† IGNATI
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës.
Klerit dhe Besimtarëve shpresëtarë të Mitropolisë,
Bijtë e mi të dashur më Krishtin!
Rruga Që Na Shpie Tek Grazhdi
“Barinjtë i thanë njëri-tjetrit: Të shkojmë në Betlehem e të shohim çfarë ka ndodhur, atë që na ka bërë të ditur Zoti”
Luka 2, 1-20.
Erdhi përsëri dhe sivjet e kremtja e madhe dhe zotërore e Lindjes së Shpëtimtarit Jisu Krisht dhe, gjithë besimtarët e krishterë, përgatitemi ta kremtojmë me hijeshi. Natën e shenjtë të Krishtlindjeve do të dëgjojmë himnet e shkëlqyera: “Eni shihni besërisht, ku është lindru Zoti Krisht…”, “Na vështroi që lartazi, nga qelli Shpëtimtari Krisht…”. Do të dëgjojmë nga Engjëlli lajmin, më të gëzueshëm dhe më ngushëllues, që u dha ndonjëherë në tokë, drejtuar barinjve në Betlehem: “Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin: Sot ka lindur për ju një Shpëtimtar dhe Çlirimtar”.
* * *
I pakonceptueshëm është misteri i trupëzimit hyjnor. Perëndia bëhet njeri, që ta bëjë perëndi njeriun e rënë dhe të shthurur nga mëkati. Ja vlen, pra, të qëndrojmë përpara kësaj ngjarjeje historike për botën. Por, çfarë të mendojmë? Të mendojmë se, cilin do të presim. Domethënë, së pari, të ndërgjegjësohemi se, Zoti i qiellit dhe i dheut, Perëndia i Tërëfuqishëm, vjen midis nesh. Dhe gjëja e dytë, që duhet të na shqetësojë, është si do ta presim. Njeriu i drejtësisë dhe i dashurisë me ndërgjegje të pastër dhe me zemër të qashtër, është vendi më i përshtatshëm, ku prehet Perëndia. Veç kësaj, këto shfaqin dhe ngjarjet, që ndodhën përgjatë trupëzimit të Shpëtimtarit Krisht. Le t’i ndjekim.
Kategoria e parë e njerëzve të asaj epoke, tregohet e padenjë për të pritur Foshnjën në Betlehem, Zotin Shpëtimtar. Herodi dhe bashkë me atë shkronjësit dhe farisenjtë, as ndërgjegje të pastër dhe as zemër të qashtër nuk disponojnë. Brenda shpirtit të tyre të errët, ka bërë fole egoizmi, pasioni i lavdidashjes, i hipokrizisë, ato pengesa të përjetshme, që mbyllin rrugën drejt grazhdit. E shikojnë të vërtetën dhe nuk duan ta pranojnë. Pyet Herodi: “Ku lindet Krishti?”, jo që t’i falet, por, që ta vrasë. Hetojnë dhe kryepriftërinjtë dhe shkronjësit e popullit, Shkrimet e Shenjta, kërkojnë tek Profetët, që shprehen me gojën profetike të Mesias, se në Betlehem “do të lindë një prijës, që do të jetë bariu i popullit tim Izraelit”. Mateu 2, 6. Por, ata vetë, nuk kanë dobi. Mbeten larg grazhdit. Larg himnit të gëzuar të engjëjve.
E njëjta gjë ndodh gjithmonë. Nuk mjafton dija fetare. Nuk mjafton vetëm të dimë se ku ndodhet Betlehemi. Nevojitet dëshira e nxehtë dhe vendimi i qëndrueshëm, të ecim me zemër të pastër, në rrugën e dashurisë dhe të sakrificës. Që të përshkojmë monopatin e ngushtë dhe të përpjetë, që të shpie tek Krishti, duhet “të hedhim tej çdo barrë dhe mëkatin, që na josh lehtësisht”, barrën e egoizmit. Që të hyjmë në grazhdin e Atij, që “e përuli veten e Tij”, duhet së pari të përulemi.
