Kremtimi i Festës së Lartësimit të Kryqit
Çdo vit ne kremtojmë me shumë shpresëtari më 14 shtator Lartësimin e Kryqit. Kjo e kremte përkujton gjetjen e Kryqit të Krishtit nga Shën Elena, nëna e perandorit Konstandin, në shekullin IV dhe, pasi u mor nga persianët, rimarrjen e tij nga perandori Irakli, në shekullin VII, kur ai u “lartësua” në Kishën e Ngjalljes në Jerusalem.
Nga kjo ngjarje e fundit lartësimi universal i Kryqit filloi të kremtohej çdo vit në të gjitha Kishat e perandorisë dhe sot kremtohet nga të gjitha kishat Orhodhokse në mbarë botën.
Kjo e Kremte e “Lartësimit të Kryqit të Nderuar” u festua sot në Kishën Katedrale “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Shërbesa e Shenjtë në këtë ditë u drejtua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij Imzot Anastasi i shoqëruar nga Mitropoliti i Amantias Hirësi Nathanaili, Episkopi i Bylisit Hirësi Asti si edhe klerikë të Kryepiskopatës së hirshme.
Në fjalën e Tij në fund të Liturgjisë Hyjnore Kryepiskopi Anastas tha: “Para misterit të Kryqit, njerëzit qëndruan në mënyra të ndryshme. Ishin shumë ata që e panë atë (Kryqin) si një skandal, se si ishte e mundur që Perëndia të linte njeriun e Tij që të vuante përmbi Kryq. Kishte dhe të tjerë që e panë atë (Kryqin) si një marrëzi. Edhe ajo që ndodhi në shekullin e parë pas Krishtit ndodhi edhe në shekullin e kaluar (shek XX). Propaganda ateiste e shfaqte Kryqin sërish në një mënyrë ose në mënyrën tjetër – skandal për shumë veta, marrëzi për mjaft të tjerë.
Por sikundër Apostulli na theksoi, për ne Kryqi është misteri qëndror që ka Kisha jonë, simboli i pandërprerë i ecurisë që ne kemi në jetë, fuqi Perëndie dhe urtësi Perëndie. Ai që dukej dobësia më e madhe në fakt kthehet në fuqi më të madhe të epërme që mund të ketë. Me hirin e Perëndisë sa jemi pranë Tij e kemi përjetuar në mjaft raste këtë fuqi mahnitëse që ka Kryqi i Shenjtë në shumë çaste mjaft të vështira por edhe në jetën tonë të çdo dite.
Urtësia e Kryqit, e gjithë asaj përulësie e cila gjeti kulminacionin e saj përmbi Kryq. Dhe kjo urtësi përcakton dhe hedh dritë edhe mbi atë rrugë që ka gjithsecili prej nesh.
Vëllezërit e mi, ndërsa sot kremtojmë përsëri lartësimin e Kryqit të Shenjtë brenda historisë, le ta lartësojmë brenda zemrës, ndjenjave, shpirteve tona akoma dhe më shumë shenjën e Kryqit të Shenjtë dhe le ta ndiejmë sa herë Zotin tonë që nëpërmejt Kryqit të Tij, Ai është urtësia, fuqia që ne kemi”.
Pastaj të gjithë besimtarët nderuan kryqin dhe morën sipas traditës degë vasilikoje.