/Konferenca mediatike “Radiot fetare në gjuhën shqipe”

Konferenca mediatike “Radiot fetare në gjuhën shqipe”

Konferenca mediatike “Radiot fetare në gjuhën shqipe”

Përfaqësues nga radiot fetare, ekspertë dhe studiues të medias, deputetë dhe drejtues të institucioneve publike, klerikë të religjioneve, u mblodhën të mërkurën paradite në Tiranë në konferencën “Radiot fetare në gjuhën shqipe”.

Autoriteti i Mediave Audiovizive, në rolin e organizatorit të aktivitetit synon që përmes prezantimeve dhe diskutimeve nga të pranishmit të nxjerrë në pah rolin dhe kontributin e redaksive fetare të komunitetit, në promovimin e tolerancës dhe bashkëjetesës mes besimeve.

Në këtë aktivitet nga Kisha Orthodhokse morën pjesë Episkopi i Bylisit Hirësi Asti, përfaqësues nga Radio “Ngjallja” Aleksandër Dimroçi, Julia Pjetri, Jorgo Kobuzi si edhe z.Thoma Dhima nga Zyra e Shtypit të Kryepiskopatës.

Ministrja e Kulturës znj.Elva Margariti në fjalën e saj u përqendrua tek rëndësia e këtij takimi edhe pse “ gjatë këtyre 30 viteve toleranca fetare është një nga vlerat më të mëdha që i është njohur Shqiptarëve”. Ministrja Margariti, u shpreh se temat që trajtojnë mediat fetare promovojnë mjedisin e tolerancës në Shqipëri dhe i bëjnë një shërbim të mirë asaj.

Nga Selia e Shenjtë mori pjesë Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimet Shoqërore, Dr. Paolo Ruffini, i cili në fjalën e tij u ndal tek rëndësia e komunikimit në shoqëri i radiove fetare dhe roli i tyre në krijimin e një mjedisi sa më të drejtë dhe të shëndetshëm për fjalën. Sipas tij, “asgjë sa radioja nuk u jep kaq kuptim fjalëve”.

Në këtë drejtim ai nënvizoi rëndësinë e radio Vatikanit, e cila prej 68 vitesh transmeton në gjuhën shqipe, zhvillimet historike të Shqiptarëve, përfshirë ndryshimin e sistemeve dhe sfidat më të mëdha me të cilat përballet shoqëria jonë.
“Zëri i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe e shoqëroi udhën e bashkatdhetarëve tuaj gjatë kalvarit të diktaturës komuniste. Mbrojti dinjitetin e njeriut nga çdo formë abuzimi. Tregoi historinë e kombit tuaj, duke filluar nga ajo e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, “Athleta Christi”. I bëri të njohura vlerat, nënvizoi ndryshimet themelore e sinjalizoi ngjarjet më të rëndësishme, deri në agimin e lirisë e të demokracisë”, theksoi ai.

Rëndësia e radiove fetare, vijoi Ruffini, shihet gjerësisht në rolin e tyre për të hedhur farën e paqes, duke dëshmuar fenë. Siç edhe pohon Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi, “dialog ndërmjet besimtarëve do të thotë të takohemi në hapësirën e jashtëzakonshme të vlerave të përbashkëta shpirtërore, njerëzore e shoqërore e ta investojmë gjithë këtë në përhapjen e virtyteve më të larta morale, nxitur nga fetë”.

Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive z. Gentian Sala, u ndal tek vlera e këtij aktiviteti për nxitjen e bashkëpunimit fetar dhe forcimin e mëtejshëm të mesazheve paqtuese që këto institucione kanë dhënë në shoqëri. Z. Sala vlerësoi kontributin e radiove fetare të komunitetit të cilat përbëjnë një segment të tregut audioviziv që dallon nga pjesa tjetër, për qëndrueshmërinë e aktivitetit, vullnetarizmin e angazhimit të stafit në redaksi dhe për sasinë dhe larminë e temave që përgatiten nga vetë radioja.

Kryetari i AMA-s vijoi më tej se “ fillesat e këtyre radiove në vitin e “Mbrapshtë” 1997 kanë një domethënie të qartë për angazhimin e komuniteteve fetare në momentet e kaosit dhe trazirave sociale dhe politike të asaj periudhe”.

Radiot fetare janë refleksion i tolerancës dhe bashkëjetesës mes besimeve të ndryshme në vendin tonë dhe kjo konferencë shërben si prezantim i rolit dhe ndikimit të tyre pozitiv në shoqërinë tonë multifetare, angazhimin për produkte cilësore dhe pasurimin me më shumë pozitivitet të besimit fetar brenda dhe jashtë objekteve të kultit, përfundoi z.Sala.

Për herë të parë transmetimet me përmbajtje fetare si dhe zyrtarë nga publiku shqiptar janë ndjekur prej 3 tetorit të vitit 1951, me fillimin nga puna të seksionit shqip të Radio Vatikanit. Megjithëse aktiviteti fetar dhe liria e ushtrimit të besimit kanë qenë të ndaluara në Shqipërinë komuniste, sërish ka pasur shumë dëgjues të Radio Vatikanit që ndiqnin fshehurazi programet e saj.

Pas miratimit të ligjit për mediat audiovizive të vitit 2013, AMA, ka miratuar akte nënligjore që kanë bërë të mundur qartësimin e procedurave të licencimit të tyre, duke e konsoliduar këtë pjesë të tregut audioviziv, në shërbim të komuniteteve fetare dhe ndjekësve të transmetimeve të tyre. Aktualisht operojnë katër subjekte, radio Spektrum e komunitetit Musliman, Radio Maria e besimit Katolik, Radio Ngjallja e Kishës Ortodokse dhe Radio Dodona e Kryegjyshatës Bektashianë.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

2 tetor 2019