Kremtim plot madhështi në festën e madhe të Shenjtorit të Ilirisë Shën Joan Vladimiri!
Po festohen me plot madhështi në manastirin e hirshëm të Shën Joan Vladimirit në Elbasan shërbesa e Mbrëmësores, Mëngjesores edhe Liturgjia Hyjnore me praninë e Mitropolitit të Elbasanit Hirësi Andoni dhe Mitropolitit të Amantias Hirësi Nathanaili, i cili është duke drejtuar Shërbesat e Shenjta, si edhe me pjesmarrjen e klerikëve të shumtë nga Mitropolia e Hirshme e Elbasanit por edhe nga Kryepiskopata e Shenjtë. Të shumtë janë besimtarët si edhe pelegrinët të cilë kanë mbushur kishën përplot. Kjo e kremte e madhe po festohet me madhështi nga viti në viti. I pranishëm është edhe kori i katedrales “Ngjallja e Krishtit” “Shën Joan Kukuzeli” nën drejtimin e Theodhor Pecit, të cilët mbushin kishën me zërat e tyre dhe lartësojnë zemrat e besimtarëve drejt Qiejve përmes himneve që psalin. Risi e këtij kremtimi është edhe Shërbesa e Shenjtë dedikuar Shenjtorit të dashur të Ilirisë, që ishte përkthyer në fillimet e shekullit të XX nga i përndershmi Hirësi Visarion Xhuvani edhe tashmë vjen për psaltët e kishës sonë shkruar edhe me notat e muzikës bizantine falë përpjekjeve të z. Theodhor Peci. Manastiri i hirshëm i Shën Joan Vladimirit po shndërrohet nën kujdesin e veçantë të Mitropolitit të Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit Hirësi Andoni në një nga vendet më tërheqëse dhe medituese për shpirtrat e besimtarëve të cilët kërkojnë ndërmjetimin e Shenjtorit për nevojat e tyre shpirtërore dhe trupore!
Radio Ngjallja po trasmeton live në FB e saj Shërbesat e Shenjta.
Nga Manastiri i Shën Joan Vladimirit, korrespondenti i Radio Ngjallja
Foto: Theofani Sarijani & Jorgo Kobuzi