/KRESHMA E FJETJES SË HYJLINDËSES MARI (1-15 GUSHT)

KRESHMA E FJETJES SË HYJLINDËSES MARI (1-15 GUSHT)

Nesër, më 1 gusht, fillojmë kreshmën e Fjetjes së Hyjlindëses Mari. Kreshma zgjat 2 javë dhe përfundon në datën 15 gusht, pra nuk kreshmojmë në këtë datë.

E kremtja e Fjetjes së Hyjlindëses kremtohet në 15 gusht, e paraprirë nga dy javë kreshme.
Kjo festë, e cila quhet edhe “Marrja”, përkujton fjetjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit. Maria “u mor” nga Perëndia, në Mbretërinë Qiellore të Krishtit, në të përmbushurit e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore.

Sikurse edhe për Lindjen e Virgjëreshës dhe në festën e Hyrjes së saj në Tempull, nuk kemi burime biblike apo historike. Tradita e Kishës thotë që Hyjlindësja fjeti, si të gjithë njerëzit, jo “vullnetarisht”, si Biri i saj, por, si pasojë e natyrës së vdekshme njerëzore, e cila është e lidhur në mënyrë të padukshme me prishjen e kësaj bote.

Kisha Orthodhokse na mëson se e Tërëshenjta Mari nuk ka mëkate personale. Megjithatë, në Ungjillin e së kremtes, nëpërmjet shërbesës liturgjike dhe ikonës së Fjetjes, Kisha shpall se ajo me të vërtetë kishte nevojë të shpëtohej nga Krishti, ashtu si të gjithë njerëzit. Pasi vdiq, u ngjall nga Biri i saj si Nëna e Jetës dhe tani merr pjesë në jetën e amëshuar të Parajsës, e cila është përgatitur dhe i është premtuar të gjithë atyre që “e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë atë” (Llukai 11:27-28).

* KËTO DITË, 1-14 GUSHT (NGA E HËNA NË TË PREMTEN) KRYHET SHËRBESA LUTËSORE E KANONIT (PARAKLISIT) KUSHTUAR SË TËRËSHENJTËS MARI.

KRESHMË TË MBARË!

BURIMI: KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPERISE