Kisha Orthodhokse e Bullgarisë ushqen mijëra persona çdo ditë, nëpërmjet mensave të hapura nëpër shumë qytete të vendit.
Teksa temperaturat sa vijnë e ulen, rritet gjithnjë e më shumë nevoja për ndihmat sociale dhe humanitare, dhe prandaj Kishat Orthodhokse në mbarë botën kanë krijuar programe të ndryshme për t’iu ardhur në ndihmë nevojtarëve.
Megjithëse për aktivitetet dhe organizatat sociale të Kishës së Bullgarisë nuk janë bërë statistika zyrtare, nëpërmjet një hulumtimi të bërë nga “Dobrotoliubie” rezultoi se shifra e nevojtarëve që përfitojnë nëpërmjet programeve të ndryshme të Kishës arrin në disa mijë persona në ditë.
Mensat e Kishës ushqejnë më tepër se 2.400 persona në bazë ditore ose javore. Megjithatë, “Dobrotoliubie” dëshmoi se shumë nga këto mensa nuk mbanin statistika të plota, që do të thotë se shifrat reale janë shumë më të larta.
Sipas një informacioni zyrtar të dhënë nga zyrtarët e Republikës së Bullgarisë më 2018, në një iniciativë të përbashkët të ndërmarrë me Mitropolinë e Sofies, për një muaj e gjysmë arritën të ushqehen më shumë se 30.000 të moshuar.
Duhet të theksohet se mensat dhe institucionet sociale në Bullgari nuk kanë një fond vetjak dhe për pasojë, mbështeten kryesisht në ofrimet vullnetare. Kjo përbën edhe vështirësinë e tyre më të madhe, për përparimin e mëtejshëm të punës.
Deri më tani, kjo kishë ka 31 mensa të cilat shërbejnë në bazë ditore ose javore. Organizatat bamirëse të administruara nga enoritë, klerikët dhe dioqezat e ndryshme filluan të ekzistojnë në Bullgari pas rënies së regjimit komunist, 30 vjet më parë.