/Kremtimi i Fjetjes së Hyjlindëses në Mitropolinë e Gjirokastrës

Kremtimi i Fjetjes së Hyjlindëses në Mitropolinë e Gjirokastrës

“Apostuj nga anët e dheut…” psallim në Dërgimësoren e Fjetjes së Tërëshenjtës Mari, gjatë gjithë ditëve të Kreshmës për këtë të Kremte të madhe, dhe në një perifrazim të saj, nga të gjitha anët mblidhen besimtarët Orthodhoksë duke u dhënë tjetër atmosferë panegjirike enorive në trevat e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës. Janë të shumta enoritë që kisha e tyre qendrore apo paraklise dhe për më tepër Manastire dikur të ndritshme që nderohen në kujtim të Gjithëvirgjërës Mari në të katër cepat e Mitropolisë.

Përdëllimtari e popullit besimtar Orthodhoks i ka qendisur këto kisha me një hijeshi dhe bukuri të veçantë dhe Hiri i të Tërëshenjtës u jep atmosferën aq domëthënëse shpirtërore. Ai Hir që i mblodhi besimtarët gjatë gjithë periudhës thajse dyjavore në Parakliset e përditshme të pasdites si një rast i mirë që klerikët pavarësisht mungesave të theksuara, sipas programit që Mitropoliti u kishte përgatitur, i vizituan të gjitha enoritë për të përmbushur nevojat adhuruese të besimtarëve. Analoge ishin edhe Liturgjitë Hyjnore që u kryen në kishat e enorive që kremtonin dhe që ishin të mbushura si natën e Ngjalljes dhe me të drejtë quhet Pashka e Verës kjo e Kremte. Të shumta dhe me dimension të thellë shpirtëror dhe adhurues ishin gjithashtu panegjiret nëpër Manastiret ku kryen Liturgjitë dhe Shërbesat e tjera të Kishës sonë.

Të veçanta për nga pjesëmarrja në lutje dhe adhurim ishin edhe këtë vit Panegjiret e Fjetjes së Tërëshenjtës Mari përveç se në qendrat e rëndësishme urbane: Gjirokastër, Përmet, Sarandë, Himarë etj. edhe në ato qendra dhe destinacione historike pelegrinazhi si Manastiri i rikonstruktuar nga Kryepiskopi Anastas në Kosinë, në Dervician, në Manastirin e Kamenas në Delvinë, në atë të Soronesë në Sarandë, në Dhivri, por pas aq vitesh edhe në Manastirin e Fjetjes në Kakome, duke kapërcyer vështirësitë e aksesit nga abuzuesit mbi pronat manastiriale.

Mitropoliti i Gjirokastrës celebroi Liturgjinë Hyjnore në Kishën e Shën Harallambit të Sarandë, duke përkujtuar njëherësh edhe përvjetorin e Shenjtërimit të saj nga Kryepiskopi Anastas, në vitin 2011. Kujtimin e Shenjtërimeve që Kryepiskopi ka kryer në periudhën e të Kremtes së Fjetjes, ndër vite i kujtoi në të njëjtën mënyrë në datën e tyre edhe në Enori të tjera si në Livadhja, Mesopotam, Këlcyrë. Në këtë mënyrë mesazhi është i dyfishtë, përveç që zbatohet me rigorozitet sa parashikon tipikoja e Kishës sonë. Përçohet në kohë dhe jo si një moment diskret gëzimi i shenjtërimit si ndodhi esenciale në jetën e një komuniteti besimtarësh dhe ngjarje bazike në jetën e një enorie të caktuar nga njëra anë. Nga ana tjetër përbën kontribut shumëdimensional që së bashku me ndërtimin e vetë kishës të stabilizohet enoria dhe të fiksohet në kohën historike prania e komunitetit të Orthodhoksëve. Njëherësh besimtarët duke falënderuar Perëndinë për dhuratën e ngritjes së kishës dhe shenjtërimit të saj shprehin vit pas viti edhe mirënjohjen për Kryepiskopin për dhuratën që u ka bërë në jetën e tyre kishtare.

I veçantë ishte këtë vit edhe mëshimi në kishën e rikonstruktuar të fshatit Peshtan, që u krye me fondet e dhënë nga një banor i tij. Besimtarët orthodhoksë nga ky fshat u mblodhën me këtë rast nga anë të ndryshme të vendit, por edhe të ardhur nga emigracioni, për të festuar këtë të kremte të shënuar.