E kremtja e Theofanisë – Ujit të bekuar është shfaqja publike e Krishtit, kur Ai nis misionin e shpëtimit nëpërmjet mësimeve të Tij, vdekjes, ngjalljes dhe ngjitjes. Krishti së pari u pagëzua që të shenjtërojë ujërat dhe të shkatërrojë të keqen e tyre, të vdesë mëkatin dhe Adamin e vjetër, që të shfaqë Hyjninë Triadike si dhe të jetë një shembull për të gjithë ne. Kjo ditë ka këndimet e saj të veçanta, ku më e njohura nga ato që psalën është Përlëshorja e të kremtes: “Në Jordan kur pagëzoheshe, o Zot, falja e Trinisë u shfaq, se zëri i Prindit të dëshmonte, Bir të dashur duke të quajtur, dhe Shpirti në formë pëllumbi e siguronte vërtetësinë e fjalës. O Krisht Perëndi, që u fanese dhe ndriçove botën, lavdi më Ty!”
Sot, 6 janar 2022, Liturgjia Hyjnore u krye nga Kryepiskopi Anastas, bashkë me Mitropolitin Nathanail, Episkopin Asti dhe klerikë të Kryepiskopatës. Pas Liturgjisë Hyjnore u krye Shërbesa e Bekimit të Madh të Ujit (Ajazma e Madhe). Shërbesa u krye brenda katedrales, për t’u mbyllur jashtë saj, me hedhjen ujit të bekuar te cisternat, nga të cilat për gjatë gjithë ditës mijëra besimtarë mbushin ujë për të bekuar familjet dhe shtëpitë e tyre.Sherbesa e Bekimit të Ujit u krye edhe në Kishën e shën Prokopit, pranë liqenit, dhe në kishën e Shën Gjerasimit dhe të Gjithë Shenjtorëve, me pjesëmarrje të gjerë besimtarësh.