/Kisha Orthodhokse e Finlandës kremton kanonizimin e shën Joanit të Sonkajanranta-s.

Kisha Orthodhokse e Finlandës kremton kanonizimin e shën Joanit të Sonkajanranta-s.

Kisha Orthodhokse e Finlandës kremton kanonizimin e shën Joanit të Sonkajanranta-s.

Më 29 Nëntor të vitit të kaluar, Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, me propozimin e Kishës Orthodhokse të Finlandës, vendosi të nderojë në radhët e shenjtorëve martirin dhe omologjetin Joan të Sonkajanaranta-s (1884-1918).

Shën Joani (Johannes Vasilinpoika Karhapää) ishte një misionar orthodhoks të cilin e vranë gjatë luftës civile të Finlandës. Në të njejtën ditë me të është kanonizuar edhe Jerond Joani i Valaamit, kujtimi i të cilit nderohet më 1 Qershor.

Shpallja e nderimit të tij u kremtua të shtunën, në kishën e “Profeteshës Ana” në Sonkajanranta ,  që ndodhet në juglindje të Finlandës. Liturgjia Hyjnore u kryesua nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Leo i Helsinkit dhe i gjithë Finlandës. Bashkë me të meshuan edhe klerikë të tjerë të kishës së Finlandës.

Në Liturgjinë Hyjnore morën pjesë edhe shumë besimtarë, përfshirë edhe të afërm dhe familjarë të shenjtorit. Për shkak të numrit të madh të njerëzve, kisha u tejmbush dhe shumica e besimtarvve e ndoqën Liturgjinë nga projektorë të vendosur në oborrin e Kishës.

Kryepiskopi mbajti një predikim lidhur me veprën e shenjtorit, ndërsa Kryedhjakon Juha Pessie lexoi jetën e shenjtorit. Më pas u bë edhe litania e ikonës, ku bashkë me ikonën e shenjtit shkuan tek një kryq i ngritur për nder të tij në vitin 1980.

Më pas u shtrua një drekë për të gjithë besimtarët, dhe kremtimi përfundoi me një shërbesë të Himnit Akathist drejtuar shën Joanit. Të gjithë besimtarëve iu dhurua nga një ikonë e vogël e shenjtit.

JETA E SHENJTORIT:

Shën Joani lindi më 1884 në province Sonkajanranta të Iliomantsisë. U martua dhe pati dy fëmijë. Pas vdekjes së gruas së tij, u martua përsëri më 1910.

U rrit me një shpresëtari të thellë. Ndërsa asokohe ishte hapur një qendër misionarizmi e kishës Luteriane, ai themeloi një shkollë Orthodhokse dhe një shoqatë që shërbeu si nënndarje e vëllazërisë së “Shën Sergjit dhe Hermanit”.

Shën Joani gjithashtu punoi si katekist duke udhëtuar nëpër vende të ndryshme në Ilomantsi, ndërsa në vitin 1914 u emërua mësues i lëndës së fesë në të gjithë provincën  e Kuopios. Vepra e tij e pareshtur nxiti zilinë e dashakeqësve, të cilët shumë herë e akuzuan si spiun dhe ithtar të regjimit carist.

Kisha e “Profeteshës Ana”, në të cilën u bë dhe kanonizimi i tij, u ndërtua më 1915 si kishë e shkollës që ai themeloi. Shën Joanin e nderonin shumë për zellin dhe misionarizmin e tij, por nga ana tjetër edhe e urrenin dhe e shikonin si propagandist të fesë.

Akuzat ndaj tij sa vinin e shtoheshin dhe në fillim të Revolucionit Rus më 1917, e akuzuan edhe si Bolshevik. Shenjti nuk iu kundërpërgjigj asnjëherë akuzave ndaj tij.

Më pas, edhe në qarqet orthodhokse nisën shpifjet ndaj tij, dhe u detyrua të heqë dorë nga e gjithë vepra e tij. Shën Joani humbi edhe përkrahjen e Kryepiskopit, dhe kur filluan trazirat e luftës civile,  të gjithë filluan ta shihnin si keqbërës e kriminel.

E arrestuan bashkë me të vëllanë në Mars të vitit 1918, pasi i gjetën një ikonë të vogël në xhep.  Më pas e mbyllën në një bodrum bashkë me të burgosur të tjerë, dhe nuk kaloi shumë kohë pasi u qëllua nga gardianët, për motive ende të paqarta.

E shoqja arriti ta merrte trupin e tij vetëm disa muaj pasi e kishin ekzekutuar, dhe e varrosën në Iliomantsi bashkë me shumë besimtarë  të tjerë Orthodhoksë .

Burimi: http://orthochristian.com/122424.html?fbclid=IwAR1Sa8Obf1xRcIKhnJitMO7HiHPbLR1W7hikWaER-z383QsqSUxRN5I7jK0