Krijimi i Njeriut
1. Rreth krijimit të njeriut në përgjithësi
Si përmbushje e krijimit të Perëndisë dhe në qendër të tij, si një urë lidhëse që lidh botën materiale me atë shpirtërore, qëndron njeriu. Njeriu përbën përmbushjen, kulmin dhe kurorën e krijimit të Perëndisë. Kështu, njeriu me trupin e tij, i cili është i kësaj bote dhe material, është i lidhur me botën natyrore dhe i përket asaj si krijesë. Megjithatë, me frymën dhe shpirtin e tij, që është elementi më madhështor – i një vlere të pakrahasueshme me trupin – ai është i lidhur me botën shpirtërore, dhe para së gjithash asaj i përket. Kështu njeriu është mbi krijimin tokësor dhe material. Ky superioritet shfaqet në mënyrën e veçantë dhe të jashtëzakonshme me të cilën njeriu u krijua. Ndërsa Perëndia i krijoi të gjitha krijesat e tjera me anë të një urdhërese krijuese – Perëndia thoshte frazën “Le të bëhet” dhe menjëherë bëhej ajo që Ai urdhëronte – Ai e krijoi njeriun në një mënyrë të ndryshme. Personalisht Vet Perëndia ndërhyri dhe e formoi trupin e njeriut nga toka dhe më pas fryu tek ky trup tokësor frymë jete dhe kështu njeriu u bë një qenie e gjallë dhe e mbushur me frymë. Më pas nga brinja e Adamit, Perëndia formoi Evën, gruan e parë, kështu që gruaja është e njëjta natyrë si burri. Shkrimi thotë: “Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë” (Zanafilla 2:7). Po kështu Profeti David shprehet me mirënjohje ndaj Perëndisë: “Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarsi që të mund të mësoj urdhërimet e tua” (Psalmi 118:73). Këto fraza të Shkrimit janë sigurisht simbolike. Ato duan të shprehin lidhjen e ngushtë të njeriut me tokën dhe me qiellin, Perëndinë. Me tokën nëpërmjet trupit, që është formuar prej tokës, dhe me Perëndinë nëpërmjet shpirtit, që është i pavdekshëm dhe frymor. Kështu njeriu ka një vlerë dhe pozitë superiore brenda krijimit. Dhe kjo vlerë dhe pozitë superiore mund të shihet në mënyrën dhe elementet me anë të cilave mori formë, dhe nëpërmjet vlerës së pakrahasueshme të shpirtit të tij frymor dhe të pavdekshëm. Prandaj Shën Vasili i Madh tërheq vëmendjen tonë duke na nxitur: “Të njohim natyrën tonë; të kujtojmë që trupi është i vdekshëm dhe shpirti i pavdekshëm; Të kujdesemi për shpirtin që është i pavdekshëm”. Kjo vlerë dhe ky superioritet që ka njeriu shfaqet qartazi në fjalët e Profetit drejtuar Perëndisë: “E bërë pak më të vogël se engjëjt, e kurorëzove me lavdi e shkëlqim, i dhe pushtet mbi veprat e duarve të Tua” (Psalmi 8:6-7).