/Kryepiskopi Anastas nderohet me çmim të lartë nga Universiteti “Aristoteli” në Selanik

Kryepiskopi Anastas nderohet me çmim të lartë nga Universiteti “Aristoteli” në Selanik

“Dëshmia dinamike orthodhokse në botën moderne, tregon se Kisha është Një, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike dhe nuk jeton për veten e saj, por ajo që është dhe çfarë i është dhënë është e destinuar për të gjithë njerëzimin, duke kontribuar për paqen dhe bashkëjetesën fetare, në mënyrë që të tejkalohen konfliktet mes njerëzve që kanë perceptime të ndryshme.”
Ky ishte mesazhi i Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit, në mbrëmjen e së enjtes, më 18 tetor 2018, nga Universiteti i Selanikut ‘Aristoteli’ ku u nderua me çmimin më të lartë “Chrysoun Aristotel”.
Çmimi i nderit, Fortlumturisë së Tij, Imzot Anastasit, iu dha nga rektori i Universitetit Aristoteli, profesor Perikli A. Mitka, i cili theksoi në fjalën e tij se “Fortlumturia e Tij, Anastasi, është një njeri i veçantë, si Hierark, mësues por edhe si një misionar apostolik”.
‘Një njeri i fjalës dhe i veprave. Një formë e shpirtit dhe veprimit’ – shtoi ai.
Në fjalën e tij ai shtoi: “Në një botë e mbushur me dyshime dhe urrejtje, Ju Fortlumturia i gjithë Shqipërisë, na frymëzoni për të vazhduar të kërkojmë mënyra të pajtimit dhe mirëkuptimit”
Kryepiskopi Anastas, në fjalën e tij me temë qëndrore “Pluralizmi Fetar dhe Bashkëjetesa Paqësore”, theksoi se ajo që është e dobishme është përpjekja për të nxjerrë lëngje nga rrënjët e shëndetshme të përvojës fetare dhe prioritet ka zhvillimi social dhe progresi, pajtimi dhe bashkëveprimi i paqtë.
Senati i Universitetit vlerësoi ndër të tjera, punën e Kryepiskopit Anastas për përpjekjen e Tij të pandërprerë për të drejtat e njeriut, për barazinë sociale, duke pranuar gjithçka pa diskriminim racor ose fetar.