozicioni që të kemi në këtë botë, qëllimi kryesor i jetës së çdo njeriu është të bëhemi të ngjashëm me Zotin dhe të udhëtojmë drejt shenjtërisë.

Të emocionuar nga takimi me Kryebariun e tyre, të rinjtë dëgjonin me vëmendje mësimet e tij plot jetë dhe hir, të mbështetura në përvojën e tij personale dhe në dashurinë për Zotin dhe njeriun. 
Duhet të jemi të guximshëm, trima tha ai, sikundër thekson Solomoni i urtë. Ne do të bëjmë revolucionin tonë për drejtësi, virtyte e maturi, në një botë ku promovohet paraja, pushteti e seksi. 


“Nëse ndokush e do drejtësinë, virtytet janë rrjedhoja e veprimit të saj: sepse ajo e mëson vetpërmbajtjen e mençurinë, drejtësinë e trimërinë shpirtërore, që në jetë për njerëz asgjë s’ka më të dobishme”. Libri i Urtisë 8:7.

Në fund Fortlumturia u përgjigj pyetjeve të të rinjve. 
Takimi u mbyll ma ndarjen e kekut të shën Vasilit. 
Ishte gëzim të shikoje në monitor kishat e ndërtuara, manastiret e zbukuruar, shkollat, klinikat, por edhe më tepër emocionuese ishte të shikoje sallën plot me të rinj, tempuj të gjallë të Zotit, plot etje për të mësuar për jetën dhe qëllimin e saj, dhe Kryebariun tonë mes tyre. 

Nuk ka dhuratë më të madhe sesa njohja e njeriut me Zotin, edhe këtë Kryebariu ynë e bën me shumë përkushtim për mijëra të rinj në mbarë vendin. 
Ndaj plot mirënjohje i urojmë Për shumë vjet, o Kryezot!
Urojmë që edhe ne bijtë tuaj të jemi dritë në botë dhe ta përçojmë besimin orthodhoks në shoqërinë rreth nesh.

Zoti me ne, edhe ne me Zotin!