* * *
Por, nëse egoizmi na pengon t’i afrohemi Jisuit, zemrat e përulura dhe të thjeshta, dje dhe sot, janë shtëpia mikpritëse, në të cilën pëlqen të banojë Zoti i përulur dhe zemërbutë. Zemra të tilla dispononin barinjtë. Shën Luka ungjillori, na përmend në Ungjillin e tij, se natën e shenjtë të Krishtlindjes, disa barinj, kullosnin dhentë e tyre në kullotat rreth Betlehemit. v. 8. Në vendet e ngrohta, dhentë kullotin edhe gjatë natës me vesë. Kjo do të thotë, se barinjtë janë të detyruar të rrinë zgjuar, me turne, gjatë tërë natës, pranë kopesë së tyre. Nuk gdhihen, për të mëkatuar, siç bëjnë, fatkeqësisht, shumë njerëz të epokës sonë, por, për të kryer detyrën. Është e vështirë jeta e barinjve, por ka një avantazh të madh, se jetojnë larg zhurmës së botës, brenda natyrës, që është libri i Perëndisë. Nëse, madje, kanë interesa shpirtërore, studiojnë mrekullitë e Krijuesit, i drejtojnë sytë dhe shpirtrat e tyre lart, drejt qiellit, luten, psalin himne dhe dhoksologji për Perëndinë.
Një moment, duke kullotur dhentë e tyre gjatë natës, para tyre u shfaq papritur, Engjëlli i Zotit dhe i rrethoi “lavdia e Zotit”, një dritë e shkëlqyer hyjnore dhe e mbinatyrshme. Barinjtë u habitën, sepse kuptuan, se ai që u shfaq përpara tyre, nuk ishte një njeri i zakonshëm, por një qenie qiellore dhe e mbinatyrshme. Të mos na bëjë përshtypje, që Engjëlli nuk u shfaq tek shkronjësit dhe priftërinjtë, por tek barinjtë e thjeshtë, sepse ishin të përulur dhe kishin zemër të pastër. Cilët e shikojnë lavdinë e Perëndisë? Cilët shikojnë engjëj, madje dhe me sytë e trupit? Sigurisht, ata që kanë zemër të pastër, sipas lumërimit të Zotit: “Lum ata që kanë zemër të pastër, se ata do të shohin Perëndinë” Mateu 5, 8.
Fraza e Shkrimit të Shenjtë, “ata u trembën shumë”, nuk do të thotë se u frikësuan, por mbetën të shtangur, sepse ndjenë, se diçka shumë e rëndësishme po ndodhte. Atëherë Engjëlli u atha atyre: “Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin. Sot, në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar, që është Krishti Zot. Shenja për ju do të jetë kjo: Do të gjeni një fëmijë të mbështjellë në pelena dhe të shtrirë n grazhd”. v. 10-12.
“Papritur, bashkë me engjëllin u duk një ushtri e madhe qiellore, që lavdëronte Perëndinë duke thënë: Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje” v. 13-14. E gjithë bota qiellore lavdëronte Zotin, që lindi, duke formuar një shkallë nga qielli në tokë, e cila bashkonte shpellën e Betlehemit me qiellin. Gjithmonë, Engjëjt e shenjtë lavdërojnë Perëndinë, por asnjëherë tjetër nuk kishin kryer një vepër kaq të ngazëllueshme sa kjo, që i drejtojnë himne lavdëruese Atit për trupëzimin e Birit të Tij, shënon një përkthyes.
Përkrahë Barinjve të përulur, kemi dhe Magët, të urtët e asaj epoke. Urtësia e tyre nuk i bënte mendjemëdhenj. Janë të përulur. Hetojnë dhe kërkojnë, me sy të pastër dhe zemër të qashtër. Tymi i egoizmit nuk ua mbyll fushëpamjen e shpirtit. Vëzhgojnë yjet dhe shikojnë Yllin, nëpërmjet shkencës së tyre, dallojnë Krijuesin dhe arrijnë tek Grazhdi. Shkenca e tyre, zhvillohet së pari në tokën pjellore të zemrës së tyre.
Të urtë, por edhe të përulur. Ja sekreti i tyre. Në ato shpirtra shfaqet Perëndia. Kërkojnë të vërtetën dhe kur u zbulohet, e pranojnë ashtu siç është, edhe pse është e shtrirë në grazhdin e thjeshtë dhe mbështillet me shpërgenj të varfër, nuk skandalizohen nga përulësia e skajshme. Çfarë shohin? Jo ndonjë pallat të mermertë. Vetëm një banesë të përulur. Një foshnjë në shpërgenj dhe një nënë të varfër. Atje vendosin, jo vetëm dhuratat e tyre, por më shumë, zemrën e tyre.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Pranimi i mesazhit hyjnor bëhet vetëm nga zemra të thjeshta, të pastra dhe të gatshme për të pranuar me besë ngjarjen e madhe, “se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnje, i parëjetëshmi Zot”.
Gëzuar Krishtlindjet!
Berat me 25.12.2018