/Kisha Orthodhokse, ç’ka qënë dhe ç’është sot?

Kisha Orthodhokse, ç’ka qënë dhe ç’është sot?

Nga At Grigor Pelushi dhe Esido Barkaj

Regjimi i egër komunist, masakroi dhe dhunoi ashpër komunitetet fetare në Shqipëri. Guxoi duke shkuar deri në atë pikë, sa vendi ynë, u shpall shteti i parë ateist në botë.

Qindra kisha dhe xhami u hodhën në erë, ato pak që i mbijetuan çmendurisë së monizmit, u përdoren si magazina, duke përdhosur edhe më tej besimet fetare.

Sa i përket tempujve të besimit, komuniteti orthodhoks u dëmtua më shumë, pasi pësoi një dëm të madh në shembjen e kishave dhe manastireve.

Me rënien e komunizmit, Kryepiskopi Anastas, me misionin e tij apostolik, nisi ringritjen nga hiri të orthodhoksisë në Shqipëri.

Kur ai mbërriti në vendin tonë, nuk kishte asnjë godinë apo një zyrë ku mund të niste punën e tij.

Në librin e tij ‘Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë’, Kryepiskopi Anastas kujton:

‘Gjatë kohës së persekutimit, pjesa më e madhe e kishave orthodhokse dhe e manastireve u shkatërruan. Në vitin 1991, kur vizituam vendin, në shumë qytete ishim të detyruar të mblidheshim nëpër ambjente të hapura, të meshonim nën hijen e pemëve të mëdha, madje edhe të kryenim dorëzimin e parë të një kleriku shqiptar në Korçë, në një ballkon, ndërsa besimtarët ndiqnin të grumbulluar në shesh. Nuk kishte asnjë dhomë për të strehuar Kryepiskopatën dhe Mitropolinë e Beratit e të Gjirokastrës.

Për të mbuluar nevojat urgjente organizative dhe liturgjike, organizuam një ‘Zyrë Teknike’ të veçantë me një grup arkitektësh dhe inxhinierësh vendas e të huaj, bashkëpunuam me shumë firma ndërtuese, mblodhëm fondet e nevojshme e në këtë mënyrë, me fuqinë dhe bekimin e Perëndisë, u realizua në pak vjet një vepër e gjërë ndërtuese.’

Sot, Kisha Orthodhokse është ringjallur dhe është rënditur në krah të Kishave simotra të saj në botë.

Është bërë një punë kolosale duke ndërtuar nga thelemet 150 kisha të reja dhe duke restauruar plot 60 monumente të kulturës, si kisha dhe manastire të ndryshme në të gjithë vendin. Ajo që mban peshën më të madhe sa i takon arkitekturës, është Katedralja ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë.

Të gjitha kishat e ndërtuara, japin një tjetër estetikë qyteteve falë perfeksionit të ndërtimit të tyre.

U restauruan, në bazë të punimeve shkencore të veçanta, 60 monumente të kulturës, midis të cilave manastiret si: i së Tërëshenjtës në Ardenicë, i Shën Kozmait në Kolkondas, i Shën Gjergjit në Çukë, i Shën Dhimitrit në Qeparo, i Shën Thomait në Berat, i Kryeengjëjve në Gjirokastër, i Profetit Ilia në Lekël, i Fjetjes së Hyjlindëses në Leusë të Përmetit etj.

U rindërtuan tërësisht ose u riparuan edhe 160 kisha të tjera, nga të cilat veçojmë kishat e Tiranës, të Kavajës, të Lushnjës, të Durrësit dhe të Elbasanit.

Gjithashtu u ndërtuan ose u blenë dhe u riparuan 70 ndërtesa, midis të cilave: kompleksi i Akademisë Teologjike, ndërtesat e Manastirit të Ri të Shën Vlashit, Kryepiskopata, Mitropolitë e Gjirokastrës, Korçës, Beratit etj.

Gjithashtu u ndërtua skita e murgeshave afër Manastirit të Ri të Shën Vlashit, një shtëpi pritjeje në Tiranë, shtëpi rinie dhe shtëpi pritjeje në Korçë, Elbasan e në Kavajë dhe ndërtesa më të vogla në qytete të tjera.

Krahas këtyre u ndërtua kompleksi i punishteve ‘Nazaret’ i Kishës, ku ndodhet shtypshkonja, punishtja e qirinjve, zdruktharia, punishtja e hekurit, atelieja e drugdhëndjes, atelieja e restaurimit të ikonave dhe e ikonografisë.

Të gjitha këto investime, kuptohet se kërkojnë fonde dhe mbështetje të mëdha financiare. Këto vepra të mëdha ndërtuese u realizuan me ndihma bujare të miqve nga jashtë vendit, në një kohë kur Shqipëria ishte në një turbullirë politiko-shoqërore, në krizë ekonomike, pa siguri dhe kur Kisha Orthodhokse përballej me vështirësi të ndryshme.

Jo vetëm kaq, por kontributi që Kisha ka dhënë përmes këtyre ndërtimeve, manastireve dhe qëndrave të punësimit, kanë ndikuar edhe në ekonominë e vendit.

Me anë të veprave ndërtuese të infrastrukturës, të cilat arrijnë deri në 450 ndërtesa, Kisha Orthodhokse ka kontribuuar pa zhurmë dhe në mënyrën dinjitoze në zhvillimin ekonomik të vendit, duke u ofruar punë qindra nëpunësve, dhjetra kompanive vëndase dhe qindra mjeshtrëve e punëtorëve të specializuar. Ka qënë një prej investuesve më seriozë të vendit, duke pasur dy karakteristika bazë: paguan të gjitha taksat dhe nuk nxjerr jashtë vendit asnjë dollar ose euro.