Kryepiskopit Anastas i jepet Çmimi Ndërkombëtar
“Klaus Hemmerle 2020”
Për kontributin e tij në përqasjen dhe bashkekzistencën paqësore
të komuniteteve të traditave të ndryshme
Sot, më 14 shkurt 2020, ora 19.00, Kryepiskopi i Tiranës,
Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, nderohet me Çmimin “Klaus Hemmerle
2020”. Ceremonia e dorëzimit të Çmimit do të bëhet në Kishën Katedrale
historike të Aahenit, në Gjermani. Ky vlerësim i rëndësishëm u jepet një herë
në dy vjet, nga Lëvizja e Fokolarëve personaliteteve ndërkombëtare që kanë
kontribuar në përqasjen dhe në mirëkuptimin e komuniteteve me tradita të
ndryshme kulturore e fetare. Lavdërimin (Laudatio) për personin e nderuar me
këtë çmim do ta mbajë kardinali Kurt Koh, President i “Këshillit Pontifik për
Promovimin e Unitetit të Krishterë” (PCPCU). Në përshëndetjen e tij falënderuese,
Kryepiskopi Anastas do t’i referohet shkurtimisht temës “Bashkekzistenca
paqësore në një botë multifetare”. Ceremonia do të mbyllet me një program me
muzikë klasike.
Fokolarët janë një “Lëvizje për ripërtëritje shpirtërore dhe sociale”
romano-katolike, që ka për qëllim arritjen e paqes dhe të bashkekzistencës
paqësore midis njerëzve dhe popujve. Ata numërojnë reth 140.000 anëtarë dhe
veprojnë në 180 vende. Prej vitit 2002 kanë themeluar çmimin në fjalë për nder
të Klaus Hemmerle (1929-1994), “këtij ndërtuesi urash” shpirtërore, i cili ka
qenë Episkop i Aahen (1975-1994) dhe profesor i Filozofisë së Fesë.
Me rastin e këtij aktiviteti, të pranishmëve do t’u vihet në dispozicion
përkthimi në gjermanisht i librit të Kryepiskopit Anatas “Hierapostullim në
gjurmët e Krishtit”, që u botua së fundmi nën përkujdesjen e Universitetit të
Friburgut, në Zvicër.