/Kremtim panagjirik në Mitropolinë e Hirshme të Gjirokastrës

Kremtim panagjirik në Mitropolinë e Hirshme të Gjirokastrës

Në të kremten e madhe të Analipsit (Ngjitja e Zotit Krisht në Qiej” u shenjtërua Kisha që mban emrin në nder të kësaj të Kremte, Kisha e “Analipsit” në fshatin Kakavijë të Gjirokastrës.
Shërbesat e Shenjta u drejtuan nga Mitropoliti i Gjirokastrës Hirësi Dhimitri, Mitropoliti i Amantias Hirësi Nathanaili si edhe me pjesmarrjen e klerikëve të Mitropolisë.
Por çfarë është inagurimi apo shenjtërimi i një kishe?

Inagurimi ose Shenjtërimi i Kishës

Nga: Dr. Thoma Shkira

Shenjtërimi i kishave si objekte të adhurimit hyjnor është i njohur dhe i dëshmuar që herët në Krishtërim. Vetë prezenca e Perëndisë në atë çka ne e quajmë shtëpia e Zotit shenjtëron elementet e natyrës, objektin e kishës dhe besimtarët që ndodhen në të. Kisha si tërësia e besimtarëve, pas periudhës së përndjekjeve (64-313), ndërtoi haptazi mbi tokë kishat e saj dhe nëpërmjet mbledhjes së klerit dhe popullit, me madhështi dhe entuziazëm, me pjesëmarrjen e shumicës së episkopëve dhe besimtarëve, shenjtëroi dhe kreu inagurimin e tyre siç ndodhi me kishat dhe bazilikat në Jerusalem (335), në Antioki (341), si dhe në kishën e njohur të Shën Sofisë në Konstandinopojë.

Etërit e kishës si shën Qipriani, shën Athanasi i Madh dhe shën Grigori i Nisës na dëshmojnë se sherbesa e inagurimit të kishës përmban mjaft himne, lutje dhe lexime të veçanta por gjithë rëndësia ka të bëjë me shenjtërimin e altarit apo tryezës së shenjtë. Në këtë altar Kryeprifti vendos lipsanet e shenjta të martireve nëpërmjet një rregulli liturgjik. Çdo mjet, çdo lëvizje, dhe çdo objekt i përdorur për shenjtërimin ka simbolikën dhe rëndësinë e vet teologjike.

Sot shenjtërimi i kishës kryhet me paraprirjen e shërbesës së mëngjezores, kryerjen e litanisë së lipsaneve të shenjta nga kryeprifti, vënien e tyre në altar, larjen me ujë të shenjtë erëmirë dhe lyerjen me miro të shenjtë të altarit (simbol i varrit të Krishtit). Me pas vendosja e katër pëlhurave në cepat e tryezës, të cilat simbolizojnë katër ungjillorët, na kujton qëndrimin e tyre tek Froni i Perëndisë. Gjithashtu vendosja e një nënmbulese mbi to, e cila quhet katasarkion, simbolizon copën ose rizën që Josifi mbështolli trupin e Jesuit per ta kallur ne varr. Pastaj, nga kryeprifti shkruhet me shkop monograma e Jesu Krishtit e cila përbëhet nga germat kapitale të emrit të Tij, X dhe P dhe germat alfa dhe omega që janë tregues se Krishti është i pari dhe i fundit. Këto në formën e kryqit në të katër anët e kishës dhe pasi kryhet digjet dyllë dhe liban dhe kisha spërkatet brenda dhe jashtë saj.

Rëndësia teologjike e shenjtërimit të kishës nëpërmjet lipsaneve të shenjta të martirëve është se kjo traditë dymijëvjeçare në kishën tonë është tregues se kemi të bëjmë me një kishë të gjallë. Tradita në Krishtërimin e hershëm të meshimit në varret e martireve kur ishin të fshehur në katakombe, ndërtimi i kishave mbi varret e martirëve, dhe prezenca e lipsaneve të martirëve në tryezën e shenjtë të kishave shfaq dukshëm nderimin e tyre si shërbëtorë të vërtetë të Perëndisë dhe tregon se shenjtërimi është qëllimi i Kishës dhe i çdo besimtari. Shenjtorët janë shembull dhe arritje e këtij qëllimi.

Ato nderohen si dhe gjatë litanisë së tyre duke u mbajtur nga kryeprifti në Diskun e shenjtë të Meshës Hyjnore, vërtiten prej tij dhe nga gjithë kortezhi kleri dhe popull tre herë rreth kishës që po shenjtërohet sepse janë dëshmi e arritjes së këtij qëllimi prandaj përdoren si mjet shenjtërues duke i vendosur në çdo tryezë të shenjtë. Sinodi i shtatë Ekumenik (787) në kanonin e tij të shtatë përcaktoi: “Sa tempuj të nderuar që nuk u inaguruan me lipsane të shenjta martirësh, urdhërohet të vendosen lipsane me lutjen e njohur. Cilido prift që meshon në tempull pa lipsane të shenjta, zhvishet, sepse nuk zbaton traditën kishtare”.

Pasi janë kryer rregullat kishtare të shërbesës së inagurimit të Kishës duke u alternuar me himne dhe psalme posaçërisht të kësaj shërbese kryhet liturgjia e parë panegjirike me një entuziazëm dhe një pompozitet të veçantë sepse u shtua dhe një tempull i cili shenjtëron besimtarët që do të jenë të pranishëm në të.