Kisha Orthodhokse Ruse hap qendër rehabilitimi falas në Moskë
Më 20 Gusht, Kisha Orthodhokse Ruse çeli në Moskë një qendër të re rehabilitimi për të droguarit.
Sipas raportimeve të Departamentit të Bamirësisë dhe Shërbimeve Sociale të Sinodit, qendra në fjalë, e ndërtuar në Kishën e Trinisë Jetëbërëse në Zamoskvoreceje, do jetë e para qendër falas dhe joqeveritare në kryeqytet.
Në të ofrohen seanca intensive nga 6 ditë në javë për periudha 3 mujore, terapi grupi si dhe trajtime individuale. Në një seancë në grup mund të hyjnë më shumë se 15 meshkuj dhe femra.
Hapja u kryesua nga Hirësia e Tij, Episkopi Thoma i Brnitsit, bekoi edhe ambientet e qendrës, dhe morën pjesë drejtori dhe njëkohësisht kryetari i Departamentit të përkujdesjes së personave të varur, Aleksei Lazarev, priftërinj, stafi dhe ish të varur që janë ndihmuar nga projekte të tilla të Kishës.
“ Janë ë shumtë ata që mendojnë se të merresh me personat e varur nga droga është një punë e dorës së dytë, apo se ata duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre” – u shpreh hirësia e tij, episkopi Pandeleimon i Orekhovos. “Dyert e Kishës janë të hapur për të gjithë ata që shfaqen të gatshëm të ndryshojnë jetët e tyre, e të luftojnë me varësinë që i mundon. Qendra do të jetë e hapur për të gjithë njerëzit, pavarësisht besimit, moshës apo prejardhjes së tyre”-përfundoi ai.
Stafi ndihmës përbëhet nga psikologë, konsultorë dhe një punonjës social që do t’i ndihmojë pjesëmarrësit të punësohen në vazhdim. Do të mbahen takime të rregullta me klerikë të ndryshëm, dhe nuk do të mungojnë as filmat apo aktivitetet artistike. Nëse do të jetë nevoja, pacientëve do t’u mundësohen ekzaminime mjekësore në spitalin e Shën Aleksit, Mitropolitit të Moskës.
Ky organizim u mundësua falë Departamentit Sinodik dhe Fondacionit bamirës të Shën Joanit të Kroshtandit. Përgjatë tre muajve të Pranverës, kanali Televiziv i Kishës Orthodhokse shfaqi një projekt nga i cili u grumbulluan 231.000 rubla ($3.500), të cilat shkuan për riparimin e ndërtesës që tashmë përdoret për qendrën.
Sot Kisha Orthodhokse e Rusisë ka nën mbikëqyrje rreth 500 projekte kundër alkoolizmit, përfshirë këtu më shumë se 70 qendra rehabilitimi për pacientë që janë të varur prej kohësh, si dhe mbi 60 qendra konsultimi, 18 qendra shoqërizimi dhe struktura të tjera dytësore. Ҫdo vit hapen mesatarisht 10 struktura të reja për ata që vuajnë nga vartësi të ndryshme.