Kryepiskopi Anastas dorëzoi në prift hierodhjakonin Anastas Mamaj
Të dielën e VI-të të Llukait, më 20 tetor 2019, në Katedralen e Tiranës “Ngjallja e Krishtit”, u dorëzua në prift nga Kryepiskopi Anastas hierodhjakoni Anastas Mamaj. Në Liturgji morën pjesë edhe Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati, Mitropoliti i Elbasanit, Hirësi Andoni, Mitropoliti i Amantias, Hirësi Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti. Përveç besimtarëve të shumtë kryeqytetas, kisha u mbush përplot edhe me besimtarë nga Vlora ku ai ka lindur dhe Berati, ku ka kontribuuar për Kishën, familjarë e të afërm, shokë e miq etj., të cilët donin ta ndanin këtë gëzim me priftmurgun e ri.
Kryepiskopi Anastas, duke folur para hirotonisë, e quajti dorëzimin e një prifti, një dhuratë të madhe që na bën Perëndia. Biri im i shtrenjtë Anastas, tha Kryepiskopi, ti e di që Apostulli që dëgjuam sot duhet të jetë statuti që duhet të mbajmë brenda jetës sonë. Fryti i Shpirtit duhet që të vulosë jetën tonë; është dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirësia, zemërbutësia, besa dhe vetëpërmbajtja. Kjo duhet të jetë edhe vula e priftit orthodhoks në ditët e sotme. Asgjë nuk është e lehtë, por e dimë që brenda në Kishë të pamundurat bëhen të mundura…. Prifti orthodhoks është i ftuar t’i qëndrojë afër popullit të vuajtur, që ta mbështetë dhe ta shenjtërojë atë. Dhe këtë nuk e bën me forcën e tij, por anë të hirit të Shpirtit të Shenjtë që është brenda tij…
Në fund të Liturgjisë, Kryepiskopi Anastas kujtoi se në vitin 1991, mes të tjerëve, takoi në Vlorë Paskalin e vogël. Më vonë Zoti e denjësoi të lidhej me kampet e rinisë orthodhokse dhe katekizmin dhe të ndihmonte në Mitropolininë e Beratit. Studioi për ekonomi dhe punoi në një bankë, ku u bë edhe nëndrejtor, por erdhi një moment që i tha vetes, se ishte çasti që t’i jepej Perëndisë… Prej një viti e gjysmë shërben pranë meje dhe falënderoj veçanërisht familjen, sepse respektuan vendimet që ai mori. Këto nuk i them për të treguar ngjarjet, por për të theksuar se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, që jetoi martirizimin për 23 vjet me radhë , ka nevojë absolute për të ecur përpara me klerikë që i jepen Perëndisë me gjithë zemrën e tyre… Duhet të kuptojmë se nuk ka nder më të madh për një njeri sesa të bëhet ndërmjetuesi i Perëndisë këtu, i Perëndisë së paqes dhe të shpresës. Le të lavdërojmë Perëndinë për priftërinjtë që na ka dhuruar dhe le të mbështesim me dashurinë e respektin tonë ecurinë e tyre.