/Kremtim panagjirik në kishën orthodhokse të Shën Gjerasimit dhe Gjithë Shenjtorëve” – lagjja Kombinat.

Kremtim panagjirik në kishën orthodhokse të Shën Gjerasimit dhe Gjithë Shenjtorëve” – lagjja Kombinat.

Kremtim panagjirik në kishën orthodhokse të Shën Gjerasimit dhe Gjithë Shenjtorëve” (transferimi i lipsanit të Shën Gjerasimit) lagjja Kombinat.
Me bekimin e Kryepiskopit Anastas u zhvilluan sot Shërbesat e Shenjta në Kishën Orthodhokse të “Gjithë Shenjtorëve dhe Shën Gjerasimit” në lagjen Kombinat në Tiranë në të kremten e Shën Gjerasimit të Kefalonisë
Shërbesat e Shenjta u drejtuan nga Mitropoliti i Amantias Hirësi Nathanaili në bashkëmeshim me priftin e enorisë At Emanuelin edhe klerikë të Kryepiskopatës. Në fund të Liturgjisë Hyjnore u krye edhe Litania përreth Kishës me ikonën e shenjtit.
OSHËNAR GJERASIMI NË KEFALONI –
Shën Gjerasimi ishte nga Peloponezi. Prindërit e lejuan që të ri të studionte Shkrimet e Shenjta, në të cilat shkëlqeu. Pas disa vjetësh, la atdheun dhe shkoi në ishullin e Zakinthit. Që andej përshkoi tërë Greqinë. Nga Thesalia u nis për në Detin e Zi, Konstandinopojë, Propontidë dhe Kalqedoni.
Kudo që shkonte, kërkonte njerëz që kishin shkëlqyer në jetën asketike, që të mund t’i mësonin artin e arteve dhe shkencën e shkencave. Porsi bletë e zellshme shkoi edhe në Malin e Shenjtë, ku thithi nektarin e luleve të ndryshme të virtytit që vuri re tek asketët. Për një periudhë të gjatë qëndroi në shkollën e shërbëtorëve të Hyjlindëses në Athos. Mori Skimën e Madhe murgërore dhe u ushtrua në virtytet e jetës monakale, si kreshma e vazhdueshme, agripnitë gjatë natës, lotët, lartësimi i mendjes drejt Perëndisë në qetësinë absolute dhe pastërtinë e zemrës.
Pas disa vitesh, u nis për të nderuar Vendet e Shenjta. Në Jerusalem u dorëzua nëndhjak, më pas dhjak dhe prift për patriarkun Gjermani I (1537-1579). Pasi shërbeu për një vit në Varrin e Shenjtë, qëndroi 12 vjet në shërbim të patriarkut.
Një herë, u largua për në shkretëtirën e Jordanit dhe kaloi 40 ditë në kreshmë e lutje, ashtu si Zoti (Matth. 4.1; Mark. 1.12; Lluk. 4.1), pastaj u kthye sërish në patriarkanë për të vazhduar shërbimin e tij. E braktisi Jerusalemin për të vijuar pelegrinazhet e tij.
Qëndroi për pak kohë në Malin Sina, pastaj u nis për në Aleksandri. Përshkoi tërë Egjiptin, kaloi në Antioki, në Damask, pastaj lundroi për në Kretë dhe në fund u kthye në Zakinth. Atje u mbyll në një shpellë të largët dhe jetoi për pesë vjet me perime, pa bukë dhe kripë. Megjithëse ishte kaq i izoluar, u zbulua nga besimtarë që kërkonin bekimin dhe këshillat e tij. Por, duke kujtuar zërin e etërve se “s’ka gjë më të rrezikshme për murgun sesa lëvdatat dhe fama e mirë”, vendosi të largohej. Qëndroi për gjashtë vjet në një shpellë të vogël, në ishullin e Kefalonisë. Siç nuk është e mundur për llambën e ndezur ta fshehësh, kështu edhe virtyti i të lumurit nuk mund të mos zbulohej prej besëmirëve. Providenca e udhëhoqi drejt ishullit Omala, pranë një kishëze mrekullibërëse. Atëherë mori nga Perëndia sigurinë se tashmë kishte ardhur koha të pranonte dishepuj. Pranë tij erdhën 25 vajza të reja, të cilat i kërkuan t’i drejtonte në jetën shpirtërore dhe kishëzën ta shndërronte në manastir. Pranoi t’u komunikonte dishepujve të tij hiret dhe përvojën shpirtërore që Perëndia i kishte dhënë me mbushulli.
Manastiri u quajt “Jerusalemi i Ri” dhe dukej se banohej nga engjëj me trup. Arriti në moshë të madhe dhe paratha ditën e vdekjes. Mblodhi bijat e tij shpirtërore dhe u dha këshillat e fundit. Fjeti më 15 gusht 1579. Duke qenë se kjo datë përkon me festën e Fjetjes së Hyjlindëses, kujtimin e tij e kremtojmë më 20 tetor, ditën e transferimit të lipsanit të tij, i cili deri më sot ka mbetur i paprishur dhe ngjan sikur është duke fjetur. Nga ai buron erë e mirë dhe kryen mrekulli. Shën Gjerasimi u bë mbrojtësi i banorëve të ishullit të Kefalonisë. Tregoi në mënyrë të veçantë pushtet për të çliruar të demonizuarit. Përveç kësaj, falë tij Orthodhoksia u ruajt në Kefaloni, përgjatë shekujve të pushtimit venedikas.
Për Radio Ngjallja Jorgo Kobuzi